Debati mbi fenë

OP-ED | Zef Prenka | 14.10.12 | 07:24

Debati për fenë në Kosovë është i mbytur nga keqkuptimet, keqinterpretimet, diskursi ekstremist dhe mungesa e referencave më elementare kulturore dhe juridike.

Ne cilindo debat për fenë në Kosovë, sidomos debatet aktuale me nofka anonime në portale shqiptare ku gjuha e urrejtjes është shumë më e shpeshtë se argumentet racionale, ka shumë akuza, sharje, shpifje, kërcënime, anatema dhe mallkime të shpeshta që të dy taborët debatues i përsërisin. Duhet thënë ca gjëra krejtësisht qartë dhe pa mëdyshje:

1. Kosova është shtet sekular. Feja nuk i takon domenit të shtetit, por domenit individual dhe personal. Shteti është neutral ndaj fesë, pavarësisht nga proporcioni i njërës apo tjetrës fe (apo pafesë) në popullatën e përgjithshme. Feja është kategori kushtetuese në aspektin e jo-diskriminimit, sikurse edhe raca, ngjyra, gjinia, gjuha, mendimi politik, prejardhja kombëtare a shoqërore, gjendja ekonomike apo pronësore, orientimi seksual, apo aftësia e kufizuar (neni 24 i Kushtetutës). Po të paraqiten edhe 99.99% të popullatës si të një feje apo tjetre, Kushtetuta e Republikës së Kosovës mbetet e njëjtë – juridikisht neutrale ndaj feve. Për më shumë mu “pluralizmi” është vlerë kushtetuese (neni 7 i Dispozitave Themelore të Kushtetutës)

2. Edhepse shteti i Kosovës është laik, feja natyrisht ka rol të rëndësishëm në shoqëri. Festat fetare nderohen nga lidershipi politik ndërsa shteti e ka edhe obligim t’i mbrojë monumentet fetare (neni 39 dhe neni 58 i Kushtetutës). Edhepse ligjërisht është neutral ndaj fesë, shteti megjithatë duhet të ketë interaksion me fetë, sepse kjo pjesë e identitetit personal për shumë shtetas është i rëndësishëm. Mendimi im personal është se shteti do të duhet të ketë edhe Ministri të Feve, që të kanalizon komunikimin dhe interaksionin me komunitetet fetare nëpërmjet një pikë fokale institucionale përkrahëse për komunitetet fetare. Një ministri e tillë do të kujdesej që të mbrohet jo vetëm laiciteti i shtetit, por të mbrohen edhe fetë e ushtruara në Kosovë nga ndikimet ekstremiste të importuara nga jashtë. Shteti, në disa raste kur objektet fetare janë të rëndësishme për trashëgiminë e përbashkët kulturore, mund edhe të financojë restaurimin e objekteve fetare por edhe projekteve të dialogut ndër-fetar.

3. Feja asnjëherë dhe kurrë nuk mund të jetë bazë për çfarëdo interpretimi ligjor apo diskriminimi. Për shembull, pavarësisht se çka shkruan Kurani apo Bibla, e drejta e vendimit personal për çështje të reprodukimit (lexo: aborti) i takon femrës sipas Kushtetutës (neni 26). Shembull tjetër duhet të jetë orientimi seksual – pavarësisht prej (ose posaçërisht për shkak të qëndrimeve fetare të shumicës), Kosova duke pasur integrimet euro-atlantike si synim kushtetues (lexo Preambulën e Kushtetutës), do të duhej t’i implementonte standardet europiane (Acqui dhe Konventat kryesore), ku pakicat seksuale LGBT janë kategori e plotë ligjore. Edhepse Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për këtë çështje, shumë ekspertë thonë se Neni 37 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës madje lejon edhe martesën në mes pjesëtarëve të gjinisë së njëjtë.

4. Duke i ditur dispozitat kryesore kushtetuese, është e tepërt nga cilido komunitet fetar të ankohen në diskriminim (ndonjëri do të mund të shtonte – në mënyrë vetë-viktimizuese). Kjo vlen për Kishën Ortodokse, por edhe për Bashkësinë Islame. Raporti i State Departmentit, që konsiderohet si bazament kredibil i monitoringut botëror për liritë fetare thotë se në Kosovë “nuk ka abuzime të lirive fetare” dhe se “qeveria në përgjithësi i respekton të drejtat fetare”. Ka të tillë që insistojnë se ndalesa e shamive në shkolla fillore dhe të mesme përbën “diskriminim”. Kjo është absurde. Pas një ankese konkrete nga një nxënëse për ndalesën e shamisë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka deklaruar se “faktet e rastit nuk e përkrahin akuzën për thyerje të drejtave kushtetuese”. Për më shumë Gjykata referohet drejtpërdrejt vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut që lejojnë restrikcionet në veshje fetare “në mënyrë që të pajtohen interesat e grupeve të ndryshme dhe të sigurohen që besimet e të gjithëve të respektohen”. Edhe Parlamenti i Kosovës ka vendosur për këtë çështje, duke hedhur në votë dhe duke refuzuar me shumicë stabile amendamentet që lejojnë veshje fetare në shkolla fillore (mosha 6 deri 15) dhe mesme (mosha 15 – 18). Rendi demokratik dhe ligjor ka thënë të veten, këto janë rregullat e kësaj shoqërie që duhet respektuar. Partitë mund të luftojnë për një rend të tjetër, por e vetmja mënyrë e ndryshimit të Kushtetutës është me 2/3 e votave në Kuvend.

5. Poashtu, ata që kundërshtojnë lidhjet e Kosovës me Turqinë por edhe me shtetet e Gjirit, si dhe vizitat e KM Thaçit, duke pretenduar në “okupimin pesë-shekullor mysliman”, përqafojnë teza ekstreme dhe të papranueshme. Kosova nuk ka qenë e “okupuar” 500 vjet dhe Turqia e sotshme nuk është Turqia e Sulejmanit të seriave televizive. Turqia e sotme është mike e jashtëzakonshme e popullit të Kosovës, përkrahëse fundamentalisht e rëndësishme e proceseve politike, diplomatike dhe ekonomike. Nga Turqia mund të mësojmë edhe se si shteti, edhepse sekular, ka menaxhuar dhe rezistuar ekstremizimin e diskursit fetar. Shqiptarët që kanë dhënë me dhjetëra vezirë, që kanë qenë pjesë esenciale e Perandorisë Osmane dhe ushtrisë së kësaj perandorie, shqiptarët që kanë dhënë pashallarë e mbretër prej Egjiptit e deri në Liban, nuk kanë se pse të ju vjen turp për kontributin që kanë dhënë në këtë Perandori. Si është e mundur se ne sot e kësaj dite nuk kemi një monografi për mijëra shqiptarë e kosovarë që kanë jetuar, punuar në Stamboll me shekuj të tërë? Turqia është partner strategjik i Kosovës dhe turqit përkundër episodeve historike të dhembjes emocionale (e fundit ka qenë dëbimi i shqiptarëve në vitet e 1950’ta) sot kanë marrëdhënie vëllazërore me Turqinë. Është poashtu interes nacional i Kosovës të mban lidhjet e forta me shtetet e Gjirit Persik.

6. Shqiptarët dhe Kosova janë edhe djep i krishterimit. Shën Konstantini mu në këto troje ka lindur, për ta legalizuar krishterimin para rrumbullak 1700 viteve në Perandorinë Romake. Shën Pali në misionin e tretë pas vdekjes së Krishtit këndej e ka përhapur fenë. Kisha është pjesë esenciale e luftës sonë për vendin tonë në këtë botë, edhepse shpesh feja ka shkaktuar ndasi midis neve. Katër papa ishin me prejardhje shqiptare. Kjo pasuri dhe trashëgimi është komponentë e asaj se kush jemi ne dhe çka është Kosova. Prej Shtjefën Gjeqovit e deri tek Nëna Terezë, identiteti jonë dhe lufta për pavarësi inkorporon fenë katolike.

7. Kisha Ortodokse Serbe ka vend të pamohueshëm në Kosovë. Po – kisha shpeshherë ka qenë në anën e gabueshme të historisë dhe ka përkrahur dikaktorin Milosevic kur nuk është dashur. Po – diskursi i Artemijes dhe ca të tjerëve ka qenë fashist dhe i papranueshëm. Megjithatë, KOS ka vendin e mbrojtur kushtetues dhe kishat serbe në Kosovë (dhe ato janë serbe, pavarësisht nocioneve romantike që mund të jenë të vërteta se para qindra vitesh janë ndërtuar në themele të kishave katolike) tashmë ka objekte që njihen zyrtarisht nga UNESCO si Vende Të mbrojtura të Trashëgimisë Botërore. Është bumerang politik dhe idiotësi të shlyhet dhe të injorohet kjo pasuri. Ne duhet ta përqafim KOS-in sepse edhe ajo është, deshën apo s’deshën radikalët e të dy anëve, pjesë e kësaj toke dhe këtij populli në Kosovë.

8. Asnjëherë nuk duhet harruar se në Kosovë ka pasur edhe hebrenj. Kur kanë ikur nga inkuizicioni mesjetar në Spanjë, hebrenjtë hasidikë janë bartur në Ballkan dhe ka pasur komunitetet aktive. Në Prishtinë e Prizren ka pasur hebrenj dhe shqiptarët nuk e njohin anti-semitzmin. Shumë familje kosovare janë të njohur si “të drejtë” sepse kanë shpëtuar hebrenjtë nga Holokausti (edhe një digresion, koncepti i Holokaustit është ekskluzivisht i rezervuar për tragjedinë e hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk guxojmë ta përdorim këtë shprehje për eksperiencën tonë të gati-shfarosjes nën Serbinë sepse asnjë gjenocid në modernitet nuk mund të krahasohet me Holokaustin). Izraeli ka shpëtuar familje të shumta më 1999 dhe hebrenjtë amerikanë janë ndër miqtë më të mëdhenj të Kosovës, duke filluar nga Tom Lantosi i ndjerë e deri te Sekretarja Albright. Kosova duhet ta rigjejë dhe ta çmon trashëgiminë hebreje.

9. Kosova përpara mund të shkon vetëm nëse është krenare për diversitetin e vet, për rendet Sufi e Bektashinjtë që kanë sjellë Islamin për herë të parë para 6 e 7 shekujve, për rrolin e Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Kosova duhet t’i përqafojë dhe të ketë konfidencë e jo komplekse vetëviktimizuese se ne jemi bijtë dhe bijat e këtij nënqielli që ka shumë ngjyra, shumë komponentë, shumë margaritarë. Ata që insistojnë në një interpretim (që gjithmonë është produkt i njeriut natyrisht), në një fe, apo e kundërta – që insistojnë se feja, qoftë myslimane apo krishtere, nuk kanë vend këtu – janë armiq të së ardhmes europiane të Kosovës. Vetëm me mendje dhe zemër të hapur do të arrijmë të krijojmë vendin tonë në konceptin europian. Vetëm me mendje të hapur dhe shoqëri krejtësisht të hapur do të arrijmë synimet tona shumë-shekullore.

Zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës. Kolumnet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin. Për më shumë, përcilleni në Twitter me nofkën @Petrit

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen