Poema “Pushka amanet” nga Hydajet Hyseni

Histori & Fakte | admin | 24.08.13 | 09:52

“Pushka amanet“

(Poemë)

Mars, 1989
Një poemë, e cila është shkruar në burgjet fashiste të Jugosllavisë, kur autori i saj Hydajet Hyseni, i dënuar me 15 vjet burg, sepse donte lirinë e kombit, mbetet ndër poemat më të çmuara të letërsisë sonë shqipe, në ngjyrën e revolucionit, kur fashistët Jugosllavë, me dhunë, torturë, përndjekëje e burgosëje, donin të shuanin qëndresën shqiptare, fjalën shqipe dhe kërkesat për lirinë. Kjo poemë paraqet të kaluarën tonë të rëndë, qëndresën e kalitur të të parëve tanë, torturat mbi ta, rininë të cilët duke pa vuajtëjet e prindërve, nuk kishin kohë të mendonin për lodra fëmijësh, por preokupim kishin amanetin e të parëve, për më të shenjëten e ajo ishte dëshira për liri.

Kjo dëshirë e brumosur nëpër breza, rrodhi mes shpirtit artistik të rrapsodit, nëpër mes vargjeve të poetëve, nuk pati forcë pushtuese të shuaj dëshirën për liri, as kur i këndoj rrapsodi, as kur i shkrou poeti, as burgu i hekurt i pushtuesit, nuk pati forcë të ndaloj penën e poetit, i cili në errësirë burgjesh, ia doli të shkruaj, shpërndajë e botojë, poemën “PUSHKA AMANET”.

Poema flet për sistemin e egër çetnik të viteve 50-ta,kur Qeveria shoviniste e Sërbisë në krye me kriminelin Aleksandër Rankoviç, nisën akcionin e grumbullimit të armëve,me qëllim të i torturojnë shqiptarët, të i burgos trimat më të mirëtë Kosovës, të cilët nuk pranuan kurrë të lëshojnë tokat e veta. Ata çetnikët kanë provuar me shumë forma të na gjunjëzonin, dhuna e armikut bashkë me mashat e tyre, tradhëtarët, priftërinjët, hoxhollarët, e shumë forma tjera, kanë bërë tortura, vrasëje, masakrime mbi shqiptarët, por amanetin nuk ua kanë përulur, nuk kanë mundur të ua thyajnë.

Çka ishte amaneti?Përkushtimi për Lirinë, mbrojtëjen e pragut, atdheut, gjakun, trollin, plisin, gjitha mes pushkës të lirisë, formë tjetër me pushtuesin nuk kishte, andaj stërrgjyshërit, gjyshërit, prindërit tanë, luftuan me pushkë për lirinë, kur shihnin vdekjen lenin pushkën amanet, të mos jipej, por të u lihej trashëgim brezave, me to të luftojnë deri në çlirimin e plotë të atdheut, ku dhe betoheshin “I gjallë nuk e jap”.

Armiku i torturoj ata dimra të acarta shqiptarët, duke i rrahur, duke i lënë këmbëzbathur në borë, duke i likuiduar, shumë vdiqën por betimin nuk e shkelën, të tjerët shitën pasurinë, blenë ndonjë armë tjetër, por amanetin nuk e dorëzuan, betimi ishte “i gjallë nuk e jap”. “Pushka Amanet” është një poemë shumë e hidhur historike, por me vlera të qëndruara, për të cilën mund të shkruajmë shumë, por edhe të shkruajmë shumë e shumë, nuk do të mundeshim të flasim, ashtu si ka folur poeti ynë Hydajet Hyseni mes vargjeve të kësaj poeme të gjatë, të cilën do mundohemi të e japim në tërësi.

hydajet_hyseni

HYDAJET HYSENI

PUSHKA AMANET

Atë vit kishte marrë

Dimër i vështirë
Nën borë e acar

Gjithçka kishte ngrirë.

Netëve të gjata
Fshati në errësirë

S´jepte shenja jete

Dukej shkretëtirë.

Në fshat heshtje varri,

Asgjë s´ndihej gjallë,

Veç zërit të ndonjë shpendkeqi

E të qenëve në mahallë.

Njerëzit si statuja
Plot ankth e trishtim,
Dëgjonin pas frengjive

Mbyllur me qilim.

Rrënçethej gjithçka

Edhe gurët e kullës,
Kur ndihej uturimë e gjipsit,

A hapa të patrullës.

Pastaj dikush shkonte
Mes njerëzve si hije;
Prapa,mallkim nënash
E vaj të ndonjë fëmije.

Përsëritej ky refren

Natë për natë,
Atë dimër të egër,
Tepër të gjatë.

II

Kokë më kokë ne fëmijët

Bisedonim gjatë
Por s´e dinim mirë

Ç´po bëhej në fshat.

Shihnim njerëz të huaj

Ardhur nga qyteti:
E dinim se prej tyre
Vinte gjith qameti.

Bridhnin poshtë e lartë
Me gjipsa e vetura,

Me çizme të zeza
E veshje nga lëkura.

Mësimin dhe lojërat
Në gjysmë na i kishin lënë
Ishin bërë sa javë
Që shkollën kishin zënë.

Thoshin se nuk flinin
Tërë natën e gjatë.
Ata njerëz të zi,
Të zi sikur natë.

Se çú bënin burrave
Ne atëherë sé dinim,
Por edhe ne shihnim
Se si shkonin,nuk vinin.

Shumë shkonin me pushkë

E vinin pa të,
Të tjerët,të mavijosur,

Ofshanin por s´nxirrnin zë.

Dhe kur nënat na frikësonin
S´thonin:mos se murrashi!
S´thonin as,mos se gogoli!

Por,”kujdes,vjen ” udbashi,,,,!

Kështu atë dimër
E mplakte fshati im,

Mbështjellë me borë e mjegull
Me ankth e trishtim.

III

Çdo natë e vështroja
Gjatë babain tim,
E në sy ia lexoja
Vuajtje,zemërim.

Kishte kohë që buza
Nuk i qeshte fare,

Rrinte e mendohej
Dhe pinte cigare.

Unë veten pyesja shpesh

Babai ç´kishte vallë?
Pse i kishin shtuar ofshamjet
Dhe rrudhat në ballë?

Mendoja kështu çdo natë
E në sy s´më vinte gjumë,
Se shihja që babi
Halle kishte shumë.

Dhe s´ish veç halli i bukës
Që shumë shpesh mungonte

Dhe as vetëm “porezi”

Që shteti kërkonte.

Halle si këto
Ne kishim ngahera,
Por atij i kishin dalur
Shumë halle të tjera.

Prandaj ai herë-herë
Brofte në këmbë;
Grushtat i shtrëngonte
E shante ndër dhëmbë.

Dhe shpesh e shikonte
Murin mbi dollap,
Dhe thoshte i vendosur:
-”I gjallë nuk e jap”.

IV

Një natë të zezë
Sikur u shtua acari,
Kur në shtëpinë tonë
Erdhi ofiqari.

Nuk dëgjova mirë
Babait se ç´i tha,
Por e pash një letër
Në dorë kur ia la.

Dhe shkoi nga erdhi
U fut në errësirë:
Babai mbeti në prak
I shtangur,i ngrirë.

Pastaj u kthye nga ne
Dhe më pa në fytyrë,
Dhëmbët i shtrëngoj
Dhe pështyu në errësirë.

Ashtu si babai
Pështyva dhe unë,
Andej nga shkoj njeri;

Që i thonin”spiun”.

Jashtë errësirë dhe nëna,
Shikonte e nemitur,
E me pezmë mallkonte:
-”Mjerë nëna që të ka rritur!”

Fëmijët e tjerë
Flinin nën velenxë;

Ata s´dinin gjë
Për letrën e zezë.

As unë nuk dija
Ç´thuhej nátë letër,copë letër,
Por shihja se babait

I sillte mërzi tjetër.

V

Menjëherë të nesërmen,
Dikur natën vonë,
Erdhi hoxha i fshatit

Në shtëpinë tonë.

Dhe gati gjithë natën
Foli me babanë;
Babai vetëm heshte

Dhe pinte duhan.

-”S´ke çka bën kumbarë,
i thoshte babait,
Le të bëhet´siç është shkruar,

Në dorë të allahut.

Shite edhe lopën

Se s´bëhet kijameti

Zoti është i pari
I dyti hyqymeti.

Se të dua shumë,

Prandaj ta bëjë këtë të mirë,
Se miku i vërtetë duket

Në ditë të vështirë”…

Fliste kështu mullai
Dhe sillte tespitë,
Shpesh lëpinte buzët
E i rrotullonte sytë.

Unë urreja hoxhën
Me qyrkun e zi;
Droja mos babait
I shtonte ndoj mërzi.

Sepse hoxhë mullanë,

Me zë të çjerrë e të hollë,
E kisha parë shumë herë
Të shkonte në shkollë.

Shkonte e vinte

Me njerëzit e zi,
Rrëshqiste pastaj si hije
Shtëpi në shtëpi.

Prandaj urreja hoxhën
Me qyrkun e zi
E droja mos babait
I bënte ndoj dredhi.

Por edhe babai

Në derë kur e përcolli,
Vështroi gjatë errësirën
Dhe kokën e solli.

Dhe e ndjeva hoxhës
Kur”dhelpër” i tha.
-Ma ke gjetur ditën
Hoxhë maskara!”

Të nesërmen kur u zgjova
Pash një pushkë në mur,
Por lopa jonë e vetme
Më s´ishte në ahur.

E shava mullanë,
Ia shava dhe tespitë
Se më dhimbsej Laroja,
M´u njomën edhe sytë.

Por e përmbaja dhimbjen
Për lopën Larojë,
Se shpresoja që pushka
Halle do të pakësojë.

VI

Një mëngjes babai
Doli nga shtëpia,
se shkonte në shkollë
Dukej nga mërzia.

Na shikoi me dhimbje
Dhe doli në borë,

Shkonte si drejt vdekjes,
Pushkën mbante në dorë.

Sa keq e ndjeva vetën
Unë brenda në shtëpi,
Kur kujtoja
Mes njerëzve të zi.

Dhe kur ai,pas pak,
U kthye përsëri,
Fytyra ne na qeshi
Të gjithëve në shtëpi.

Në fillim mendova
Se babai kish shpëtuar,
Por kur i pash ballin,

Rrudhat i ishin shtuar.

Se ç´ndjeva në zemër,
Sytë m´u mbushën plot,
Ndjeva dhe një dorë
të mí lëmonte flokët.

Ato kohët e fundit
Shpesh kështu vepronte:
Vetëm më përgëdhelte
Dhe në sy më shikonte.

Më thoshte i menduar;
-” U rrite o bir……”
Po s´fliste më gjatë,
E kishte të vështirë.

Dhe saherë që ai

Kështu më shikonte,

Më dukej se prej meje
Diçka po kërkonte.

Më shikonte mua,

Shikonte mbi dollap,
Dhe thoshte me zë
-”I gjallë nuk e jap”

VII

Atë natë dimri
Vonë,në shtëpi,
I erdhi babait
Një shok i tij.

Ishin shokë lufte,

Shokë të pandarë,
Por,të bisedonin ashtu
Kurrë s´i kisha parë.

Shikoja babanë
Dhe shokun e tij
E në sy u lexoja
Halle e mërzi.

Flisnin plot urrejtje

Dhe plot neveri,
Për njerëzit e huaj,
Për njerëzit e zi.

Dhe atë më të ziun
Që kërkonte pushkë;
Shpesh në gojë e zinin,
E kishin njohur në luftë.

-”Atëherë , thoshin ata,
Kishte veshje tjetër,
Kishte kryq të thyer,
Kishte edhe mjekërr”.

Dhe saherë atij
Emrin ia kujtonin,
Plot pezëm në sy
Dhëmbët i shtrëngonin.

-”Jo,thoshte babai,

S´duan veç armët tona,
Por duan të na zhdukin
Gjithçka që është e jona.

Duan që të zhdukin
Gjithçka që është shqiptare,
Emrin,gjuhën,plisin…..
Të na çesin fare.

Nuk kërkon mor,jo
Veç pushkë e “allti”,

Por don gjakun tonë
Çetniku i zi.

-” Ty mor kapuçbardhë”;
Lehtë,më tha s´të lëshojmë,

Edhe top po të sjellësh,
Tanks do të kërkojmë”.

Dhe ia shihje në sy
Etjen për gjak,

Hakmarrjen për luftën
Në Kosovë e Sanxhak”.

Rrëfenin pastaj
Ngjarje, histori…….
Dhe herë-herë ofshanin:
“Ah,tradhti,tradhti!”

Flisnin për ofiqarin
Dhe e quanin mashë,
Se hante dhe pinte
Bashkë me”udbashë”.

E shanë hoxhën e fshatit
Dhe dy a tre të tjerë,
Që një pushkë të UDB-së
E shitnin disa herë.

Flisnin dhe kërkonin
Shpëtim nga ky ortek,
Por nuk gjenin rrugë,
Ishte zënë çdo shtek.

“Nuk ka shpëtim,jo,
Nga njerëzit e zi,
Veç të kalojmë kufirin.

Tíkim në Shqipëri.

Por,as këtu nuk bën,

Mohonin me kokë,
Ku t´i lëmë fëmijët.
Si ta lëmë këtë tokë?

Pastaj të huajtë
Mu këtë kërkojnë,
Që nga tokat tona
Ne të na dëbojnë”.

Unë shihja babanë
Dhe shokun e tij

E në ballë u lexoja
Veç halle e mërzi.

Në sytë e tyre rrodhi
Një valë e ngrohtë gëzimi,
Vetëm kur po flisnin
Rreth një fjalimi.

Unë nuk kuptoja mirë

Ç´ishte ai fjalim,
Por shihja se i ngjallte
Shpresën babait tim.

Dëgjoja nga goja e tyre
Shpesh fjalën liri,
Parti,socializëm,

Mirëqenie,begati….

Kosova e robëruar,
Xhelatët e zi….
Dhe shpesh e përmendnin
Emrin Shqipëri.

Dhe saherë që në gojë
Zihej Shqipëria,
Më dukej se babait
I hiqej mërzia.

-”Natë e zezë ka rënë,

Por do të dalë dita,
Thanë duke u ndarë,

Do të i vijë dita”.

Kur u kthye babai
Shikoj mbi dollap
Dhe tha i vendosur
-”I gjallë nuk e jap”.

VIII

Atë natë dimri
Shumë ëndërra unë pashë
Plot dritë e lule,
Plot korba e “udbashë”.

Në njëren prej tyre,
Pash një livadh.
Që ndahej në dysh
Nga një gardh i madh.

Andej shpend e lule,
Hare e gëzim:
Këndej ferra e bisha,
Halle e trishtim.

Andej rreze të kuqe

Plot dritë e diell,
Këndej natë e zezë
E plotë re në qiell.

Ne nga errësira
Vështronim në qiell,
Por gjithkund ishte natë
S´shihnim dritë as diell.

Disa njerëz të zi
Si ujqër e derra
E ruanin me armë
Gardhin me therra.

Gjysma e livadhit,
Dukej sikur ferr,
Se gardhi ne na bënte
Hije edhe terr.

Por,se si shpërtheu
Një zjarr i kuq si gjaku
Dhe me rreze të kuqe.
Qiellin e përflaku.

Retë dhe errësirën

Dhe gardhin e zi
E digjte ky zjarr,
I bënte shkrumb e hi.

Ne me gaz e shpresë
Shikonim në qiell,
Se tani gjithë livadhi

Do të kishte dritë e diell.

Unë bërtita shumë
Sa gjithçka ushtoi,
Por për një çast babai

Nga gjumi më zgjoi.

Atëherë unë kuptova
Se në ëndërr isha tretur
Dhe se babai
Ende skishte fjetur.

“Ç´pate më pyeti,
Dhe flokët m´i lëmoi
E unë mezi prisja
Ëndrrën tía tregoj.

Ai më shikonte
Dhe dëgjonte në heshtje,
E herë-herë fytyrën
Ia mbulonte një buzëqeshje.

“Eh,mor biri im,
Sa jeta është dhënë
Ëndrrën që ke parë,
Në jetë për ta vënë.

Që të bëhet kjo
Qenka shumë vështirë,
Për këtë u dashka gjaku
I bijëve më të mirë.

Por kjo do të bëhet
Patjetër biri im;
Vetëm ti rritu
Edhe bëhu trim!”

Dhe babi im
Kishte të drejtë;
Koha po kërkonte
Të rritesha më shpejtë.

Ato netë kuptoja
Edhe dy të vërteta;
Sa ëndërra të bukura kishim
E sa e zezë ishte jeta.

IX

Në një gjumë fëminor
Ëndërroja pranverë,
Kur me forcë ushtuan
Të trokitura në derë.

Vrapova në dritare

Dhe kokën e zgjata,
Jashtë dikush bërtiste,
“Otvorite Vrata!”

***Serbokroatisht, në shqip, Hapeni portën!

Dëgjova disa sharje,
Një kërcitje të fortë.
Pastaj disa hije
U futën në portë.

Ende s´ishim zgjuar
Ne në shtëpi,
Kur u futen brenda
Njerëzit e zi.

Uh,sa të zezë e kishin
Ata njerëz fytyrën,
Që hynë në shtëpi
Bashkë me errësirën.

Dhe këta njerëz të huaj
I thoshin babait shpesh,
Disa fjalë të huaja
Që unë s´i merrja vesh.

Por çíshin ato fjalë
E kuptova mirë,
Kur ia lidhën duart
Me pranga e zingjirë.

Në mes tyre babai
Krenar po qëndronte,
I shihte drejt në sy
E dhëmbët shtrëngonte.

Na shikonte ne.
Shikonte mbi dollap
Dhe më dukej sikur thoshte:
“I gjallë nuk e jap”.

Mua shpesh më vinte
Tía plasja vajit.
Por s´qaja se kisha
Turp prej babait.

Se sa herë më shikonte,
E kuptoja mirë,
Më thoshte në sy me sy.
“-Tani u rrite bir…..”

Pastaj aty ishin
Dhe njerëzit e zi,
E s´doja të më shihnin
Me lot në sy.

Dhe shkoi babai
Mes njerëzve të zi,
“Qëndroni e mos qani!”
Thoshin sytë e tij.

Unë shtrëngoja dhëmbët
Dhe nuk qaja dot,
Ndonëse sytë i kisha
Të mbushur me lotë.

Fëmijët e tjerë
Në vaj ishin shkrehur,
Nëna vërtetë s´qante,
Por e tëra ishte zbehur.

Ofshante ajo thellë
Dhe vetëm mendohej,
Oh,ç´dhembje e madhe
Në ballë i lexohej!

Sa keq e ndjeja veten
Atë ditë në shtëpi
Kur kujtoja babanë
Mes njerëzve të zi.
X

Ish mëngjez i ftohtë,
Një mëngjez ,dimëror,
Ne një grup fëmijësh
Ecnim nëpër borë.

Çdonjëri tregonte
Me lot në sy,
se ç´´í kishte ndodhur
Ato netë në shtëpi.

Shumë shokëve të mi
U kishin marrë babanë,
Dikuj-dikuj vëllezërit
E dikuj xhaxhanë…..

Më dhimbseshin të gjithë
Si babai im,
Por,veçmas ndjeja dhembje
Për mësuesin tim.

Atë e kishin marrë,
Pse libra kish lexuar
Dhe sepse në radio
Tiranën kish dëgjuar.

Ne të gjithë e donim
Dhe ai shumë na donte,
Sa tregime të bukura
Na rrëfente e lexonte!

Dhe kur fliste për Kosovën
Më kujtohet si sot,
Se si dhëmbët shtrëngonte
E në sy i vinin lot.

Sytë e tij të ëmbël
Mbusheshin hare,
Vetëm kur na fliste
Për një botë të re.

Sa më vinte keq,
Sa më vinte vështirë,
Kur e mendoja të lidhur
Mësuesin tim të mirë…

Dolëm mbi fshat
Në maje të bregores,
Që andej shkolla dukej
Si në pëllëmbë të dorës.

Vështronim nga bregorja
Mbi borë të shtrirë,
Me ankth e trishtim,
Me zemër të ngrirë.

Shihnim atje poshtë,
Në oborr të shkollës
Baballarët tanë
në mes të dëborës.

Qëndrinin në këmbë
Dhe nuk lëviznin fare,
Nuk flisnin mes veti,
As pinin cigare.

Rreth tyre” udbashët”
Me veshje nga lëkura,
Mbi kokë u qëndronin
Me pushkë e kaçaturra.

Dhe kur herë pas here
E futnin ndonjë brenda.
Neve në bregore
Fort na rrihte zemra.

U bërtisnin të huajtë,
I shtynin,i shanin…
E kur i nxirrnin jashtë
As këmbët s´i mbanin…

Qëndruam në bregore
Deri vonë në terr,
Deri sa s´dukej shkolla
Që ngjante në ferr.

Kapur dorë për dore
U kthyem duke kënduar,
Këngën partizane
Që mësuesi na kish mësuar.

Na dukej sikur këngët
Na mbanin zemrat ngrohtë,
Se kështu e mposhtnim dhimbjen
Dhe erën e ftohtë.

XI

Ditë për ditë
Me motrat dhe vëllanë,
Mes borës,në rrugë,
E prisnim babanë.

Ato ditë pritjeje
Dhe ato netë,
Plot me dhimbje ishin,
Të gjata ishin vjetë.

Dhimbja dhe urrejtja
Më digjnin sikur furrë.
Më dukej se babanë
S´do ta shihja kurrë.

Me pikëllim në zemër,
Me lotë në sy
Ktheheshim pa babanë
Vonë në shtëpi.

Atje gjeta nënën
Në pengjere mbështetur,
Dhe çdo ditë më dukej
Edhe më e tretur.

Na shikonte gjatë
Dhe flokët na i lëmonte,
Sytë i turbulloheshin
Dhe nofullat shtrëngonte.

Unë shihja se ajo
Sytë i kishte plot,
Ofshante thell nga zemra
Por,nuk derdhte lotë.

E shihja të qante,
Të mallkojë e lotojë,
Vetëm kur ne flinim
Pa futur gjë në gojë.

Ne duronim urinë
Ndonëse ishim fëmijë,
Se babai,thoshte nëna,
Nesër do të vijë.

Dhe na rrëfente nëna
Shumë ngjarje dhe përralla
Me dragoj e kreshnikë
E trimëri të rralla.

Unë çdo natë ëndërroja
Veten të fortë çelik,
Fluturoja si dragua,
Luftoja si kreshnik.

XII

Ishte ende natë.
Ishte terr i zi,
Kur ndjeva nëpër gjumë
Hapa në shtëpi.

“oh,ç´´gëzim i madh!
Oh,ç´ditë e bardhë!
Lum për mua,thirra,
Babai paska ardhë…”

Flaka tej velegjën.
U zgjova me rrëmbim,
Se ç´ndjeja në zemër
E di veç shpirti im.

Por, kur hapa sytë
Mbeta në vend i ngrirë,
Në shtrat rrinte babai
Gjërë e gjatë i shtrirë,

“Ç´paska,thash,babai
Që rri i tendosur?
Vallë përse fytyrën
E ka të mavijosur?

Pse athua ai
Me lotë në sy më këqyrë?
Athua vallë ,pse nëna
Është e bërë dyll në fytyrë?”

Pyesja kështu veten
E s´përgjigjesha dot,
Dhe si pakuptuar
Në sy më rrodhën lotë.

Dhe sigurisht do të qaja
Me dënesë e ngashërim,
Po të mos thoshte babai
-”Eja biri im”..

Dhe u ngrit ngadalë,
E nuk rënkonte më,
Buzëqeshte me zor,
Thua s´kishte gjë.

-”Mos qaj, biri im,
Se tani je bërë burrë!
E burrit, çfardo t´i ndodhë,
Lotët s´ia sheh kurrë….”

S´mundi të flas më,
E kishte të vështirë,
Por se ç´kishte në zemër
i lexohej në fytyrë.

N´atë gjendje babanë
S´e kisha parë kurrë,
Më dukej se në gjoks
Diçka i digjej furrë.

Më dukej sikur tym
I dilte nga balli.
E kur dhëmbët i shtrëngonte
I dilnin xixa stralli.

I shtrëngonte grushtat,
Ofshante,por s´rënkonte,
Më shihte drejt në sy
Dhe flokët m´i lëmonte.

Më shikonte mua
Shikonte mbi dollap
Dhe thoshte përseri:
-”I gjallë nuk e jap”:

XIII

I egër ishte ai dimër.
plotë ngricë e acar,
Të tillë dimër fshati
Kurrë nuk kishte parë.

Dimër i akulltë
Me erë e stuhi,
Me ankth e trishtim
E njerëz të zi.

Me hapa patrullash
Gjipsa e vetura,
Dimër me “udbashë”
Me veshje nga lëkura.

Gjithçka kishte ngrirë
Nën çizmë e dëborë,
Veç zjarri i urrejtjes
Rritej në krahror.

E shihja tek rritej
Këtë zjarr gjithkund,
Rritej në çdo zemër.
Rritej dhe tek unë.

E rrisnin “udbashët”
Që nxinin mbi fshat,
E rriste babai
Që dergjej mbi shtrat.

E rrisnin bisedat
Që dëgjoja në shtëpi,
Nga goja e babait
Dhe shokëve të tij.

Bisedat për luftën,
Për njerëzit e zi,
Ofshamjet e thella
Ah,tradhti,tradhti…!

Dhe nuk ëndërroja bukë
Për barkun e uritur,
Por,të isha më i fortë,
Të isha më i rritur.

Çdo natë ëndërroja,
Të rritesha më parë,
Për babain dhe të tjerët
Hakun për ta marrë.

Dhe ndonëse i uritur
E të qullur sytë,
Ndjeja si atë dimër
Po rritesha çdo ditë.

E ditë për ditë
Shikoja mbi dollap
Dhe thosha si babai
“I gjallë,nuk e jap.”

XIV

Një mëngjez të ftohtë.
Kur ende flinte fshati,
E ndjeva babanë
Të ngrihej nga shtrati.

Atë natë ai
S´kishte fjetur fare,
Vetëm ishte menduar
Dhe kishte pirë cigare.

I mblodhi të gjitha forcat,
U ngritë me mundim
Dhe më tha ngadalë,
“Eja biri im!”

“Eja more bir,
Se tani je rritur,
Se këtë ditë babai
Kaherë e kam pritur.”

Dhe më çoi për dore
Te muri në dollap
Kur shihte kur thoshte,
“I gjallë,nuk e jap”

Pse shiti Larojën?
Pse bleu pushkë tjetër?
Athua, vallë,ç´të jetë
Kjo pushkë e vjetër?”

Pyesja kështu veten,
E ai më shikonte,
Dhe më dukej sikur pyetjet
Në ballë m´i lexonte.

“Dëgjo more bir,
Se tani je bërë burrë,
Shikoje këtë pushkë
Dhe mos e harro kurrë!

Se kjo pushkë,mor bir,
Është nderi i shtëpisë,
Është amanet i brezave,
Është pushkë e lirisë…”

Dhe vështrimi i tij
Treti diku larg,
E nëpër ballë kujtimet
I bridhnin varg-varg.

Ai mbi tytë të pushkës
Vështrimin hidhte prapë,
Unë me vete thosha
“I gjallë,nuk e jap”:

XV

Jeta jonë o bir.
Kështu ka qenë përherë.
Pa dritë e pa diell,
Dimër e skëterrë.

Në errësirë,kjo tokë,
Mplaku vite e muaj
Në mjerim e skamje,
Nën këmbë të huaj.

I duronte kjo tokë
Netët e vështira,
Me shpresë se një ditë
Do të vinin ditë të mira.

E bajlozë të zi
Shkonin dhe vinin,
Dhe në trupin tonë
Thonjët e tyre i linin.

Veshje e embleme
Gjuhë të ndryshme kishin,
Por,për këtë popull
Një soj ata ishin.

Dhe për të gjithë shqiptari
Një përgjegje kishte
“Derri don veç plumb”
E derr armiku ishte.

Gjëmoi kjo pushkë
Në çdo shkrep e gur,
Tyta e saj e nxehur
Nuk u ftoh kurrë.

Betejë pas beteje
U skuq kjo pushkë me gjak
U skuq dhe kjo shqiponjë
Skalitur në kondak.

Luftoi gjyshi yt
Me këtë pushkë në dorë
Në Plavë e Boletin,
Luftoi dhe në Vlorë.

Jehoi kjo pushkë
Në çdo luftë për liri
Jehoi në Çiçavicë
Jehoi në Dragobi.

Shkoj gjyshi yt,
Por,pushka e tij mbet
Mbeti bashkë me te
Dhe ky amanet.

“Luftë gjerë në vdekje,
Për liri të vatanit!
Pushka e lirisë,
Kurrë në dorë dushmanit!”

Luftëra të reja erdhën.
Me bajlozë të rinj.
Pushka në dorë time
Jehoi përseri.

Qëlloi kjo pushkë
Në luftë për liri,
Mbi nazistë e çetnikë
Mbi korbat e zinj.

Ishin po këta korba
Veç kishin veshje tjetër,
Kishin kryqa të thyer,
Kishin edhe mjekërr.

Në luftë me çetnikët,
Me hordhitë gjermane,
U bë pushka e dymbëdhjetës,
Pushkë partizane.

E shqipes dykrenore,
Të gdhendur në kondak,
I shtoi këtë yll
Komisari lab.

Kjo pushkë me flamur
U la sërish në gjak,
Në betejë pas beteje
Në Kosovë e Sangjak.

Toka në gjak u la
Por,s´erdhi liria.
Se rrugën asaj
Ia preu tradhtia.

Ne prisnim liri
Prisnim pranverë.
Robëri pllakosi
Natë dhe skëterrë.

Dhe që të vinte liria
Të vinte pranvera,
Duhej ruajtur pushka
Për luftëra të tjera.

Duhet të jehojë ajo
Në luftë për liri,
Tyta dhe flamuri
T´i skuqen përseri.

Se mund të përmbyset dheu,
Mund të shterrojë dhe deti,
Por,jo kurrë për jetë
Të harrohet amaneti.

“Luftë gjerë në vdekje
për liri të vatanit!
Pushka e lirisë.
Kurrë në dorë dushmanit!”

U ruajt ky amanet
Nga brezi në brez,
U ruajt dhe kjo pushkë
Dhe lufta flakë u ndez.

Këtë pushkë lirie
Që breza përcolli,
Amanet o bir,
Koha ty ta solli.

Tani ti u rrite
Dhe u bëre burrë,
Rroke,pra,këtë pushkë
Dhe mos e lësho kurrë!”

Dhe kur t´i vijë dita
Luftës për liri,
Ajo në dorën tënde
Të jehojë përseri.!

Shqiponjën me yll
Të gdhendur në kondak.
Po ta lypë nevoja
Skuqe me gjak!

Luftë gjerë në vdekje,
Për liri të vatanit!
Pushka e lirisë,
Kurrë në dorë dushmanit!”

Unë pushkën e mora,
E shtrëngova në gji,
M´u duk se përqafova
Gjithë të parët e mi.

M´u duk sikur dorën
Ia shtrëngova gjyshit trim,
Se iu betova komisarit
Dhe mësuesit tim.

E putha me mallë
Shqiponjën në kondak,
Dhe thirra me zë të lartë:
-”I gjallë,nuk e jap!”

XVI

Shumë vjet kanë kaluar,
Nga ai dimër i vështirë,
Por,në këtë tokë
Sérdhi ditë e mirë.

Nuk pat dot kjo tokë
Dritë as pranverë,
Veç dimër e acar,
Natë dhe skëterrë.

Nën këmbë të huaj
Toka jonë rënkon,
Rënkon dhe babai
Që në gji të saj pushon.

Se toka mund ta tretë
Trupin e tij.
Por s´mund të ia shuaj kurrë
Ëndrrën për liri.

E në zemrën time
Jeton përherë ai,
Jeton dhe çdo ditë rritet
Amaneti i tij.

“Luftë gjerë në vdekje,
Për liri të´vatanit
Pushka e lirisë
Kurrë në dorë dushmanit!”

Se në trupin tim
Rrjedh gjaku i të parëve,
Rrjedh i kuq e i pastër
Dhe gjaku i komisarëve.

Pushka e lirisë
Me flamur në kondak,
Rrin,si dikur.
Fshehur mbi dollap.

Por tani në dollap,
Pranë të shenjtit maliher,
Rrinë dhe libra të kuqe
Të shokut Enver.

E unë për çdo ditë
Shikoj mbi dollap,
Dhe them i vendosur:
-”I gjallë,nuk e jap!”.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen