Kriminelët s’duhen lejuar të pengojnë dialogun

OP-ED | admin | 20.09.11 | 18:49


 

Vilson MIRDITA

Që nga 17 shkurti i vitit 2008, siç dihet, Kosova është shtet i pavarur, më i riu në Europë. Me pavarësinë e Kosovës në pajtim me të drejtën e popujve për vetëvendosje e gjeti fundin e tij pas rënies së Bllokut të Lindjes procesi i rendit të ri të Europës. Kosova është në vitin e tretë të shtetësisë së saj, e megjithatë ne mund të shikojmë me krenari prapa në atë që kemi arritur deri më tani.
Sigurisht që mbetet ende shumë për t’u bërë, por, sidoqoftë, përmes pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e fundit parlamentare u bë e qartë se grupet e ndryshme etnike e shohin të ardhmen e tyre brenda Kosovës.
Në Parlamentin e Kosovës ulen 14 bashkëqytetarë tanë serbë. Sipas kushtetutës nga 120 ulëse sa ka gjithsej Parlamenti, 10 sish janë të garantuar për pakicën serbe. Tri ministri drejtohen po ashtu nga serbët. Deri më sot e kanë njohur republikën tonë 81 shtete, me përjashtim të Serbisë edhe të gjitha shtetet tona fqinje-dhe ato padyshim e njohin më së miri Kosovën. Gjithsesi edhe me një Serbi vërtet demokratike në një afat të mesëm do të mund të vinte deri te një njohje reciproke. Përmes kontakteve personale e di që ka shumë serbë që e dëshirojnë një Serbi tjetër, një politikë tjetër, pajtimin.
Me ndërmjetësimin e BE-së që nga fillimi i vitit janë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për çështje teknike. Në mesin e tyre bëjnë pjesë lëvizja e lirë e personave, elektriciteti, telekomunikacioni, regjistri i gjendjes civile, njohja e vulave të doganave si dhe njohja e diplomave shkollore dhe universitare. Por këto bisedime u ndërprenë në korrik, ngase serbët nuk deshën t‘i njohin vulat e doganave të Republikës së Kosovës. Për fat të keq duhet thënë se Serbia në këtë pikë nuk po luan një rol konstruktiv. Strukturat paralele, të mbështetura nga Beogradi, kanë marrë pjesërisht forma kriminale-madje mund të flitet, për sa i përket armatimit të këtyre grupeve, për struktura paramilitare.
Në Kosovën e veriut kërcënon të zhvillohet një hapësirë ku nuk vepron ligji, gjë që është shfrytëzuar nga grupet lokale të kriminalitetit të organizuar për qarkullim dhe tregtim ilegal ndërkufitar. Me këtë rast nuk përjeton vetëm Kosova ditë për ditë dëme masive ekonomike, të cilat vetëkuptohet nuk mund të pranohen më, por edhe vetë Serbia. Për këtë arsye Qeveria e Republikës së Kosovës ishte e detyruar të merrte masat e nevojshme për të krijuar rend dhe siguri në veriun e vendit. Ato duhet në të njëjtën kohë t’i shërbejnë edhe jetësimit të shtetit ligjor si dhe sigurisë e paqes për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
Situata natyrisht kërkoi veprim të shpejtë. Si rrjedhojë e këtyre vendimeve më 27 korrik, të udhëhequra nga grupet kriminale dhe strukturat paralele, të cilat tolerohen nga ana e qeverisë së Serbisë, erdhi deri te sulmet mbi policinë kosovare, me ç’rast u vra një polic kosovar dhe shumë të tjerë u lënduan. Në dy vendkalime kufitare, në Jarinje dhe në Bërnjak, pati dëme të mëdha materiale. Për herë të parë u hap zjarr nga grupet kriminale të organizuara mirë madje edhe mbi trupat e KFOR-it dhe ato u sulmuan me bomba zjarri. Ky provokim dhe sulm i hapur mbi sovranitetin tonë shtetëror dhe mbi KFOR-in sigurisht që nuk mund të tolerohet më.
Bashkëqytetarët tanë serbë në veri të Kosovës janë kthyer në pengje të këtyre strukturave mafioze. Qeveria e Kosovës megjithatë synon të zhvillojë edhe më tej dialogun me Serbinë. Si Kosova dhe Serbia do të duhej të kishte interes të madh për eliminimin e hapësirave ku nuk vepron ligji dhe të mos lejonte pengimin e dialogut nga grupet kriminale, të cilat e shohin veten të rrezikuara në transaksionet e tyre ilegal ndërkufitare nga kufijtë e siguruar me marrëveshje të mira fqinjësore. Kosovën si Serbinë i bashkon prandaj në lidhje në integrimin e synuar në BE dhe pranimin në zonën e Schengen-it një interes i madh i përbashkët, garantimi i sigurisë së brendshme në të dy anët e kufirit.
 
(Autori është Ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin)

Burimi: Lajmpress 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen