Epoka postmoderne dhe kostumet e vjetra të qytetërimit modern…

OP-ED | Zef Prenka | 06.02.14 | 22:24

(Qytetërimi ynë dhe efektet e postmodernitetit)

Nga Gëzim Tushi

Ka dy dekada të paktën që qytetërimi ynë në rrjedhat e zhvillimeve universale po kalon në mënyrë suksesive dhe në trajtë sociale të pandërprerë, krizat e veta të adoptimit ontologjik me kohën postmoderne. Të gjitha zhvillimet sociale, turbulencat e qytetërimit, shqetësimet ekzistenciale të qytetarit shqiptar, tashmë në mënyrë të pakthyeshme janë të bashkë shoqëruara me krizat e forta identitare dhe ekzistenciale të epokës sonë. Në këto kushte, adoptimi me kohën dhe sfidat e qytetërimit nuk mund të bëhet jashtë determinimeve të përcaktimeve të reja postmoderne, pa vlerësimin e koncepteve të ndryshueshme të natyrës dhe thelbit të qytetarit europian.

Gëzim Tushi

Gëzim Tushi

Beteja ekzistenciale e qytetërimit tonë është së pari në sferën e koncepteve, për të kuptuar dhe interpretuar qytetërimin dhe jetën e qytetëruar. Në çdo kohë dhe gjithnjë kjo ka qenë një nga betejat filozofike, sociologjike, morale, pse jo edhe ideologjike nga më të koklaviturat. Por në kohën tonë, që tashmë janë të gjithë treguesit që të konsiderohet si kohë postmoderne e qytetërimit, beteja për të bërë “përcaktime” dhe “përkufizime” të duhura, që t’i shërbejnë kuptimit të realitetit dhe shpjegimit të fakteve dhe realiteteve të transformuara të qytetërimit dhe natyrës së ndryshuar të qytetarit aktual, është bërë veçanërisht e ndërlikuar. Situatat nuk kanë pothuaj fare ngjashmëri për nga problematika dhe intensiteti në se krahasimet që bëjmë me të kaluarën tonë.

Në fakt qytetërimi modern (jo ynë që ishte në pjesën e perandorisë së të keqes) për një kohë të gjatë u udhëhoq dhe u bazua tek ideja e vjetër filozofike, morale dhe sociologjike, për mundësinë e ndërtimit të “shoqërisë së qetë” dhe “qytetërimit të sigurt”. Epoka moderne e shtrirë gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të, mori tre goditje të forta teorike e konceptuale nga ndikimet qe patën në shoqëri zbulimet, analizat dhe koncepsionet fondamentale teorike të Marksit, Frojdit dhe Niçes. Të tre këta korifej të mendimit modern, sollën gjëra të reja për kohën e tyre. Sot mund të mos kenë shkëlqimin, sigurinë konceptuale dhe garancinë sociale që patën në kohën e tyre.

Por ato mbeten sinteza me dimension të madh për kohën dhe qytetërimin e tyre. Nuk mund të mohohet fakti që Marksi “zbuloi” mungesën e një qytetërimi me “harmoni ekonomike”, Frojdi zbuloi njeriun e vërtetë pa harmoninë e duhur psikologjike, për shkak të ndikimit të instiktive dhe rolit të tyre në jetën e vërtetë të njeriut, dhe Niçe u bë prekursori dhe ikonoklasti i gjërave tabu, i mungesës së të shenjtëruarës, shkatërruesi i idesë së ndërtimit të qytetërimit mbi bazën e ideve false, të përpunuara në “manastiret morale”, duke u bërë kështu paralajmëruesi i nihilizmit social.

Sot qytetërimi ynë ka marrë trajta sociale dhe zhvillime të reja konceptuale. Nuk besoj se ka njeri dyshim që realitetet e qytetërimit dhe natyra e njeriut të shekullit të 21, të ketë ngjashmëri të shumta dhe të thella me natyrën e qytetërimit dhe fizionominë e qytetarit të epokës së Marksit, Frojdit, Niçes. Gjërat kanë ecur shumë shpejt dhe ndryshimet janë të thella dhe shumë të mëdha. Realitetet e qytetërimit dhe natyrës së njeriut të epokës postmoderne, postmaterialiste, pa sisteme morale të forta dhe besime të mëdha, pa determinantë ideologjik e filozofik, e ka bërë natyrën e qytetërimit tonë shumë delikat, të rrëshqitshëm dhe të vështirë për ta përcaktuar. Realiteti në të cilin jetojmë duke qenë me fizionomi postmoderne, është në të gjitha kuptimet, përtej kufijve të përcaktimeve të korifejve të tillë të mëdhenj të epokës moderne.

Në këto kushte, problemet e mëdha që shfaq ky qytetërim dhe natyra diverse, e papërcaktuar e qytetarit janë bërë të vështira për t’i përkufizuar si tipologji dhe fenomene sociale. Sepse me sa duket, sipas mendimit tim, pa mohuar ekzistencën e filozofëve, sociologëve dhe dijetarëve të mëdhenj të shoqërisë dhe qytetërimit tonë postmodern, duket qartë se kohës dhe qytetërimit tonë, akoma nuk i kanë ardhur mendje dhe kapacitete të tilla si Marksi, Frojdi, Niçe, të cilët të bëjnë kornizimin e qëndrueshëm konceptual të këtij lloj qytetërimi postmodern, të këtij qytetari, që duke qenë gjithnjë e më pak me natyrë sociale, shfaqet si njeri pa dimension.

Problemi është serioz, sipas mendimit tim, sepse një pjese e madhe e situatës që përjetojmë, e vështirësive konceptuale dhe ndërtimit të lidhjeve midis qytetërimit dhe qytetarit në kohën tonë, padyshim që është e lidhur me mungesën e ideve, përcaktimeve, përkufizimeve që kanë vlerë mbi atë që duket, përtej natyrës jetës empirike dhe sjelljes së përditshme njerëzore. Çështja është se kohës postmoderne duket se i mungon baza ekzistenciale, përcaktimet konceptuale dhe instrumentet funksionuese, që duhet të shërbejnë për të përcaktuar optimumet e ndërtimit dhe funksionimit të qytetërimit tonë. Kjo situatë tek ne ka shkaqet e veta. Por kjo nuk është vetëm për shoqërinë dhe qytetërimin tonë. Është problem universal i qytetërimit në nivel planetar. Me sa duket qytetërimi i sotëm është pa shumë terren të qëndrueshëm teorik, pa sistemin e vetë të qartë të koncepteve dhe vlerave të njohura, instruktive, shoqërisht dhe qytetarisht të pranuara.

Koha, qytetërimi dhe natyra e qytetarit i kanë kaluar kufijtë konceptuale të periudhës së qytetërimit modern, që sipas filozofëve konceptualisht dhe realisht ka qenë i bazuar në zbulimet e mëdha te këtyre tre kolosëve te qytetërimit modern. Problemi është a ka në kohën tonë korifej me ide të mëdha të orientimit të qyteterimit postmodern? Si do ecim dhe nga do shkojnë qytetërimet në këtë shekull te ri te thellimit të krizave dhe shfaqjes se fenomeneve te reja të panjohura dhe të “paklasifikuara” të kohës së postmodernitetit?

Besoj se tani shoqëria dhe njerëzit tanë janë të detyruar të bëjnë reflektimet e duhura. Shoqëria, qytetërimi dhe qytetarët tanë kanë nevojë për orientime të shëndetëshme, që të jenë në përshtatje me kohën dhe imperativat e saj. Kjo etapë e zhvillimeve sociale të qytetërimit tonë nuk është e lehtë. Ajo nuk mund të realizohet, në se nuk angazhojmë shoqërinë për t’u futur në betejën e re ekzistenciale, për të kuptuar konceptet e reja të qytetërimit postmodern, si kusht bazë për t’u përshtatur me kërkesat e “botës qytetare” dhe parametrat e jetës postmoderne”.

Në fund të fundit problemi që shtrohet sociologjikisht në këtë rast është: Çfarë duhet të bëjmë ? Duhet të ndryshojmë ne qytetarët që të përshtatemi me parametrat e postmodernitetit social apo duhet të besojmë se kemi mundësi dhe shanse që të ndryshojmë natyrën postmoderne të shoqërisë dhe qytetërimit tonë? Në të vërtetë gjërat në kohën tonë duhen thënë hapur. Kjo do të thotë që në vend që të vazhdojmë rrugën donkishoteske, duke bërë përpjekje pa rezultat për të ndryshuar tingullin e kohës, natyrën e shoqërisë dhe qytetërimit në të cilën jetojmë, është më e udhës të bëjmë përpjekjet e duhura që të përshtatemi me imperativat postmoderne të qytetërimit në të cilin jetojmë të përfshirë totalisht.

Sepse jemi në valët e shekullit njëzetë e një dhe thelbësisht duhet ta ndjejmë, se qytetërimi dhe qytetari ynë janë të detyruar të reflektojnë në shumë aspekte politike, sociale, psikologjike e materiale, për t’u përshtatur me sfidat elokuente dhe dinamike të fazës së qytetërimit dhe postmodernitetit. Kjo do të thotë që edhe ne duhet të fillojmë të mendojmë ndryshe për fenomenet e dukshme dhe të padukshme, të shfaqura apo të fshehura të qytetërimit tonë, duke qenë të bindur se ne që jemi qytetarë të këtij shekulli të ri. Bindja krijohet kur të pranojmë se nuk jetojmë më në kushtet e modernitetit të vjetër, por ndodhemi në rrethanat e ndërlikuara të postmodernitetit.

Zhvillimet e njëkohshme kulturore, arsimore, teknologjike dhe qytetërimore, në kohën tonë janë bërë faktor i rëndësishëm determinant, për përcaktimin e fizionomisë së qytetërimit postmodern shqiptar. Ka një bindje gati absolute sociologjike, se të gjitha qytetërimet lokale dhe kombëtare, të gjitha shoqëritë e tyre në këtë shekull, janë detyrimisht të përfshirë nga globalizmi dhe postmoderniteti, si dy shtyllat bazë të së ardhmes së qytetërimit bashkëkohor. Efektet e këtij realiteti postmodern mbi qytetarin e kohës sonë, janë ndryshe nga ato të ndikimeve të kohës moderne.

Dikur, kur ndryshimet në esencën e qytetërimit nuk kanë qenë kaq të vrullshme, të shpejta dhe të papërmbajtshme, sociologët e modernitetit e kushtin më të lehtë të përcaktonin natyrën e qytetërimit dhe karakterin e qytetarit të kohës modern. Ndaj, sociologët deri nga vitet 70 të shekullit që kaloi, që konsiderohet si “kufiri i sipërm” i modernitetit, duke dashur të përcaktojnë fenomenet e reja të qytetërimit modern para postmodernist, kishin kurajon intelektuale dhe besimin social të deklaronin se, “Bota moderne është po ajo, njerëzit janë po ata. Vetëm kanë ndërruar “kostumet”. Në të vërtetë këto përcaktime mund të ketë qenë të vërteta për kohën e tyre. Sot është e pamundur të jetë kështu, apo që për formulën e tyre të gjendet ndonjë ngjashmëri aplikative.

Padyshim, në një aspekt të përgjithshëm duke parë ndryshimet në shoqërinë dhe qytetërimin tonë mund të themi se mbetet në thelbin e vet, ideja sociologjike se bota shpirtërore, jeta sociale e qytetarit është po ajo e kohës modern. Përgjithësisht e përbërë nga jeta me intriga, urrejtje, dashuri, luftë, etj. Kjo vlen deri në kufirin e vjetër të përcaktimit të “bazës ekzistenciale” të përjetshme e qytetërimit dhe natyrës së sjelljes së njeriut. Por nga ana tjetër, në se shikojmë tipologjinë e zhvillimeve të sotme dhe fenomenologjinë e shfaqjes së dukurive sociale, duket dhe është e sigurt që në kohën e sotme, ato “tipare universale” të kohës, qytetërimit dhe natyrës së njeriut postmodern kanë marrë tjetër trajtë, veprim shumë intensiv dhe tipologji diverse dhe shumë të papërcaktuar.

Tani qytetërimi dhe qytetarët nuk kanë “ndërruar vetëm kostumet”. Kanë ndryshuar shumë përcaktime të thelbit të jetës dhe natyrës së qytetërimit tonë. Të cilat kanë nevojë të analizohen mirë, të studiohen fort, në mënyrë që të ndërtojmë koncepte dhe parime të reja funksionuese, që i duhen mbijetesës dhe zhvillimit të qytetërimit tonë postmodern. Bashkë me të, edhe i aftësive përshtatëse të njeriut si qytetar i saj…/TO/

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen