Shestani

Arkivi | admin | 05.04.11 | 21:06

SHESTANI, 
një fole Shqipe që do të mbetet pa Identitet
 
Shestani i takon komunës se Tivarit (sot ne Mal te Zi ) , ndodhet në pjesën perëndimore të Krajës dhe shtrihet  në jug-përmendim të Liqenit të Shkodrës.
                                                                           
        Fati i shumë trevave Shqiptare pas shuarjes së  principatave dhe gjatë luftërave shekullore, qoftë kundër perandorisë Osmane, qoftë Sllave, por edhe Luftës së Dytë Botërore,  ishte i mjerë dhe mbeti nën mëshirën e atyre që i nënshtruan .
Ky fat i zi filloi me Dalmatët (Raguzën), Epirin (sot Iliridën), Çamërinë, që përfundimisht u zhveshën nga çdo element  i etnisë së tyre. Shembull i tillë dramatik është  edhe   Sanxhaku   për identitetin e të cilit nuk flet më popullata, sepse ajo tashmë është asimiluar, por vetëm zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një troll të lashtë Iliro-Shqiptar.
  Në trevën e Malësisë ky mjerim vazhdoi  edhe pas Luftës së Dytë Botërore; pas tmerrit të Tivarit, që pasoj me aneksimin e plotë të viseve të Malësisë  dhe të trevës së Ulqinit.
  Me të drejtë Pjeter Nika, 88-vjeçar prej Gjuraqit (Shestani i Poshtëm) përsëritë thënien e të parëve, se të parët tanë, kur kanë ardhë në këto treva, e kanë gjet shkret , dhe shkret po e lamë.
Dihet se nënshtrimi i Malësisë është bërë në kohën e krajl Nikollës, duke u fundosë përfundimisht pas Luftës së Dytë Botërore.
  Kah po shkon e ç´bëhet sot me Malësinë dhe Shestanin?
  Mendoj se jemi në prag të asaj që edhe për Shestanin  të krijojmë këngë të dhimbshme, të ngjashme me ato për Çamërinë, Epirin , Iliriden e Dalmacinë  “ Na ka mbet loti ne sy”
Përgjigjja që mora nga  një veprimtar që me përkushtim i është rrekur mëkëmbjes se kësaj treve, e në veçanti  Shestanit, është dramatike, dhe është e ngjashme me atë të plakut Shestanas, Pjeter Nika nga Gjuriqi.
“Zoti e di se a do t’ia dal – më thotë ai. – Shestanit i janë shue të gjithë elementët  që njeriu të njohë etninë e tij. Te gjitha të dhënat qe janë gjet në këtë trevë, qoftë arkeologjike, qoftë topologjike e kulturore, flasin për truall të lashtë Ilir dhe kjo ishte e gjallë deri në Luftën e Malësisë. Monumentet e vjetra, si Kalaja e Ulqinit, Kishat, Mullinjtë, Ublat, janë shëndrruar në gërmadha. Toponimet dhe historia edhe e atyre që mbahen nga shteti Malazias janë tjetërsuar dhe sllavizuar deri në pa kufij”.
“Kam takuar fshatarë nga mbarë Shestani – thotë përsëri ai.  – U vura para këtë fotografi, veshje tipike Shqiptare Shestanase. U them, si mund të jeni Malazez,  ju e kishit këtë veshje e kishit para shumë e shumë shekujsh , ju ishit te këtij fisi , i takonit kësaj Kishe ku janë pagëzuar me emra shqip të parët tuaj .
E pamundur t’u shpjegoj përse prindët e tyre kishin vënë kapica, pse ishte urdhër i Krajl Nikolles të Malit të Zi. Besa shumë kishin mbajt edhe tituj Vojvodësh, që sot e thonë me krenari. Kishte Vojvodë Shqiptarë, që nën këtë titull, morën pjesë edhe ne luftën për marrjen e Shkodres, ku luftoi vëllai me vëlla, të një feje, të një gjaku vetëm për at titull të mallkuar vojvode” –  më thotë së fundi ai.
“Në shtëpi flasin Shqip   edhe pse shqipe e thyer, ndërsa jashtë flasin Malazezishte, dhe thonë me krenari që jemi Cerrnagorë. Besa është bërë traditë edhe në tërë Malësinë, nga shumë familje që ndihen ende Shqiptarë, të thuhet „ për Zotin, o burra, e kam një jaran (pobratim ) kryekreje filan Cernagorcin“. Po po këtë e ndjen krenari . Sepse, edhe pse vetë Malazezët nuk janë Popull, por fis Serb, ata në jetën e tyre kanë ndërtuar një filozofi: Krenarinë të jesh Cerrnagorac , krenarinë të jetë  fis Kuqjanac – nga fisi Kuq, drejtpërdrejt Shqiptar, nga i cili mendohet te jetë Krajl Nikolla”.
Në trevat e Shestanit sot dhe në zonat e Ulqinit ku janë vendosur shestanasit Mesha dhe jeta liturgjike është në gjuhen shqipe .
U ndava nga ky veprimtar, për të menduar ditë e net të tjera për Shestanin, por edhe më gjerë, të mallkojmë vetveten  si Shqiptar. Kemi etni, kemi edhe histori, kishim mbretëri, kishim kodin e rregullimit shoqëror, “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, atëherë kur Sllavët dhe shumë popuj nuk kishin ende alfabetin .
Si arrin një grusht popull, që s’ka banorë as sa  kryeqyteti i Kosovës, Prishtina sot, ta  ngrejë krenarinë kombëtare me një tiran – pushtues Krajl, ndërsa nuk arrijmë na ta bëjmë këtë, kur 860 vite më parë kishim Shtetin tonë mbretëror, kur ata si fis as që ishin banorë aty. Na nuk arrijmë këtë, me gjithë Historinë heroike të Malësisë, të heronjve si Oso Kuka, Dedë Gjo Luli e Mehmet Shpendi.  Na nuk arritëm të krijojmë as krenarinë e fiseve (Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Trieshit, Kojës), që dhanë shumë në luftë për mbrojtjen e Malësisë.
Po me që është fjala për Shestanin, na s’mund të ndërtojmë, të kalisim një mit që e kemi në Ballë të gjuhës sonë Shqipe, GJON BUZUKUN, birin e Shestanit. Por edhe e perlatve tjerë të kësaj treve si At Vinçenc Malaj, doktor i shkencave albanologjike, Mons Pjeter Perkolanj argjipeshkëv i Tivarit. tërë jetën e tij ja kushtuan gjuhës, kuturis dhe historisë së popullit të tij shqiptar. Don Zef Shestani zëri i tij për vite u dëgjua në radio Vatikan. Patër Gjergj Marstjepanj meshtar patriot, Don Mark Kolanj, Don Mac Gjonmarkanj. 
Sot, dita ditës, lotëve për Çamërinë, Epirin e Sanxhakun, apo vajtimit të lahutës për  Vraninën dhe Malësinë, dita ditës po i shtohet loti për Shestanin, e vise të tjera të nënshtruar e të tjetërsuara.
Besoi  se  këto ditë kur po behet regjistrimi i popullatës në Mal të Zi, kam shpresë dhe besim së bijtë e bijat e këtij trolli do tregojnë së janë në këtë troll dhe i takojnë këtij vendi dhe edhe pse tani ne shtetin Malazez ata do te ven mbi te gjitha Autoktonin e vet si Shqiptar sepse me te do te tregojnë se ata nuk janë Emigrant por autokton Shqiptar ashtu siç ishte  vet BUZUKU , dhe shumë atdhetar te devotshëm te Malësisë dhe Shestanit , Me ketë do te dëshmojnë se kultura e tyre ka vlerë te jashtëzakonshme ne mozaikun e historisë Shqiptare .
Kam shpresë qe veprimtaria e revistës Buzuku  me ter stafin dhe kryeredaktorin Sim Gjon  Dobrecin , dhe veprimtaria e kishës Shqiptare ne Mal te Zi  do te bejn te pamundurën qe zëri i Malësisë dhe i vet Shestanit  s’do te shuhet kurrë , dhe do te jetë zë i arsyes , i ndërgjegjejes i cili na thërret 
 Shqiptar ku je ti   !!!
 
Shënime nga Revista BUZUKU, që përmbajnë tjetërsimet mbi Shestanin
Dokumentet, t’gjidha shkrimet e moçme thonë, qi n’Shestanin Nalt dhe n’Shestanin Posht, isht folë shqyp, isht knue shqyp n’dyzene e dazma, e, si thotë për Shestanasit nji misionarë apostolik t’para 150 vjetve, ata janë Shqiptar t’vërtetë.Mesha në kishë ishtë mâjtë në gjuhën shqype; don Gjon Buzuku, Shestanas, t’para 450 vjetve, shkroj Mesharin n’gjuhën shqype. Shestani ka dhánë shum burra n’zá e me mámë. Ka kjenë n’zá besa e nera, trimnia e burrnia e burrave dhe burrneshave t’Shestanit. S’kanë lánë marre m’u afrue, si thotë n’káng’t e veta Gjergji i Macit Gjek’s, Shestanas. Don Pjetri, arqipeshkvi i Tivarit n’pension, shkruen: Shestani ka kjen shpeshherë i djegun e i pjekun, por Shestanasit kurr t’shtruom… edhe me jetë e kemi mpruo fisin, fenë dhe komin e vet.
Pra, t’par’t tonë, Shestanasit, nuk bánë asnji t’keqe, qi na sot m’u turpnue. Ata na lanë pasuninë e madhe shpirtnore, na lanë hadetet e káng’t, besën e nerën. E mi t’gjidha, na lanë gjuhën e shenjtë, qi ata diten me e ruejtë me qina e mija vjet, diten me jau përcjellë thmive vet. N’ket botë nji ka diçka t’shenjtë, aterë e para isht gjuha, çdo gjuhë, por në venin e parë gjuha e vet qi na e lanë t’par’t tonë. Thotë don Pjetri: tue u krenue me t’vetën e tue nerue t’huejen. Po, me gjuhën e vet duhet  t’burrnohemi.
Ja nje shembull i tjetërsimit te Emrave dhe Temp. Shqipetare
Prej Dedet janë Dedonjt, prej Luk’s – Lukiqi, prej  Gurrzes –Peret , prej Gjuret – Gjuraçi  prej Niket janë Nrekanjt. Me emnin e Lek’s, Lekiqi. . Edhe sot pleqt e Lekiqit thonë se janë vllazën me Shestanas. Njani pej Niket shkoj n’katunin Uzhdabiq, mori gruon pej Krricet dhe kaloj n’fenë ortodokse. Njani pej k’sish, pej Uzhdabiqit, Gjoni doli në haha
Krricë, aty u martuo, ku elle sot gjinen dy familje qi thirren Gjonkoviq. Mas do kohet, nji Perë pej Gurrzet, u ul n’katunin Pecaj. Edhe aj nrroj fenë; gjysa e atij katuni janë pej Peret.
N’katunin Bujgër erdhi nji rrogtarë, qi kish banuo me do kallugjer n’Goricë; aty u martuo me shestanjane dhe mori fenë katolike. N’Uzhdabiq, Bujgër, Dedonj,Lukiq e Gurrëz nuk jeton ma kush. N’Maruçiq jeton nji familje. N’krejt Shestan isht vetëm nji familje n’katunin Nrekanj qi ka dy thmi t’vogël.
 Shënoi Gjergji Lek’s Macit Kol’s Perkolanj,shestanas, jeton në Fushë të Tivarit Lektor për gjuhën shqype të Shestanit 
Shestani – numri i banorëve
1881 1955 1961 2004 2007
Shestani Naltë 225 232 3 0
Shestani Poshtë 517 430 346 19
Nrekaj (Karanikiq) 153 121 98 61 6
Gjuraçi (Gjuravce) 76 88 47 7
Pecaj (Draçevica) 182 97 107 6
 
Don Pjetri thotë edhe, qi Shestanasit po e tresin gjuhën shqype, gjuhën e t’par’ve vet, … e nuk dinë o nuk duon me ditë për rranxën e vet. E patër Gjergj Fishta thotë:
 Prá, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ket gjuhë të perendis’,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
Flet e t’veten len mbas dore.
 Nuk isht marre me e folë gjuhën e vet, isht marre mos me e folë. Kur neron gjuhën e vet, ti neron vetveten dhe t’par’t e vet, rranxën e vet, hadetet e veta. Neroje t’veten, ndaç me t’nerue tjetri. Edhe me shkollimin e thmive n’gjuhen e nanave tona, n’gjuhen shqype, na e nerojmë fisin tonë  t’Shestanit. T’i ruhemi mallkimit t’patër Gjergj Fishtës.
 
Shënimet janë  marrë  nga Revistat BUZUKU nr. 1-30
Përmbledhur nga : Zef   Ndrecaj

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen