Jo koncesione, jo status special, në asnjë mënyrë

Arkivi | admin | 25.04.11 | 08:49

Ulpiana Lama-rrezore.com
Ulpiana Lama
Më ra në dorë një libër së fundi, i titulluar “Dashuria jonë për eufemizmat”. Fort interesant. Nën ndikimin e tij, edhe unë po e nis me një eufemizëm: jam këtu për të folur për dialogun me Serbinë. Eshtë eufemizëm, sepse, çka po ndodh në të vërtetë, është një tjetër raund negociatash.
Por, nga dallojnë këto negociata nga dy pararendëset, ato të Rambujesë dhe ato të zhvilluara nga presidenti Ahtisaari?
Së pari, bisedimet e drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Brukselit, paraqesin një mundësi për shtensionim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Padyshim që ka tema që duhen diskutuar, si ajo e të pagjeturve, telekomunikacionit, regjistrave civilë, dokumenteve kadastrale, lëvizjes së lirë, etj.
Së dyti, për të parën herë Kosova trajtohet në mënyrë të barabartë me Serbinë, një pranim implicit ky i shtetësisë së Kosovës, edhe pse pesë vende të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur ende. Këto mund të konsiderohen si bisedat e para të barabarta mes dy vendeve të pavarura.
Së treti, as Beogradi as Prishtina nuk janë nën trysninë akute të qytetarëve për të prodhuar rezultate të menjëhershme; gjatë Rambujesë humbjet njerëzore ushtronin presion të mprehtë mbi negociatorët kosovarë. Barra është më e lehtë gjatë këtyre bisedimeve, meqë nuk ka një perceptim të përgjithshëm për rrezik.
Por, ka të tjera çështje që nxisin shqetësim: pse është dizajnuar ky proces? Cili është intencionaliteti? A e di Robert Kuper, i dërguari i znj.Ashton, çfarë do të arrijë prej tyre?
Rambujeja u dizajnua që të ezauronte rrugën politike me qëllim që t’u mundësohej forcave të NATOs të ndërhynin dhe të mbronin civilët në Kosovë.
Presidenti Ahtisari po ashtu e dinte ç’po bënte. Ai ishte i vetëdijshëm se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e pashmangshme për stabilizimin e Ballkanit.
Por, unë nuk jam në gjendje t’ju them se për çfarë janë këto negociata, sepse nuk ka qartësi rreth procesit. Autoritetet kosovare thonë se dialogu synon zgjidhjen e çështjeve praktike, të natyrës njerëzore, dhe se nuk ka arsye të shtyhet për më tej adresimi i tyre për sa kohë që ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e njerëzve. Autoritetet serbe e përkufizojnë si dialog që do të ndihmojë të “arrihet kompromis për statusin e Kosovës”.
Procesit i mungon transparenca dhe kjo është çfarë i frustron qytetarët dhe opinionbërësit: ata nuhasin riskun e fshehur.
Duke kuptuar nevojën për diskutime me interes për të dyja vendet, duke pranuar nevojën që Kosova dhe Serbia t’i bashkohen familjes së kombeve të BE-së, si udhëzuese dhe roje e vlerave dhe standardeve të besueshme, duket sikur kjo perspektivë për momentin është e hapur vetëm për Serbinë. Është shumë e rëndësishme për Kosovën po ashtu, një vend ku 70% e popullsisë është nën të 30-tat, që të ketë një perspektivë të qartë europiane. E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë lidhet me Bashkimin Europian dhe NATO-n. Ky vizion kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe Kosova dëshiron raporte të përzemërta dhe diplomatike me Serbinë, siç është rasti me të gjitha vendet fqinje.
Por, duhet thënë se koncepti i normalizimit nuk i përshtatet formatit, megjithatë. Është e vërtetë se termi “dialog strategjik” është krijuar saktësisht për këtë lloj të situatave: të hapë një derë të prapme të vogël, aty dhe atëherë kur komunikimi nuk ekziston. Mirëpo këto bisedime po zhvillohen shumë shpejt. Së pari, Prishtinës nuk i është lënë kohë të përgatitet. Çështjet ngrihen njëra pas tjetrës, dhe mbyllen me t’u diskutuar – pa rezultat apo ndikim; si kapitujt e një libri.
Pikëpamja ime është se bisedimet aktuale nuk duhen parë si qëllim në vetvete, por si instrument që vendos një bazë të re ndërveprimi në rajon. Kjo do të thotë se duhet influencuar të menduarit e shoqërive, aktorëve të ndryshëm brenda saj, vendimmarrësve; se duhet lehtësuar komunikimi mes grupeve të ndryshme të interesit – OJQ-ve, bizneseve, mediave, organizmave profesionalë, etj. E pra, e gjitha kjo merr kohë!
Nxitimi për të zgjidhur sa më shumë çështje në sa më pak kohë na çon në hamendësimin se këto bisedime janë dizajnuar për të akomoduar Serbinë në BE.
Pra, çfarë përfitojnë palët nga “dialogu”?
Serbia sigurisht shumë: vendi synon statusin e kandidatit në BE dhe me gjasë do ta fitojë deri në fund të vitit.
Përfitimi i Kosovës nga bisedimet nuk është i qartë ende. Natyrisht disa kufizime, disa pengesa do të hiqen si rrjedhojë e progesit në disa çështje teknike. Mirëpo, pamja nga lart, integrimi i Kosovës në BE dhe OKB, ky vizion mungon plotësisht.
Bisedimet e tanishme është dashur të dizajnohen për të përfshirë edhe Kosovën në BE. Menjëherë pas Deklaratës së pavarësisë në 2008-ën, shtetet anëtare konfirmuan gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës përmes një perspektive europiane. Në një studim të vitit 2009, BE zotohej për “një qasje të strukturuar” që do të shpinte eventualisht drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përmbylljen e një marrëveshjeje tregtare. Është fakt se sot, në 2011-ën, Kosova është më e izoluar se kurrë më parë: qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që u duhet të durojnë kufizime dhe refuzime të vizave, të kushtueshme dhe fyese. Në këtë kuptim, BE nuk po i përmbush premtimet e veta.
 
Burimi: Zeri 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen