Malësia e Madhe – kryefjalë në vite

OP-ED | admin | 09.09.11 | 23:00

Në mënyrë të përmbledhur e pa shumë referenca të tjera historike (të cilat janë pjesë e nji libri në dorshkrim), po paraqes punimin tim modest në 100-vjetorin e Kryengritjes së Malcisë së Madhe, duke përshkrue shkurtimisht kontributin e shquem, që ka dhanë kleri katolik, me prelatët e vet në shërbim të çashtjes nacionale.

Shqipnia, ka qenë historikisht përherë zemra e patriotve të vërtet të djelminë të Malsisë së Madhe, trevë e cila shpesh herë është përmendur, se ka gjeneruar burra kuvendi e pushke; duke i falur Atdheut e maleve kreshnike Ded Gjon Lulin (1840-1915), i njohur për burrni, urti e autoritet.

Me këto cilësi, Deda përballoi me armë në dorë ushtritë pushtuese turke e sulmet malaziase, duke ruajtur me vendosmëri trojet e të parëve tanë.

Kryengritja e fillimit të dekadës dytë të shek. XX, i tregoi Europës, se kishte ardh koha të shkundej nga soditja indiferente, qi i bante vështrimit të ngjarjeve në trungun e vjetër të Europës Juglindore, në trajtimin e çashtjeve shqiptare, paralajmëroi fuqit e ndryshme ballkanike, që andrronin nji coptim midis tyne të Turqisë europiane, se trojet abnore nuk do të ishin nji kafshat e leht për t’u gëlltit nga orekset e tyne të pangopshme.

Kryengritja në fjalë, i dha nji mësim të mirë pushtuesit turk “tue provue në gjuhën e plumbave se kishte perendue tashma koha e ekspeditave ndërshkimore dhe e raplezarjeve, të udhëhequna nga gjeneral shum të zot dhe të sprovuem në mizori, si Shefqet Turgut Pasha me shokë” (Shih, Tef Krroqi, “Hylli i Dritës”, vj.XXII, fq.11).
Kombet, që për shumë shekuj kishin vuejt në robnin turke, u gëzuan e nisën të gjallnohen, duke mendue se po fillonte nji shpresë e re. Jashtë këtij ndikimi jetëdhanëse nuk mbeti as Shqipnia, e cila mbi kurrizin e saj kaloi keqtrajtime me plagë të thella.

Mirëpo, nuk vonoi shumë, se xhonturqit e rij porsa erdhen në pushtet nisën metodën e kërbaçit dhe të mosprishjës së “qetësisë”, duke vijue të merrnin nëpër kamb nacionet, që asokohe ende vegjetonin brenda pushtuesve osman.
Historiani erudis At Marin Sirdani (1885-1962), duke vlerësue kontributin e elementit katolik shqiptar në drejtim të atdhedashunisë, mbi lëvizjet shtypse të xhonturqve të rij kundër nacioneve (që kërkonin liri), cek ngjarjen e randsishme të historisë me 6 Prill 1911, kur shkruan: “Barbarit, mandej të kryesum prej Xhavit Pashës e Shefqet Turgut Pashës për të shtyp shqyptart çuen pesh zemnat e shumkuj, e Leket e Malcis qi nuk ishin ken msue me u ba rajë e askuj, tue provue se vetem arma muejte me u sigurue gjan, mallin, nderen e të drejtat qi kishin pas gzue per qindra vjet edhe nen Turki nisen me levis. Qysh n’prendveren e vjetit 1910 shifen faqe sheje paknaqsije: t’arratisunt shtohen e në krye të çetave kryengritse asht “Kreshniku i Malcis” Ded Gjo’ Luli. Ky e Kol Toma, Bajraktari i Veles, ishij të vetmit në krahinen e Shkoders qi tuj mos zan bes njaj permirsimi me djelm t’vet e kushrit nuk kishin dorzue armt e ishin arratis. Kaloi gjith ajo vjet pa ndonji ngjarje me randsi, por me 24 marc 1911 zuni fill nji luftë e vertet kundra Turkis. Populli mbar i Malcis i lidhun me kryengrits, me pushk e pa pushk msyni njiherit të gjitha postat qi gjindeshin brenda kufinit t’Malcis e me at yrysh n’e e nesre, pushtuen Tuzin, e ashtu t’forcuem me arm e me municion u drejtuen kah Shkodra e qendruen n’Koplik. Mali i Zi, i cilli mezi qi pritte me pa shtjellime në Turki, tuj e pa se malcort ia kishin nis punes pernjimend, u vu me i mprojt e e bane kufinin e liri me hi e me dal. Lajmi se Malcia ishte çue pesh e dojte me msye Shkodren e qiti ne mendim Bedri Pashen, valin e atij qyteti, e me shkak se ishte Dini ne rrezik rrejti muhamedanet e vendit, e kush kje i zoti i armve u bashkuen me asqer e duel ne luft kundra malcosve. Kta per me i diftue Fiqive t’Europes e shqyptarve qellimin e kryengritjes ban me 30 marc nji mbledhje n’Cetin e i çun nji “Memorandum” Fuqive t’Mdha e Malit t’Zi. Ne ket tubim pos kremve t’Malcis muren pjes e u lidhen me ta edhe disa kren me randsi t’vendeve tjera, t’krishtene e muhamedan”. (material në dorëshkrim).

Kush ishte Ded Gjo’ Luli?

“Pash, o Pash, t’ rrnoft bajraku,
Ndigjo Deden ç’asht kah flet:
Për pa rrjedh der n’sylah gjaku,
Knjazi vendin tem s’e shklet!
Ah! Qe prep don t’na dajn copa!
Prep mendimi i par asht ngjall!
Por ta marr vesht tan Europa:
Ded Gjo’Luli prap asht gjall!”

Ai ishte lind e rrit në bjeshkët e nalta të maleve tona, ku gurgullon uji i kristalt nga bora e shkrim, pyjeve, ku kumbueshëm dëgjohet zani në kor i zogjve, njerëzve, që si lisa të gjatë hijeshojnë, me shtëpitë e mbushuna plot me zanin gazmuer të fëmijëve, që harlisën lirshëm, tek shëtisin mbi ato shkrepa të nalta e të lame me gjak e lot trimash, ku, Atdheu e feja e të parëve ilir u ruajtën ma shumë, se në asnji vend tjetër të Shqipnis.
Portreti i tij mbetet fisnik. “Emni rron gjatë në veprat e mëdha”, thuhet në nji fjal të urt popullore. Ishte i pari midis të parve, i barabart mes të barabartve.
Ai, u dallua për aftësi të madhe drejtuese, si nji ushtarak në zemër të Alpeve të nalta të bjeshkve. Ende jeton në zemnat e kujtesën e malësorëve vlerësimet nga bashkohësit për Dedën, ku, midis të cilëve Avni Rustemi e quajti “burr i pafrik e i panjoll i maleve tona”.
Deda, ishte jo ma shum se 38 vjeç si adjutant besnik i Çun Mulës në Lidhjen e Prizrenit, tuj ken pjesmarrs në vjetin 1878. Kryetrimi, ishte e mbeti shpirti dhe zemra e kryengritësve, duke qenë trim si të gjithë trimat e tjerë të Malësisë, që me respekt e ndoqën mbas, për mbrojtjen e trojeve të vendlindjes.

Në betejën e hatashme u vranë trimnisht kelmendas, hotjan, shkrelas, koplikas, kastratas e shkodran, të cilët ishin të ndihmuem shpirtënisht nga kleri katolik.

Pikërisht, për hir të së vërtetës së dokumentuem në shtypin e kohës, për llogari të ekspeditave famkeqe ndëshkimore të Turgut Pashës e Portës së Nalt, brënda ushtrisë pushtuese ishin të veshun me rroba e pagueshin rregullisht (mercenar) disa trathtar shkodran, të cilët i shërbenin me besnikëri, duke iu kundërvue me armë në dorë fatosave të Ded Gjon Lulit, të cilët pa iu tremb syni mbanin me vendosmeni njeri mbas tjetrit në maj të Deçiqit Flamurin Nacional të Gjergj Kastriotit.

Tashma, dihet fundi i turpshëm i trathtarve, të cilët trimat e Ded Gjon Lulit nuk i vran, por i lanë të lirë të ktheheshin në vendlindjen (në këmish e brekushe), që e kishin trathtue.
Publicisti Risto Siliqi, në librin e parë: “Pasqyra e ditve të përgjakshme në të pestin shekull Shqypnis të robnueme”, Trieste, korrik 1912, shkruan: “Me 26 të marsit, bashkue ushtarët e Hotit, të Kelmendit, të Grudës, të Kastratit, të Shkrelit e të Shalës, e të sokoluem me fitime të përditshme, i ranë me nji rreptsi ushtris së përzieme me shkodran, sa mbas guximit e fatoshis të rrall të ktyne ushtarve shqyptar, këta halldupa e pan se të gjith po jesin me krye e ran gjall në dor. Ndër ta rob u xu dhe Abas Bekteshi, njaj trathtar qi në kohë të aksionit reformator ju pat kundershtue si shqyptar Shefqet Turgut Pashës, dhe pasi e patën burgosun e dy herësh, në të pamë të gjith popullit t‘Shkodres, e patne shtrue n’dajak, e ky i poshtri u çue me i ndihmue anmikut të vet e me e vra me vllazën. Për posë tij u xun rob dhe tjer, të cilve mbasi armët e fishekët ia morën, i lshuen lirë, të cilët ikën me marrë kah Podgorica, prej këtej me avullore përmbi liqe e shkuene n’Shkoder, ku ndoshta nana e gratë e tyne do t’i kenë pritun të padituna t’i ngjeshin furkat. Kët ditë dhe prej Jusuf Gjokajve të frugsuem prej plumbave të shqyptarëve ikën në Podgoricë 70 vetë të turkut. Ne nesre si plasi drita, fatosat ton psyne përsëri si luana dhe xune rob edhe 90 vet të tjerë, I çarmatosen e i nisen kah Podgorica”.

Risto Siliqi, si gjithë rilindasit patriot të tjerë të penës e pushkës, e njihte mirë fytyren e trathtisë. Me gjuhën e fakteve historike dhe si dëshmitar, ai fshikulloi pamshirë të gjithë trathtarët e nacionit, që iu kundërvun me armë në dorë flamurit kuq e zi të fatosa të lirisë. Nga ana e tjetër, studiuesi historian At Marin Sirdani, mbasi përshkruen pikët kryesore të “Memorandumit”, nënvizon frymën e bashkpunimin e ngushtë që ekziston midis malësorve pa dallim feje.

E randsishme ishte lufta e vendosun, kundër pushtuesit të përbashkët, që kishte shkel trojet tona. Në shënimet historike lexojm: “Ky ‘Memorandum’ kje i nenshkruem, pos dy kryetarve të kryengritsve, Ded Gjo’Lulit e Sokol Bacit, edhe prej Muharrem Beg Bushatit (n’emen t’Shkodres), Isa Beg Boletinit e Abdullah Agës (n’emen të Kosovës), Kapidan Preng Marka Kokes (n’emen t’Mirdites) e Mehmet Shpendit (n’emen t’Dukagjinit). Nji lidhje e atill dy elementash dukej n’e parë se do të prodhojn nji dobi të perbashkt, por muhamedanët e Shkodres vijuen me u mbajt me qeveri turke, e kta me asqer e nalen sulmin malsorvet derisa u erdh në ndihmë Shefqet Turgut Pasha me shtatdhet bataljona”.
E, natyrshëm, askush ma mir, se gjaku i derdhun nuk mund të flas për atdhetarizmin e fetarve e besimtarve shqiptar: Në Deçiq e Kaçanik, trimat e Kosovës luftuan për Shqipnin e besuan Perëndin. Ded Gjo’Luli e Isa Boletini, Themistokli Germenji e Shtjefën Gjeçovi kjen besimtar e fetar; Thimi Mitko e Papa Kristo Negovani, Sali Butka nuk kjen ateist e megjithat luftuan dhe dhan aq shum për atdheun e tyne. Jo besimi, por përkundrazi materializmi e dobson dhe e ligshton njeriun.

Mbi kryengritjen në Malësi, prof. Abaz Ermenji (1910-2003), në veprën e vet historike: “Albania – Vendi që zë Skenderbeu në historin e Shqipërisë” (“Shqypnia e Lirë”, Paris, 1968, fq. 279), nënvizon: “Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, u gjet ngushtë se s’kishte forca të mjaftueshme për t’iu bërë ballë kryengritësve. Prandaj u vu të shfrytëzonte fanatizmin fetar të myslimanëve duke iu thënë se “Dini” ishte në rrezik dhe duke i gënjyer se gjoja të krishterët donin të sillnin në Shkodër malin e Zi. Me këto intriga mujti të mblidhte një turmë shqiptarësh myslimanë prej Shkodre dhe t’i dergonte për të luftuar kundër vëllezërve të tyre katolikë. Por këta “mbrojtës” të “dinit” u shpartalluan shpejt; disa u bashkuan me kryengritësit. Për fat të mirë, ky dram i shemtuar vëllavrasjeje nuk u përsërit më në Shqipërinë e Veriut.”

Eshtnat e At Gjergj Fishtës, Ded Gjon Lulit etj., hidhën në lumin Drin figura e tij asht lan në hije nga historigrafia moniste, të cilin u munduen me e ba ateist e kundërklerikal, kur dihet, se ai ka qenq nji mik e bashkpunëtuer me françeskanët e shquem të vendit. Për me shumë Respekti i thëllë që kanë treguar klerikët katolik ndaj liberatorit Luigj Gurakuqi thuhet se ai ka pasur nji zyre me shtrat (dhomë fjetje) në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol të Shkodrës dhe kur të gjithë mendonin se ai asht në Italy ai vijonte të ishte në qytet… Ndërsa eshtnat e Ded Gjon Lulit dhe flamurin origjinal, françeskanët i kanë ruajt si relike të rralla për t’i vendosur në nji përmendore historike, që ato kishin menduar t’ia ngrinin në qytetin e Shkodrës…

A nuk asht nji domethanie e madhe dhe fakt kuptimplot, pohimi ipeshkvit imzot Zef Simonit (ish-Sekretar i Arqipeshkvis së Shkodrës gjatë kohës, qi po bahej kataklizma antifetare prej komunistve dhe ma von arrestohet e bani 12 vjet burg në Spaç, Burrel, Sarand, etj., shënimi im K.K.), në ligjeratën e tij në Kuvendin Ndërnacional “Krishtenimi ndër shqiptar”, ku pohon: “sëbashku me eshtnat e klerikve shkodranë, nxjerr nga diktatura, ishin edhe eshtnat e Ded Gjon Lulit Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kërkuene të mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku, tha fjalët e fundit mes dhimbave “Rrnoft Krishti Mbret!”. Vdiq i varun nder shpatulla, tuj ia hjedh trupin qejve e mbeturinat e tij i lshuen në prrue. Bash njiashtu si vepruen turqit me eshtnat e Gjergj Kastriotit e me prelatin e lavdishëm Imzot Pjeter Bogdanin, apo si vepruen ma vonë komunistat, tuej nxjerr prej vorrit eshtnat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedjes, Mons. Gasper Thaçit, Mons. Ernest Cocit, Mons. Bernardin Shllakut e At Gjergj Fishtës e sëbashku me atë, pa dijt gja, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtnat e të cilit françeskanët i kishin ruejt në vorret e tyne për t’i ba nji monument”. (Mons. Zef Simoni, “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni 1944-1990”, Shkodër, 1999, fq.10).

Ky mik apo i armik i njerëzve të fesë?
Si po e quajmë tashma Deden?

Nga historishkruesit që lam mbas, Deda u pa gjithnji i shkëputun nga bashkluftarët e tij, të afërm apo të largët, bile edhe nga pasardhësit e Derës së tij të përmendun, ku, këta të fundit u ndoqën e përsekutuan në Shkodër.

Sikurse shkruan i ndjeri prof. dr. Simon Pepa në lidhje me këtë çashtje: “Dhe është për të ardhur keq se kjo luftë, këta heronj dhe vetë kryetrimi Ded Gjo’Luli për vjet e vjet u lanë në harresë. Lufta dhe ngritja e Flamurit në Deçiq, përmendej sa me thanë, emri i heroi vetëm sa citohej. Dhe ajo që është rrënqethëse është fakti se mjaft nga nipat e stërnipat e Ded Gjon Lulit, si dhe mjaft klerikë që morën pjesë me mendje e penë në përpjekje për çlirim u masakruan në mënyrë të tmerrshme. Ata hynë në rrugën e mundimeve tamam si në ferrin e Dantes”. (Libri: “Gjurmime kulturore”, Shkodër, 2000, fq.224)
Ai sistem mos vlerësues veprash e vlerash, e la Ded Gjon Lulin vetëm me urdhnin “Për veprimtari patriotike” të Klasit I-rë dhe vetëm në vjetin 1962. Vetëm me kaq dhe asgja ma tepër, kur mjaft figura të tjera (natyrisht, secila me vlerën e tyne), u pasuan me urdhna, medalje e ‘tituj’ të shumt.

Asnji përmendore (të madhe apo të vogël), asnji rrug a rrugic (veç Tiranës), asnji emërtim tjetër me emnin e Dedes, kur mjaft burra të tjerë të historisë i kanë këto pengje nderimi. Pikërisht, me 1962, shkodrani prof. dr. Jup Kastrati, boton librin: “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare”, ku Deden e len në vend të fundit (ndër 6 figura), pas Isuf Tabakut, Daut Boriçit, Hodo Sokolit.

At Gjergj Fishta e Ded Gjon Luli

Asokohe “Poeti Nacional” At Gjergj Fishta (1870-1940), përmes poezisë epike, në veçanti rroku figurat e ndrituna, nji prej të cilëve asht edhe Ded Gjon Luli. Në ato hapësina poetike, Homeri shqiptar i kushton Fatosit të lirisë, si peng nderimi kangën prej 800 vargjesh, si rrallë ndonji heroi tjetër.

Pasi e lexon me andje, kupton dukshëm melodin poetike epike të Fishtës, shpalosur me talentin e ngjyrave të ndezuna, qi ruhet në portretin e madh atdhetar, tek kryevepra e njohun “Lahuta e Malcis”.

Ai me pathos pasqyron ngjarjet e mëdha të stuhishme në faqet e poemes. Ato, gjithsesi, janë të përcaktueme mirë historikisht, duke ruajt raporte të drejta të ngjarjeve me figurat historike, mbasi ai njihte shumë mirë historinë dhe vendin e herojve të nacionit.
Në hapësinen e atdhetarizmit të ndjeshëm, shquhen Ded Gjon Luli, Oso Kuka, si dhe të tjerë malësor trima, si: Marash Uci, Tringa, Çun Mula etj. Denjësisht Fishta, paraqet atdhetarin në mënyrë figurative:

“N’at Malsi, n’at Rapsh t’Hotit
Ded Gjo’Luli, burr si motit,
me’ i qetë Lekë, bisha shkorretit,
ka nis pushkën m’asqer t’Mbretit!”

Poeti, mbasi e quan trimin e Traboinit Ded Gjon Lulin si ‘shpatë e gjallë’, i vë atij në goj atë ligjeratën e gjall e aq kuptimplote, drejtue Sulltanit, përmes Bedri Pashës, tuj e paralejmërue, se nuk do t’i shërbenin ma shqiptarët:

“Se me sotjet, emni i Zotit!
Sa jem nipash t’Gjergj Kastriotit
e “Shqiptarë” qi thonë vendit
ma duva nuk i bajmë Mbretit”

Fishta si poet e Deda si lufëtar, e kanë shumë të kjart, se si kishte jetue populli në thundrën e hekurt turke, duke i sjell atij aq e aq telashe e rreziqe të panumërta, të cilat vërehen, kur autori flet shum përmes pendës së poetit:

“Na shkoi moti si a’ma zi
ngran e pangran, e kryet në gershan
bje prej sherrit n’taksirat”

ose vargzimet e maposhtme të mbushuna me folje vepruese:

“Se ai s’po kish tjeter zanat,
veç pre e rep e digj e piq,
rrxo, rreno e vendin flliq”.

Kishte ardh fundi. Vargonjt e gjat shtrëngues të zgjedhës së huaj gjysmijvjeçari duheshin këput, sikurse edhe ngjau, sepse Atdheu kishte thirrun fatosat e vet të lirisë, që t’a mbronin atë deri në flijim.
Epilogu i luftës me fitore, dihet. Ngrihet Flamuri kuq e zi i Shqipnis, simbol i fitores mbulue me lumenj të shumt gjaku, me thirrjen: “Rrnoft Shqypnia!”.

Historia me fakte historike
“Historia asht mësuese e madhe, njerzit janë nxanës të kqinj”

Bismark

Preokupimi me historin asht i veçant. Ajo përjetohet e jetohet si kujtes, por edhe si ekzistenc-realitet. Historia në Shqipni asht kontrollue e fsheh vijueshmenisht. Në fushatën e fshehjes dhe falcifikimit sistematik, e ka pësue pjesa ma e mirë e saj, ngjarje e situata, individ e procese, të cilat shqiptarët tash duan t’i zbulojnë e përjetojnë intensivisht.
Diktatura e proletariatit, lufta ruso-kineze e klasave dhe koncepti i prolekulturës, ishin instrumente e mbules e mjaftueshme, që atje të bahen krime ndaj njerëzve dhe të asgjësohen dokumente, të falcifikohen epoka e ngjarje të historisë, të likuidohen përsonalitete e momente të kulturës.

Kësisoj atdhetarizmi ishte shndrrue në fraza e etik, që nuk thote asgja. Me këtë metod, stoliseshin ngjarje e situata, procese e përsonalitete, të cilat sot historia po i harron shpejt ose mallkon rand.

Rizbardhja e ngjarjeve e individëve, asht nji punë e gjatë dhe e vështirë. Ai duhet të kuptohet jo si gjest a përcaktim patriotik, jo si zhurmë a retorikë stilistikore, por si punë e moral shkencorë. Historia e historiani, vetëm tuj ken të sakt e kritik, krijojn dhe rrisin vetdijën nacionle e historike.

& & &
Shpesh autorët, që kanë shkrue për ngjarjen dhe figurën e Dedes, nuk janë thellue në ‘studimet’ e ‘librat’ me tituj historik. Kështu mund të përmendim anglezen e njohur Miss. Edith Durham, Kamilio Libardi, major V. Lepetiç, atesheu ushtarak bullgar në Cetin, etj., për të ardh tek shkrimet e nëshkrueme nga prof. Kol Martinaj Sekretar i Komitetit Shqiptar të Podgoricës, Risto Siliqi Anëtar, Nikoll Ivanaj etj.

Në librin e historisë hartue për nxansit e shkollave të mesme (me disa ribotime formale, ka ndryshue vetëm paraqitja, por jo përmbajtje, shënimi im K.K.), harta historike e ngjarjeve të kohës, e hatue për t’u njohu nga brezat e sotëm, përsëri ka shumë pasaktsina, çka të krijon përshtypjen se kemi të bajmë me nji kryengrije spontane.

‘Historianët’ (para e pas vitit 1990), kanë ra tek idet e synimet e hartume (në hart) nga turqit pushtues asokohe, mbasi e kanë ngushtue ose qeth rrethin e zgjerimit të kryengrijes.
Dhe këto për opinionin tim, për dy arsye: së pari, sipas marrëveshjes së përfunduem me kreshnikët malësorë, Qeveria turke ishte zotue të paguante damet e shkaktueme nga lufta e në këtë rast, Turkia, kërkonte t’a hapte qesen e damshpërblimit sa ma pak të jetë e mundun dhe se harta e paraqitur për damet e shkaktueme asht disa herë ma e vogël, formul kjo e njohun edhe ma parë, në shtetet e tjera, ku, turqit kishin pësue disfat.

Ja që ‘historianët’ tanë e kanë ‘harrue’ këtë argument që burimet arkivore historike e njohin shum mir. Së dyti, opinioni europian e botënor ishte i shqetësuem për dhunën, që përdorte pa kursim Turkia kudo, e që nuk donte të tregonte tjetërsimin, që po pësonte Perandoria e ‘pathyeshme’. Këtë synim, ajo kërkonte ta tregote duke i rrfye botës, se nuk ishte kryengritje e zemrimit popullor, por ishin disa ‘rebel’ joshqiptar malësor afër kufinit me Malin e Zi.

Për fat të mir, jehona e ngjarjes shqiptare gjeti pasqyrim në shtypin e atëhershëm shqiptar dhe të huaj. (Shih koleksionet: “Hylli i dritës” “Leka” (Shkoder), “Corriere d’Italia” (Itali), “Liri e Shqypnis” (Sofje), “The Times” (London), “Ora e Maleve”, “Cirka”, “Shqypnia e re”, “Ora e Shqypnis”, fletoret e qytetit të Shkodres, dorshkrimet (e pabotueme të klerikve katolik, të cilat sot kan mund të mbijetojn, Arkivi i Vatikanit, Austris, Britanis Madhe, Hungaris, Italis, Malit të Zi, AQSH, fondi 270, Gjush Shedija “Historija e Shkodres” (dorshkrim i vjetit 1945).

Kushdo e di, se Papa Leoni XIII, me 1880 vendosi të hap dokumentet e Arkivit ‘Sekret’ të Vatikanit, për të gjithë studiuesit, që vinin nga e gjith bota, pa shikue se cilës besim a nacion i përkasin. Këtu ekziston nji dokumentacion shumë i pasun, që përmban informata, jo vetëm të karakterit kishtar e fetar, por edhe kulturës së popujve, gjendjes së tyne shoqnore, ekonomike, historisë, gjuhës etj.

Mbi luftimet e ashpra midis malcorve trima e taborreve të armatosuna deri në dhamb e të stërvitun për barbarizma kundërshqiptare, studiuesi At Marin Sirdani, shkruen: “Fletoret europiane t’asaj kohe i pershkruejn trimnit e tyne porsi ata t’herojve legjendar të kohve të hershme”.
Pas shpërndamjes me forcën e armëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe gjunjëzimit të Turkis, përpara presioneve të Fuqive të Mëdha, që çoi ma vonë në copëtimin e trojeve shqiptare, rrethet patriotike në vend nuk ishin të bindun, se Turkia po merrte rrukollisjen dhe se nën ombrellën e saj rrezikohej seriozisht ekzistenca e trojeve shqiptare.

Por, gjithsesi kishte nga ata, qi kishin vizione të kthjellta iluministe, të cilët u shquan për veprimtari të dendur atdhetare. Në këtë proces historik kontributi i prelatëve katolik shqiptar ishte i dorës së parë në veprimtari praktike të planit të brendshëm, për njisimin e plotë të faktorit shqiptar. Ndërsa veprimtaria e planit politiko-diplomatik të jashtëm, qëndronte në mbështetjen e kualifikuem të çashtjes së pamvarsisë së plot të trojeve etnike shqiptare.

Duke e analizue gjendjen e përgjithshme në Shqipni, politikanët europian paralejmërojnë nji shpërthim trazirash në pranverën e vitit 1911. Urretja, që kishin malësorët kundër regjimit xhonturk, bani që revolta në këtë pjesë të filloj ashtu siç e kishin mendue vet krent patriot malësorë.

Në Muzeun Nacional të Kuvendit Françeskan në Shkodër, klerikët, me dashuni prindore ruajtën për shumë vite në gji simbolin e lirisë shqiptare. Për këtë dëshmojn etnit françeskan At Leon Kabashi, At Viktor Volaj, At Daniel Gjeçaj e At Zef Pllumi, të cilët për nji kohë janë marrë me mbarshtrimin e institucionit. Sikur të mos ishte ngrit Flamuri dhe sikur të mos kishte ekzistue ai Flamur, do të kishin pas guxim etnit françeskan me sajue nji gja të tillë? Patriotizmi e ndërshmnia në pasqyrimin e ngjarjeve nacionale, kanë kenë ndër shenjat dalluese të françeskanëve shqiptarë, prandaj edhe nuk mund të vihet në dyshim vërtetësia e ngjarjes.

Qëndri i klerit ndaj Kryengritjes së Malësisë, ka qenq dashamir e mbështetës pa rezerva, për trimat e prijsin e dashun Ded Gjon Luli. Klerikët, duke theksue nevojën, që të rezistonin me bashkatdhetarët e vet të arratisun dhe popullsisë së dëbuem, u larguan sëbashku me ta dhe qëndruan në Mal të Zi.

Midis tyne ishte famullitari i Kastratit At Mati Prenushi. Pas disa viteve, në kohën, kur atij i bahej gjyqi komunist, i pyetun nga hetuesia, që zhvilloi gjyqin, pikërisht aty, ku kishte qenë redaksia e revistës “Hylli i Dritës”, ndër të tjera pohoi: “Përveç muzikës me sakrifica të mëdha, kam përshkue nga antikuari i bibliotekës edhe të gjitha veprat qi flitshin për Gjergj Kastriotin nga populli shqiptar. Të gjith këto vepra janë këtu edhe sot në bibliotekën françeskane. Kur u ktheva në Shqipni, kam shkue famullitar nepër male. Kam marr pjes aktive në kryengritje bashkë me malcort e prim prej Ded Gjo’ Lulit në vjetin 1911, e kam ndej disa koh me popullin i strehum në Mal të Zi” (Shih, Zef Pllumi, libri me kujtime “Rrno per me tregue”, vëll.II 1944-1951).

Diplomacia e hollë e gjuhës fine të moderacionit, ka kenë nji tipar karakteristik e mbizotnues në përsonalitetin publik të arqipeshkvit të Shkodrës imzot Jak Serreqit. Misioni i tij, duhet të pozicionohet kjart në kontekstin e çastit kohor të zhvillimit të kryengritjes.

Jemi në korrikun e vjetit 1911, ku si rezultat i luftimeve të ashpra disamujore, energjit fizike e njerëzore të familjeve malësorëve po shkonin drejt nji kufini, pas të cilit do të kishin vetëm asgjësimin fizik. A ishte vërtet e arsyeshme, njerëzore dhe kristiane për bariun shpirtnuer të malësorëve, të ndërmerrte nji vepër ndërmjetësimi, për të shpëtuar popullin e tij nga asgjësimi i barbarit?

Mendoj, se për nji patriot e figurë të randsishme publike, siç ishte Jak Serreqi, nji veprim i tillë ishte krejtësisht i domosdoshëm dhe përbante nji detyrë morale, për çdo shqiptar të arsyeshëm…

Abat Prend Doçi prelat i ndritur i vlerave shqiptare

Nji ndër punimet ma interesante e me shum baza agumentuese shkencore dhe historike mbetet libri jetëshkrimor kushtue Abatit të Mirditës Prend Doçit, ka mendime e dokumente, qysh në shekullin XIX, duke bashkrendue doket e virtytet e mira amtare, me normat e kanunit të maleve, që asokohe zinte vendin e ligjit në Mirdit…

Ai vuni rregull në lutjen e festave, qi e rëndonin ekonomin e vorfën të mirditasve. Si prelat katolik, fetar e atdhetar i ditun, ai gëzonte simpati e gjente mbështetje ndër besimet e tjera në Shkodër, Lezhë, Mat, Dibër e Lum. Ai nuk e fshihte kurr shpirtin e vet atdhetar. Në çashtjen nacionale meshtari i përvujt, kundërvepronte gjithnji hapun e ashpër, jo sepse ishte kryeneç, por sepse kje patriot i papërkulun e i qendrushëm në karakter.

Në mënyrë qëllimkeqe e pa të drejtë, udhëtimi i Prend Doçit si Abat i Mirditës (duke qenë peng i Turgut Pashës), gjatë udhëtimit nga Shkodra në Orosh (në gusht të vjetit 1910) asht përshkrue nga mjeku i shtabit të ushtris së Turgut Pashës, E. Jack.

Mirpo gjat faqeve të librit në turqisht, gjendet e ruejtun nji foto, ku aty kanë dalë Prend Doçi përpara në kalë të bardhë e Turgut Pasha me kalë të zi… Pothuajse pjesa dermuese e autorëve të mavonshëm gjatë komenteve të tyne, kanë marrë për bazë të dhanat e parashtrueme nga ky auktor, i cili, nuk asht as politikan e aq ma pak ushtarak.

Në nji studim shumë të kujdeshëm e serioz të studiuesit G.Robel me titull “Nopça dhe Shqipëria” (G.Robel “Franz Baron Nopeza un Albanien” Uiesbaden, 1966, fq.71), vihet në dukje se: “Ka të ngjar qi Jack të mos e ket kuptue shahun dinak të Doçit, por ka shkrue me hamendje”. E vërteta asht, se prelati nuk i ka prirë ushtrisë turke, për të dalë në Orosh, por ishte pikërisht Turgut Pasha, që e mori peng dhe e vuni përpara. Kushdo e kupton se tjetër asht të prijsh përpara e ndryshe asht me të marrë me forcë e me të nxjerrë me dhunë përpara.

Pse e mori peng e e vuni përpara imzot Doçin drejtuesi i ekspeditave ushtarake turke Turgut Pasha? Për dy arsye: së pari, për të sigurue veten. Duke pasun përpara Abatin me influencë në tanë krahinën me besimtarë besnik katolik, imzot Doçi, edhe po të kalonte në ndonji prit, askush nuk do të shtinte në të. Së dyti, për të tregue forcën e vet, për të përul Abatin Prend Doçin, që ndonëse ka përkramjen e shteteve të Europës, e vuna përpara. (AQSH, Fondi 270, Dokumenti 53, fq.7.)

Madje, tërthorazi, Turgut Pasha, donte t’i tregonte Austro-Hungarisë, që gëzonte të drejtën e mbrojtjes së kultit, se jam vet zot mbi ‘shtetasit’ e mi. Por Turgut Pasha, megjithse e vuni në përpara bariun shpirtnuer të malësorëve, nuk mundi të arrestonte në Mirdit asnji nga krent, që ai kishte të dhana, se jan strehue atje, pra parashikimi i tij nuk u vërtetue; qëllimi fushatës nuk u arrit, mbasi vet fusha nuk u përligj.

Mbështetja vetëm tek libri i mjekut Ernest Jack, që i shërbente përsonalisht Turgut Pashës don me thanë me marr si të vërtet nji pikpamje përsonale, subjektive të nji të hueji, madje aq ma keq të nji njeriu jospecialist. Pra, sikurse shikjohet, kleri u përfshi pa ngurrim si shërbestar i grigjës së vet edhe atëher, kur cënoheshin interesat e nalta nacionale, dhe jo sikurse ka shkrue bashkqytetari shkodran me banim në Tiranë Prof. Dr. Gazmend Shpuza e disa profesor të tjerë Akademisë së ‘shkencave’ me nji urretje, se: “Me veprimtarinë e vet përçarëse, kleri vështirësoi bashkimin e popullit shqiptar në luftë për liri. Pavarësisht se nuk ia arriti, ai i përpoç të fuste shqiptarët në një luftë vllavrasëse.

Meqë pushtuesit osmanë nuk mundën të shtypnin kryengritjen, kleri veproi me të gjitha forcat për t’i mashtruar kryengritësit që të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre kombëtare, ose për të mbajtur larg nga kryengritja e popullsinë e krahinave të tjera të vendi. Reaksioni klerikal katolik me demagogji vazhdimisht që të spekullojë mbi luftën e pareshtuar të popullsisë katolike të vendit tonë kundër pushtuesve osmanë, për të maskuar sadopak qëndrimin e vet reaksionar e bile antikombëtar. Prandaj jo më kot shtypi klerikal, veçanërisht me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, i është referuar luftës së malësorëve të Mirditës dhe të Mbishkodres. Por kleri katolik duke qenë në shërbim të papatit e të Perandorisë Austriake, ishte i detyruar për hir të interesave të padronëve të vet që të vihej edhe në shërbim të autoriteteve osmane. Dihet përpjekjet dhe roli që luajtën klerikët reaksionarë me në krye arqipeshkvin e Shkodrës Jak Serreqin dhe Abatin e Mirditës Prend Doçin në ndihmë të Shefqet Turgut Pashës me 1910 dhe më 1911 për t’i mashtruar e detyruar masat e malësorëve që të ulin armët dhe të heqin dorë nga kërkesat kombëtare të Memorandumit të Gërçës. Pra lufta e malësorëve të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli nuk ka asnjë të përbashkët me qëndrimin reaksionar klerikal” (Prof. Dr. Gazmend Shpuza “Qëndrimi antikombëtar i Klerit ndaj Kryengritjes së vitit 1911”, Akademia e Shkencave, Tiranë 1980).

Lavdia e një ngjarje të rëndësishme mbarëshqiptare

Intensiteti i zhvillimit të ngjarjeve flet, për shkallën e nalt të ndërgjegjës politike nacionale të malësorëve, të cilët, në të gjitha mënyrat ndihmuan kryengritjen.
Mirëpo, ka autorë, qi përpiqen t’i shfrytëzojnë këto veçori në kahje të kundërt, kur e shtrijnë ngjarjen në reduktimin e elementit të ndërgjegjës, për pavarësinë ndaj Portës së Nalt.
A mund të zvoglohen kërkesat e mirfillta politike të luftëtarve liridashës antiosman në pamundsi, për t’a mohue atë krejtsisht!?
Duhet pranue, se autoritet shtetnore e sidomos osmane pushtuese asokohe e kishin të kjart karakterin e vërtet politik e zemrimin popullor të mbledhun ndër shekuj…
Vlera e popullit matet me forcën e ndërgjegjës, aftësin vepruese, në mjedisin, ku jeton e punon, matet me forcën e qëndresës së tregueme gjatë etapave të historisë së pafavorshme.
Në rrafshin e përgjithshëm, intelektualët rilindas shqiptar, kanë organizue në koh të ndryshme nji radhë protestash në formë kërkesash me shkrim. Njerzit e kulturës e penës në përgjithsi, jetonin me konceptin e shteteve me nivel kulturor disa her ma të nalt, sipas së cilës, duhet të arrihet nji herë qytetnimi i popullit shqiptar e pas ndërgjegjësimit, populli do të luftoj për pavarësi ose çlirimin nga pushtuesit.
Situata në të cilën gjendej populli ynë, me përshpejtimin e zhvillimit të ngjarjeve, nuk prisnin gjersa të ndryshohej mendsia e vonueme e shqiptarit. Vështirësit ishin të brendshme e të jashtme.
Së pari, vështirsia e brëndshme ishte, në pamundsin e mbledhjes e përdorimit të enërgjive të nacionit shqiptar në nji drejtim të vetëm: nji nacion nji qëndri‘.
Së dyti, vështirësia e jashtme qëndronte tek Fuqit e Mëdha të kohës, tue përjashtue ato forca (ShBA), që ishin në përkrahje të çashtjes shqiptare, tue mos dashun t’a linin popullin tonë si pjesë përbase e Perandorisë Osmane, nga e cila kemi trashegue prapambetje deri në ditët tona…
Turkia pushtuese, asnjiheri nuk lejonte formimin e nji nacionaliteti shqiptar, se mund t’i rrshqiste nga dora. Turkia edhe situatën e tjetërsimit të saj të brendshëm, donte ta mbante në fshehsin e vet 522-vjeçare.
A u mbështet kryengritja e Ded Gjo’ Lulit?
Zhvillimi i lëvizjes e ndikimi i saj në popull, gjetën shprehjen e vet në formimin e rritjen e ndërgjegjës nacionale. Nivelin cilësor, ku ishte ngrit kjo ndërgjegje, e shpreh kjart përgjigja, që i dha Ded Gjon Luli përfaqsuesit diplomatik të Turkis në Cetin, Satedin Beut, në kohën kur diplomati kërkonte, që t’i largonte malësorët nga synimet e tyne të mirfillta të çlirimit nacional. Deda, tue mos pasur frikë deklaroi, se: “Të drejtat e kerkueme nuk i dona vetëm për vet, por për tan Shqypnin”.
Kryengritja e vjetit 1911, e drejtueme me aq urti, guxim e trimni nga Ded Gjon Luli, nuk del si nji lëvizje e rastit, por si vijim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve e gjith popullit shqiptar, për të jetue të lirë në trojet e veta.
Deda, me bashkluftarët e vet, ishin të edukuem me ndjenja të ngrohta atdhedashunie për liri, në shkollën e traditës popullore e familjare, nga e cila ata kishin mësue ndër të tjera, qi të ruanin gjuhën e zakonet e të parve, të ishin të gatshëm për të flijue jetën për liri e Atdhe.
Tronditja e themeleve të nji Perandorie, që kishte vite që po lëkundej seriozisht, si pasojë e kalbzimit të strukturave të piramidës osmane, bani që edhe shtetet e vogla si Shqipnia t’u sillnin shqetsime alarmuese.
Heroizmin e fatosave të lirisë të malësorëve kreshnik, plaku i urt i Vlonës Ismail Bej Qemali, gjatë vizitës qi i bëri Ded Gjon Luli në Vlonë (pas shpalljes së Pavarsis me 28 nëntor 1912), kryetrimin do t’a përshkruante me nji mendim të pjekun: ‘Dedë Gjo’ Luli pushk e ngrehun për Shqipnin’.
Shkrimtari, folkloristi At Donat Kurti O.F.M. (1903-1983) (që do të zbulohej i braktisun e i vdekun në nji kasolle të zbuluem në rrugicat e Shkodres, mes borës e acarit të dimnit, shënimi im K.K.), në përkujtim të 50-vjetorit të shkollës së njohun françeskane thotë: “N’at dit Shqyptari njimend mushi mushknit me frymët’liris e brittë n’zemer t’vet: “Rrnoft Shqypnja’ tuj ba jeh në ket mnyrë Flamurit t’Shqypnis të ngrehun me guxim e trimni, po n’at vjet me 6 Prill 1911 prej Ded Gjo’Lulit në Bratile t’Deçiqit”.

Klajd Kapinova
klajdkapinova@yahoo.com

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen