Njohja e Kosovës nga BE-ja edhe më larg se më parë

Analiza & Komente | admin | 01.12.12 | 23:01

Kosova dhe Qeveria e saj janë dorëzuar tepër herët duke shprehur „mirëkuptim“ për situatën në të cilën ndodhen shtetet që nuk e njohin Kosovën, përfshirë edhe Serbinë

Përderisa bëhen gara mes anëtarëve të Qeverisë së Kosovës se kush ka sjellë cilën njohje nga ndonjë shtet i botës së tretë, nuk ka lëvizje brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që do të linin ndonjë shpresë për njohje nga anëtarët kundërshtues të këtyre dy organizatave. Pa këto njohje realizimi i aspiratave për integrime evroatlantike mbetet vetëm një ëndërr, e cila nuk mund të realizohet.Në NATO dhe BE mund të anëtarësohen vetëm shtetet sovrane. Aleanca e Atlantikut e Veriut nuk ka bërë asnjë përpjekje për të krijuar iluzione se Kosova mund të integrohet apo të ketë ndonjë status partneriteti si shtet edhe nëse nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare. Por në BE tash e sa vjet jemi dëshmitarë të nxjerrjes së ideve të ndryshme që kanë për qëllim krijimin e përshtypjes se Kosova, sikur të gjitha vendet e tjera të rajonit, është duke ecur po ashtu drejt integrimeve evropiane.

Vërtet BE-ja mund të ketë raporte dhe marrëveshje edhe me rajone, entitete apo komunitete të cilat nuk janë shtete sovrane. Pikërisht këtë mundësi është duke e shfrytëzuar edhe në rastin e Kosovës dhe madje duke kënaqur qëndrimet e shteteve të cilat e njohin Kosovën dhe të atyre që nuk e njohin. Kosova natyrisht nuk është në pozicion t’u thotë jo këtyre ofertave të Bashkimit Evropian. Por Kosova nuk duhet të kënaqet me kaq dhe madje të manipulojë opinionin e saj se po trajtohet si secili shtet tjetër nga BE-ja. Kjo, thënë thjesht, nuk është e vërtetë. Kosova trajtohet ndryshe dhe ndryshimi tash qëndron në faktin se Kosova vetë ka pranuar që të trajtohet ndryshe. Kur Kosova, në dialogun me Serbinë, ka pranuar që emri i saj në takime rajonale të përdoret me fusnotë, ajo ka pranuar që të mos identifikohet njësoj sikur shtetet e tjera. E atë marrëveshje me Serbinë për pjesëmarrje të Kosovës në nismat rajonale tash janë duke e përdorur edhe në BE.Vërtet edhe më parë BE-ja ka mundur si të dojë të shkruaj emrin e Kosovës sepse Kosova, edhe po të donte, nuk do të kishte mundësi të ndryshonte mendjen e tyre. Edhe më parë Bashkimi Evropian emrin e Kosovës e shkruante duke përmendur si referencë administratën e UNMIK-ut, apo Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mosparagjykimin e qëndrimeve të shteteve anëtare rreth statusit. Por tash kjo bëhet me pajtimin e vetë Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës mburren me arritjen e fusnotës dhe thonë se ajo ia ka hapur rrugën Kosovës për integrime në BE. Sa është hapur kjo rrugë është çështje interpretimesh, edhe pse nuk duhet ulur rëndësinë e nisjes së dialogut të vizave, ofertën e kushtëzuar për mundësinë e nisjes së negociatave për një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi. Sa i përket anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, edhe ky hap është i rëndësishëm, por ai nuk lidhet me procesin e integrimeve në BE. Nëse këto oferta kënaqin Qeverinë e Kosovës, dhe nëse ajo mendon se për to ia vlen të hiqej dorë nga përdorimi i emrit kushtetues të Kosovës, duke u dalë nga shtetet e tjera të cilat nuk kanë asnjë bisht prapa emrit të tyre, atëherë edhe ky do të ishte një qëndrim legjitim.

Problemi mbetet në traktatet e BE-së, të cilat nuk japin mundësi të anëtarësimit në BE të “entiteteve që nuk janë shtete sovrane”. Kjo nuk është e mundur, sepse në BE mund të anëtarësohen vetëm ato shtete, të cilat janë të njohura si shtete sovrane nga të gjitha shtetet ekzistuese anëtare. Hong-Kongu, Makao he Tajvaniu mund të kënaqen me marrëveshje, të cilat nuk paragjykojnë shtetësinë e tyre. Megjithatë ato rajone autonome nuk janë në Evropë dhe si të tilla nuk kanë e as nuk mund të kenë aspirata të anëtarësimit në BE. Kosova prandaj dallon nga to. Pra nëse Kosova dëshiron një trajtim të njëjtë me shtetet e tjera, nëse dëshiron të nisë rrugën formale të anëtarësimit në BE, atëherë duhet të njihet si shtet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. E njëjta vlen edhe për NATO-n. Përderisa kjo të mos ndodhë, deklaratat për “integrime euroatlantike“ mbeten vetëm parulla politike.

Kosova e ka humbur momentin për t’u njohur nga të gjitha shtetet e BE-së. Për këtë duhet fajësuar më shumë Bashkimin Evropian sesa Kosovën. Ishte BE-ja ajo që nuk arriti të ketë konsensus të 27 vendeve anëtare për të njohur Kosovën kur kjo shpalli pavarësinë. Prej atëherë kaluan gati pesë vjet dhe nuk ka ndryshuar asgjë në BE. Edhe më keq, është zhdukur çdo presion ndaj 5 vendeve anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën. Në këtë kontekst nuk po llogarisim kërkesën e përhershme të Parlamentit Evropian ndaj 5 shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që “sa më parë ta bëjnë një gjë të tillë”.

Gabimi në BE ka qenë dhe vazhdon të jetë në pajtimin tepër të lehtë se “jemi të ndarë rreth Kosovës“. Edhe pse kundër njohjes së pavarësisë janë vetëm 5 nga 27 shtete anëtare, nuk ka pasur shumë përpjekje që ky grup i vogël ta ndryshojë qëndrimin dhe t’i bashkohet shumicës duke e njohur Kosovën. Nuk është Kosova e vetmja temë rreth së cilës BE-ja nuk ka qëndrim unik. Por Kosova po mbetet e vetmja për njohjen e së cilës as që ka përpjekje serioze në BE për të arritur konsensus.

Në vend që pesë shtetet e BE-së të ecin drejt njohjes së Kosovës me kalimin e kohës, ato kanë përforcuar edhe më shumë pozicionin e tyre kundër. Në këtë ka ndikuar shumë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson BE-ja. Në rastin e dialogut Bashkimi Evropian ka përmendur pikërisht ndasitë rreth njohjes së Kosovës si një përparësi të madhe, sepse kjo e bën BU-në ndërmjetësuesin më të mirë. Kështu BE-ja mund t’u thotë shqiptarëve se “Kosovën e kanë njohur 22 shtete anëtare, pra statusi është çështje e kryer“ ndërsa serbëve se „Në BE ka 5 shtete, të cilat nuk e njohin Kosovën, pra BE-ja mbetet neutrale rreth statusit“.

Me kalimin e kohës është bërë edhe më e vështirë njohja e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së (Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia). U dëshmua se kanë qenë të painformuar ata të cilët prisnin që me ardhjen e Miroslav Lajçakut (ish-zyrtar i lartë në shërbimin diplomatikë në BE) në postin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, ky shtet do të mund të ecte drejt njohjes. Lajçak ka deklaruar për mediet serbe se për Sllovakinë “Pavarësia e Kosovës është e papranueshme“. Ai nuk ka mundur që në Sllovaki të sjellë ndonjë “ide evropiane për njohje të Kosovës”, sepse në Bruksel nuk ka ide të tilla nga Shërbimi i jashtëm. Përkundrazi, në këtë shërbim mendojnë se është mirë që 5 shtetet nuk e njohin Kosovën dhe, për mirëvajtjen e dialogut do të ishte mirë sikur kështu edhe të mbetet.

Qiproja, edhe pse është sjellë në mënyrë „neutrale“ gjatë kryesimit të radhës së BE-së, ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin. Rumania nuk ka bërë asnjë lëvizje dhe vazhdon të insistojë në BE që në asnjë dokument të mos lihet përshtypja se Kosova po trajtohet si shtet. Greqia vazhdon me një sjellje të zgjuar t’i mbajë kosovarët në iluzionin sikur “Greqia për çdo moment pritet t’ju njeh“ por nuk e ka ndërmend të bëjë ndonjë hap drejt njohjes së shpejti. E Spanja tash e ka më vështirë sesa kurrë më parë ta njohë Kosovën.

Forcimi i kërkesave për referendum për pavarësi në Katalunja e ka bërë edhe më të vështirë njohjen eventuale nga Spanja. Kosova dhe Qeveria e saj janë dorëzuar tepër herët duke shprehur „mirëkuptim“ për situatën në të cilën ndodhen shtetet që nuk e njohin Kosovën, përfshirë edhe Serbinë. Në BE me të drejtë mund të pyeten se “pse të shqetësohemi nëse Kosova është e kënaqur me këtë situatë që kemi“. Tash kur Kosova merr pjesë në dialog, pranon çfarëdo kushtëzimesh të cilat kërkohen nga ajo, do të duhej të ishte më agresive ndaj BE-së për të kërkuar njohje nga 5 shtetet dhe të bëjë të qartë se krejt këto aranzhime që bëhen për Kosovën nuk mund të kuptohen kurrsesi si zëvendësim për proceset formale të integrimit në BE. Procese të cilat ekzistojnë vetëm për shtete sovrane dhe të pavarura.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen