Me ose paqëllim gabove rëndë z. President Nishani!

OP-ED | Zef Prenka | 26.09.13 | 06:44

(„Jepi Çezarit çfarë i takon Çezarit!“)

“Mund të them, se Imzot Kçira, është një burrë i madh e trim. Është një njeri i fashëm e i atdheshëm, pra fetar dhe atdhetar i madh. Imzot Kçira, me jetën dhe veprën e tij, e vazhdon traditën e hershme shqiptare të Pal Engjëllit, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Gjeçovit, Imzot Nikë Prelës e shumë e shumë burrave të famshëm të kombit tonë. Ai është gjithnjë njeri i pajtimit dhe forcimit të besimit në Zotin. Ai është njeri i madh i kombit tonë. Ndihem krenar, që e kam mik dhe krah të fortë mbështetës në punët e Kosovës, vendit tonë të shtrenjtë.”
Dr. Ibrahim Rugova,
President i Kosovës

“Njëri prej këtyre figurave, që ka dhënë më shumë për çeshtjen shqiptare, sidomos gjatë luftës në Kosovë është dhe do të mbetët Don Anton Kçira, figurë e njohur e diasporës, klerik dhe atdhetar, njeriu që diti të mbrojë shqiptarët dhe të kontribuoje për ngritjen e frymës patriotike…
Dom Anton Kçira me urtësinë e një kleriku, por edhe të një mërgimtari që din se çfarë do të thotë largimi nga atdheu është orjentuar drejt nga vlerat. Me predikimin e tij paqësor dhe shpirtin human ai do të ngelet kultivuas i frymës afruese, tolerante dhe pluraliste në shoqërinë shqiptare.”

Elidon Pashaj,
Dervishi i Teqës Bektashianë në Detroit

Klajd Kapinova

Janë këto fjalë realiste dhe tepër domethënëse, që Presidenti i paharruar historik, Gandi i Kosovës i pavdekshmi Dr. Ibrahim Rugova, i përsëriste shpesh në shenjë nderimi e respekti të madh, që kishte për mikun e tij të idealeve të shenjta kombëtare, klerikun e përsonalitetin e shquar të komunitetit shqiptaro-amerikanë, burrin e madh të palodhur të popullit të vet në Amerikë e Kosovë: Të Përndershmin Dom Anton Kçirën.
I Përndershmi Dom Anton Kçira, ruan si thesar të çmuar vlerësimin maksimal të 120 kongresmenëve amerikanë, që kanë firmosur një Çertifikatë Falënderimi, që u arshivua në rekordin e Kongresit Amerikan. Kongresisti Gary Peters, ia dorëzoi mirënjohjen Dom Antonit, ku, theksoi, se: “Ky është një vlerësim, që i bëhet karrierës fetare dhe atdhetare meshtarit shqiptar, që drejtoi për 22 vjet (Nëntor 1989-Qershor 2011) Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit (MI), si një lider i palodhur, ndihmoj vijueshmërisht jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe muslimanë, duke i shërbyer paqës, e harmonisë ndërfetare.”
Konsiderata të larta kanë shprehur: Kardinal Adam Maida, Arqipeshkëv Metropolitan i Detroit-it (Michigan), Rochester Hills Mayor Bryan K. Barnett, Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Nikë Prela, ish-Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, shkrimtari Pjetër Arbnori, ish i burgosur politike për 28 vjet dhe Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, Arqipeshkëvi i Tivarit dhe Primat i Serbisë Imzot Zef Gashi, Imzot Mark Sopi, Ipeshkëv i Kosovës, Ipeshkëvi Ndihmës i Shkodrës shkrimtari Imzot Zef Simoni, Arqipeshkëvi i Metropolitan i Shkodrës albanologu Imzot Frano Illia, studiuesi At Daniel Gjeçaj O.F.M., Presidentët e Shqipërisë: Dr. Sali Berisha, Prof. Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, shumë kryeministra të Kosovës dhe Shqipërisë, senatori amerikan Tom Lantos, kongresistët amerikanë: Joseph DioGuardi, Eliot Engel, Sue Kally, etj., Ekrem Bardha Konsull Nderi i Shqipërisë, Prof. Anton Qetta, Imam Muhamed Lipaj, Imam Isa Hoxha, Imam Vehbi Ismaili, Baba Rexhebi, Anthony Athanas, Harry Bajraktari, shkrimtari Hasan Hasani, Dr. Mentor Quku, Prof. Riza Sadiku, studiuesi Tomë Mrijaj, Prof. Nue Oroshi, Prof. Riza Sadiku, heroi i demokracisë Azem Hajdari, Prof. Prekë Gjetaj, gazetari Astrit Lulushi, gazetari Beqir Sina, poeti Agim Shehu, Selim Hasani, etj., etj.
Kisha Katolike Shqiptare e Shën Palit në Detroit, është më e madhja në botën shqiptare dhe një muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë. Dom Antoni, u shërbeu shqiptarëve të Amerikës për disa dekada. Gjurmët e punës së tij, gjenden në zhvillimet e jetës kulturore e fetare të shqiptarëve në mërgim, duken qartë.
Kisha e Shën Palit në Roçester Hills, e ndërtuar para 11 vitesh me nismën e Dom Antonit, mund të thuhet se është vepra e tij.
Nën drejtimin e Dom Antonit, besimtarët e Kishës së Shën Palit, kanë dhuruar qindra mijëra (mbi 1 milionë dollarë ndihma), gjatë dhe pas luftës, për viktimat në Kosovë, përveç ndihmave për rimëkëmbjen e kishave dhe fesë në Shqipëri, që dolën të shkatërruara nga lufta e ftohtë.
“Gjurmë të veprimtarisë përkushtuese fetare e atdhetare të don Anton Kçirës, janë gjithashtu përmendoret e Skënderbeut dhe Të Lumes Nënë Terezës, në hyrje të oborrit të Kishës. Këto punime individuale të skulptorëve të njohur Kreshnik Xhiku e Vasiljev Nini, me madhështinë dhe stilin e tyre, mbajnë gjallë kujtesën historike shqiptare në dhe të huaj. Ato përçojnë vlerat e një kombi, veçanërisht, kur tërheqin vemendjen e kalimtarit të panjohur, i cili, kur i sheh s’mund të rrijë pa u interesuar e pyetur: “E kujt është kjo kishë? Nga cili vend janë këta heronj?
Këto janë konkretizime të nismave largpamëse të don Anton Kçirës në krye të Kishës. Janë gjurmët të ngurtësuara, që ai lë pas, ndërsa largohet për t’u shlodhur.
Një drejtues mund t’i udheheqë të gjithë, por nuk mund t’i kenaqë të gjithë. Edhe rruga e don Antonit në krye të Kishës, nuk ka qenë e shtruar. Para pak vitesh ai u bë objekt kritikash nga disa pjestarë të komunitetit, “për disa deklarata anti-shqiptare”, thonë ata. Don Antoni, vazhdimisht, është përpjekur të sqarojë, se fjalët e tij janë shpërdorur, duke u nxjerrë qëllimisht jashtë kontekstit.
Për shqiptarin, feja është pjesë e traditës. Don Antoni është njeri i fesë. Dhe shqiptari gjithmonë e ka respektuar fenë e vet. Shpesh, ka respektuar më shumë fenë e tjetrit. Nga ky këndvështrim, lind edhe toleranca. Don Antoni, thotë se si shqiptar, ka respekt për fenë islame, dhe se fjalët e ashpra ai i ka përdorur vetëm kundër terroristëve islamikë, me të cilët Amerika është në luftë.”, vlerëson me reportazhin e tij gazetari i Zërit të Amerikës Astrit Lulushi.
Dardania martire, vendlindja e meshtarit Kçira, vjen një vlerëism tjetër, se: “Dom Anton Kçira, as në Amerikë nuk qëndroi duarkryq, kur Kosova dhe populli i saj kishin nevojë për sensibilizimin e çështjes. Ai u bë Ambasadori më i zëshëm, për t’i hedhur dritë vuajtjeve dhe zgjedhës së popullit të tij. Nuk prajti për asnjë çast, në shërbim të kauzës. Nuk la pa udhëhequr dhe marrë pjesë në asnjërën demonstratë, që është organizuar, nëpër metropolet euro-atlantike. Nuk la portë të kancelarive të Evropës e Amerikës pa depërtuar, për t’i hedhur dritë të vërtetës shqiptare. Në shumë takime në Shtëpinë e Bardhë, me ish-Presidentin e Amerikës, Bill Clintonin, në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Gjon Palin II, në Paris me Zhak Shirak, në Londër me Toni Blerin, në Bon me Shrwder e shumë e shumë përfaqësues dhe zyra tjera diplomatike, me ndikim në Evropë e Amerikë, don Anton Kçira, zbardhi çështjen shqiptare dhe kërkoi shpëtimin e këtij populli nga ajo golgotë.”, shkruan prof. Prekë Gjetaj.
Kushdo nga shqiptaro-amerikanët, që jeton dhe punon në Atdheun tonë të dytë, në Shtetet e Bekuara të Amerikës, gëzohet kur institucionet fetare, kulturore, patriotike, figurat e shquara të komunitetit tonë dje dhe sot, vlerësohen me mirënjohje të thellë, përmes medaljeve simbolike, për punën dhe jetën e tyre, në shërbim të komunitetit dhe trojeve etnike shqiptare.
Një kënaqësi e natyrshme, vjen edhe këto ditë, kur mësuam, se Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, ndau medalje nderi, për institucionet fetare të komunitetit shqiptaro-amerikanë në Detroit.
Por nga ana e tjetër lind pyetja, se a kanë informacionin e duhur zyrat e Presidencës së Shqipërisë e Dardanisë, kur ndajnë medalje nderi dhe vlerësimi të njëanshëm dhe a janë shpesh subjektive në vlerësimet e tyre?!
Unë mendoj, se figurat shtetërore apo stafet e tyre në Presidencë, nuk kanë ose nuk duan të bëjnë shpesh vlerësime të merituara dhe ndodh gjithnjë nga keqinformimi, shpejtësia, dhe dëshira, për të udhëtuar në Amerikë apo për të qenë në qendër të mediave, fyejnë me “harresë”, tek anashkalojnë me ndërgjegje koshiente personalitetet më aktivë, që vërtetë kanë shkrirë me pasion dhe atdhedashuri të papërshkruar veprimtarinë e tyre atdhetare, në dobi të trojeve etnike arbërore.
Një rast i tillë, që po bën bujë, është shembulli i klerikut të nderuar dhe respektuar në komunitetin shqiptar këtu në Amerikë, I Përndershmi Dom Anton Kçira.
Kështu Presidentia aktuale e Dardanisë së lashtë, anashkaloi me qëllim vlerësimin e kontributit të madh, që ka dhënë prej shumë dekadash në Kosovë dhe Amerikë (Ai shugurohet si meshtarë në Gjakovë, më 29 Qershor 1967, në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit), kleriku i shquar patriot dhe aktivisti i palodhur i komunitetit tonë, lideri shpirtëror i përvuajtur katolik në Detroit I Përndershmi Dom Anton Kçira.
Arsyeja, mbetet deri më sot pa shpiegim absurd, kur kjo mosmirënjohje i vjen pikërisht prej vendlindjes së meshtarit Dom Anton Kçira, ku, përsëritet disa herë. Presidentia e Dardanisë, nuk e di apo nuk do t’ia di me ndërgjegje të plotë, se disa liderë fetarë, si: Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989), Imam Isa Hoxha në New York dhe I Përndershmi Dom Anton Kçira në Michigan, kanë qenë gjithnjë në krye të demostratave, për lirinë fetare dhe rrëzimin e komunizmit në Shqipëri e Dardani.
“Jehona e veprimtarisë së don Anton Kçirës, bëri dritë si një yll mëngjesi, para opinionit liridashës e demokratik ndërkombëtar, duke e treguar të vërtetën autentike, që në atë kohë shqiptarët e përjetonin nga regjimi okupues serb.
Ta përkujtojmë organizimin e shumë demonstratave të tij, në shumë vende të Amerikës; organizimin e demonstratave në Rambuje, fjalimin e tij të zjarrtë para ish Presidentit amerikan, shpëtimtarit të Kosovës, Bill Clinton:
“Edhe njëherë jam duke ju drejtuar Ju z. President, se prapë kemi ardhur para Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit Amerikan, para Shtëpisë, e cila ka kandarin e drejtësisë.
Nuk e di, për të satën herë bashkohemi ne shqiptarët, jo vetëm këtu, por në të gjitha qendrat botërore.
Zoti President, ju lutem Ju dhe Senatit të ShBA-ve, që çmoni dinjitetin njerëzor, me vendosmëri më të madhe, të jepni kontributin Tuaj, duke e përtërirë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut në Atdheun tim”.
Prandaj, ndër shumë gurë, që janë hedhur në kalanë për lirinë dhe demokracinë e Kosovës, janë edhe gurët e dom Anton Kçirës, të cilët ai i konsideron si një borxh të vogël ndaj atdheut dhe popullit të tij.”, analizon me saktësi studiuesi Prof. Prenkë Gjetaj.
Klerikët e sipërcituar, janë përkrahur dhe mbështetur nga laikë të komunitetit tonë prej dekadash, duke punuar e luftuar pareshtuar, për ndërgjegjësimin e çështjes së Dardanisë, para senatorëve, kongresistëve dhe miqve të shumtë amerikanë, në shtetin e Michiganit dhe gjetkë.
Ky akt i turpshëm e i përsëritur, mbetet të gjykohet nga ndërgjegja e munguar e Presidentes të pakulturuar të Dardanisë, që në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit (Qershor 2013), shpërndau (për 100 vite të marrë sëbashku) me lopata dhe makina të ngarkuar plot dekorata dhe motivacione fallco, për një pjesë të komunitetit tonë apo institucioneve fetare, duke lënë jashtë me paramendim meshtarin tonë katolik, Të Përndershmin Dom Anton Kçira.
Kryetarja e Dardanisë e ai i Shqipërisë, nuk kanë patur rast të shfletojnë periodikët e përkoshme të shtypit këtu në Amerikë, për të mësuar zyrtarët e tyre, me fakte dhe argumente historike meritat e secilit, që shpesh apriori i kanë dekoruar me tituj të pamerituar dhe lënë më ndërgjegje në harresë përsonazhet e vërtetë të komunitetit tonë. Këtu, ka me dhjetra revista, gazeta, libra foto nga demostratat, gjatë dekatës së shekullit XX në New York dhe Washington D.C., para Shtëpisë së Bardhë etj., etj., që flasin, për kontributin e madhe të Dom Anton Kçirës etj.
Shumë mirë, që u dekorua Kisha e Shën Palit në Detroit, po meshtari, që shërbei për 22 vjet në këtë Qendër të Mirëfilltë Shqiptare Fetare dhe Atdhetare, i Perndershmi Dom Anton Kçira, nuk e meritonte një vlerësim apo dekoratë të tillë…!!!???
Shfletoni kujtesën historike të largët dhe të freskët të ditëve tona, se lehtësisht do të shihni të vërtetën, ku, në çdo reportazh, foto, gazetë, revistë, libra me kujtime, studime, biografi, tubime me fjalime atdhetare, fotografi të shumta, është gjithkund i pranishëm dhe aktiv, kontributi i madh i meshtarit patriot Dom Anton Kçira.
Meqe Presidenti z. Nishani, si kalimtar apo turist i rastit, nuk i ka ditur këto kontribute, që janë historia e pamohueshme e komunitetit tonë në Amerikë, ata që e kanë “informuar” me s’mirëzi dhe xhelozi, e kanë keqinformuar e keqinterpretuar me qëllim dinak biografinë e tij, një veprim tinzar dhe aspak burrëror, për të mohuar atë mision jetësor, të spikatur fetar dhe patriotik, që s’mund t’a mohoj e pagabueshmja nëna histori.
Dekoratën e mirënjohjes, më të madhe plot zemër, me falënderime te vijueshme nga shpirti i mirënjohjes Dom Antonit, ia kanë dhënë populli i Dardanisë dhe Shqipërisë, sepse për t’a ka punuar dhe vepruar (vepron edhe sot, si bari i grigjes se vet), sikurse shprehet shpesh, se “do t’i shërbej popullit deri në pikën e fundit të gjakut”, pse kështu është betuar si shqiptar i përkushtuar para Krishtit Zot e Njeri.
Bariun tonë shembullorë, e kanë falënderuar fshatarët e Velipojës, të cilëve u ka krijuar mundësi të kenë Shtepinë e Zotit, njerëzit e varfër të Shkodrës dhe rrethinave, të cilëve u ka dhuruar ndihma në veshmbathje dhe ushqime, Motrat e Misionit të Dashurisë të Të Lumës Nënë Tereza, në qytetin e Shkodrës, dëshmitar i së cilit vazhdimisht, ka qenë edhe autori i këtij shkrimi modest.
Patrioti dhe bariu i mirë i grigjës së vet, ka ndihmuar me strehime dhe ushqime, me mijëra të shpëngulur dardanë, gjatë eksodit biblik drejt shtetit amë, për t’i shpëtuar makinës ushtarake shfarosëse serbe, ku, unë kam qenë dëshmitarë, në shumë qendra të sistemit të tyre, pranë Kishës Katolike, në qytetin e Shkodrës.
Fratin tonë, sikurse e thërret me respekt komuniteti malësor shqiptarë në Michigan, mesë shumti e kanë vlerësuar komuniteti muslimanë në Kosovë e Amerikë, sepse Dom Antoni, ka qenë dhe mbetet lider i rëndesishëm i komunitetit shqiptaro-amerikanë për një kohë të gjatë.
E drejta vonon, por kurrsesi nuk harron!. Kështu i ndodhi edhe Pader Piu, që sot është shpallur i Shenjt nga Kisha Katolike Romane. Jeta dhe vepra e Tij, është bërë e mirënjohur vonë, shumë vonë…, por më mirë vonë se kurrë!
Por, të gjithë që jetojmë dhe punojmë prej shumë vitësh në Amerikë, e dijmë se pa inisiativën dhe mbështetjen e pakufishme të këtij meshtari të përkushtuar, për Fe e Atdhe në Detroit, qysh nga viti 1989 dhe deri më 2011, nuk do të ishin bërë shumë mitingje, demostrata, grumbullime fondesh për çeshtjen shqiptare të Dardanisë, ndihmen e pakursyer direkte për Shqipërinë, popullin e masakruar martir dardan në vitin 1999, kur dihet, se ky klerik patriot, ka qenë „persona non grata“, për ish Jugosllavinë titiste asokohe, si i perndjekur, për t’a vrarë me gjithe familje…
Për atdhetarin e flaktë Dom Kçira, Elteri i Krishtit, ka qenë edhe Elteri i Kombit Shqiptar, çeshtjes shqiptare padallim feje, krahine dhe ideje.
Mosmirënjohja, si dukuri e përditshme (për fat të keq), dihet se është një sëmundje ngjitëse apo cilësi negative e marrë si virus nga koha barbare otomano-komuniste, të cilën mjerisht e përqafuan shqiptarët apo pjesa më e dobët në karakter (si telpërdredhur, servilë me shumë flamuj), e cila mbërriti edhe në Amerikë. Të vjen keq, kur meson, se mosmirënjohja mbisundon si sëmundje tek disa shqiptarë në Detroit.
Si ka mundsi, të heshtet me turp, para një absurdi të Presidentit z. Nishani, ku, askush se di, se kush ishte ai meshtar shpirtëror në Kishën e Shën Palit, i cili, në harkun kohor të vitëve 1989-2011, deri në moshën 70 vjeçare i bashkoi e i udhehoqi si një nënë e mirë, në ditët e vështira besimtarët halleshumë nga trojet e ndryshme shqiptare.
E pra, Dom Antoni, nuk ka nevoj për këto dekorata me “rekomandime”, sikurse shpërndaheshin një herë e një kohë gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Për fat të keq, po u jepen sot me zhurmë dhe dukje pa modesti, vetem mureve apo objekteve jofrymorë, që nuk kanë ndërgjegje të kuptojnë apo të tregojnë, se si u ndërtuan apo u mbajtën gjallë vatrat shqiptare, të mbushura me plot besimtarë, në ambientet komode kombëtare në kishën me tradita tipike shqiptare.
Kësisoj buron argumenti logjik, se historia e komunitetit katolik në Detroit, nuk mund të kuptohet, pa meshtarët pararendës të Kishës së Shën Palit, si: Dom Prek Ndrevashaj, Dom Prek Camaj dhe pasuesi i tij i zellshëm Dom Anton Kçira, që ka punuar dhe jetuar mes komunitetit tonë, në ditët me halle të shumta të emigrantëve tanë në Amerikë.
Klerikët dhe më sëshumti I Përndershmi Dom Anton Kçira, janë përballë edhe elementin antishqiptar dhe me komunistët e thekshëm (për fat të keq bashkëatdhetarë), që kanë synuar t’a shkatërrojnë meshtarin dhe Kishën e Shën Palit në Detroit.
Por meshtari dhe besimtarët, dolën ngallënjyes, në saj edhe të kontributit të drejtperdrejtë të Dom Anton Kçirës.
Sa ironike tingëllon sot, mospërfillja ndaj Dom Antonit. Çfarë do të thotë të nderosh me Urdhërin apo Medaljen e “Nderi i Kombit” apo “Gjergj Kastrioti”, pikërisht Kishën dhe jo meshtarin në shërbim të këtij institucioni shpirtëror dhe thellësisht kombëtar shqiptar Dom Anton Kçirën, i cili, ishte i pari që hyri në Shqipëri dhe mbeshteti të ndjerin e përsekutuar gjatë rregjimit komunisto-ateist Dom Simon Jubanin (1927-2011), për Ringjalljen e nevojshme dhe të domosdoshme të Kishës Katolike dhe hierarkisë në shtetin amë!? Ai solli me vete 300 palë petka të reja, të nevojshme, për të thenë meshën klerikët para popullit, të etur për Fjalën e Zotit.
Pra, populli, pa meshtarin dhe meshtari pa popullin besimtarë, nuk mund të kuptohen, sado inatçor që të jesh.
Ndërsa Kisha Katolike z. President, të cilën nuk ia njihni historinë e lavdishme me martirizime mbi 2000-vjeçare, është objekt kulti i krishterë, që drejtohet nga meshtari, ku, ai ka shtëpinë e tij (qelën pranë Shtëpisë së Zotit), dhe mbahet nga lëmosha dhe bujaria fisnike e popullit.
Z. President Nishani, gabuat rëndë, që e ndatë me thikën ateisto-komuniste Kishën nga meshtari, mbasi Kisha, është figurativisht nëna dhe babai i meshtarit, që gjithë jetën ia ka kushtuar Kishës dhe Krishtit të Tij…
Por ty të falet z. President, se nuk i përket besimit të krishterë! Por nga ana e tjetër, nuk të lejohet të fyesh meshtarin me mosvlerësim tepër të merituar denjësisht e për me keq t’a ndash dhe atë nga Shtëpia e Zotit dhe e tij.
A mund të permenden veprat letrare me tharm të pastër atdhetarë, të poetit brilant Fishtës, sikurse është: ‚Lahuta e Malcis‘, pa cituar autorin dhe t’i japësh çmime e dekorata nderi asaj, pa e vlerësuar e nderuar mendjen dhe dorën e begatë patriotike të poetit kombëtar At Gjergj Fishtën O.F.M. (1870-1940).
Meshtari i ri, sot në Kishën e Shën Palit, nuk do të ishte në atë vend apo fron shpirtëror, nëse kjo Katedrale e Re (më e madhja në të gjithë botën shqiptare në diasporë, që ndodhet si krenare në Rochester Hills, Detroit), po të mos ishte ndertuar me kontributin e madh të malësorëve bujarë, të drejtuar me urtësi, zgjuarësi, durim, vendosmëri dhe largpamësi atdhedashurie nga meshtari i palodhur, i nderuar e respektuar I Përndershmi Dom Anton Kçira. Kisha e Shën Palit, kurrësesi nuk mund të kuptohet pa Dom Antonin.
Ata mosmirënjohës të meshtarit pararendës (sot në pesnsion), që i kanë sugjeruar Presidentit të vleresohet Kisha e Re dhe jo meshtari i saj Dom Anton Kçira, nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse kanë mohuar punën dhe djersën e malësorëve, të derdhur sëbashku me meshtarin aktiv e të palodhur asokohe, në themelet e Shtëpisë së Zotit.
Të mos i dërgosh ftese për dekoratë, kjoftë kjo edhe suprizë tashmë, që ai ka dalur në pension dhe për më keq, t’a anashkalosh meshtarin e palodhur të çështjes kombëtare, është njësoj sikur të veprosh si diktatura komuniste në Shqipëri 1944-1990, ku, mohoi kategorikisht apo përbalti sistematikisht dhe qëllimisht, gjithë kontributin e shquar të dhënë ndër shekuj nga ana e klerit katolik shqiptar dhe të huaj, për popullin dhe historinë, gjuhën dhe letërsinë, kulturën dhe traditën shqiptare.
Mosprania e tij dhe mosvlerësimi me titull nderi (permes anashkalimit si fyerje) në atë tubim aspak burrëror dhe mungesa e mirënjohjes nga shteti amë, për këtë meshtarë trim dhe bujar, sypatrembur dhe të vendosur, për çeshtjen shqiptare dhe fetare, është turp i rëndë, të cilën historia herët ose vonë do t’a korgjoi patjetër…
A mund t’i mohosh atij gjithçka të dobishme, që ka organizuar me besimtarët, me dhjetra herë ndihma në veshmbathje dhe burime financiare, për ringjalljen e Kishës Katolike në trojet shqiptare dhe të disa kishave të rrënuar në themel nga komunizmi, kur Presidenti i sotshëm, ishte student dhe oficer ushtarak i rregjimit të Enver Hoxhës, mbronte në Shkollën e Bashkuar bustin e diktatorit gjirokastrit…
Dom Antoni, është i vetmi klerik në gjithë historinë mbarëshqiptare, që ka bekuar armët dhe luftëtarët e lirisë të Batalionit “Atlantikut”, drejt Dardanisë, shkruan poeti i mirënjohur Agim Shehu.
Nuk është traditë burrërore dhe as njerëzore, të mohosh të vërtetën historike, kontributin kundërkomunist apo jetën e tërë të shkrirë me ndërgjegje dhe besim të plotë, për trinomin udhëheqës: ‘Fe, Atdhe, Peparim’, nga Gjakova në Detroit, të patriotit të pastër shqiptar Dom Anton Kçirës.
Historia, është mësuesja dhe nëna e pagabueshme, që ka folur dhe do të flas serisht me gjuhën reale të fakteve, për punën e madhe dhe jetën në përkushtim të kombit dhe fesë, që ka bërë gjithnjë, I Perndershmi me përvujtëri dhe modesti Dom Anton Kçira.
Një fakt nga historia. “Më 13 Qershor 1968, në meshën kryesore të Ditës së Shna Ndout (Shën Antonit), në Gjakovë, gjatë predikimit plot elokuencë bariu i përvuajtur shpirtëror, ishte i sigurtë në përcjelljen e mesazheve fetare dhe atdhetare tek besimtarët e shumtë, që asokohe kishin ardhur nga shumë zona të largëta për t’a dëgjuar.
Por si dukej, ai kishte ra shumë shpejt në sy të keq, tek pushteti sllavo-komunist i ish-Jugosllavisë asokohe, që kishte vënë agjentët e UDB-së, të cilët, mbetën të habitur nga fjalët plot urretje kundër komunizmit… Dom Antoni, që e dinte se UDB-ja ishte prezent me njerëzit e vet, nuk i bente syri tërr.”, shkruan studiuesi T. Mrijaj.
„E keqja e Shqipërisë janë shqiptarët dhe tani që u bë Shqipëria, na duhet të bëjmë shqiptarët“, ka thene i madhi mendjendritur Faik Konica.
Unë mendoj, se 50% e atij vlerësimi apo dekorate të dhënë për Kishën e Shën Palit nga Presidenti z. Nishani, i takon Dom Anton Kçirës dhe 50% “objektit” të heshtur apo institucionit të popullit kristian shqiptar në Detroit.
Figurat, që perfaqsojnë unitetin kombëtar apo shtetin shqiptar, duhet të ruhen nga shpërlarja e trurit, që u vjen nga keqinformimi dhe propaganda komuniste “moderne”, me kostum “demokratik”, që shpesh me ose padëshirë po prek si sëmundje ngjitëse liderët e shtetit amë.
Kisha dhe meshtarët, nuk janë të ndarë nga njëri-tjetri tash mbi 2000 vjet Mr. President, por janë në unitet, të lidhur si mishi me kockën.
Unë do të thoja z. President, se është njësoj, sikur mbas 4 vjetëve, Presidenti pasardhës të dekoroi Presidencën, gjatë periudhës, që keni drejtuar ju z. Nishani, por pa ju permendur në emër e mbiemer. Si do të ndjeheshit ju, kur dekorata t’i jepet Presidencës e jo juve direkt!? Po kush e ka drejtuar Presidencën (me urdhër të peshkut) Ju apo Presidenca Ju!? (si në përrallat e një mijë e një netëve), i duhet bërë natyrshëm sërisht kjo pyetje retorike atij, që ka menduar t’a dekoroi Presidencën por pa Ju.
Eshte njësoj sikur të dekorohet Kisha Katolike Shqiptare ‘Zoja e Shkodrës’ në Harsdale New York, dhe të mos vlerësohen me të njëjtin titull barinjtë shpirtërorë, si: themeluesi Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989), Shkelqësia e Tij Arqipeshkevi Metropolitan Tiranë-Durrës Imzot Rrok Mirdita dhe I Perndershmi Dom Pjeter Popaj.
Faktet flasin vete! Kjo është fyerje, dhe pabesi tipike anadollake turke, për komunitetin katolik në Amerikë, Kishën dhe meshtarët e përkushtuar dje dhe sot për ‘Fe dhe Atdhe’…
klajdkapinova@yahoo.com

Studiesi i mjedologjisë Dr. Mentor Quku, autor i kolanës së 14 librave kushtuar Dom Ndre Mjedës, për meshtarin tonë të shquar, ka vlërësuar kështu, në librin: “Dom Ndre Mjeda 3, Librit Dytë”: “… Dom Anton Kçirën për herë të parë e kam takuar në vitin 1995…
Edhe më parë kisha dëgjuar për Dom Anton Kçirën, i cili me enërgji të pashtershme, punonte për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në diasporë, si dhe për rritjen e emërit të Shqipërisë në botë. Shkoja për herë të parë në tokën e ShBA dhe pata në këtë rast shumë takime me personalitete të shquara të diasporës.
I paharrueshëm do të mbetet takimi që pata në kishën e Shën Palit në Detroit. Ishte enërgjik dhe shumë i ngrohtë në takimin e parë që pata me te. Nga ky takim përforcova përshtypjet e mia, mbi rolin e madh, që luante ky shqiptar në diasporë për çështjen kombëtare, duke filluar nga mesha në gjuhën shqipe, që po mbante dhe për këmbënguljen e tij për ruajtjen e traditave e vlerave kombëtare të shqiptarëve në emigracion…
E quaj fat, që u ndodha në mes të bashkësisë së kësaj kishe, si dhe pranë këtij personaliteti të shquar, në festimete e Ditës së Flamurit.
Kësaj radhe, unë pashë me sytë e mij kishën, se si, me nismën e Dom Antonit, ishte ngritur një nga kishat më të mëdha në botën shqiptare, e cila ishte kthyer në një muze historik, të rrallë në llojin e vet, që edukonte shqiptarët me besimin në Zotin, dhe me dashuri të zjarrtë për atdheun e të parëve e për kombin shqiptar.
Me nismën e këtij misionari dhe shqiptari të madh, erdhi në ShBA monumenti madhështor i Gjergj Kastriotit, epoka e të cilit është më e lavdishmja në historinë tonë, është elementi më i qenësishëm i krenarisë sonë kombëtare.
Është e jashtëzakonshme puna e tij në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës, si edhe për çështjen tonë kombëtare.
Ky apostull i shqiptarizmës, ky luftëtar për lirinë dhe të drejtat e njeriut, për lirinë dhe përparimin e Kosovës martire, për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar, çdo ditë punon me pasion djaloshar për figurat e shquara kombëtare, si: Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Dedë Gjon Luli, Isa Boletini, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, e shumë të tjerë.
Tek ai gjeta një apostull të vërtetë, një vazhdues të denjë të veprës së rilindasve të mëdhenj, gjeta një iliras të ri, një Ndre Mjedë të ri, të shekullit të ri.
Formimi i tij atdhetar binte në sy menjëherë dhe kjo lidhej me vlerat tona kombëtare.
Ai i shihte të bashkuara në mënyrë të pazgjidhshme dy pjesët përberëse të binomit Fe e Atdhe, si dy shtylla të progresit e civilizimit të kombit tonë të shumëvuajtur…
Nuk mund t’i mbyll këta radhë pa tërhequr vëmendjen se figura e këtij apostulli të kombit shqiptar, duhet të përjetësohen me ngritjen e busteve, emërtimin e shesheve e rrugëve, insititucioneve shkencore e arsimore.
Të gjithë kombet e qytetëruara në botë, i përjetësojnë figura të tilla, duke i renditur me respekt në Panteonin Kombëtar.”

Klajd Kapinova – itervista me Don A.Kqiren
Klajd Kapinova – itervista me Don A.Kqiren

A.Kqira

libri

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen