Shqipëria interesante për turistët e huaj

Reportazhe | admin | 31.08.11 | 16:24

Apollonia
 
Vizitorë të huaj në Shqipëri/Apollonia
Muaji gusht është muaji që Shqipëria vizitohet më shumë nga turistët e huaj. Ata frekuentojnë më shumë bregdetin Adriatik e Jon, por ka dhe nga ata që janë të apasionuar për udhëtimet malore, turizmin e aventurës etj.
 
Një autobuz me turistë italianë ndalesën e parë në Tiranë e ka bërë pak metra larg Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës, ose siç njihet në popull, Piramida. Ata sapo zbresin filmojnë dhe fotografojnë nga kënde të ndryshme godinën e ndërtuar në kohën e regjimit komunist, që duket se është në javët e fundit të ekzistencës së saj.
Grupi i turistëve italianë është informuar nga shoqëruesi i agjencisë së udhëtimit për debatin e ndezur nëse duhet ose jo të prishet kjo ndërtesë në mes të Tiranës ndaj bëjnë kujdes që ta arkivojnë para se nisi të zbatohet një plan i autoriteteve për rrafshimin e Piramidës dhe në vend të saj të ngrihet kompleksi parlamentar.
Italianët ndjejnë afërsinë e kulturave
 
Vlora
Shumë turistë të huaj preferojnë bregdetin shqiptar. Pamje nga Vlora
Valerios, nga Milano i pëlqen debati publik për këtë ndërtesë, por thotë se ka dëshirë që rreth 10 ditët e qëndrimit nëpër Shqipëri t’ja kushtojë gjithçka relaksit dhe zbavitjes. Kam qënë më parë në Sarajevo, në bregdetin malazez dhe mbylljen do ta bëj në rivierën shqiptare, thotë Valerio për DW.
“Jam italian dhe ndjej mjaft elementë të kulturës italiane në atë shqiptare. Sepse unë e di që në këtë vend ndiqen prej dekadave – madje edhe atëherë kur ishin të ndaluara nga regjimi komunist – gjërësisht stacionet televizive dhe radiofonike italiane. Këtu kuzhina italiane bëhet në mënyrë perfekte nga mjeshtra shqiptarë që kanë punuar disa vjet në rajone të ndryshme të Italisë, ose nga kushinierë italianë. Në Shqipëri flitet në shkallë të gjerë italishtja, këndohen mirë këngët italiane, qindra mijë shqiptarë punojnë dhe jetojnë në Itali. Tani Shqipëria në sytë e italianëve është ndryshe nga 10 ose 15 vite më parë, ndaj dhe së fundi është rritur nga viti në vit numri i prenotimeve nga Italia për të bërë vakanca në Shqipëri”.
Dallimet në rajon, interesante
 

Shumë turistë vijnë në Shqipëri me traget nga vendet fqinjë
Në Tiranë në këto ditë gushti janë dhe 4 të rinj gjermanë që studjojnë për mjekësi. Ata kanë në plan të lëvizin dhe në qytete të tjera si dhe përgjatë bregdetit Adriatik e Jon. Jakobi, njëri prej studentëve gjermanë thotë për DW-në se i pëlqen paketa turistike në rajonin ballkanik. Sipas tij është mirë kur në disa ditë të bie rasti të jesh në vende fqinje, që kanë të përbashkëta por dhe dallime mes tyre.
“Vitin e kaluar kemi qënë në Bosnjë, kurse këtë viti kemi organizuar një trip miks: ja nisëm nga Bosnja sërish dhe më pas vijuam nëpër bregdetin kroat, pastaj në Serbi, Maqedoni dhe disa ditë do të shëtisim nëpër Shqipëri. Më vjen keq që shumica e studentëve në Gjermani e njohin Ballkanin vetëm nga librat e historisë, të gjeografisë, apo nga analizat politike. Ti takosh njerëzit të bisedosh me ta, të shikosh resurse të trashëgimisë kulturore, me një fjalë të prekësh realitetin, është shumë më ndryshe kur bën një vlerësim ose ngre një perceptim mbi një shtet të caktuar. Ne e ndjejmë këtë në Shqipëri, por dhe aty ku kemi qënë më parë”.
Mikja e tij Eliza shprehet për DW-në se duke udhëtuar në vende të rajonit, kishte marrë opinione të ndryshme mbi Shqipërinë.
Shqipëria, e mirë për turizëm
 

Vizitorët e huaj duke shëtitur në kryeqytetin shqiptar, Tirana
“Kishte nga ata njerëz që na paralajëmëruan që të mos vinim këtu, pasi sipas tyre ‘është me shumë rrezik dhe pasiguri për jetën‘. Por takuam të tjerë që kishin udhëtuar më parë në Shqipëri dhe na treguan me bindje se ‘Shqipëria është vendi më i mirë i rajonit për turizëm‘. Dhe ne jemi këtu, ku po i provojmë gjërat vetë, po i shijojmë.” 
Ndërkohë Sofia nuk ngurron të bëjë një kritikë për prezencën e grumbujve të plehrave anës rrugëve nacionale dhe në sheshe të ndryshme brenda qyteteve.
“Kur ishim duke udhëtuar me autobuz nga Maqedonia për në territorin e Shqipërisë kemi parë grumbuj me plehra. Ishte një lloj trishti që në një panoramë të mrekullueshme natyrore të kishte aty këtu dhe grumbuj me plehra. Mendoni sa përshtypje negative bëjnë këto në mëndjen e një vizitori të huaj. Një destinacion turistik është i suksshëm kur e ka të zgjidhur problemin e sistemimit dhe përpunimit të plehrave dhe mbetjeve të ndryshme urbane. Në këtë aspekt Shqipëria duket që ka probleme serioze dhe më vjen keq shumë për këtë. Plehrat në temperatura të larta nuk janë vetëm cështje imazhi, por dhe dëmtojnë seriozisht shëndetin e komunitetit dhe të turistëve”.
Jeta e natës e këndshme
 
Harta e Shqiperise
Harta e Shqipërisë
Martini e lidh impresionin e tij në kryeqytetin shqiptar me realitetin gjerman.
“Trafiku i rënduar dhe në vende të ndryshme të qytetit ndjen dhe erë të keqe. Tirana po rindërtohet këtë e shikon në disa pika të qytetit, por mendoj se ka shumë vend për ta sistemuar, të jetë më e pastër. Realisht është një qytet vital, të rinjtë i japin dinamikë shesheve dhe rrugëve. Jeta e natës ishte e këndshme, thuajse si në Gjermani. Të rinjtë hynin lirshëm në bisedë, flisnin anglisht, gjermanisht, frëngjisht, shumë mëndje hapur dhe miqësorë. Na bëri përshtypje që dinin shumë për Gjermaninë, sidomos ekipi i Lëv-it ka shumë fansa këtu në Shqipëri. Nuk e kam imagjinuar që do të shikoj kaq shumë makina “Mercedez” në një qytet. Unë jam nga jugu i Gjermanisë dhe këtu në Tiranë kam parë më shumë “Mercedez” se sa në qytetin tim…”
Borivoje nga Serbia tregon se për herë të dytë kalon pushimet në bregdetin shqiptar.
Bregdeti do vëmendje
“Ka çmime të arsyeshme dhe vende shumë piktoreske. Por nuk duhet lejuar ndërtimi dhe betonizimi në afërsi të bregdetit. Qeveria lokale dhe ajo qëndrore duhet të ndërhyjë sa më shpejt për të mos lejuar ndërtime afër bredegtit. Është një pasuri natyrore që i shërben njeriut dhe nuk mund të shkatërrohet nga njeriu. Shumë miq të mi nga Serbia kanë ardhur për pushime këtë verë. Të tjerë kanë qënë dhe më parë. Vitin e ardhshëm mendoj se më shumë do të ketë. Këtu është mrekulli, por duhet të ndalet ndërtimtaria pa leje, pa planifikim urban”
Sara nga Kopenhageni prej ditësh gjendet në rajonin e Ballkanit. Shkak ishte pjesmarrja në një festival të trompës në Serbi. Prej andej ajo udhëtoi disa ditë në Maqedoni dhe aktualisht është në Shqipëri. Për Sarën ka prioritet informimi rreth artit dhe kulturës lokale. Duke kaluar vakancën pranë një familje shqiptare ajo ka arritur të kapë dallimin mes ndalesës në Shqipëri me dy stacionet e mëparshme në rajon.
 
Durresi 
Bregdeti më i populluar shqiptar, Durrësi
Mikpritja, karakteristikë e veçantë
“Gjëja më e mirë në këtë vend është mikpritja mendoj. Unë po qëndroj tek famija e një mikeshe time këtu në Tiranë dhe ata më konsiderojnë si vajzën e tyre. Unë jam e sugjestionuar nga menu-ja shqiptare, një ushqim i pasur dhe krej ndryshe nga ai që konsumoj në Danimarkë. Kam një eksperiencë të madhe me udhëtimet në botë dhe ndjej veçoritë që has në këtë vend, mbi të gjitha mikpritja, por dhe toleranca për diversitetin kulturor dhe fetar në këtë vend të vogël të kontinentit.”

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Kelmendi

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen