Subjekti, niveli artistik dhe thellësia e mendimit janë të arrira me vlerë të veçanta

Analiza & Komente | Zef Prenka | 06.09.14 | 22:10

(Disa aspekte rreth romanit “Rrugëtim nën zë” (2014), të autorit Mikel Gojani)
Pjetër Nikolla, Tiranë

Posa lexova me vëmendje romanin “Rrugëtim nën zë”, të autorit Mikel Gojani, shumëçka më bëri përshtypje. Subjekti, niveli artistik, thellësia e mendimit dhe mënyra e shtjellimit të tregimeve në roman janë të arrira dhe me vlera të veçanta.

Pjetër Nikolla

Pjetër Nikolla

Subjekti i Romanit në aksiologjinë e tij me personazhet është ndërtuar nga ana artistike me fantazi të rrallë, me vijueshmëri e përfundim jo të zakontë, por me një përzgjedhje idesh e ngjarjesh që lexuesi i ndjen dhe i përjeton. Personazhi “Nini”, shtjellohet mjaft i komplikuar. Fantazia e autorit si krijues e paraqet personazhin që në fëmijëri i etur për dije e arsim, më pas, kur u bë mësues konsolidohet në krijimtarinë letrare. Në marrëdhënie me njerëzit, kolegët që e rrethojnë e veçanërisht me personazhin S. dhe të tjerë, paraqitet i njerëzishëm, i sinqertë e gjithnjë i preokupuar për të rritur dijet e tij në artin e të shkruarit.
Dallgët e jetës të personazhit, në një det të trazuar, nëpër të cilin mbijetoi me S. (Sibora), e kolegët e tjerë, me plagët shpirtërore që rëndonin sa mali me një përballje në botën e brendshme shpirtërore të njeriut, hera herës vështirësonin jetën.
Personazhi “Nini” përshkruhet me ndjenjë e thellësi mendimi, rëndesa e barrës së tij në botën e brendshme arrinte dilemën e jetës a vdekjes, natyrisht lëkundjet me barrën e rëndë shpirtërore, mohoi jetën për të treguar se ajo peshë vë në dilemë mendjen njerëzore, të rrojë, atë mos rrojë.
Autori paraqet marrëdhëniet e ndërlikuara me shumë dashuri e natyrshmëri që herë – herë vështirësohen e bëhen të pashpresa, duke paraqitur dhimbjen e brendshme të Ninit, që e mundon njeriun për një moral të lartë në vorbullën e zhgënjimeve që ndodhej, për një dashuri njerëzore për S-në (Siborën), ku situatat e pamundësia bënin të ndrydheshin ndjenjat, shpirti e zemra, që mbi to rëndonin dhe gurët e nëndheshëm.
Në roman ngjarjet zhvillohen të menaxhuara me maturi të marrëdhënieve, të Ninit me S-në dhe kolegen Sibora të cilët kalojnë peripeci e vështirësi të shumta të jetës, por ata natyrshëm vazhduan jetën, shprehnin ndjenjat e shpirtit në romanet e poezitë e tyre që tregonin optimizmin se jeta duhet të vazhdojë, se veprat e tyre do të lënë gjurmë e përjetësi.
Autori tek personazhi “Nini”, nga pesha e dhimbjes e pasojave deri në humbjen e aftësive psikike e fizike, megjithëse e fokuson vdekjen, fatmirësisht, nënkuptohet se jeta vazhdon. Atë e tregojnë ngjarjet e zhvilluara në veprat e tij letrare të shkruara se ai vazhdon të jetojë, me një moral të lartë, një vullnet të çeliktë, për të bërë diçka të dobishme. Autori zgjodhi një fund tragjik për personazhin “Nini”, i imponuar nga ambienti jetësor i mbytur nga zakoni dhe i rënduar nga gjendja shpirtërore..
Shkrimtari e regjisori gjejnë mënyrën që edhe me një fund tragjik të personazhit të tyre të edukojnë, ndoshta ndonjëherë dhe më mirë nga një fund pozitiv, këtu qëndron merita e autorit. Ndërkohë, që, po ndodhin mjaft raste që mohojnë jetën, autori tregon vdekjen e cila është një kambanë që bie për ata që e dëgjojnë, që shkaktarët të vihen në shënjestër, sepse njeriu e do jetën, por kur e mbysin rrethanat e bëjnë atë të pamundur . Autori, këtu jep piskamën e këtyre ngjarjeve tragjike për t’i ndaluar, sepse janë të dënueshme nga vetë jeta. Ashtu si përshkruhet opinioni në vendngjarje, se duhej një ndihmë më e madhe nga njerëzit që rrethonin Ninin.
Është e drejta e lexuesit të pajtohet apo jo me autorin; por dhe autori vetë nuk e sheh problemin tek lexuesi, por tek angazhimi në zhvillimet qytetëruese, madje ai duket i vetëdijshëm se më së shpeshti do të jetë kritik, kjo është e veçanta e autorit që shfaqet seriozisht dhe kësaj ia ka arritur.
Personazhi Xha Lazri nga ana tjetër qëndron madhërishëm në subjektin e romanit. Përshkrimet e gdhendura me mjeshtëri artistike, karakteri i veçantë i personazhit i ndërthurur edhe me Xha Lazrin i cili tregon ngjarje, për Marin Sh., jo vetëm si mësues, pedagog dhe edukator, por edhe si atdhetar i spikatur; këtu autori ngërthen, i përgjithëson traditat më të mira, virtytet e njerëzve, dashurinë për çdo cep ku kanë shkelur të parët tanë, dashurinë e thellë për dije e arsim për fëmijët e brezat e ardhshëm që të arsimohen me ato tradita që mbrunte në damarët e në gjakun e tij mësuesi Marin.
Po ashtu autori ngulit te lexuesi inteligjencën e mësuesit, këmbënguljen dhe vullnetin e pakufishëm për të futur në zemrën e fëmijëve e të brezit të ri frymën atdhetare, sakrificën për të mbrojtur trojet shqiptare, që edhe shqiptarët të bashkohen e të jenë të lirë në trojet e veta si çdo komb tjetër e për të mos u besuar intrigave shoviniste Serbo-malazeze apo greke e pretendimeve të tyre absurde territoriale; për të kujtuar gjithnjë dhimbjet e mëdha që i kanë shkaktuar kombit tonë.
Pra, personazhi Marin Sh. skalitet me mjeshtri nga autori dhe paraqitet si frymëzues, jo vetëm për lexuesin, por për gjithë brezat që vijnë. Ai është gdhendur nga autori si shëmbëlltyrë e model, për mësuesin, pedagogun, drejtuesin e arsimit, etj. Autori me mjeshtri mbështet ngjarjet historike të arsimit shqiptar, me përgjithësimin e tyre në roman dhe me përshkrimet e personazhet që e rrethojnë bënë të mundur që të ngrihet në art figura legjendare e mësuesit e të shkëlqejë si Emblemë Drite. E, megjithëse, mësuesi vritet nga forcat e errësirës, ai nuk vdes sepse mbetet ndër shekuj vepra e tij dhe frymëzim në pafundësi.
Prandaj, romani “Rrugëtim nën zë”, është një roman që ka vlerën e vet të veçantë, gjithashtu i cili njëherësh do ta begatojë fondin e librave të këtij zhanri letrar.

 

image

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen