Maqedonia-Shtet oruelian i VMRO-s

Histori & Fakte | Zef Prenka | 28.02.15 | 09:24

VMRO-ja, ideologjinë e vet partiake e identifikoi me ideologjinë kombëtare, të cilën pastaj e shndërroi në politikë shtetërore. Me fjalë të tjera, që nga viti 2006 deri më sot, ideologjia partiake e VMRO-së, njëherazi është edhe politikë shtetërore e Maqedonisë. Ideologjia nacionaliste e VMRO-së është ideologji totalitare, e tipit bizantin, bolshevik dhe stalinist. Si pasojë e kësaj ideologjie totalitariste të saj, që njëherazi është edhe politikë shtetërore, u ndërtua një Maqedoni jodemokratike.
Përballë kësaj ideologjie ultra-nacionaliste sllavo-maqedonase, qëndron një faktor politik shqiptar, kryekëput i pakonsoliduar, i fragmentarizuar, i pakoordinuar, i paaftë dhe i dobët.
Politika restriktive e VMRO-së ndaj shqiptarëve që nga viti 2006 e këndej, nëpërkëmbja e Marrëveshjes së Ohrit, degradimi i faktorit politik shqiptar dhe sulmet e kohëpaskohshme ushtarako-policore ndaj shqiptarëve – nuk janë punë rasti. Ato paraqesin një mënyrë asimetrike të luftës ndaj shqiptarëve dhe janë në përputhje të plotë me ideologjinë totalitariste të ultra-nacionalistëve sllavo-maqedonas. Mega skandali i përgjimit të qytetarëve është nënprodukt i ideologjisë totalitare, i politikës populiste dhe i qeverisjes jodemokratike.
Politika ultra-nacionaliste e qeverisë së Gruevskit, pjesë e së cilës është edhe faktori politik shqiptar që nga viti 2006 e këndej, është në kundërshti të plotë:
– me politikën e fqinjësisë së mirë;
– me proceset e integrimit në organizmat euro-atlantikë;
– me politikën e paqes dhe të stabilitetit në rajon;
– me parimet demokratike;
– me kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Ideologjia dhe politika jokooperuese e VMRO-së e thellon konfliktin me Athinën dhe Sofjen, i acaron marrëdhëniet ndëretnike midis shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, e largon Maqedoninë nga bota perëndimore dhe e afron atë me boshtin lindor – me Serbinë, me Rusinë dhe me Kinën e largët. Me fjalë të tjera, ideologjia dhe politika jodemokratike e VMRO-së dhe e qeverisë së Gruevskit, e lë Maqedoninë në anën lindore të Limes Theodosiana. Politika destruktive e VMRO-së nuk lë asnjë hapësirë për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Athinën. Si rrjedhojë, Maqedonia vonohet në proceset e integrimit në organizmat euro-atlantikë. Shqiptarët ndërkaq, pa pikën e fajit, i vuajnë pasojat e prolongimit të proceseve integruese. Faktori politik shqiptar ndërkaq, ndonëse pjesë e bashkëqeverisjes, nuk ka kurrfarë ndikimi për zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
Ideologjia dhe politika e VMRO-së dhe e qeverisë së Gruevskit, Marrëveshjen e Ohrit e shtrembëroi, ndërkaq kërkesat politike të shqiptarëve i zëvendësoi me ndërtimin e ndonjë salle fizkulture dhe me asfaltimin e ndonjë rrugice fshati. Politikanët dhe funksionarët shqiptarë, të përjashtuar nga çdo proces politik dhe të mbetur në margjinat e politikës vendimmarrëse, vite me radhë janë duke e përsëritur refrenin, qëmoti të shndërruar në klishe: “Ne e mbështesim fuqimisht integrimin e vendit tonë në NATO dhe në BE”. Për integrimin në gjirin perëndimor, faktori politik shqiptar, përpos deklaratave retorike, nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret. Faktori politik shqiptar duhet të dijë se:
– shteti policor, totalitar dhe jodemokratik nuk e ka vendin në strukturat euro-atlantike;
– shteti i përbërë prej dy bashkësive etnike, para se të hyjë në NATO dhe në BE, duhet të denacifikohet dhe të pushojë të funksionojë si shtet unitar, monoetnik dhe centralist.
Pas çdo krize në Maqedoni, me karakter ndëretnik, Tirana dhe Prishtina dilnin me komunikata të gatshme: “Me Maqedoninë kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Politikanët shqiptarë atje duhet të vazhdojnë të jenë konstruktivë, ngase destabilizimi i Maqedonisë shpie në destabilizimin e rajonit…” Prononcimet e sipërthëna që bëjnë thirrje për ruajtjen e stabilitetit të një shteti policor, totalitar dhe jodemokratik dhe që depërton në jetën private të qytetarëve të vet – sikur Vëllai i Madh i Xhorxh Oruelit – janë groteske, bizare dhe banale.
Ideologjia dhe politika e VMRO-së është në thelb: anakronike, retrograde, nacional-romantike, e vonuar, e tipit të shekullit XIX, ultra-nacionaliste, totalitariste, jodemokratike, jokooperuese, destruktive, izoluese dhe anti-integruese. Pjesë e kësaj ideologjie dhe politike, tërthorazi apo drejtpërsëdrejti, është edhe faktori politik shqiptar, si pjesë e bashkëqeverisjes, që nga viti 2006 e këndej.
Me konceptin ideologjik jodemokratik, VMRO-ja e ka politizuar dhe e ka partizuar tërë sistemin politik dhe juridik të shtetit: e ka instrumentalizuar sistemin gjyqësor, e ka nënshtruar prokurorinë publike, e ka vënë nën kontroll policinë e shtetit, i ka shtie në dorë 98% të mediumeve – të shkruara dhe elektronike, i kanoset autonomisë së arsimit universitar, synon t’i disiplinojë punëtorët e arsimit dhe studentët.
Koncepti ideologjik totalitar i VMRO-së e ka pezulluar Kushtetutën e Maqedonisë, ndërsa funksionimin e organeve ekzekutive dhe ligjvënëse e ka shndërruar në teatër grotesk. Liderët prepotentë të VMRO-së jetojnë me idhuj të gabuar dhe e gjithë kjo ndodh në Evropën demokratike të shekullit XXI.
Duke e suspenduar kushtetutën e vendit dhe duke e politizuar dhe partizuar sistemin politik dhe juridik, VMRO-ja krijoi nga Maqedonia shtet policor. Në një shtet të tipit stalinist, çdo segment i shoqërisë kontrollohet dhe mbikëqyret nga shërbimi sekret.
Kreatorët e shtetit policor thonë dhe pyesin:
– përgjimet i ka kryer një shërbim i huaj zbulimi;
– nga i mori përgjimet lideri i opozitës maqedonase?
Dy fjalitë e sipërthëna të makinës propagandistike të VMRO-së paraqesin ndërrim tezash. Ato nuk e përbëjnë thelbin e aferës së përgjimeve. Kuintesenca e çështjes qëndron në faktin se krerët e VMRO-së, me veprimet e veta i kanë pezulluar institucionet e shtetit, duke i vënë ato nën kontroll të plotë, me qëllim të krijimit të shtetit policor.
Duke i përgjuar dhe duke i përcjellë qytetarët e vet, duke i vënë nën kontroll institucionet publike si dhe duke i frenuar proceset demokratike, krerët e VMRO-së kanë kryer puç dhe grusht shteti njëherazi. Me një fjalë, nuk janë puçistë ata që duan ta nxjerrin në shesh të vërtetën mbi mënyrën e funksionimit të shtetit policor. Puçistë janë arkitektët e shtetit partiak. Zbardhja e së vërtetës mbi përgjimin e qytetarëve, fare nuk ndikon në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Ata që e zbardhin të vërtetën mbi mënyrën e funksionimit të shtetit policor, nuk janë tradhtarë të këtij vendi. Përkundrazi, ata duhet të konsiderohen pishtarë të proceseve demokratike dhe të ndërtimit të shtetit ligjor.
Zbardhja e së vërtetës nuk duhet të bëhet dhe nuk mund të bëhet në institucionet e shtetit, për arsye se një vend i shndërruar në shtet policor, nuk ka kapacitet demokratik për ta zbardhur të vërtetën. E vërteta e përgjimeve nuk zgjidhet as edhe me komisione që i propozojnë trafikantët politikë. “Po qe se dëshiron të mos e zgjidhësh një problem, formo komision” (Winston Churchil). Zbardhjen e së vërtetës mbi mënyrën e funksionimit të shtetit policor s’ka pse ta bëjnë ndërkombëtarët. Atë duhet ta bëjnë vetë qytetarët e këtij vendi.
Qeveria e përtashme e Gruevskit e ka humbur kredibilitetin e vet. Të diskutueshëm e ka edhe legjitimitetin. Rënia e kësaj qeverie është imperativ i kohës dhe sine qua non për një Maqedoni demokratike, si pjesë e familjes së madhe perëndimore. Qeveria e Gruevskit duhet ta ketë të qartë se qendrat politike ndërkombëtare – Uashingtoni dhe Brukseli kurrë nuk kanë për ta përfillur një qeveri të këtillë që ndërton shtet policor. Personat që janë përgjegjës për vrasjen e demokracisë duhet të largohen nga skena politike dhe të përballen me drejtësinë. Syrvejuesit orvelianë të VMRO-së janë kundër qytetarëve të këtij vendi, pa dallim përkatësie kombëtare.
Po të mos ndriçohej mënyra e funksionimit të këtij shtetit totalitar, kanosej rreziku që VMRO-ja të bënte në këtë vend evropeizmin e regjimit të Pol Potit.

Xhelal Zejneli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen