Frashëri, fshati historik i braktisur

Arkivi | admin | 29.01.11 | 09:51

 
EDI MOLLA

10/01/2011  REPORTAZH/ Diku me 2000 banorë, sot jetojnë vetëm 30 vendas 

fshati

FRASHËR – Frashëri, ndoshta fshati më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, rreth 40 kilometra larg nga Përmeti, dikur një qendër e madhe banimi dhe kulture, po shkrin si qiri për të cilin shkroi me aq pasion dikur njëri nga bijtë më të shquar të tij, vëllezërit Frashëri. 

Para një shekulli, sipas regjistrit osman, Frashëri kishte 550 shtëpi dhe rreth 2000 banorë, ndërsa aty banojnë rreth 30 vetë, ndërsa shtëpitë janë pak se gishtat e duarve, 8 gjithsej. 

Arqile Bonjo, 70 vjeç, thotë se një pjesë e madhe e banorëve të fshatit kanë emigruar jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër janë zhvendosur në qytetet e mëdha. „Ky është fshat i vjetër, themeluar nga stërgjyshërit tanë. Shikoni si është katandisur, me ca shtëpi të vogla, pa njerëz“, shprehet Bonjo. Frashëri shtrihet në faqet e dy maleve dhe ndahet në mes nga një përrua. 

„Matanë përroit është fshati i vjetër, themeluar 2000 vjet më parë, sipas arkeologut italian Luigi Ugolini“, shprehet Bonjo. Bonjo shpjegon se fshati e ka marrë emrin nga druri frashër, që njëherë e një kohë mbulonte të dy faqet e maleve. „Sot ka shumë pak nga ky dru, me të cilin dikur bëheshin bishta sëpatash, rrota qerresh, samar kafshësh dhe shumë punë të tjera“, thotë Bonjo, duke nënvizuar se në kohën e lulëzimit ekonomik, në hyrje të fshatit kishte 25 dyqane dhe 3 thertore. „Lart në mal është një shpellë ku ka shenja për banime prehistorike. Kjo më bën të mendoj se fshati Frashër është ende e paeksploruar nga arkeologët“, shtoi ai. 

Tomor Kotorri, kryetari i komunës së Frashërit, thotë se në kohët e arta ky fshat ishte ndarë administrativisht në 10 lagje të mëdha. „Lagja „Vilë“ ishte e veçuar nga fshati. Këtu banonin të pasurit. Në këtë lagje ndodhet edhe kisha më e vjetër, Shën Nikolla. Themelet e kësaj kishe janë hedhur në mbarim të shekullit të 15-të“, thotë Kotorri. „Një vend malësi, rrethuar me një shkëmb si me një fortesë të ashpër, deri aty nga mesi e shek. XIX, ishte një qytet zotënish të pasur që vinin e fitonin me „harxhe“, në Greqi, në Bosnjë e gjetkë, por që nuk u prenë „harxhe“, e spahillekët, zotërinjtë e Frashërit zunë të mos mbahen dot natë vend të varfër vetiu dhe nisën një nga një të mërgohen“, shkruan Sami Frashëri për fshatin e tij të lindjes, sipas citimit që ndodhet në muzeun e fshatit, kushtuar bijve më të famshëm tij, Abdylit, Naimit dhe Samiut. 

Ky fshat u bë vatër atdhetare, me vëllezërit Frashëri, por edhe në rang kombëtar, për sa i përket çështjes kombëtare. Kastriot Bezati, historian, thotë se Frashëri ishte një qendër bektashianë dhe vjershëtorësh. „Aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX, teqeja e Baba Alushit u kthye në një vatër kulture. Vepra e shkruar nga Dalip Frashëri, me titull „Hadikaja“, në vitin 1842, me 65 mijë vargje, ishte i pari epos në gjuhën tonë me shkronja arabisht. Këtu e gjeti frymëzimin edhe Naim Frashëri për hartimin më vonë të dy episodeve të tij“, shprehet Bezati. 

Sipas tij, poeti dhe atdhetari Naim Frashëri, në poemën e tij „Bagëti e bujqësi“ është frymëzuar pikërisht nga fushat pjellore të Frashërit. „Bujqësia dhe blegtoria në Frashër kanë qenë dhe janë shumë të zhvilluara, madje banorët e zonës po e trashëgojnë edhe sot këtë traditë“, përfundon Bezati

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen