Shoqëria, qytetari dhe sociologjia e globalizmit

Analiza & Komente | Zef Prenka | 15.04.13 | 18:55

Me sa duket, zhvillimet e sociologjisë shqiptare akoma nuk janë sa duhet të lidhura me imperativat e jetës kombëtare në funksion të tematikës dhe shqetësimeve europiane e globaliste, që ndihen të forta. Studimet sociologjike përgjithësisht vazhdojnë të jenë të diktuara, të lidhura me konceptimet e ngushta tradicionale përmbajtjesore dhe konceptuale, që lidhen me përmbajtjen e kufizuar të koncepteve bazë të sociologjisë, janë zhvillimet e shoqërisë dhe të qytetarisë. Edhe në botë deri vonë këto koncepte gjeografikisht., por dhe sociologjikisht, janë konceptuar dhe determinuar nga kufijtë hapësirës kombëtare të ekzistencës dhe veprimit të tyre. Bota sociale dhe përfytyrimet akademike të sociologjisë deri vonë nuk e kanë menduar se do të vinte koha që t’i konceptonin ndryshe ontologjitë sociale të shoqërisë dhe fenomenologjitë sociologjike të qytetërimit në funksion të zhvillimeve europiane dhe globale, prandaj është evidente që dukuritë e jetës sociale dhe të qytetërimit vazhdojnë të vlerësohen tradicionalisht. Ato ende janë vështruar, studiuar dhe vlerësuar në bazë të fenomenologjisë së shfaqjeve të tyre në kufijtë kombëtarë të influencës dhe hapësirat e shtrirjes gjeonacionale. Koha në shoqërinë shqiptare tashmë është tërësisht me përmasa dhe tipologji moderne. Fenomenet sociale të qytetërimit tonë duke bënë të prirura për t’u bërë globale, në mënyrë të natyrshme kërkojnë që sociologjikisht të bëhen ndryshime të konceptimeve të natyrës së zhvillimeve të shoqërisë dhe qytetarisë shqiptare. Jo vetëm si realitete kontekstuale sociale, por dhe si fenomene që kërkojnë analiza dhe pasqyrime të reja teorike dhe sociologjike. Kjo do të thotë se shoqëria dhe qytetaria duhen parë dhe vlerësuar si dukuri me tendenca universale sociale të përbashkëta, dhe pastaj duke reflektuar për ndryshimet kontekstuale gjeografike dhe historike, strukturën autentike, përmbajtjen dhe format nacionale të shfaqjes së tyre. Sepse jeta globale, mënyra moderne e të jetuarit i ka përzier tipologjitë dhe format e dikurshme të qytetërimeve nacionale me ato të shoqërive universale dhe qytetërimit global, si shtrirje hapësinore dhe realitet me kufij më të zgjeruar.

Mbi këtë bazë duhet parë realiteti i shoqërisë dhe dialektika e zhvillimeve të qytetarisë sonë kombëtare, shtimi i ngjashmërive tipologjike me shoqërisë europiane apo më gjerë. Fenomenet sociale që zhvillohen në Shqipëri kanë bërë të qartë sociologjikisht se në lidhjet dhe ngjajshmëritë midis sjelljes sociale të qytetarit tonë ka pa dyshim shumë gjëra që janë dhe shfaqen me identitet kombëtar. Nga ana tjetër, është zgjeruar fasha e jetës urbane, hapësira e qytetarit si të tillë, si qenie universale, me identitet më të gjerë europian apo tipare universale globale. Këto dukuri janë të natyrshme të ndodhin, sepse jetojmë në kohë të integrimeve të mëdha sociale dhe qytetare, në të cilën shoqëria shqiptare e dikurshme, me tendenca të forta ndarjeje dhe partikularizmi nga zhvillimi europian dhe global, po e kapërcen me sukses kufirin e qytetarisë konkrete të njeriut me identitet të ngurtë kombëtar. Tipare dalluese dhe veçuese janë gjithnjë e më shumë duke u rrafshuar dhe niveluar. Jetojmë në epokën kur shoqëritë dhe qytetaritë kudo janë duke u bërë realitete globalisht dhe universalisht të gërshetuara. Kjo do të thotë se sociologjikisht, por dhe logjikisht, kur bëjmë analiza të dukurive sociale të tipareve shoqërisë së sotme shqiptare apo të fenomeneve të tipologjisë së qytetërimit tonë, nuk duhet të nisemi më nga konceptimet e ngushta, përfytyrimet sociale tradicionale të realitetit apo nga paradigmat e vjetra teorike të vlerësimeve sempliste të formave të shoqërisë dhe tipareve të qytetarisë kombëtare. Nëse veprohet kështu, është pak të flitet për provincializëm gnoseologjik dhe empirizëm sociologjik. Kjo pozitë teorike jo vetëm nuk është analoge me të vërtetat e shoqërisë sonë, por është pengesë serioze, që shpesh ndikon që të përballemi me analiza dhe studime, nga të cilat nuk jemi në gjendje të kuptojmë nevojën e zbulimit të lidhjeve sociale dhe interferimeve qytetare të realitetit tonë me realitetet europiane dhe globale.

Me koncept të ngushtë sociologjik provincial, etnikisht të lodhur nuk është e mundur që të flitet për shoqërinë moderne dhe qytetarin shqiptar, që gjithnjë e më shumë po zgjerojnë “këmishën” e shoqërisë dhe të qytetërimit përtej kufijve kombëtarë. Në kohën e sotme në shoqërinë tonë kanë dalë probleme që janë jashtë tyre, që nuk mund t’i kuptojmë pa i lidhur me konceptet dhe praktikat e shoqërisë globale, të qytetarisë europiane. Nëse realitetet që jetojmë do t’i shikojmë ngushtë, si sende të homogjenizuara apo si entitete të zhvilluara brenda kufijve kombëtarë dhe nuk vlerësojmë interferencat, ndikimet reciproke që kanë zhvillimet në homogjenizimet e reja që janë përtejkombëtare, me dimension dhe natyrë europiane apo globale, atëherë nuk është e mundur të kuptojmë trajtat e zhvillimeve të reja të shoqërisë dhe qytetarisë shqiptare, e cila ecën në rrugën e homogjenizimit në nivel europian dhe global. Kjo është arsyeja pse sociologët e europeizmit dhe globalizmit mendojnë se shikimet e ngushta dhe paragjykimet kombëtare për shoqërinë dhe qytetarinë janë instrumente të ndryshkura, penguese për zhvillimet europiane dhe globale. Mbi bazën e ngushtë konceptuale sociologjike duket absurde, jo reale që të mund të flitet për nevojën e zgjerimit të kontureve të shndërrimit të shoqërisë dhe qytetërimit tonë në qytetari europiane apo të afrimit të saj me parametrat e shoqërisë globale. Në mendimin sociologjik konservator problemet e shoqërisë dhe qytetarisë lidhen me dyshimet dhe dilemat se cila është dhe si do të jetë shoqëria europiane dhe qytetaria globale, si mund të ketë shoqëri pa “popullsi homogjene”, pa jetë publike të unifikuar dhe të përbashkët?

Këto çështje sociologjikisht te ne akoma nuk janë trajtuar me peshën që kanë dhe seriozitetin teorik që ato meritojnë. Ka ardhur koha që pavarësisht pengesave dhe ritmeve të zhvillimeve tona sociale, aksi zhvillimor europian dhe global është i qartë. Në Shqipëri gjithnjë e më shumë po ecet në mënyrë të vendosur drejt shoqërisë paneuropiane me qytetari homogjene. Publiku ynë në mënyrë gati absolute reagon qytetarisht dhe pozitivisht ndaj zhvillimeve politike, sociale dhe kulturore me orientim europian dhe planetar. Shumica e sfidave me të cilat po përballet shoqëria dhe qytetërimi ynë janë bërë tejkombëtare, ato shfaqen si probleme sociale të përbashkëta, me natyrë kontinentale dhe aks të gjerë global. Kjo është arsyeja pse sociologët tanë duhet të ngulin këmbë më fort për të vlerësuar jo vetëm fenomenologjinë kombëtare të shoqërisë dhe qytetërimit tonë, por dhe të zbulojnë të vërtetat që vijnë nga zhvillimet e përbashkëta të shoqërisë dhe të jetës qytetare publike europiane e globale.

Qytetarët tanë janë bërë mendjehapur ndaj botës. Ata duan të jetojnë të integruar në shoqërinë e sotme globale, jo me përfytyrime tradicionale dhe konvencionale të jetës kombëtare, por përmes konceptimit më kozmopolit të mundshëm të natyrës së shoqërisë globale, duke marrë tiparet universale të qytetarit europian, të qytetarisë globale dhe publikut që dëshiron të jetojë i hapur planetarisht. Kjo është arsyeja që në Shqipëri janë zgjeruar format e interferencave tejkufitare, pse po zgjerohet atmosfera e ndikimit të publikut global në problematikat e përbashkëta, të përziera të jetës sonë kombëtare. Këto janë realitete që duhen zbuluar, vlerësuar dhe interpretuar me elokuencë të re nga mendimi sociologjik shqiptar. Shoqëria shqiptare është duke u bërë me shpejtësi europiane. Qytetari ynë është europian, krejt i ndryshëm nga qytetari i kohës së shkuar. Sociologjikisht “me ‘europian’ kemi parasysh forma identiteti, mënyra të jetuari, mjete prodhimi dhe lloje ndërveprimi bashkëkombëtare, të cilat nuk pyesin për muret e ngritura prej shteteve”. (Ulrich Beck, Të shpikësh Europën – një vizion kozmopolit”, f 13) Sociologjia shqiptare ka mundësitë dhe kapacitetet teorike, konceptuale e profesionale, që të interferojë në realitetet e reja të zhvillimeve sociale të shoqërisë dhe qytetërimit tonë. Natyrisht, pa mohuar vlerën e kufijve të shtrirjes kombëtare të problematikave tona specifike, të fenomeneve kontekstuale, që shfaqen në shoqërinë shqiptare të konceptuar si shtrirje kombëtare apo si shoqëri dhe qytetërim me kufij shtetëror. Por mendoj se ka ardhur koha sociologjike kur duhet të flasim ndryshe për realitetet tona të integruara globale dhe europiane, kur duam të bëjmë analiza, studime sociale, vështrime perspektive të zhvillimit të problematikave universale.

Por që të bëjmë këtë revolucion në studimet sociologjike, duhet së pari të bëjmë marrëveshjen e “fjalës së madhe” sociologjike, sepse kjo optikë nuk mund të ndryshojë, analizat dhe studimet nuk mund të realizohen pa kuptuar dhe pranuar konceptin e zgjeruar të ekzistencës së realitetit të “shoqërisë së madhe”, të “qytetarisë globale”, pjesë e të cilës jemi edhe ne. Lënda sociale kontinentale dhe globale që ndikon në realitetet e shoqërisë dhe qytetërimit tonë sociologjikisht është unike dhe diverse, e koncentruar dhe e përhapur. Kjo është dialektika e vështirë e realiteteve sociale në shoqërinë shqiptare të kohës sonë, që janë realitete imediate, që qëndrojnë diverse dhe unike përtej kufijve kombëtarë.

Nëse duam të merremi me tipologjinë e shoqërisë sonë dhe të vlerësojmë ndikimet që kanë zhvillimet e integrimit europian dhe global, duhet të largohemi nga idetë e ngurta dhe mënyra e shikimeve sociologjike dogmatike. Realitetet e integruara të qytetërimit tonë, hapësirat e globalizuara shqiptare nuk mund të kuptohen me dogmatizëm apo me koncepte që nuk na lejojnë të kuptojnë ontologjinë e realiteteve të reja të shoqërisë dhe qytetërimit tonë. Integrimi europian dhe globalizmi janë faktorë madhorë, unikalë, determinues, që e kanë bërë shoqërinë shqiptare të dalë përfundimisht nga kufijtë e ngushtë konceptualë e territorialë. Në këtë kontekst, studimet e renditura sociologjike nuk mund të bëhen të sakta, nëse shoqërinë dhe qytetarinë shqiptare nuk e konsiderojnë në të njëjtën kohë si meganocion social dhe realitet imediat sociologjik. Lënda sociale dhe problematika sociologjike që rrjedh në nivele planetariste globale është e gjerë, dinamike, e ngjashme dhe diverse, e njëtrajtshme dhe polivalente, e cila nuk mund më të analizohet dhe interpretohet sociologjikisht me paradigmat e vjetra sociologjike për shoqëritë kombëtare, apo ca më pak duke u nisur nga parimet e ngurta metodologjike të vlerësimeve statistikore të “kombëtarizuara”. Koha, shoqëria shqiptare dhe qytetërimi ynë kërkojnë tjetër gjë nga sociologjia dhe studimet e saj. Që të ndodhë kjo, duhet që konceptet sociologjike t’i afrohen kohës, problematikave të jetës sociale kombëtare dhe europiane, prirjes së pakthyeshme të ndërtimit të shoqërisë globale si realitet ekstrakombëtar, që në shumë drejtime kanë prirje të unifikohen në rrjedha të ngjashme sociologjike.

Në sociologjinë moderne ka përpjekje serioze për të kuptuar më mirë realitetet sociale, për të shpjeguar sociologjikisht lidhjet midis shoqërive kombëtare dhe integrimin e tyre në realitetin kontinental europian apo global. Në këtë kontekst, është vështirë të analizosh fenomenet e sotme sociale të ndara nga kufijtë kombëtarë apo të para si shumësi sociale mekanike. Ne kemi problemet tona, që nuk lidhen me qytetarin shqiptar, por me dinamikën e qëndrimeve të politikës ndaj problemeve të integrimit evropian, ndaj duhet që politika shqiptare, në aleancë të fortë me mendimin sociologjik, t’i përgjigjen tingullit të imperativit të zhvillimeve globale të shoqërisë dhe të qytetërimit tonë.

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen