“Tërmeti” në Gjakovë !!!

Analiza & Komente | Rrezore | 03.03.14 | 20:55

Shkruan: Agim Muhaxheri

Hedhja e gazit lotsjellës në shkollën e mesme të mjekësisë, brenda në klasë, ngriti në këmbë Gjakovën. Këtë akt e bëri nxënësi krye në vete, apo ishte i nxitur nga të tjerët ? Shkollat tona janë shndërruar në arena të dhunës. Cila është etiologjia dhe fenomenologjia e kësaj shëmtie ? Politikanët merren me vetën, luksin e tyre, palla nuk u ha se ç’po ngjet në shkolla. E ngrisin zërin post festum, reagojnë sa për të reaguar ! Palla nuk u ha as mësimdhënësve. Edukatorë, njihni nxënësit tuaj !

Nxënësi i shkollës së mesme të mjekësisë në Gjakovë dridh qytetin, merr guximin, hedh gazin lotsjellës brenda në klasë. Njëri përfundon në spital, të tjerëve u jepet ndihma e parë mjekesore. Ndërkaq, hedhësi i gazit përfundon brenda grilave. Ky është epilogu i ngjarjes së të hënës, 3 marsit, kësaj drame në disa akte.
Ajo çfarë ndodhi në Gjakovë është tmerr, trishtim, diçka e paparë jo vetëm në këtë qytet, por edhe në mjediset e tjera të Kosovës.
Akti ngërthen në vete jo vetëm sherrin banal, por edhe sjelljen abnormale të atij që e bëri. Hedhësi i gazit, që ka problem me nerva, nuk e do as shkollën, as nxënësit, as vetën. Nuk është i vetëdijshëm për pasojat që ka shkaktuar. Pavarësisht nga emocionet, nuk bën që ai apriori të linçohet. Psikologët e të tjerët, të merren me të seriozisht, ta kthejnë në binarët e jetës.
Drama në këtë shkollë, është pasojë e një sërë faktorëve, frustrimeve, streseve e traumave, e një gjendje të vështirë ekonomike, që ka kapluar Kosovën. Cila është etilogjia dhe fenomenologjia e kësaj shëmtie ? Ka faj shteti, segmentet e shtetit ? Apo faji është aty “ndërmjet” shtetit ?

Mbeti enigma. E bëri këtë akt nxënësi krye në vete ? Ishte i nxitur nga ndokush ? Nëse është i nxitur, kush është ai që e nxiti dhe pse e nxiti ? Mbase ky akt, nuk do mend, i ka shokuar edhe prindërit e tij dhe, me siguri, e ndjejnë vetën keq.
Politikanët merren me veten, luksin e tyre, palla nuk u ha se ç’po ngjet në shkolla. E ngrisin zërin post festum, reagojnë sa për të reaguar.
Faji i tërthortë bie edhe mbi mësimdhënësit, edukatorët.
Edukatorë, njihni nxënësit tuaj !
Presidenti amerikan John F. Kennedy nuk e ka thënë më kot:”Një fëmijë i arsimuar dhe i edukuar keq, është një fëmijë i humbur”.
Nëse nxënësi e bëri me paramendim, i nxitur nga të tjerët, atëherë kjo s’është punë për mashallah, është një ogur i keq, hije e keqe për shtetin tonë. Dhashtë Zoti që veprimi i nxënësit të jetë thjeshtë një aventurë e tij, pa ndonjë prapavijë.
Të rinjtë bien pre, infektohen nga filmat, imitojnë “heronjtë” e tyre. Infektohen drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga ekranet televizive duke shikuar tymin e mjegullën në Ukrainë, më heret edhe para Rektoratit të Universitetit të Prishtiëns. Dhe marrin guximin që edhe vet të luajnë rolin, ta demonstrojnë dhunën, t’i hyjnë kësaj aventure të rrezikshme.
Para dy dekadash kam shkruar lajmin për një të ri prishtinas. Ai kishte kryer aktin e vjedhjes, i cytur nga motivet humanitare. I riu sheh “live” një koncert maratonik në televizion, koncertin humanitar për ndihmë të varfërve. Frymëzohet nga ky koncert dhe ndërmerr aventurën e rrezikshme për jetë. Kërcen si kaskader prej kulmit në kulm, hyn në shtëpinë e mallrave “Gërmia”. Këtu merr stoli të arit dhe gjera të tjera, por kapet në flagrancë. Atëbotë heteusve u ka thënë:”Kam vjedhur me qëllim që t’u ndihmojë të varfërve”. Kishte ai shpirt filantropi, ap ?

Shkollat tona janë shndërruar në arena të dhunës. Vriten nxënësit brenda në shkollë e në oborrin e shkollës. I shuhet jeta nxënësit nga motivi i gjakmarrjes, por edhe nga motive të tjera, motivet banale. Megjithkëtë, ata që duhet të kujdesen për shkollën sikur janë në gjumë, nuk e shohin as paisjen e gazit lotsjellës.
Fenomeni i dhunës në shkollat tona është bërë brum, statistikë, i specialistëve të ndryshëm, i atyre që merren me etiologjinë dhe fenomenologjinë e krimit, kriminologëve, i studiusëve të shpirtit, psikologëve, i doktorëve të nervave, neuropsikiatërve, i atyre që merren me dukuritë në shoqëri, sociologëve… Ajo që ndodhi në Gjakovë, nuk është krim i zakonshëm, është i pazakonshëm. Nuk kam lexuar e as dëgjuar që nxënësi të hedh gazin lotsjelëls në klasë !
Shqiptarët e Kosovës janë ngopur me helme. Para 23 vjetësh i “ushqeu” Serbia armike, i helmoi nxënësit me helmin sarin të diktatorit irakian Saddam Husseinit. Shqiptarët gëlltitën gazin lotsjellës edhe pas luftës. Fqinjin tonë me të cilin bëhet marrëveshje në Bruksel, e imiton Maqedonia. Ajo pos gazit lotsjellës, hedhë helm, i helmoi shqiptarët, nxënësit dhe mësimdhënësit në Gostivar. Madje, për ironi, i denoncon viktimat për krim, “paraqitje të rrejshme”. Sipas tyre këta paskan aktruar !!! Kështu thoshte edhe Serbia kur i helmoi nxënësit shqiptarë në Kosovë para 23 vjetësh.
Assesi, në asnjë mënyrë s’bën të mbyllen sytë e veshet, të lejohet stihia në shkolla. Në tempujt e dijës nuk kanë vend huliganët, keqbërësit. Ndaj huliganëve s’duhet të ketë pardon, ngase, ndryshe, përballemi me pasojat. Parandalimi është terapia më e mirë në shmangien e së keqës./Indeksonline/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen