Të amortizohen tendencat që t'hollojnë substancën kombëtare

Arkivi | Mikel Gojani | 22.03.11 | 19:02

Disa shkrime që na kanë rënë t’i lexojmë nëpërmjet mediumeve tona të përditshme, por edhe revyale, uebsajde etj., sikur të sëmbojnë në shpirt, të prekin në ndërgjegje, të drithërojnë, për natyrën e mesazhit e keq që kanë, por edhe pasojat dhe imazhin shumë të ndjeshëm që mund ta sjellin.

Rruga e gabuar që hapi shtigjet për reaksione
Këto shkrime, që paralajmërojnë disa tendenca të individëve dhe të grupeve të caktuara vijnë pas heqjes së figurës së Nënë Terezës nga ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga ana e ministrit të kësaj ministrie.

Pa pretendime për të hyrë në vlerësimin e veprimit të ministrit, që, në esencë e konsideroj që ministri më të marrë detyrën ministri nxitoi dhe me veprimin e tij, heqjen e posterëve të Nënës Tereze (por edhe të dr. I. Rugovës), zgjodhi rrugën e gabuar, veprim ky që hapi shtigje për shumë keqinterpretime dhe hapjen e rrugës për krijimin e një realiteti të pakëndshëm duke tëholluar substancën kohezive, me tendenca të tëhollimit të substancës kombëtare.

Menjëherë pas këtij veprimi, në internet ka qarkulluar në peticion i nënshkruar nga një grup i caktuar i intelektualëve që jetojnë në diasporë, si shenjë reaksioni ndaj këtij veprimi të ministrit duke e konsideruar si veprim të papërgjegjshëm dhe si “ndjenjë e mohimit të një personaliteti më me vlera në botën e qytetëruar e humane, po ashtu duke konsideruar që figura e kësaj humanisteje është emblemë e këtij populli me të cilën duhet krenuar dhe se i bëjnë nder dhe respekt”. Në komunikatën e lartcekur ndër të tjera thuhet se ne si shqiptarë dhe intelektualë ndjejmë detyrimin moral dhe kombëtar t’iuparalajmërojmë se ekstremizmi në Kosovë, e mjerisht edhe në Shqipëri, ka lëshuar rrënjë në mbarë botën shqiptare. Shfaqja e tij e vrullshme, ekstreme dhe tepër injoruese në të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare është bërë një ogur i keq i një babëzie kombëtare. Sa më shumë të kalojë koha, do të jetë edhe më e vështirë t’i zhgulim. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për ekstremizmin ortodoks se ku e dërgoi dhe ku po e dërgon ai sot shtetin amë Shqipërinë ,frika për ketë ka mbërthyer gjithë shoqërinë dhe institucionet e shtetit ame, por jo me pak edhe mbare opinionin atdhedashës shqiptare. Por, këtu konkretisht sot flasim për ekstremizmin islam dhe organizatat vehabiste, që, të gjithë na, i kemi para sysh në Kosovë, në familje dhe në shtëpi. Këtë e dëshmon mirë edhe rasti fundit i vrasjes makabre te ushtareve Amerikan ne Frankfurt te Gjermanisë , qe dëshmon se ekstremi ka lëshuar rrënjë ne familjen shqiptare. Ekstremizmi, i çfarëdo lloji qoftë, ne na dëmton rëndë si popull e si shtet”, thuhet mes tjerash në peticionin e nënshkruar nga një grup intelektualësh nga diaspora.

Jo shumë kohë pas këtij reagimi të këtij grupi, nëpër internet nëpër disa uebsajde dhe nëpër gazeta (gazeta Express, data 15.3.2011), është publikuar edhe një peticion tjetër i panënshkruar, siç thuhet në këto mediume, që bie ndesh me atë të parin dhe të një natyre krejtësisht tjetër, në të cilin kërkohet largimi i fotografisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, po ashtu edhe të dr. I. Rugovës, nga Zyra e MKRS-së, si dhe nga institucionet tjera shtetërore e publike të vendit. Që do të thotë, ky peticion vjen pikërisht si reaksion i atij të parit dhe bie ndesh me përmbajtjen dhe mesazhin që kanë. Po ashtu, që të dy këto peticione i janë drejtuar institucioneve më të larta shtetërore me ultimatume dhe kërkesa që bien ndesh njëra me tjetrën. Në komunikatën e bashkangjitur përkrahet ideja jo vetëm e largimit të fotografisë së Nënës Terezë nga MKRS-ja por të çdo figure fetare nëpër institucione publike. Sipas tyre, vazhda e tolerimit të metodave të tilla po sfidon laicitetin edhe të qeverisë së re. Ndër të tjera, në komunikatë thuhet: “Duke e ditur se Kushtetuta e Kosovës, në Nenin 8, Pika 1, e definon Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, atëherë nuk shohim arsye të shkeljes së Kushtetutës, nëpërmjet përdorimit publik e institucional të një figure krejtësisht fetare, pa ndërlidhmëni me shtetin e Kosovës”. Po ashtu, në komunikatë thuhet se një imponim i tillë, me vendosjen e figurave fetare në këto institucione, përpos që dhunon laicitetin institucional, përbën po ashtu një imponim religjioz e kulturor nacional-katolicist, në një shoqëri me shumicë myslimane. “Nuk jemi aspak kundër fesë katolike, por kundër përdorimit politik e kulturor dhe imponimit të figurave katolike”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Pa e justifikuar veprimin e nxituar dhe shumë euforik të ministrit, zyrtarë të lartë e kësaj ministrie këtyre reagimeve iu kundërpërgjigjen me maturi dhe me sensin racional, krejt me pretendimin e neutralizimit të këtyre tendencave që nuk shpijnë në një kah të mirë, por që nxisin reakcione të tjera edhe më të ndjeshme dhe shumë të dëmshme. Pasi që si “mollë sherri”, siç shprehet populli i këtyre reagimeve ishte MKRS, zyrtarë të lartë të kësaj ministrie theksuan që kjo ministri “është kundër çfarëdo tendence për ta problematizuar apo për të ndërtuar konspiracione të ndryshme”. Po ashtu, nga kjo ministri nga një zyrtar i lartë i saj (H. Mulliqi), pason deklarata se “ka figura të cilat vinë prej proveniencave të ndryshme, qoftë kulturore, qoftë historike, qoftë edhe fetare, të cilat kanë luajtur rol të caktuar dhe domethënës në zhvillimin e kombit tonë dhe në këtë rrafsh secili njeri, fotografia e të cilit është ndodhur, apo mund të gjendet në ambientet e ministrisë, apo edhe institucioneve tjera publike, është praktikë në gjithë botën dhe shkon konform të një biografie të cilën e ka ky person. Sipas këtij zyrtari, “figurat si Nënë Tereza, Shtjefën Gjeçovi, Hoxhë Tahsini dhe figura të tjera kombëtare, përpos që vijnë prej proveniencës së caktuar, ato kanë dhënë kontribut shumë të madh në krijimin e shtresave të caktuara, të mbamendjes sonë historike dhe kulturore dhe nuk do të duhej të jetë kjo një pjesë e debatit për apo kundër. Dhe për të ndërtuar probleme lidhur me figurat për të cilat ekziston një konsensus i përgjithshëm i pajtueshmërisë së përgjithshme nacionale mbi vlerat që i kanë afruar ato në historinë e kombit tonë. Në këtë sens çfarëdo tentative, çfarëdo që veprohet ndryshe do të jetë e dëmshme edhe do të jetë një lloj online casino spiele donkishotizmi i kohërave moderne që krijojnë ndasi brenda vetë qytetarëve të Kosovës. Për secilin individ veç e veç më së miri flet vepra, kontributi dhe biografia e tij. Thjesht, sipas tij, këto gjëra nuk duhet politizuar aspak”, vlerëson zyrtari i ministrisë. Pra, ky është një mesazh shumë kuptimplotë dhe shumë udhërrëfyes, duke lënë për të kuptuar se çdo tendencë tjetër shpien kah mjerimi shpirtëror dhe intelektual dhe krah krijimi i një vije të demarkacionit që kurrë nuk ka ekzistuar në brendinë e qenies së këtij kombi.

“Unitar in diversitate, ose bashkimi krijohet mes dallimeve”

Ekziston një fakt historik: Historia jonë kombëtare gjatë gjithë rrugës sonë historike nuk ka shënuar ndonjëherë ndonjë konflikt të karakterit thjesht konfesional. Nga njëri aspekt është se shqiptarët, edhe pse kombi i tyre është i krijuar nga një mozaik, apo diversitet konfesional, ndasia, as krijimi i një vije të demarkacionit nuk ka ekzistuar asnjëherë. Ata vetë u përcaktuan që të mos ndahen, mirëpo ndasitë ndodhën si pasojë e zhvillimeve të kontesteve kohore, pra si rrjedhojë e realiteteve historike, të cilat patën ndikim tek ky komb. Gjatë gjithë kësaj rruge historike të popullit shqiptar, ndjenja e përkatësisë së përbashkët të kauzës, të çështjes së gjuhës, të traditës, kulturës e të fatit, gjithë asaj që formëson bazamentin dhe domethënien kulturore, ka qenë e fuqishme dhe, për asnjë moment, apo rrethanë të krijuar, nuk kanë lejuar që brenda etnitetit dhe identitetit nacional të krijohen rrethana të ndjeshme, që e prekin atë “thalbin e ashtit Arbënor”. Ky realitet (që nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh tek popujt tjerë), i ndodhur dhe i kultivuar në të kaluarën historike (duhet kultivuar edhe në ditët e sotme), është një virtyt që përcjell mesazhin më të bukur dhe autentik, i cili do të shërbejë si argument i fuqishëm për kauzën. Mirëpo, tani nuk mjafton vetëm kjo. Duhet të shkojmë edhe një hap më tutje. Pushtuesit, edhe ky i fundit, gjithmonë kanë bërë përpjekje që brenda kombit tonë të tëhollojnë substancën e unitetit, mirëpo asnjëherë nuk ia kanë arritur., sepse populli shqiptar, pa marrë parasysh konfesionet mbeti i palëkundur dhe u mbeti besnik frymës së trashëguar nga e kaluara e thellësishme historike.

Prandaj, sot është më se e rrugës që ta njohim të kaluarën tonë historike. Dhe, pikërisht duke e njohur këtë të kaluar të ndërtohet e ardhmja. Pikërisht, kjo ndjenjë të na shërbejë si udhërrëfim në ndërtimin e së ardhmes sonë. Të pranojmë se jemi një popull të një trungu: një gjaku, një gjuhe, një flamuri, tradite e fati… Mirëpo, tiparet e nëntëdhjetenëntë fijeve që bashkojnë, vetëm një ndanë”, pra të respektohen edhe këto pak tipare dalluese, sepse, siç shprehet një nga humanistët tanë të shquar, se “dallimet nuk kryhen në kundërshtime, por krijojnë afrime dhe bashkime, apo, shprehet ai, siç thotë një fjalë latine “unitar in diversitete”, që do të thotë bashkimi krijohet pikërisht mes dallimeve”.
Për ta ndërtuar një realitet mbi këto parime na duhet ndërtimi i një shpirti autentik ekologjik.

Këto tendenca, për fat të mirë, nuk hasën dhe shpresojmë që as nuk do të hasin në mbështetjen e forcave intelektuale. Mendojmë që ky realitet i krijuar ekziston si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike që mbizotëron në Kosovë, ndërsa na mban shpresa që në të ardhmen me një zhvillim më të ekonomik dhe me një cilësi më të avancuar të mirëqenies së njerëzve këto defekte që po prezantohen sot në shoqërinë tonë do të flaken.
Nënshkruesit e peticionit të parë që vjen nga diaspora dhe me emra të nënshkruar, në komunikatën e tyre shprehin edhe indinjatën e tyre për vrasjen e dy ushtareve amerikane ne Frankfurt. Por, duhet kuptuar se ai akt i shëmtuar është kryer nga një person i ndikuar ne emocionet e tij te mjerimit shpirtëror. Mirëpo, akti i një individi “me gjak shqiptari”, nuk mund të përgjithësohet dhe të identifikohet me gjithë popullatën shqiptare (kuptohet myslimane). Sepse, individët asnjëherë nuk identifikohen më kolektivitetin. Këtë akt e dëshmon fakti se janë po ata shqiptarët (myslimanë), të cilët në mënyrën më të ashpër e kanë gjykuar veprimin e asaj dore mizore. Islamët shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë dhe të hapësirave të tjera ishin ata që gjykuan rastin dhe në nderim për shpirtrat e këtyre viktimave ndezën qirinj. Po ashtu, ashtu, edhe me këtë rast, edhe politika dhe populli amerikan e kuptuan se dora e zezë e Harid Ukës nuk është dorë e gjithë shqiptarëve. Ky rast, edhe pse i rëndë dhe makabër, dëshmoi palëkundshmërinë e miqësisë së popullit amerikan dhe atij shqiptar. Prandaj, çdo individ ka si obligim brenda qenies së tij ta ndërtojë unin e tij dhe se gjithmonë në të gjitha momentet të solidarizohet me shpirtin racional, duke mos llogaritur shifrën.

Shpirti racional të triumfojë

Mendojmë, se edhe pse nuk kemi njohuri rreth ideatorëve dhe përkrahësve të këtyre iniciativave, pa marrë parasysh, shpreh bindjen se me një maturi dhe vigjilencë do t’i tejkalojmë disa defekte që po na ndodhin në shoqërinë tonë, ashtu qysh i kemi tejkaluar historikisht. Këtë edhe duhet ta bëjmë për hir të kauzës sonë, që duhet të ekzistojë mbi të gjitha. Këtë duhet të bëjmë edhe për hir të realitetit të sotëm, edhe pse në realitetin e lirisë, po na paraqiten shumë vështirësi dhe disa sjellje që po shkojnë në dëm të çështjes kombëtare dhe po dëmtojnë proceset tona, po ashtu dhe po e zvetënojnë imazhin e Kosovës, bile në këtë moment shumë, shumë të ndjeshme.

Megjithatë, shpresojmë që shpirti racional do të triumfojë.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Mikel Gojani

Mikel Gojani

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen