Rrjepësit e një shteti këmbëçalë

OP-ED | admin | 07.06.12 | 09:18

Robelli

Vargu i skandaleve të Qeverisë së Hashim Thaçit duhet t’u shërbejë qytetarëve të Kosovës si mësim për të gjetur alternativa të tjera politike në zgjedhjet e ardhshme. Me këtë strukturë pushtetmbajtëse, e cila qëllim të vetëm ka sundimin dhe plaçkitjen dhe jo zhvillimin, Kosova po rrëshqet drejt dështimit. Është në dorën e qytetarëve të evitojnë dështimin final

 

Vetëm shikoni, të nderuara lexuese, të nderuar lexues, skandalet e fundit në dhe rreth shtetit të Kosovës dhe do të shihni se Republika jonë nuk ka asnjë perspektivë me këtë bandë sunduese: 

– Në “stanicën e milicisë” në Pejë vidhen 25.3 kilogramë ari. Ministri i Brendshëm, i cili qëmoti pret fiqirin diku përtej realitetit të Kosovës, vazhdon të pozojë dhe të dërdëllisë deklarata kot për veriun. Në çdo vend gjysmëserioz do të shtrohej për debat edhe çështja e përgjegjësisë së ministrit pas kaq shumë skandalesh. Mes tjerash, ditëve të fundit mediet njoftuan se janë duke u zhvilluar hetime edhe kundër zyrtarëve të afërt me ministrin, të cilët dyshohet se kanë “nënshkruar vendime për lirim dhe dhënie të nënshtetësisë në kohën kur nuk kanë qenë fare në Kosovë”.

– Ministri i Drejtësisë (sic!) ndërhyn dhe – me gjasë – ia mundëson një vizitë duarnxirit Astrit Haraqija në Burgun e Dubravës, ku ai takohet me Ilir Tolajn, të dyshuar për keqpërdorime të mëdha. Supozohet (nga ana e prokurorisë së EULEX-it) se këta dy – Tolaj dhe Haraqija – kanë koordinuar deklaratat para se të nisë procesi gjyqësor kundër Tolajt. (Sa i përket Haraqisë duhet kujtuar, përveç fëlliqësive të tjera të tij, se është dënuar me pesë muaj burg nga Tribunali i Hagës për ushtrim presioni ndaj një dëshmitari në rastin e Ramush Haradinajt. Pra, fjala është për një abuzues notorik të drejtësisë. Mos të harrojmë: ky është kuadër(!) i “epokës së Ibrahim Rugovës” dhe sot kanakar i Hashim Thaçit, tok me prostitutën politike Ukë Rugova). Kurrë mos prisni që ministri i Drejtësisë do të ofrojë dorëheqje. Kurrë mos prisni që Hashim Thaçi, kryeministri me vota të vjedhura, kërkon prej tij, pra prej ministrit të Drejtësisë, të largohet nga posti. Kurrë mos prisni që misioni për përralla, i quajtur EULEX, do të kërkojë ndonjë konsekuencë nga ky skandal. Për EULEX-in prioritet mbetet “stabiliteti politik”. Se çfarë ndodh nën sipërfaqe, kush vjedh e kush plaçkit, është e parëndësishme për zyrtarët evropianë, për të cilët Kosova është një parajsë, ku orari i punës fillon të hënën pasdite dhe mbaron të enjten pasdite, kur grigja zyrtarësh nisen për të kaluar fundjavën e gjatë në Selanik, Dubrovnik, Beograd, Budapest etj. Natyrisht pjesën më të madhe të kohës së lirë kjo bandë zyrtarësh e kalon duke u dëfryer me shaka për fiset shqiptare të paafta për të ndërtuar shtet. Para një shekulli kjo arrogancë kishte zemëruar aq shumë gazetarin gjerman Egon Erwin Kisch, saqë në ditarin e tij, gjatë një udhëtimi në Mal të Zi, kishte shkruar: “Ballkani shikohet me përbuzje prej një Ballkani edhe më të tmerrshëm, i cili quhet Evropë”. Nga ballkoni i Evropës në Prishtinë këtë popull e shikojnë me përbuzje statistë cinikë si gjenerali francez i veshur me rroba civile, Xavier Bout de Marnhac, dhe diplomati holandez Pieter Feith, i cili gjatë mandatit të tij u interesua vetëm nëse po piqet rrushi në Rahovec dhe nëse xhelat në Kosovë bëjnë ve.

– Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Astrit Haraqisë për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ai vazhdon të mbajë pozitën e zëvendësministrit të Financave (sic!) – dhe Hashim Thaçi nuk e largon atë nga kabineti, përkundrazi: mesazhi i Thaçit është ky: shteti jam unë, shteti është peng imi, “nuk më ha palla për asgjë”, as për ligj, as për etikë e moral pushteti. Kur pushteti krijon një mendim të tillë për shtetin, atëherë jo vetëm demokracia është në rrezik. Në fakt kështu rrezikohet vetë ideja e shtetit. Qëllimi i ushtrimit të pushtetit është ndërtimi i shtëpisë prej 800 metrash katrorë, si rasti i Hashim Thaçit. Ose blerja e shtëpive për 200 mijë ose 300 mije euro në katundin ndërkombëtar (“amerikan”) afër Prishtinës, siç veprojnë anëtarët e sofrës (kabinetit) të Thaçit. Të bësh zëvendësministër të Financave Astrit Haraqinë është e ngjashme sikur kur e thërret një piroman të fikë zjarrin në shtëpi.

– Skandali i radhës: arrestohet Nazmi Mustafi, prokurori që drejtonte task-forcën për antikorrupsion – nën dyshimin se edhe vetë është i korruptuar! Redaktorët dhe korrespondentët perëndimorë që merren me Ballkanin shqyhen së qeshuri dhe, disa, tërbohen nga zemërimi: edhe një shembull nga shteti i dështuar i Kosovës. Ata disa janë gazetarë që më shumë se 20 vjet u angazhuan për pavarësimin e Kosovës. E tash kokulur detyrohen të shohin se si banditë dhe plaçkitës me pushtet politik e degradojnë një ide aq fisnike: idenë e çlirimit të Kosovës nga dhuna e Beogradit.

– Shikojeni krejt zhurmën rreth privatizimit të hotelit “Grand”: askush, ama bash askush aty nuk i ka duart e pastra. Një privatizim jotransparent rrjedhimisht rezulton me skandale të panumërta. Aty ku i fut duart Salep Sulltani (alias Behgjet Pacolli – ai që “gazetarët” sahanlëpirës i çon në deti!), detyrimisht dhe tradicionalisht i vjen era duhmë, firma inekzistente, para të pista, keqpërdorime, rrena, shpifje, udhëtime nëpër xhungël. Çfarë na mbetet kujtim nga ky privatizim, që tani nuk është më privatizim, sepse u anulua? Na mbetet kujtim fasada e re pornografike, vezulluese, e cila për metër katror nuk kushton më shumë se 200 euro – në krahasim me fasadën origjinale të “Grandit”. Disa gjëra, o idiotë të panumërt, nuk prishen, pa marrë parasysh kur janë ndërtuar – në socializëm, në fashizëm apo në feudalizëm! Këtë nuk e ka bërë asnjë diktator duarpërgjakur si Enver Hoxha, i cili e trashëgoi Tiranën me arkitekturë kryesisht fashiste-italiane.

– Për pak harruam: ku mbetën 50 kilogramë drogë të vjedhura (apo të përvetësuara nga nëntoka) në Stacionin e policisë në Prishtinë? 

– Shikojeni aferën “Medicus”: Kosova ngjitet në titujt e medieve botërore për transplantim ilegal të organeve, arrestohen të dyshuar në Izrael, zhvillohen hetime në Turqi, në Zvicër… Përmenden ish-këshilltarë të Hashim Thaçit të kyçur në këtë biznes të përgjakshëm.

– Përballë të gjitha skandaleve pushteti feston, sepse, ja, na erdhi një premtim relativisht i kotë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. Nuk ka asnjë gjasë që vizat të hiqen në periudhën afatmesme derisa nëpër dhoma dëshmish të policisë vidhet ari e drogë dhe derisa ata që duhet të garantojnë sundimin e ligjit bëhen shkelës të tij.

– Oportunistët, kalemxhinjtë dhe sidomos sherbetbartësit e Hashim Thaçit tash do të thonë se gazetarët po shohin vetëm zi! Po, sepse të zezës kurrë nuk duhet t’i thuhet e bardhë, ngase, në fund, çmimi që paguajmë si shoqëri është shumë i shtrenjtë. Dhe këtë çmim po e paguajmë prej vitesh. Shoqëria e Kosovës nuk duhet të vazhdojë të jetojë me dhe mes rrenave. Nuk duhet të jetojë, në fund të fundit, as me frikë.

 

– Ekziston vetëm një rrugë që Kosova të shpëtojë: në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pa marrë parasysh kur mbahen ato, qytetarët duhet ta kenë të qartë se vendi nuk ecën përpara me këtë bandë sundimtarësh, por vetëm me një alternativë të re politike. Ajo alternativë nuk po duket ende, por nuk është e pamundshme të ndërtohet, nëse ekziston vullneti i mirë, nëse qëllimet janë fisnike, nëse synimi për një Kosovë evropianoperëndimore është i sinqertë.

 

robelli@bluewin.ch 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen