I dashur Facebook, më nxirr nga izolimi i vetvetes

OP-ED | Zef Prenka | 11.05.13 | 11:39

“Facebook dhe web-sajte të tjera të ngjashme kanë mundur të influencojnë në mënyrë pozitive një pjesë të madhe të sjelljeve, qëndrimeve si dhe emocioneve tona ndaj dëshirës për të pasur më shumë miq” .
Para disa ditësh po shfletoja disa revista sociale. Ajo çka ishte e veçantë kësaj here ishte se në secilën prej tyre gjendeshin artikuj që subjekt të tyre kishin Facebook dhe rëndësinë që njerëzit anembanë i japin këtij web-sajti social.

Madje në njërën prej artikujve të publikuar rishtazi në Universitetin e Harward-it shkruhej: „Facebook: Një fotografi vlen sa një mijë shokë“ (Christakis & Fowler). Në atë moment pata nevojën të shihja përreth, por ndërkohë sytë po më konfirmonin njerëz të tjerë që duke pirë kafe në e mëngjesit, shkëmbenin mesazhet e radhës me miqtë e tyre, sërish në Facebook. Dhe jo më vonë fillova të pyes veten: Sa thelbësore janë këto web-sajte sociale për mirëqenien tonë? Sa e rëndësishme është të kesh edhe një mik më shumë?

Edhe pse në pamje të parë, Facebook apo faqe të tjera interneti që funksionojnë për ndërtimin e marrëdhënieve sociale mund të perceptohen thjesht si moda e fundit për të shkëmbyer informacione, nuk mund të mohojmë se nëpërmjet tyre, ne më në fund mund të rilidherni me miqtë tanë të së kaluarës si dhe mund të forcojmë marrëdhëniet me miqtë tanë të rinj. Jo vetëm kaq, por Facebook dhe web-sajte të tjera të ngjashme kanë mundur të influencojnë në mënyrë pozitive një pjesë të madhe të sjelljeve, qëndrimeve si dhe emocioneve tona ndaj dëshirës për të pasur më shumë miq.

Pra, edhe pse përdorimi në masë i kësaj metode të re komunikimi po kritikohet shumë (për faktin se njerëzit po e përdorin çdo ditë e më pak komunikimin e drejtpërdrejtë midis tyre), në të njëjtën kohë konfirmon se sa të rëndësishëm janë miqtë për të gjithë ne.
Nëse reflektojmë vetëm pak, do të kujtojmë se nevoja për miq/shokë na ka shoqëruar qysh në fazat e para të ekzistencës sonë. Madje ka pasur nga ata që në fëmijëri kanë ndarë sekretet e tyre edhe me miq imagjinar. Më pas, kjo nevojë u zhvillua edhe më shumë gjatë rritjes sonë deri sa në adoleshencë morri formën e saj më të mirë. Filloi të na shoqërojë në procesin e formimit të identitetin dhe personalitetit tonë. Gjatë kësaj faze tepër delikate të zhvillimit, çdokush mund të ketë ndjerë se ishin miqtë, të vetmit ata që na pranuan lehtë për atë e çfarë ne dëshironim të ishim.Si të rritur, bëhemi edhe më të ndërgjegjshëm se sa e rëndësishme është të pasurit miq. Edhe pse, partnerët shndërrohen në shokët tanë më intim, miqtë vazhdojnë të jenë mbështetësit më të mirë të ekzistencës sonë komplekse. Edhe pse nuk mund të shpjegojmë arsyet që na bëjmë të jemi edhe më të ndjeshëm ndaj kësaj nevoje, dimë vetëm që miqtë kanë influencë të madhe në aftësinë tonë për të qenë të lumtur. Në shumicën e rasteve, kjo ndodh sepse ne bëhemi qenie edhe më komplekse dhe të izoluar, në një botë që çdo ditë kërkon më shumë energji nga ne.

Këto argumente, mbështeten nga shumë studime të fundit të cilat kanë arritur në konkluzionin e ata që kanë miq janë më të lumtur, më të shëndetshëm dhe jetojnë më shumë se ata të cilët nuk kanë. Një tjetër studim masiv konfirmon të dhëna edhe më surprizuese: nëse miqtë e tu kanë një dietë të shëndetshme, ju jeni pesë herë më shumë të predispozuar për të ndjekur këtë dietë; punonjësit që janë më të kënaqur dhe të dhënë pas punës, janë ata që në ambientet profesionale kanë mundur të bëjnë një mik. Konkluzionet e studimit bëhen edhe më interesante kur lexon se për një pjesë të konsiderueshme të njerëzve të martuar, miqësia është pesë herë më e rëndësishme se intimiteti fizik në një martesë (Rath, 2006).

Në fakt, nuk është e vështirë të kuptosh këto rezultate nëse vlerësojmë se çfarë thonë njerëz si Vernon apo Aristoteli për miqësinë shumë kohë të shkuara. Sipas Aristotelit, në varfëri dhe në fatkeqësi, miqtë e vërtetë janë një strehë e sigurt. Ndërkohë, për Vernon, një mik është pasqyra e vetes, dikush me të cilin kupton se, edhe pse i pavarur, nuk je i vetëm. Pra, vetëm nëse kultivojmë miqësi, mundemi të heqim pak nga izolimi i vetvetes (Collingwood, 2008), i cili çdo ditë e më shumë po kthehet në një fenomen të pashmangshëm.

Duke iu rikthyer edhe një herë rëndësisë së Facebook, duket mëse e arsyeshme të konkludojmë se përmbush më së miri kërkesat dhe nevojat e njerëzve që më shumë e kurrë kanë nevojë të ndjehen pjesë e një grupi shoqëror. Në fund të fundit, nëse shton (në listën tënde) një shok, një mik, një të afërm, apo edhe një të panjohur pak rëndësi ka. Ne kemi të drejtë të ndjehemi të lumtur që bëmë edhe një mik më shumë, një mik që mund të vlejë më shumë se njëmijë fjalë. /Telegrafi/

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen