Kanuni apo shteti dhe krimi i organizuem?

Arkivi | admin | 15.12.10 | 18:43

Titulli bombastik përligjet edhe që në paragrafin e parë: “Pavarësisht kalimit të viteve dhe zhvillimit të mentalitetit shqiptar, Kanuni i Lek Dukagjinit mbetet sërish një nga rrugët e padevijueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shqiptarëve. Që prej viteve 90, pra për rreth 20 vjet, në Shqipëri numërohen rreth 5200 vrasje si pasojë e mentalitetit të vrasjeve kanunore për nderin dhe marrjen e gjakut.

Mjafton të lexosh pak ma poshtë dhe të vëresh se sa i papërgjegjëshëm asht gazetari. Ai vetë na thotë se këto vrasje kanë ardhë si rrjedhojë e “konflikteve të lindura për shkak të fenomeneve të ndryshme siç është, trafikimi i femrave, dhunimi i pronës, atakimet në jetën e përditshme”, e se “më shumë se gjysma e popullsisë në fshat, mbetet e konfliktuar deri në ekstrem për titujt e pronësisë”.

Si për ta përforcue sa ka thanë ma parë, autori vijon: “Nga arsyet kryesore që çojnë në hasmëri familjet shqiptare mund të përmendim, mos zbatimi i ligjit 7501 për tokën, çështjet e pazgjidhura të pronës, konfliktet që kanë lindur për shkak të fenomeneve të ndryshme, trafikimi i femrave, dhunimi i pronës, atakimet në jetën e përditshme”.
Për shkak të trafikimit të femrave, 4600 familje janë në konflikt të thellë.

Kurse ma tej vijon: Vrasjet dhe urrejtjet midis individëve apo grupeve brenda shoqërisë u shtuan veçanërisht në vitet 1996-1997 nga lufta e ashpër politike dhe rrëzimi i firmave piramidale. Vetëm në vitin 1997 pati 1500 të vrarë.
Po ku bahen kryesisht këto vrasje? Ja shembulli që sjell gazetari:

Në datë 27 e 29 janar ekzekutohen dy anëtarë dhe një i afërm i familjes Curri në Durrës si dhe tre vëllezër të familjes Mulliri në Devoll. Më 31 janar e 1 shkurt qëllohet për vdekje mbi pjesëtarë të familjeve Hasani në Tiranë dhe Daxha në Dibër. Në datat 3 dhe 5 shkurt ndodhën dy krime tragjike brenda familjes, një bashkëshort vret gruan dhe plagos rëndë të bijën në Librazhd, ndërsa një nënë 22 vjeçare vetëvritet bashkë me vajzën e saj 2 vjeç, duke u hedhur nga kati i tetë i një pallati në Kavajë. Më datë 6 shkurt i bëhet atentat me bombë anëtarit të Këshillit Bashkiak të Vlorës, Morand Hoxha, ndërsa në Tiranë qëllohet për vdekje me 6 plumba trajneri i atletikës, Hasan Rakipi. Më 7 shkurt qëllohet me breshëri plumbash mbi tre persona në Shijak. (Në asnjenin prej këtyne vendbanimeve nuk ka veprue kurrë Kanuni i Lekë Dukagjinit).

E di, vallë, gazetari çfarë asht Kanuni i Lekë Dukagjinit? Jam i sigurtë që absolutisht jo! E di ku zbatohej dikur (në ndonjë rast edhe tashti) ky Kanun? Jo e jo! A e di ai, para se të zbrazë atë të zakonshmen mediatike “Kanuni vret përsëri” se të pakten 95 % të vrasjeve nuk kanë asnjë lidhje me Kanunin? Po a janë pak në qofshin edhe 5 %? Jo, janë shumë. Asht tragjike që një normë dokesore juridike mesjetare të gjej zbatim edhe sot. Por edhe kjo ka shkaqet e veta e do të flasim ma poshtë.
Asht e vërtetë se gjakamarrja asht një plagë e randë, reale, që damton shëndetin tonë kombëtar. Ajo, si e tillë, asht dënue historikisht nga forcat ma përparimtare e atdhedashëse të shoqnisë. Çdo gja që mund të bahet për shërimin e kësaj plage, nga individë, shoqata apo institucione, përsëri asht pak, sakohë që ajo të mos ketë as hijen mbi trojet shqiptare.
Më duhet t’i shpjegoj shkurt zonisë se Kanuni asht konsiderue nga mendje të ndrituna shqiptare e të hueja, të djeshëm e të sotem një Monument i Kulturës Shqipatre.

Shkencëtarë të mirëfilltë të historisë juridike, shqiptarë e të huej, e jo çapaçula, e konsiderojnë Kanunin një monument i kulturës kombëtare, e, natyrisht, në stadin e sotëm të Shtetit të së drejtës, ku veprojnë Kushtetuta e ligjet tjera përkatëse për rregullimin e marëdhënjeve shoqnore e juridike, kuptohet se Kanuni ka vlera historike, por jo për t’u zbatue.
Historia e së drejtës na mëson se sistemet juridike ma të lashta, si E drejta Romake (shek. VIII p.K – VI mb. K.), apo E drejta anglo-saksone (shek. XIII) lindën në kontesktin e egzistencës së shtetit, kurse e Drejta dokesore shqiptare lindi dhe veproj në mungesë të shtetit administrativ apo edhe si kudnërvumja atij (gjatë pushtimit osman), në mënyrë që të siguronte vetëqeverisjen në bashkësi, çka i jep një vlerë edhe ma të madhe historike e kombëtare. Kanuni rregullonte marëdhanjet shoqnore, ekonomike e juridike tue përfshi fusha të tilla si marrëdhënjet familjare e martesore, marrëdhëniet e pronësisë, të trashëgimisë, të punës, të vetmbrojtjes si dhe në fushën penale e procedurale për dhanjen e drejtësisë nga pleqnia.

Por struktura ma e qenësishme e Kanunit janë vlerat e etike morale shoqnore: nderi, besa, mikëpritja, burrnia, falja, pajtimi etj. Kjo ka ba që ai të tërheqë qysh në shek. XIX e deri më sot vëmendjen e shumë studjuesëve të huej e vendas, si Johanes G. Hahn (1853), Edith Durham, M. Hazllëk, Hiacinthe Hequard, Teodor Ippen, A. Degrand, Fr. Nopça, E. Koci, Z. Valentini, E. Koliqi, Rr. Zojzi, G. Villari, J. Puarié, N. Buland
Ja si e përmbledh Prof. Ismet Elezi, autor i rreth 25 studimeve mbi Vepren e Gjeçovit, vlerën e paçmueshme të Kanunit: „Çdo herë që shkruaj, bindem gjithnjë e më shumë se sa i madh është ky thesar i kulturës sonë. E drejta zakonore shqiptare është dëshmi tjetër e gjallë, krahas gjuhës shqipe dhe gjithë kulturës materiale e shpirtërore, që vërteton autoktninë dhe individualitetin e popullit shqiptar“

At Gjeçovi, dijetar erudit në fusha të ndryshme, mund të konsiderohet një ndër arkeologët e muzeologët e parë shqiptarë, po ai mbetet në kujtesen e shqiptarëve sidomos si etnolog për mbledhjen e normave dokesore të Malësive ndër shekuj, i quejtun edhe “Kanuni i Lekë Dukagjjinit”, vepër me vlera të jashtëzakonshme studimore për vetë historinë e kombit tonë. Ai, si thotë Fishta, “Metaforikisht shenjon shtillin e ligjvet gojdhânse e të pa kodifikueme, mbas të cillave hecte dikúr hullija e jetës e e veprimit të popullit shqyptár”. Pra, e qartë: “dikur”, jo dje e aq ma pak sot.

Ai nuk mund të shërbente atëherë, jo ma sot, si Kod që do të rregullonte apo do të rregullojë marëdhanjet shoqnore e ato juridike të popullit tonë, aq ma tepër se, përsëri Fishta: “Merret vesht prej vedit, se, mbas të hîmit të Turqvet në Shqypní, «Kanuni i Lekës» ká hupë si formë kodi, e âsht perdhosë si landë drejtsije”.

Shtrimja e veprimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit ka qenë mjaft e kufizueme : … mund të thohet se ká pasë vlerë legale nder Lekë (Malsorë të Mbíshkoders) e në Dukagjin. – Dukagjini nder kohë të kalueme perfshîte Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Mirditë, Kthellë e Selitë e Zhuben (Malsín) e Lezhës. – Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kên zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija.

Tue qenë se Kanuni vepron në një shoqni pa autoritet shtetnor, kuptohet vetiu se asht pikërisht mungesa e autoritetit shtetnor i këtyne viteve ajo që i ka shty njerëzit me ba zgjidhje simbas Kanunit. Rigjallnimin e Kanunit e ka nxitë largimi i kriminelëve “në drejtim të panjohun”, jo rrallë me ndihmën e policisë, gjykimi i tyne i rremë, lirimi përkundrejt pagesës së shumave të mëdha gjyqtarëve, me fjalë të tjera, mungesa ose çalimi i ndjeshëm i autoritet shtetnor, i ligjit. Kanuni do të tërhiqet përfundimisht në muze me gjithë nderimet që meriton, jo nga sulmet të paprincipta, por kur konkurrencën në mes tij e Shtetit ligjor ta ketë fitue Shteti ligjor. Vetëgjyqësia asht tragjike jo vetëm për atë që e pëson, por edhe për atë që vepron, kështuqë, në rrethanat e veprimit të Shtetit ligjor gjithkush do të tërhiqej nga kjo mendësi e mallkueme e gjakmarrjes.

Këtu e në radhë të parë këtu, tek mbrapambetja kulturore, tek mangësia në civilizim, e imponueme nga kushtet e disfavorshme historike, tek mungesa e shtetit ligjor aktiv për t’iu kundërvue krimit, duhen kërkue shkaqjet e vrasjve ashtu edhe dukunia atavike e gjakmarrjes, jo tek ato insinuata patologjikisht denigruese të Kanunit, pa asnjë mbështetje me fakte, si i sjell vetë artikullshkuesi, pse edhe të them autori po më duket tepër. Shifra 5200 vrasje shtjellohet pa dashjen e tij se janë vepër e krimit të organizuem, atij politik sidhe e krimit për motive të tjera, e tepër rrallë prej shysës nga mendësia kanunore.

Kujt i vlejnë këto bomba tymçe”, “Kanuni vret përsëri”, “gjakmarrja” e insinuata të tjera naive, në mos dashakeqe, apo pse nuk janë në gjendje të venë gishtin në plagë, edhe pse plaga duket sheshit: mungesa e shtetit, apo edhe ma keq, vrasjet shtetnore, siç po ngjet në Kosovë, ku në dhjetë vjet ka pasë mbi 900 vrasje për motive politike?! Vallë edhe këto kanë të bajnë me mendësi kanunore?!

Media informon, ngre probleme e shqetësime, apo dizinformon e flet përçartë, si po lexojmë përditë e në shumë fusha?

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen