Deputetët, 25 mijë euro pa meritë

Analiza & Komente | admin | 06.03.13 | 15:09

Përveç pagës mujore rreth 1500 euro, benificioneve të shumta që gëzojnë deputetët e Parlamentit të Kosovës për udhëtime zyrtare, vetura, e çka jo tjetër, ata paguhen hiç më pak se 25 mijë euro brenda një viti.

Paga bazë e një deputeti të Kuvendit të Kosovës pa e llogaritur punën në komisione arrin në 1 mijë e 488 euro, ndërkohë që paga mesatare në Kosovë është 250 euro. Luksin që gëzojnë parlamentarët e Kosovës, në shtetin më të varfër në Evropë nuk e gëzojnë as kolegët e tyre nga Britania e Madhe, të cilët nuk marrin më shumë se dyfishin e pagës mesatare, por as ata nga vendet e rajonit (Maqedonia, Shqipëria), të cilët paguhen me trefishin e pagës mesatare.

Edhe pse ka shumë prej tyre të cilët nuk mbahen mend të kenë hapur gojën ndonjë herë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ata sërish paguhen tetë herë më shumë sesa paga mesatare në Kosovë. Përveç pagës bazë, punës në komisione, mbushjeve të telefonave me nga 30 euro në muaj, secili deputet merr edhe nga 5 euro tjera për çdo ditë punë, por edhe kompensohen për shpenzimet e rrugës.

Nëse një deputet udhëton 30 kilometra për të ardhur në Parlament, ai kompensohet me 10 euro, derisa ata të 60 kilometrave me nga 20 euro, kurse ata që kalojnë mbi 60 kilometra paguhen me nga 30 euro.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Kuvendit merr 2 mijë e 325 euro pagë mujore, dhe nga 500 euro kompensohet për drejtimin e seancave, plus edhe nga 5 euro tjera shtesë për çdo ditë pune, derisa nënkryetarët paguhen me nga 2 mijë euro, plus 400 të tjera shtesë. Të paktën këto të dhëna janë publikuar nga një hulumtimin që ka bërë Gazeta “Jeta në Kosovë”.

Deputetët, të vetëdijshëm për pagat marramendëse

Madje, vetë deputetët pranojnë se shumica prej tyre nuk i kanë hak pagat që marrin, prandaj edhe kërkojnë që t’iu ulen deri në trefishin e pagës mesatare. Deputeti nga partia në pushtet, Berat Buzhala, pranon publikisht se “deputetët nuk i kanë hak pagat që i marrin, duke më përfshirë edhe mua. Puna e tyre është mizerie, jo vetëm puna e tyre, por puna komplet e administratës shtetërore është mizerie”.

E ndërkaq, kolegu i tij nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Liburn Aliu, shfaq mendimin se pagat e deputetëve janë shumë të larta, prandaj edhe kërkon zvogëlimin e tyre. “Ne mendojmë se një deputet do të duhej të marrë sa trefishi i pagës mesatare në Kosovë (750 euro) dhe asnjë cent më shumë. Paga aktuale është tepër e lartë krahasuar me nivelin e varfërisë në Kosovë, prandaj duhet zvogëluar, sikurse duhet hiqen edhe privilegjet që po kërkohen vazhdimisht, siç është rasti për pensionet etj.”, ka thënë ai, duke sqaruar se brenda një muaji merr diku rreth 1 mijë e 400, pa llogaritur beneficionet dhe punën në komisione që mund të arrijë diku deri në 2 mijë euro.

Edhe shoqëria civile konsideron se deputetët nuk i meritojnë këto rroga “të majme” që marrin. Madje, ata kritikojnë ligjvënësit kosovarë që pozitën e tyre e shohin më shumë si mundësi për përftime materiale se sa një pozitë me përgjegjësi që duhet përfaqësuar interesin e qytetarëve.

“Deputetët dhe përfaqësuesit e institucioneve qendrore duhet të heqin dorë edhe nga benefitet tjera materiale që i marrin në forma të ndryshme, në mënyrë që të dëshmojnë se për ta, interesi qytetar është në radhë të parë, dhe assesi të shndërrohen në zhvatës të parasë publike. Pagat e tilla dhe beneficionet tjera të pushtetarëve, dëshmojnë se sa shumë klasa jonë politike është shkëputur nga realiteti i vështirë socio-ekonomik që po kalojnë qytetarët e Kosovës, e që realisht po këta pushtetarë e kanë sjellë këtë gjendje të rëndë për shoqërinë”, thotë Driton Selmanaj, analistë nga KDI.

E ky i fundit ua ka rikujtuar parlamentarëve tanë se nuk ka privilegj dhe sfatisfaksion më të madh moral dhe politik, sesa të gëzosh postin e përfaqësuesit të popullit, por ka kërkuar nga deputetët që pozitën e tyre të mos e shohin si një mundësi për t’i gëzuar privilegjet që ua ofron kjo pozitë. “Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe jo vetëm ata, por edhe anëtarët e institucioneve tjera përfaqësuese, do të duhej që të ndërmerrnin iniciativa që të ardhurat e tyre të mos jenë në disproporcion të madh me të ardhurat e strukturave tjera të shoqërisë në vend”, ka deklaruar analisti Selmanaj.

Vjosa Osmani, e rezervuar rreth pagave!

Më e rezervuar në deklarimin e saj, ka qenë deputetja Vjosa Osmani, e cila thotë se çështja e pagës së deputetit është e rregulluar me ligj dhe në këtë drejtim nuk mund të ketë seleksionim të deputetëve punëtorë dhe atyre “dembelë”. “Natyrisht se ligji nuk mund ta bëjë seleksionimin e deputeteve që ngrenë zërin dhe ata të cilët nuk ngrenë zërin. Mendoj se vota e qytetarit do të jetë ajo që do t’i dënojë ata deputetë që nuk ngrenë zërin, lidhur me problemet e ndryshme të qytetarëve, derisa u takon qytetarëve që t’ua besojnë mandatin e ardhshëm atyre deputetëve që vërtet kanë ngritur zërin për çështje të ndryshme”, ka thënë ajo./Zëri.info/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen