Profesori im, Shaban Demiraj

Histori & Fakte, Rrezore | Rrezore | 10.09.14 | 23:24

Nga Skifter Këlliçi

Në të vërtetë titulli i këtij shkrimi duhej të ishte “Profesori ynë…” sepse, siç ndodh edhe me mësues e profesorë të tillë si ai, Shaban Demiraj ishte profesor i qindra e qindra nxënësve dhe studentëve, që nga Shkolla Pedagogjike në Tiranë, Instituti Pedagogjik 4-vjeçar dhe pastaj në Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës.
Por unë po e quaj thjesht profesori im, sepse do të rendis në këtë shkrim disa kujtime nga jeta ime si student i tij dhe pastaj si gazetar dhe shkrimtar, kur kam pasur rast të takohem dhe të bisedoj me të.
Për herë të fundit profesor Shabanin e takova një ditë fundjanari të vitit 1999. Madje më thirri dhe ndali ai vetë. ”Pashë në TV emisionin kushtuar 60-vjetorit të lindjes tënde,-më tha,- dhe menjëherë të mora në telefon …Por qe e pamundur të lidhesha me ty, sepse telefoni dilte vazhdimisht i zënë. Dhe ja, po të uroj sot. Të faleminderit që gjatë emisionit ndërmjet profesorëve të tjerë, më përmende edhe mua”. Bëmë së bashku një copë rrugë që të shpinte në ngrehinën e Fakultetit Histori-Filologji, ku ai prej vitesh kishte dhënë lëndën e morfologjisë së gjuhës shqipe. I shpjegova se i detyrohesha shumë atij dhe profesorëve të tjerë, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Stefan Prifti, të cilët pasionin, dashurinë dhe këmbënguljen për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe, na e ngulitën edhe neve në shpirt dhe zemër. Ndaj, duke përmendur gjatë atij emisioni televiziv emrat tyre, nuk kisha shprehur veçse mirënjohjen dhe respektin për ta.
Ky ishte dhe takimi i fundit me profesor Demirajn, sepse në ditët e para të marsit të vitit 1999 së bashku me familjen u largova nga atdheu, për t’u vendosur në Boston (SHBA), ku vazhdoj të jetoj edhe sot. Por, pa harruar miqtë, pa harruar profesorët e mi, pa harruar edhe Shaban Demirajn, pa harruar gjuhën shqipe. Është kjo arsyeja që edhe ditët e fundit në faqet e shtypit tonë të përditshëm dhe elektronik është botuar dhe ribotuar artikulli im shkencor “Ne emër të gjuhës shqipe”, për fat të keq rreth gabimeve që vihen re në shtyp dhe shtëpi botuese.
Mund të thotë ndokush: Po përse ky shkrimtar, publicist dhe komentator sportiv, që deri në qershor të këtij viti botoi plot 20 artikuj kushtuar historisë së botërorëve të futbollit, i fundmi i të cilëve u zhvillua para dy muajsh në Brazil, na boton, sipas rasteve, shkrime edhe për probleme gjuhësore, madje dy herë me ripunime edhe dossierin “Si u bë toskërishtja gjuhë standarde?” Dhe në një farë mase kanë të drejtë.Por duhet të dinë, se para se të jem shkrimtar, komentator ose gazetar sportive, unë jam diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe. Dhe, në qoftë se edhe sot, pas më shumë se gjysmë shekulli, jam në gjendje të shkruaj, besoj me profesionalizëm, edhe për probleme gjuhësore, kjo vjen sepse këto njohuri që nuk do t’i harroj kurrë derisa të vdes, sepse më janë rrënjosur në mendje nga mësimet e profesorëve të mësipërm, pra edhe të profesor Demirajt. Dhe, për ironi të fatit, duhet të them se gjatë viteve shkollore në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Tiranë, e kisha zët gramatikën dhe sintaksën e gjuhës shqipe, adhuroja letërsinë, madje ëndërroja të bëhesha shkrimtar!…
Por, kur që në ditët e para të vitit akademik 1955-56 takova më studentë që njiheshin për krijime serioze letrare në prozë e poezi, të tillë si Ismail Kadarea, Agim Shehu, Dhori Qiriazi dhe në kurse më të larta Mehmet Myftiu, Bekim Gace, që shpejt u bënë shkrimtarë të njohur, kur edhe në kursin tonë zunë të shquheshin edhe Dhimitër Xhuvani e Jorgo Bllaci, unë, që isha shquar vetëm për hartime të bukura në gjimnaz, vendosa t’i futesha studimit të lëndëve gjuhësore, që të bëhesha studiues, madje edhe bashkëpunëtor shkencor, ashtu siç u bënë edhe Bahri Beci, Minella Totoni, Jani Thomai…që mbaruan studimet e larta para meje dhe siç do të bëhej edhe Emil Lafe, që ndiqte studimet në një kurs me mua.
Por ai që më nxiti të t’i futesha me ngulm studimeve gjuhësore, ishte pikërisht profesor Shaban Demiraj. I kujtoj edhe sot mirë leksionet e tij për fonetikën e gjuhës shqipe, të cilat në mungesë të një teksti të shtypur,i mbanim në fletore, kujtoj zërin e tij të butë, sikur shurusiste dhe pastaj provimin e kësaj lënde, atë mbrëmje të ftohtë janari,kur nga dritaret dëgjohej shurukama e një ere që bredhiste deri dhe rrugicave që rrethonin ngrehinën e Institutit.
Kur unë po bëhesha gati të futesha në sallën e provimit një shok, që ishte rrëzuar në këtë lëndë, më tha: “Paç fat që profesori të jetë i lodhur dhe të të mos dëgjojë me vëmendje…”. Deri atëherë asnjeri nuk kishte marrë notën 5 që ishte “shkëlqyeshëm”. Kurse të tjerë mërmëritnin: ”I tmerrshëm ky profesor Shabani.-Nuk lëshon pe…
Por unë doja pa tjetër të dilja shkëlqyeshëm. Mirëpo kur fillova të përgjigjesha, doli që profesor Shabani, ndonëse kishte kaq orë që dëgjonte përgjigjet e studentëve dhe ora kishte kaluar 9 e mbrëmjes, jo vetëm që nuk ishte lodhur, a mërzitur, jo vetëm që pa mbaruar mirë pyetjen e parë, nuk më tha: ”Mirë, kalo te pyetja tjetër”, por më bëri edhe pyetje të tjera. Pastaj mori stilografin dhe, si u mendua një grimë, më tha: ”Më shumë se katër, por më pak së pesë, pra 4”. Dhe po u kujtoj lexuesve se ishte edhe mik i babait tim, i cili në vitet 1930-40-të të shekullit të kaluar, kishte qenë administrator në Komunitetin Mysliman dhe si i tillë mbulonte edhe administrimin e Medresesë. Që atëherë babai ishte njohur me Shabanin, djalosh nga Vlora, që pastaj la mënjanë mësimet fetare në Medrese, ku, sidoqoftë, fitoi kulturë të përgjithshme, dhe u rrëmbye nga pasioni për gjuhën shqipe.
Në vitin e dytë të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik, profesor Shabani më sugjeroi që për temën vjetore që përfshihej në programet studimore të Fakultetit Gjuhë-Letërsi, të hartoja një sprovë rreth veçorive të drejtshkrimit e Kristoforidhit, gegërisht dhe toskërisht, krahasuar me drejtshkrimin e sotëm. Qe temë e vështirë, sepse m’u desh të shkoja në Bibliotekën Kombëtare dhe të qëmtoja shembuj nga veprat e njërit prej baballarëve studimit të gjuhës shqipe në të dy dialektet. Pasi e mbarova së shkruari këtë sprovë, ishte profesor Shabani që vendosi që ta lexoja në një mbledhje të posaçme të studentëve dhe pedagogëve të Institutit dhe ndër të parët që më përgëzoi më pas për nivelin e saj të mirë, ishte po ai vetë. Në semestrin e parë të vitit të dytë akademik prof. Demiraj na dha leksione të morfologjisë së gjuhës shqipe, që u pasuan nga lënda e sintaksës, të përgatitura nga prof. Stefan Prifti, tjetër gjuhëtar i shquar, veç të tjerash, edhe njohës i shkëlqyer i latinishtes dhe greqishtes së vjetër.
Ngaqë në semestrin e dytë të vitit 1957 ngarkesa mësimore qe e madhe, dekanati i fakultetit tonë, duke marrë parasysh edhe kërkesën e vetë studentëve të kursit, vendosi që provimin e morfologjisë dhe sintaksës me profesorët e mësipërm, ta jepnim në fund të gushtit, para fillimit të vitit të tretë akademik, që përkonte edhe më shndërrimin e tërë instituteve në Universitetin e Tiranës, (shtator 1957). Thuajse së nuk pushova fare atë verë!..Doja të dilja sa më mirë në këto lëndë që të nderoja kështu profesorët e mi dhe veçanërisht Shaban Demirajn. Dhe kështu ndodhi. Unë dhe Emil Lafe, që më pas u bë edhe ai gjuhëtar i njohur, i dhamë shkëlqyeshëm këto lëndë. Pati nga ata që jo vetëm morën nota të vogla,por edhe u rrëzuan. Madje humbën edhe vitin. Por jo për fajin e prof. Shabanit ose të Stefanit…por për fajin e tyre. Ata ankoheshin se këta profesorë vazhdonin të ishin të pamëshirshëm edhe ndaj atyre që kishin talent në letërsi dhe nuk u duhej fare as morfologjia dhe sintaksa!
Erdhi dhe qershori i vitit 1959, provimet e shtetit, midis të cilave dhe provimi i gjuhës shqipe-fonetikë, morfologji, sintaksë, si dhe fonetikë e morfologji historike, para të tmerrshmëve Shaban Demiraj, Stefan Prifti, Eqrem Çabej dhe Mahir Domi dhe kryetarit të komisionit, Androkli Kostallari, dekan i fakultetit. U përgatita sërishmi si çdo herë tjetër. Mirëpo disa nga shokët jo vetëm që morën përsëri nota të vogla, por pati ndonjë që edhe u rrëzua. Atmosfera kështu u bë e tendosur. U futa në sallën e provimit edhe unë. Profesorët më shihnin më miradijë. Prisnin shumë nga unë. Sidomos prof. Shabani. Edhe unë doja t’i nderoja… Por, të them të drejtën m’u duk se nuk shkëlqeva në përgjigjet e pyetjeve si herë të tjera, se nuk qesh dhe aq i rrjedhshëm ndaj disa pyetjeve të vetë profesorëve…Shkurt nuk dola i qeshur nga salla. Por më pas kur u shpallën notat, shokët më thanë se isha vlerësuar më notën më të lartë, 5.
Disa ditë pas provimit u takova me prof. Demirajn. ”Me duket se nuk ju kënaqa”, – i thashë disi i zhgënjyer.
”Jo – m’u përgjigj profesori im dhe më pa me ngrohtësi. – Ti si gjithnjë tregove se ka një përgatitje të mirë katërvjeçare dhe meritove vlerësimin më të lartë, pavarësisht se qe pak i ngadalshëm dhe si i lodhur”. Në të vërtetë ashtu ishte. Madje një mjek më tha më pas se kisha kaluar në fazën e parë të një farë stërmundimi.

Prof. Shabani kishte dashur që unë të punoja si bashkëpunëtor shkencor. Ashtu edhe prof. Eqerem Çabej dhe Mahir Domi. Por kjo nuk ndodhi. Në gusht të vitit 1959, pra pas përfundimit të studimeve të larta, u emërova gazetar në Radio-Tirana. Që në janar të një viti më parë kisha nisur të bashkëpunoja me redaksinë e kulturës, si gazetar, folës, dhe, pasi kisha bashkëpunuar edhe me gazeta me shkrime sportive, madje për ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, dhe pa kaluar disa muaj u bëra edhe radiokronist dhe vite më pas më pas edhe tekekronist sportiv në RTVSH. Ndoshta u bë më mirë, se edhe shkencëtar, edhe gazetar sportiv, edhe shkrimtar…do të ishte e vështirë.
Qëlloi që “të merrja të dhe unë në provim” bash profesorët e mi!…Pra, në intervista e biseda t’i pyesja unë dhe jo ata mua për probleme gjuhësore. Së pari, me Eqrem Çabejn, Stefan Priftin, pastaj Mahir Domin…dhe së fundi edhe me Shaban Demirajn. Dhe, të them të drejtën, shihja që edhe ata dukeshin para meje si para një provimi….por prej asaj kokëze të vogël që quhet mikrofon …dhe me prof. Shabanin në TVSH, kur këto shqetësime ia krijonte edhe ai “syri si prej qiklopi “i kamerës televizive. “Tani e kuptoj se përse studentët emocionohen para provimit”,- më tha atëherë si me të qeshur ai.
Ndodhi që në qershor të vitit 1979, pra 20 vjet pas përfundimit të studimeve, ne, ish-studentët të organizonim një takim, ku midis profesorëve të tjerë, doemos që ftuam ata, “të tmerrshmit” e gjuhës, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Stefan Prifti dhe Shaban Demiraj. (Pror. Stefan Prifti mjerisht kishte ndërruar jetë para disa vitesh). Shtruam për ta një dreke dhe disa nga ne rrëfyen kujtime të tyre. Ndër ta edhe unë. Folën dhe profesorët.
“Kemi qenë të rreptë me ju”,-na tha prof. Shabani.
Edhe profesorët e tjerë tundën kokën në shenjë miratimi._
“Por nuk mund të vepronim ndryshe,-vazhdoi ai.-Përfytyroni studentë të dobët, ndaj të cilëve të kishim mbyllur një sy, të cilët pastaj t’u mësonin nxënësve gramatikën shqipe…tashmë mësues e të mos dinin të dallonin foljen nga ndajfolja…”.
Dhe atëherë solla ndërmend një ish-gazetar që pati detyra me rëndësi në RTVSH, të cilit iu desh të ndërpriste studimet, sepse mbeti në lëndën e gjuhës shqipe, që jepte pikërisht prof. Shaban Demiraj. E dha këtë lëndë shumë vjet më vonë, me korrespondencë, por, me sa dukej me ndonjë profesor që mbylli të dy sytë dhe gojën gjatë provimit. Dhe, kur qarkulloi mësues i thjeshtë në një fshat të largët, tek më takonte, më thoshte se nuk dinte të bënte analiza gramatikore dhe, për më keq, ngatërronte kohët dhe mënyrat e foljes!? Të mjerët nxënës!….
Ja përse edhe tani, ish-studentë të këtyre profesorëve i përkujtojnë ata me nderim dhe ndër ta edhe prof. Shaban Demirajn, të cilin nuk e kemi më midis nesh. Pardje mora në telefon nga Bostoni në Tiranë familjen e prof. Demirajt. Ngushëllova një nga pjesëtarët e saj. Më falënderoi thellësisht. Nuk ishte rasti të tregoja ndonjë nga këto kujtime. Po e bëj në këtë shkrim. Për familjarët dhe për lexuesit.
Në kujtim të gjuhëtarit tonë të madh. / T.O/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen