Arkivat sekrete Britanike: Pse e donin Ali Pashën?!

Analiza & Komente | Zef Prenka | 24.04.13 | 18:56

Studiuesi Irakli Koçollari u bën thirrje historianëve: Ali Pasha nuk duhet parë sipas propagandës dhe politikës turke

“Shumë prirje, kërkesa, raporte dhe marrëdhënie të fshehta me perëndimorët, vazhdojnë të mbeten të padeklaruara dhe të papublikuara”. Këto të panjohura të rëndësishme, janë në dokumentet që ruhen në arkivat dhe fondet “rezervat”, të paofruara për publikun për një kohë të gjatë, duke krijuar terren sipas studiuesit Irakli Koçollari për të deformuar figurën e Pashait të Janinës, sipas interesave të caktuara politike.

Prej 25 vitesh që merret me portretin shumëdimensional të Ali Pashës, këtë herë studiuesi Koçollari sjell për lexuesit botimin “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike”. Një libër voluminoz ku përfshihen me qindra dokumente të zbritura nga arkivat sekrete britanike dhe zbuluar për historinë shqiptare emra që kryenin funksionin e misionarëve, apo agjentëve ushtarakë pas atyre të studiuesve albanologë, apo etnografë.

“Megjithëse kanë kaluar pothuaj dyqind vjet nga koha e vrasjes së Ali Pashës, hegjemonit më të njohur të Epirit, të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, për të vazhdohet të shkruhet dhe botohet ende nga studiues amerikanë, rusë, francezë, anglezë, japonezë, grekë, shqiptarë etj. Hulumtimet dhe kërkimet rreth tij janë të shumta, por çuditërisht, qëndrimet dhe vlerësimet janë të ndryshme. Ato lëvizin mes dilemave të mëdha, kundërshtive dhe dyzimeve. Në këto balanca delikate përherë shtrohej dhe vazhdon të shtrohet pyetja nëse tepelenasi përfaqësonte figurën e një despoti, tirani të pamëshirshëm apo e një misionari, vizionari novatori, monarku që rebelohej për t’u arratisur nga e kaluara prej nga vinte drejt një shoqërie që shfaqej në kufijtë perëndimore të vilajetit të tij?!”, – shprehet studiuesi.

Sipas tij tani “s’ka dyshim se epoka në të cilën ky njeri rriti dimensionet e tij politike i takon fundit të mesjetës së vonuar ballkanase dhe fillimit të përhapjes së ndikimeve iluministe evropiane. Ishte koha kur elementët e një shoqërie të re, asaj kapitaliste kishin filluar të hidhnin rrënjë nëpër Evropë, kur idetë e revolucionit francez kishin marrë udhë, ku luftërat napoleaniane përhapeshin nëpër tërë hapësirat evropiane dhe kur krizat e para ekonomike, politike dhe ushtarake po trondisnin “të sëmurët e Bosforit”, Turqinë”.

Kështu që ky botim me dokumentacionin e pasur, të sjella nga arkivat Britanike paraqiten për herë të parë duke plotësuar të panjohurat e shumta mbi Ali Pashën.

Fondi i tyre thotë na bën me dije për anë dhe çështje tërësisht të panjohur të një figure pak të njohur, shumë të debatuar, por që zë një vend të rëndësishëm në historinë e vendit tonë, Ali Pashës.

Koçollari vlerëson se veç lëvizjeve pak të ndriçuara me karakter politik, ushtarak, diplomatik, apo ekonomik të këtij hegjemoni dokumentet e arkivave britanike të këtij botimi sjellin edhe të dhëna me mjaft interes rreth përpjekjeve të Pashait për mëvetësi dhe indipedencë. “Këto dokumente vënë përpara drojës pretendimet e historiografisë tradicionale vendase apo të huaj për fillesat e nacionalizmit dhe përpjekjet gati një shekull më parë të këtij hegjemoni për një shtet të mëvetësuar dhe indipendent”.

“Të paktën, gjer tani gjejmë një Projekt Ligjor të shkruar dhe hartuar me maturi, i cili rendit fazat dhe veprimet konkrete për shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një shteti të pavarur. Në radhën e dokumenteve britanikë që ruhen në Arkivat e atij vendi, por edhe ato franceze, gjenden mjaft relacione dhe raporte që njoftojnë periodikisht për përpjekjet dhe ndërmarrjet konkrete të Pashait të rebeluar për shkëputje dhe mëvetësi përfundimtare”.

“Kurajua dhe përballjet e hapur ame Perandorinë, s’ka dyshim që asaj i shkaktuan plagë, të cilat do ë rigjeneroheshin gjer në shembjen e saj” Për këto arsye e të tjera shkruan Irakliu tepelenasi u mallkua prej propagandës, tellallëve dhe kasnecëve të Perandorisë Osmane nëpër territoret ballkanase dhe më gjerë, si plëngprishës, i pabesë, gjakësor, shkelës i ligjeve dhe rendit. “Ai u sulmua intensivisht edhe prej francezëve”, – akuza, fyerje,dhe gjer urrejtje e cinizëm gati racor për shkak të ndëshkimeve dhe dështimeve e planeve të Bonapartit ndaj territoreve Ballkanike. Ndërsa nga ana tjetër, thotë studiuesi i Ali Pashës, mbi bazën e interesave dhe koniunkturave politike që dominonin monarkinë angleze të kohës, autorë britanikë në shkrimet e tyre e kanë vlerësuar këtë figurë.

Këto vlerësime dhe propaganda masive që u bë nga ata, ka lënë gjurmë të thella në kancelarinë e fuqive të mëdha të kohës, në rrethet e studiuesve, por edhe në opinionin evropian në tërësi. I tillë mbeti imazhi i Pashait të Janinës, emri dhe bëmat e tij gjer aty nga fundi i shekullit XX.

“Çuditërisht ndryshe nga rrethet e nëpunësve burokratë evropianë, të cilët e njohën Pashain për shkak të detyrës që e vlerësuan dhe shkruan për të nisur nga funksioni dhe këndvështrimi i interesave të tyre politike, ai u vlerësua krejt ndryshe nga një grup njerëzish të shquar të letrave dhe kulturës”. Studiuesi veçon se intuita, por edhe gjenia e njerëzve të tillë si: Bajroni, Hygoi, Gëtja etj., të cilët dhanë vlerësime për shqiptain kurajoz.

”S’ka dyshim se Ali Pasha ishte një monark në radhën e monarkëve të tjerë të mesjtës. E, kur, themi monarki nënkuptojmë padyshim edhe absolutizmin, pjesën e dhunshme të tij, doktrinat ligjore që mbronin këto lloj sistemesh dhe pushtetet e tyre”.

Kontradiksioni i mbi vlerësimet e dyfishta, për Ali Pashën mbeten ende. Ndaj studiuesi i tij thotë se vazhdojnë të ndriçohen ngadalë dhe me vështirësi anët e panjohura të tij. “Shumë prirje, kërkesa, raporte, dhe marrëdhënie të fshehta me perëndimorët, vazhdojnë të mbeten të padeklaruara dhe të papublikuara”.

Pikërisht këto të panjohur të rëndësishme, janë në dokumentet që ruhen në arkivat dhe fondet “rezervat”, të pa ofruara për publikun për një kohë të gjatë, duke krijuar terren sipas studiuesi për të deformuar figurën e Pashait të Janinës, sipas interesave të caktuara politike.

“Këto dhe interesa të tjera e kanë vënë këtë figurë në balancën e dyzimeve dhe pasigurisë së kush është e vërteta e madhe rreth këtij hegjemoni kaq shumë të njohur dhe kaq shumë të përfolur. E kanë lënë këtë figurë komplekse vetëm “në mëshirën” e disa botimeve tradicionale dhe të opinioneve të përhapura prej kundërshtarëve të tij dhe propagandës osmane”, shprehet studiuesi.

Për ta njohur pashain e Janinës studiuesi hedh mendimin në një farë “zbulimi” të të vërtetës dhe referimit pse udhëtarët, e ardhur në këto anë në vitet kur jetoi Ali Pasha ndërmorën këto udhëtime, me çfarë misioni?

“Njohja e qëllimeve, synimeve dhe interesave të vërteta të këtyre “vizitave” dhe “vizitorëve” do të zbulonin jo vetëm shkakun e udhëtimeve, por do të zgjidhnin shumë dilema, do të ndriçonin dhe sqaronin shumë të panjohura, hamendësi, kontradikta dhe do t’ju jepej udhë mjaft kundërshtive që shfaqen në qëndrime, vlerësime dhe analiza të dyzuara, herë pro e herë kundër, herë negative dhe herë pozitive, për Ali Pashën dhe shqiptarët”.

Kjo është një çështje e errët na sqaron studiuesi që do t’ia bënte më të kuptueshëm çdo lexuesi shkakun e vërtetë të vlerësimeve ireale dhe të shtrembëruar për Ali Pashën dhe shqiptarët, si dhe do të zbulonte motivet e vërteta se përse autorët e këtyre shkrimeve kanë mbajtur këto qëndrime.

Prandaj, Koçollari vazhdon se tani nuk ka asnjë dyshim se në pjesën dërrmuese të tyre, shkaku dhe qëllimi i “vizitave”, “udhëtimeve, apo “shtegtimeve romantike” që këto agjentë, ushtarakë, diplomatë apo misionarë ndërmorën nëpër terrenet e ashpra të Ballkanit, në këtë kuadër edhe në pashallëkun e Pashait, qenë interesat dhe synimet politiko-ushtarake të vendeve evropiane. Për këto interesa kancelaritë dhe shtabet e luftës së këtyre vendeve urdhëruan, instruktuan dhe dërguan specialistë e punëve të luftës, dhe diplomacisë.

Kështu studiuesi vëren se çdo misionar i ardhur në këto anë pati detyra konkrete dhe qëllime të caktuara për të zgjidhur, të cilat nuk qenë legale dhe as publike. Por ishin konfidenciale dhe sekrete.

Çdo bisedë sipas Koçollarit apo takime me funksionarë nuk ishin të thjeshta, as rastësore, as romantike dhe as aventurë. Këtu, kapitulli i parë, përfshin francezët që “zbresin në brigjet joniane”. Ndërsa e pasojnë fillim vitet ‘800, me kthimin e dytë të britanikëve në pashallëkun e Janinës, duke na tërhequr vëmendjen pjesa “Dokumente arkivore britanikë me të vërteta të pathëna”.

“Do të duheshin gati 200 vite që të na binin në duar këto dokumente ku përmes rreshtave të shkruara nga penda e tyre, të shihnim jo vetëm pjesët me interes historik, por edhe të vërtetat e mëdha, që lidheshin me qëllimet politike të qeverive perëndimore, britanike franceze, ruse etj për territoret shqiptare, interesat, synimet dhe vlerësimet për monarkun Ali Pasha, apo personazhe të tjerë të njohur dhe të panjohur për ne, ato mote”.

Koçollari na përgatit për përmbajtjen e dokumentacioneve të zbuluara nga arkivat sekrete britanike duke ngritur dilemat që kanë shoqëruar historikisht Pashallëkun e Janinës të drejtuar nga Ali Pasha, në një kontekst marrëdhëniesh të ndërlikuara.

Asnjëri nga agjentët na bën me dije studiuesi apo ushtarakët francezë të ngarkuar me misione speciale prej qeverive të tyre, nuk ka folur publikisht për misionet dhe detyrat sekrete me të cilat kanë qenë ngarkuar dhe kryenin nëpër territoret e Pashallëkut të Janinës dhe ndaj Pashait të saj.

Koçollari kërkon përgjigje përmes dokumenteve pse asnjëri nuk ka folur për aleancat apo grupimet kundërshtare, që ata kishin organizuar fshehtas; pse asnjë prej tyre nuk ka folur për marrëveshjet dhe bisedimet e fshehta mes përfaqësuesve të fuqive të mëdha evropiane; pse asnjë prej tyre nuk ka folur për ndihmat në të holla që kanë ofruar dhe shpenzimet për të mobilizuar kontigjente të pakënaqurish, të rebeluarish apo elementë me prirje separatiste për të formuar struktura të thirrura “Lidhja” apo “Kuvendi” për të përmbysur me dhunë Pashain.

Përgjigje përmes dokumenteve sekrete ka marrë studiuesi dhe për organizimet konspirative për eliminimin fizik, vrasjen e Ali Pashës, ku shkëputet një fragment nga mesazhet e kryeministrit francez të kohës drejtuar agjentëve të tij, në pashallëkun e Janinës:

“…nuk duhet të dalë dora jonë…pasi kjo do të kompromentonte rëndë politikën tonë përpara opinionit ndërkombëtar…”

Gjithë produktin e veprimtarisë së kryer, këta misionarë vëren studiuesi e kanë raportuar përmes informacioneve të tyre “sekrete” që deri më sot nuk janë bërë publike.

Këto informacioneve dërgoheshin përmes korrierëve speciale në kancelaritë respektive ku depozitoheshin në raftet e zyrave përkatëse- shpjegon studiuesi si “spiunohej” nga Pashallëku.

“Duhet pohuar se jo pak nga ata qenë njerëz të kulturuar dhe me një formim të thellë historik, artistik, ushtarak apo shkencor. Majft nga ata shkruan dhe botuan vepra me interes dhe vlera shkencore kushtuar historisë së këtyre anëve, etnografisë gjuhësisë, arkeologjisë, traditave, folklorit etj”, shkruan studiuesi. Bëhet fjalë për autorë që botimet e tyre u bënë pararendëse të fondit albanologjik dhe studimeve shqiptare si: Uilliam M. Lik, Devaport, Vadencourt, Smart Hjuxh, J. Cartright, Xhon Hobhauz, Henri Holland etj. Ndërsa këta botonin libra me karakter studimor, Koçollari thotë se “ata asnjëherë nuk bënë të njohur anën tjetër, të panjohur të veprimtarisë së tyre, të cilën e kishin shkruar dhe raportuar diku gjetkë: punën dhe misionin e tyre konfidencial, atë konspirativ”.

Ishin të gjitha këto arsye thotë studiuesi duke ju drejtuar arkivave britanike për të marrë e përkthyer dokumentacionin që hedh dritë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi këtë veprimtar të panjohur nga misionet konkrete të ngarkuar nga institucionet qendrore britanike si Mbreti, Kryeministri, ministri i Jashtëm-Kollingud, Xhorxh Kanning, Ambasadori Robert Adair, Ambasadori Aleksandër Boll, Admirali Nelson etj.

“Përmes tyre mësojmë qartë se sa korrekte qenë në marrëdhëniet bilaterale këto qeveri më Pashain tepelenas, dhe kush ishte në të vërtetë “mëkatari” për prishjen, lëkundjen apo ndërprerjen e këtyre marrëdhënieve”. Vetëm duke parë këto dokumente thotë studiuesi Koçollari mund të vlerësohet e rivlerësohet objektivisht historia e këtyre anëve dhe Pashait, lëvizjet e tij politike, ushtarake dhe ato diplomatike, ku ndriçohen shumë dilema, anë të errëta apo ngjarje që jo rrallë kanë deformuar figurën dhe dimensionin real të Ali Pashës.

(Standard)

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen