Nga akademia përkujtimore kushtuar Agim Qelaj

Histori & Fakte | admin | 19.07.13 | 17:10

15 vjet pa gjeneralmajor  Agim B. Qelajn

Zoti Emin Fazlija, alias Emil Kastrioti, është veprimtar veteran i lëvizjes kombëtare, për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare. I lindur dhe i rritur afro 8 (tetë) dekada më parë, në Shalë të Bajgorës, një trevë e njohur për burrëri dhe trimëri, qysh në rininë e tij, Emin Fazlija u angazhua në grupet ilegale, për të punuar dhe vepruar për lirin e Kosovës. Në vitet `60-a dënohet me 8 (tetë) vjet burg, me akuzën klishe „për veprimtari armiqësore“, siç i cilësonte sistemi komunist jugosllav kundërshtarët politikë e, në rastin konkret, atdhetarët shqiptarë.

Mërgimtari i hershëm i Diasporës shqiptare, themeloi „Besëlidhjen Kombëtare Demokratike Shqiptare“ dhe duke qenë në krye të saj, prej shumë dekadash, organizoi me dhjetra protesta e demonstrata kundër regjimit shtypës e repsresiv jugosllav e serbian, në shtetet perëndimore, në veçanti në Gjermani, ku edhe jeton dhe vepron. Me luftëtarët e Besëlidhjes, u angazhua në luftën e fundit për çlirim, në mesin e tyre edhe ushtaraku i karrierës Agim Binak Qelaj.

Klubi „Kosova“ në Singen të Gjermanisë, organizoi një Akademi Përkujtimore, kushtuar jetës dhe veprës atdhetare e luftarake të Agim Qelaj, mik dhe bashkëpunëtor partiak e kombëtar, i Emin Fazlisë. Në mesin e tjerëve, të pranishëm ishin edhe zotërinjtë Emin Fazlija dhe Adem Demaçi, të dy veteranë të lëvizjes kombëtare, por me bindje politike ndahen djathtas dhe majtas. Megjithatë, ata u përshëndetën me përzemërsi, duke uruar njëri-tjetrin për shëndet të mirë dhe pleqëri të bardhë.

Zotëri Emin Fazlija, pas përshëndetjeve të organizatorit, të Familjes Qelaj, mysafirët nga Kosova, me Adem Demaçin në krye, Grupin foklorik “Scanderbeg” nga Freiburg-u të udhëhequr nga Kryetari i Bashkësisë së Klubeve, shoqatave dhe shoqërive për B.,W., si dhe të gjithë të pranishmit, evokoi kujtimet për heroin Agim Qelaj.

1

                           Nga e djathta: Emin Fazlija, Adem Demaçi dhe Xhafer Leci

Fjala e Emin Fazlisë
„Kam ardhë me kënaqësi të veçantë për të marrë pjesë në këtë Akademi Përkujtmore, për Gjeneralmajorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Binak Qelaj, mikun, shokun dhe vëllain e idealit të përbashkët kombëtar. Me Agim Qelaj kam pasur marrëdhënie të ngushta e tejet vëllazërore dhe kemi bashkëpunuar për 4 vjet të plota, në kuadrin e Këshillit Kombëtar Ushtarak të Republikës së Kosovës. Në treshin aktiv ishim: Agim Qelaj, alias „Marashi“, Xhevdet ISUFI, alias LISI dhe Emil Kastrioti, alias „Rruka“. Këshillin e lartëpërmendur e përbënin disa ushtarakë të karrierës dhe civilë. Këshilli me emeroi mua Kryetar të Shërbimit Informativ Ushtarak të Republikës së Kosovës.

Ka qenë një detyrë e veshtirë dhe delikate, por sot krenohem se çdo detyrë e kam kryer me përgjegjësi morale e njerëzore. Me Agimin kemi pasur, së paku, njëherë në javë takime bashkë me Xhevdet Isufin, ku kemi shqyrtuar çështjet aktuale. Detyra kryesore e këtij Këshilli ka qenë me i gjetë dhe regjistruar të gjithe eprorët ushtarakë, që kanë dezertuar nga ish-Armata jugosllave dhe këta epror t`i angazhojmë në luftën çlirimtare të UÇK-së, kundër forcave okupatore sllavokomuniste të Serbisë. Dhe ketë detyrë e kemi kryer të gjithë sa ishim në këtë Këshill.

Kush ishte Agim Qelaj
Agim Qelaj ka qenë një prind dhe bashkëshort i devotshëm i familje së tij të ngushtë dhe dy vëllezërve dhe prindërve pleq. Në shoqëri, gjithmonë i buzëqeshur, i gatshëm t`i ndihmojë gjithëkujt në nevojë. Nuk ka pasur averzion ndaj partive të ndryshme shqiptare. Atij i ka interesuar çlirimi i trojeve etnike nga pushtuesit sllavogrekë dhe ribashkimin e këtyre trojeve shtetit amë, Shqipërisë.

Per këtë arsye u regjistrua si anëtar ilegal i Këshillit Ushtarak Mbrojtja e Shqipërisë Etnike, që ishte pjesë përbërëse e Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, nën pseudonimin ARTANI. Shifra e tij ishte: XVIII-3936 / 3140 dhe libreza e tij e anëtarësisë gjindet ne Arkivin e BKDSH-së. Ky shkoi në luftë për çlirimin e Kosovës, jo si militant i BKDSH–së, as i LDK-së dhe as i LPK-së, por shkoi si atdhetar i devotshëm dhe specialist ushtarak, për të dhënë kontributin e tij për çlirimin e atdheut dhe të realizimit të betimit të bërë mbi Flamurin kombëtar për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare të okupuara nga sllavët dhe grekët.

Detyrën e kreu me ndershmëri dhe ra në ballë të luftës, siç bien vetëm dëshmorët dhe heronjtë e kombit shqiptar.
Agimi ka qenë një ushtarak i përsosur, me dituri akademike dhe me vrull për të dhënë kontributin e tij për çështjen kombëtare. Se ka qenë një njohës i mirë i artit ushtarak, do ta vërtetoj me një ngjarje autentike: Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit dhe Kryeministrit te Qeverisë së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi, bashkë me mua u nisëm , më 11.03.1998, për Sarajevë, ku kishim për detyrë me e takuar gjeneralin e famshëm boshnjak, Atif Dudakoviqin, i cili, aso kohe ishte Shef i Shtabit të Shtatmadhorisë të Ushtrisë të Bosnjë-Hercegovinës.

Më 12.03.1998, gjenerali boshnjak na pranoj me përzemërsi të veçantë në selinë e Shtabit të tij dhe e urdhëroi sekretaren që askush, përveç Kryetarit të shtetit, mos ta pengoi në punën që ka me delegacionin e Kosovës. Bisedat zgjatën 5 (pesë) orë.
Agimi e kishte përgaditur listën e kërkesave tona për armatim, i cili na nevojitej për UÇK-ën.

Dudakoviqi na tha se ata posedojne një sasi të madhe, të tepërta, që u kanë mbetur nëpër magazina dhe ai do të na jepte me çmim 4 herë më të vogël, më të lirë sesa kanë kushtuar atëherë, kur ata i kanë blerë, si dhe nëse doni, ne i kemi në disponim 4 aeroplana, që mund të bartin peshën deri në 50 tona secili e ato ua sjellim në Tiranë, pa asnjë shpërblim.

Kurse me provuar nëpërmes Sanxhakut, është rrezik për jetë nga forcat serbo-malazeze dhe kushton shumë më shtrenjtë për juve, në këto raste kur e kini të hapur frontin e luftës në tërë Kosovën. Agimi u interesua për një sasi armatimi në vlerë prej 7 milionë DM.
U kthyem me shpresë se Qeveria e Bukoshit do t`i jep ato 7 milionë DM, të cilat i kishin premtuar për realizimin e luftës sonë të shenjtë, për çlirimin e Kosovës, ndoshta edhe pa ndërhyrjen e NATO-s. Mirëpo z. Bukoshi jo që nuk i dha ata 7 milionë, por as shpenzimet e udhëtimit të ne dyve, nga Shtutgardi për Sarajevë dhe qëndrimin tonë tre ditor, nuk na i kompensoi.

Ashtu që të gjitha shpenzimet mbetën barrë e jona personale.
Është shumë interesante biseda e gjeneral Dudakoviqit me ne dyve, kur ai tha: „Me Agimin kam qenë në Akademinë e lartë Ushtarake të Këmbësorisë, ku Agimi gjithmonë ka marrë notat më të mira dhe se është dëm i madh për neve që Agimi nuk pranoi të mbetët në ushtrinë tonë, ku sot ky do të ishte në këtë karrikën time, sepse Agimi është shumë ma i zoti se unë..“!
Kështu foli burri i Klladushës të Mujo Bylykbashit, pa kurrfarë djallëzie, me sinqeritet të plotë. Agimi u skuq dhe uli kokën, kurse mua mu bë zemra mal nga gëzimi, kur një i huaj ka një konsideratë kaq të lartë ndaj mikut dhe shokut tim të fjalës dhe të besës.

Edhe sot pas 15 vitesh, i bëj vetes sime pyetje: Pse na shqiptarët vuajmë nga sindromi i “un-it” dhe nuk jemi në gjendje me thënë se filani e fisteku është më i zoti se unë, por gjithmonë shkojmë nga ajo:”unë, unë…dhe prap: unë, kurse tjetri diku mbas meje, i dyti, i treti, i katerti apo… Kur do të mësohemi t`i vlerësojmë dhe respektojmë vlerat e tjetrit?! Kam pasur, kam dhe do të vdes me bindjen e madhe se Gjenerali AGIM QELAJ – “Coli”, i ka merituar të gjitha virtytet e burrërisë, trimërisë, gadishmerisë, për sakrifica maksimale për çështjen kombëtare mbarëshqiptare.

Ai ra heroikisht në fushën e betejës në Rahovec, më 19 korrik 1998 dhe rivarrimi i tij u bë tek më 2007, kur eshtrat e tij u rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve, në Kleçkë, ku gjeti pushimin e përjetshëm, ndërmjet bashkëluftëtarëve të tij trima, që me gjak mbrojtën simbolin e UÇK-së dhe Flamurin Kuqezi.
Lavdi Dëshmorëve dhe heronjve të kombit Shqiptar !
Lavdi e përjetshme Heroit kombëtar,Gjeneralmajor AGIM QELËS!
SINGEN, më 6 korrik 2013 Autor :
EMIN FAZLIJA,alias Emil Kastrioti,kryetar i Lëvizjes
“BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE – B K D S H

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen