Figura të harruara për 100 vjetorin Osman Jonuzi njeriu që ndërtoi shëndetësinë shqiptare

Histori & Fakte | admin | 17.11.12 | 09:07

Ndër figurat e harruara dhe që ende nuk kanë zënë vendin e tyre në këtë 100 vjetor mund të përmendim: Rifat Frashërin Drejtori i parë i shëndetësisë (ministër 1920), Osman Jonuzi Drejtor i Parë në Tiranë, Ruzhdi Bobrati kryeinspektor i shëndetësisë dhe kirurg, Sabri Tefiku themelues i patologjisë shqiptare, Bajram Emiri drejtor i institutit të bakterologjisë, Ismail Tartari themelues i radiologjisë (urdhër Kavalier i Madh në Itali 1930)

Vasil Heboviti kirurg, Sotir Polena kirurg në Gjirokastër, Spiro Treska kirurg dhe obsetër gjinekolog, Kristo Kristidhi okulist, Bezim Zyma otorin larinolog, Jorgji Jorgoni pediatër, Xhanfise Basha (Frashëri) Pediatre, Remzi Fico pediatër, Roza Buta pediatër, Stefan Pano dermatolog, Shyqyri Basha dermatolog, Kadri Kërçiku dermatolog, Beqir Puto drejtor spitali, Syria Pojani patolog, Ibrahim Dhami oculist, Jusuf Dashi Patolog, Jak Hopdari patolog, Hajrulla Harxhi, Jak Panteqi patolog, doktor Mokin Petruli, Sinan Sinani e shumë shumë të tjerë. Figura këto që kanë ngritur shëndetësinë shqiptare e cila në vitet 1920-1930 ishte në një situatë tejet të rëndë. Por me punën dhe kontributin e tyre u hodhën baza të një shëndetësie për të gjithë shqiptarët dhe një rrugë për mjekët e rinj.

Cili ishte doctor Osman Jonuzi

Osman Jonuzi ishte themelues i kirurgjisë dhe Gjinekologjisë shqiptare. Në vitin 1920 ai ishte drejtor i spitalit në Tiranë I cili në atë kohë ishte në godinën në të djathtë të Sahatit.

Jonuzi është nënshkrues i konventës ndërkombëtare më 24 qershor 1926 me të cilën u vedos hyrja e Shqipërisë në organizatën botërore të shëndetësisë. Këtu Shqipëria fitoi shumë bursa investime etj. Në atë kohë Jonuzi njihej si kundërshtar i Zogut, por anëtarësimi I Shqipërisë në këtë organizatë solli që dhe Zogu ta cilësojë Jonuzin si një patriot të madh. Ndërsa në vitin 1930 ai emërohet drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë e cila ishte e njëjtë me pozicionin e ministrit.

Ai njihet si organizator i shërbimit shëndetësor shqiptar në të gjtihë vendin. Ndërsa ka atributet si themelues i spitalit “Zogu I” në vitin 1932. Veprim me të cilin doktor Theodhosi dhe Tartari e quajtën veprën e madhe dhe e vendosën ndër të mirët në Ballkan. Një ikonë e madhe e Shqipërisë kur merita i takon doctor Osman Jonuzit. Ai është në të parët mjekë për kirurgji, urologji, ortopedi dhe gjinekologji.

Mjeku që punoi 56 vjet si kirurg dhe doli në pension në moshën 81 vjeçare. Ndërkohë që sot në këtë 100 vjetor mbetet i pavlerësuar dhe pse është i pari për këtë 100 vjetor të themelimit të shtetit shqiptar

Nga Prof. Doc. Flamur Tartari (mjeshtër i madh)

Dr. Osman Jonuzi (1879-1966)

babai i kirurgjisë shqiptare

Dr. Osman Jonuzi është një ndër mjekët më të vjetër patriotë që punoi pa u lodhur deri në fund të jetës së tij si pionier i kirurgjisë shqiptare. Ai lindi në Gjirokastër më 1879 në një familje të varfër qytetare që për arsye ekonomike emigroi në Greqi (Janinë) ku mbaroi shkollën fillore dhe më vonë në Manastir, ku doli shkëlqyeshëm në mësime, duke mbaruar shkollën e mesme (liceun), e cila i dha përparësi për të vazhduar në Stamboll Fakultetin e Mjekësisë. Qysh në bangat e shkollës ai pati si qëllim që t’i shërbente atdheut të tij. Ai bënte pjesë në grupin e të rinjve përparimtarë shqiptarë që mendonin për atdheun e tyre, Shqipërinë, sepse Shqipëria, thoshte profesori i tyre shqiptar, Rifat Frashëri, kërkon nga ju të mësoni mirë dhe të mendoni gjithnjë për mëmëdhenë e popullin, sepse ka nevojë të madhe për ju, prandaj duhet të shkoni patjetër atje për ndihmë.

Vetë profesori i tyre e realizoi i pari këtë detyrë, duke u ardhur në ndihmë me dijet e tij si mikrobiolog që ish.

Dr. Osmani, pasi mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll, në fillim të shekullit XX u detyrua të shërbente në ushtrinë turke në Mekë e më vonë ne Jemen. Atje qëndroi gati një vit dhe ndihmoi me dijet e tij dhe shumë shqiptarë (sipas kujtimeve të një veterani që kishte qenë vetë ushtar 6 vjet). Sidomos në kohën e fushatave ushtarake, për t’iu shmangur pikës së diellit nga temperatura e lartë, ai u bënte klizma me ujë të ftohtë si dhe i mblidhte me çarçafë të lagur.

Në 1912 dr. Osmani me gradën toger i ushtrisë turke si mjek në Tuniz, por pikërisht në atë kohë Shqipëria shpalli pavarësinë me në krye plakun patriot Ismail Qemali, i cili ngriti flamurin në Vlorë dhe dr. Osmani si patriot, atdhetar e përparimtar, u arratis nga Tunizi e shkoi në Maltë e, prej andej, me vështirësi erdhi në Vlorë, ku u vu në shërbim të popullit e qeverisë së Vlorës. Nga ky gjest i doktorit qeveria turke e shpalli person të padëshiruar në Turqi.

Në Vlorë ai dha dijet mjekësore sidomos duke mjekuar popullin dhe ushtrinë e qeverisë së Vlorës. Qëndroi gati një vit në Vlorë dhe nga mesi i vitit 1913 shkoi në Berat deri në vitin 1915-1916 ku, megjithëse kishte fëmijët shumë të sëmurë (dy fëmijë binjakë të vegjël), ashtu si shumë patriotë të tjerë shkuan në Korçë me M. Gramenon për të ndaluar andartët grekë që sulmuan zonën e Korçës, duke bërë krime në popullin e pafajshëm.

Dhe doktori mori pjesë së bashku me disa mjekë korçarë, si Vasil Polena, në çetën vullnetare të M. Gramenos etj., duke dhënë një ndihmesë të veçantë në mjekimin e të plagosurve. Ky gjest doktorit i kushtoi shtrenjtë në aspektin familjar, sepse kur u kthye pas 6 muajve në Berat i gjeti të dy fëmijët të vdekur nga lija. Më pas, në vitin 1917 e gjejmë doktor Osmanin si mjek bashkie dhe kirurg në Tiranë, por pa spital. Ai bënte mikrokirurgjinë në një ambulancë të vogël vetëm me dy-tre pinca, me një palë gërshërë, jodio e alkool, por ishte entuziast në punën e tij, ku gjithmonë në biseda me shokët e tij thoshte që mjeku që dëshiron t’i shërbejë popullit e fillon nga hiçi, duke dhënë disa shembuj të ndryshëm nga mjekë të vjetër shqiptarë dhe kish besim për të ardhmen, gjë që e arriti më vonë si themelues i kirugjisë shqiptare.

Dr. Osman Jonuzi me të drejtë quhet sot babai i kirurgjisë shqiptare.

Megjithëse në Shqipëri kish qendra të veçanta si spitale të vegjël apo ambulanca të ndryshme e që bënin atë pak kirurgji të vogël si ndihmesë për popullin, është meritë e dr. Osmanit që me vetëmohim i vuri vetes si qëllim të hapej shërbimi i kirurgjisë në Shqipëri në një qendër të madhe (si spitali), sepse edhe kushtet politike në atë kohë në vitet ‘20 ishin për shërbimin ndaj Shqipërisë për popullin fill pas Kongresit të Lushnjes në Tiranën e caktuar kryeqytet, mjekë patriotë, përparimtarë, të gjithë shqiptarë hapën spitalin tek Hani i Pashës (sot lulishte Drini tek Sahati). Drejtor i parë i tij dhe kirurg u caktua dr. Osman Jonuzi, ku bërthama e parë ishte ndihmëse e Kryqit të Kuq amerikan në Shqipëri.

Detyra të mëdha i dolën mjekut patriot përparimtar me atë gjendje varfërie ekonomike, feudalizmi, feja dhe forcat reaksionare nuk e ndihmuan këtë hap përpara që u bë në atë kohë.

Iu desh doktorit me shokët e tjerë mjekë që të merreshin edhe me punët më të rëndomta për përmirësimin e kushteve në spital. Doc. Hamdi Sulçebe – kujton me dhembshuri punën e palodhur të dr. Osmanit, megjithëse material d.m.th. kish shumë të sëmurë që pritnin radhën por si mjete nuk kish. Ja si e përshkruan sallën e operacionit dr. Sulçebe: Ishte një dhomë 3 x 4, pa çati, me një tavolinë operacioni primitive, me pak instrumente të mbledhur nga vetë mjekët e personeli mjekësor.

Drita ishte prej një feneri me vajguri dhe në vend të çatisë dr. Osmani para operacionit vendoste një çarçaf të madh që të mos binin pluhurat, mizat apo dhe minjtë e shumtë që ishin në tavan.

Nuk kishte as oksigjen dhe si lëndë anestetike doktori përdorte kloroformin që e jepte me maskë (infermieri që e jepte narkozën ose ndonjë mjek tjetër përgatitej nga vetë dr. Osmani).

Në këto kushte shumë të vështira ai kreu shumë operacione për vite me radhë, duke bërë 100-150 operacione në vit të llojeve të ndryshme (si absese të ndryshme, mjekim frakturash, thyerje të kockave të trupit, apendicite, heqje gurësh nga fshikëza e urinës, heqje veshke, etj. Shumë operacione mbajnë vulën e dr. Osmanit të bëra për herë të parë në Shqipëri.

Për herë të parë ai bëri ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri, në gjinekologji, histerektomi etj. Të pashlyeshme do të mbeten në patriotët dhe popullin shqiptar, vrasja prapa krahëve e birit revolucionar, heroit të popullit shqiptar, Avni Rustemi. Menjëherë posa erdhi në spitalin ku ishte dr. Osmani dhe dr. Tofiku, u habitën ata si mjekë për guximin dhe kurajën e madhe që kish Avniu, që megjithëse ishte rëndë, kish besim tek djelmëria shqiptare revolucionare. Dr. Osmani më vonë kujtonte: – “Megjithëse e këshilloja Avniun që të mos fliste, të çlodhej se humbiste gjak, ai përsëri mendonte për Shqipërinë, fliste për tradhëtinë e Zogut, i cili i vriste njerëzit prapa krahëve, dhe për revolucionin e ardhshëm, duke duruar edhe mjekimin e plagëve. Dr. Osmani, si mjek humanitar, i ndenji 24 orë te koka trimit Avni Rustemi, duke ia ndërruar plagën shpesh për të ndaluar hemorragjinë.

Dr. Osmani dhe personeli i tij mjekësor i qëndruan heroit 48 orë tek shtrati por dora gjakatare e kishte goditur për vdekje heroin.

Dr. Osmani në shënimet e tij gjithmonë i kujton fjalët e fundit të Avni Rustemit që ai megjithëse ishte shumë i dobët, i zverdhur nga humbja e gjakut, gjente ende fuqi për të shprehur idealin e tij duke thënë: “S’ka gjë që unë do të vdes, por shokët, duajeni gjithmonë Shqipërinë, luftoni që të jetoni të lirë, të lumtur, të fortë si malet tonë”.

Fletorja politike e përjavshme e Shoqërisë “Bashkimi” – gazeta Tirana më 27 prill 1924 shkruante: “I plagosuri Avni Rustemi u çua në spital, ku iu dha ndihma e parë se plumbi mund të mos bënte shumë, por hemorragjia e brendshme vazhdonte për 48 orë. Plumbi kish shpuar mëlçinë e bardhë (mushkëritë) tejpërtej pankreasin, shpretkën dhe vazat e gjakut si dhe stomakun”.

Pas dy ditëve të plagosjes trimi Avni Rustemi vdiq në orën 2 të datës 22. 4. 1924.

Djelmënia shqiptare përparimtare dhe i gjithë populli ia kërkoi me guxim doktorit zemrën e Avniut, duke menduar që ta kishte gjithmonë pranë atë dhe dr. Osmani, megjithëse ishte kirurg, këtë kërkesë të popullit e plotësoi duke patur parasysh gjithmonë që kjo zemër e ruajtur do të ishte shkëndijë për revolucionarët e rinj. Ai e nxori zemrën e Avniut dhe e futi në solucion fiziologjik, ku zemra me automatizimin e saj filloi të bëjë disa tkurrje që u panë me adhurim të madh nga populli (djelmënia shqiptare). Zemra e Avniut ishte edhe kjo një shkëndijë tjetër krahasuar kushteve historike – ekonomike – politike të asaj kohe për shpërthimin e revolucionit demokratik – borgjez. Dr. Osmani e përqafoi këtë revolucion me punën e tij në spital duke mjekuar e operuar krahas njerëzve të thjeshtë edhe ushtarët e oficerët e Nolit (të qeverisë demokratike borgjeze).

Nuk mund të lihen pa përmendur për punën dhe jetën e dr. Osmanit edhe disa kujtime nga veteranë të ndryshëm. Më kanë bërë përshtypje lidhur me këtë problem kujtimet e fjalët me plot pasion të tyre, që ndër të tjera kujtojnë. Dr. Osmani si njeri përparimtar e patriot, si shok e mik i ngushtë i Hasan Prishtinës, Aqif pashë Elbasanit, Hoxhë Kadrisë, Bajo Topullit, dr. Fajriut, R. Cerovës etj. ngriti menjëherë pas Kongresit të Lushnjës në një han afër Sahatit spitalin e parë shqiptar, ku i jepej ndihma popullit të varfër. Ky spital i vogël, pa mjetet e duhura, u ngrit me ndihmën e popullit të varfër dhe të forcave përparimtare të asaj kohe. Ishte një hap përpara në detyrat e vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe një grusht për armiqtë e forcat reaksionare të asaj kohe. Në të u mblodhën disa mjekë të vjetër në fillim e më vonë të rinj shqiptarë. Aty dr. Osmani filloi të bëjë operacionet e para që shtoheshin nga viti në vit.

Ndër të tjera ata kujtojnë me admirim punën e dr. Osmanit gjatë vrasjes së Avni Rustemit si dhe për mjekimin e parë që i ka bërë heroinës së popullit Shote Galica (për këtë ka folur gjatë edhe nëna patriote Fatime Hoxha që i ka shërbyer shumë Shotës së plagosur).

Dr. Osmani si mjek i besës së Hasan Prishtinës (ky i fundit ia besoi heroinën Shotë të plagosur nga shovinistët serbë dhe që e kërkonin spiunët e Zogut kudo). Për ta mjekuar, doktori patriot e shtroi me guxim në spitalin ku ai drejtonte dhe në derën pranë saj la dy roje kosovarë të veshur si ushtarë të Zogut për ta ruajtur atë dhe e mjekoi për disa kohë Shotën aty deri sa puna e tij ra në sy të spiunëve të Zogut dhe ai menjëherë e largoi nga Fushë- Kruja. “Shpesh,- kujton nënë Fatimja,- e shihnim doktorin shtatlartë e të mbushur në trup, trim që, me gjithë gjurmimet e shumta të spiunëve të Zogut, herë në këmbë e herë përmes lumit të Tiranës, me orë të tëra pa u lodhur aspak, herë me kalë ose me karrocë, e merrnin doktorin dhe me kurajo mjekonte plagët e thella e të shumta të Shotës. Vetë doktori habitej me kurajon e Shotës dhe me mposhtjen me vullnet të dhimbjeve të plagëve gjatë mjekimit, sa më pas ai e merrte si shembull këtë kurajo të madhe të trimëreshës kosovare. Kudo ku ai ishte më vonë, edhe në rrethe të ngushta shokësh e familjesh, vazhdon nënë Fatimja, dr. Osmani fliste me admirim të madh për vajzën kosovare, Shote Galica, e cila vdiq në duart e doktorit. Me gjithë përpjekjet e tij, infeksioni i kishte hyrë në gjak e kocka. Ai gjithmonë kujtonte fjalët e fundit të saj, kur ajo, megjithëse ishte duke vdekur, e falenderonte atë për lodhjen e guximin që kish treguar doktori, bile i qante edhe hallin për persekutimin që mund t’i bëhej nga Zogu.” Por asnjëherë dr. Osmani nuk u përkul dhe në vitet e mëpastajme karakteri i tij mbetej gjithmonë si trim e guximtar në jetë, një punë që e fillonte nuk e linte në mes të rrugës. Ai ishte shumë trim, bile në një rast mbaj mend isha i ri dhe më ka bërë përshtypje për besën e tij, për besën e shqiptarit që ai ia dha Fan Nolit për oficerin e tij besnik që luftoi heroikisht kundër ushtrisë së Zogut, duke rezistuar deri në fund së bashku me ushtarët e tij, kapiteni i Nolit Ahmet Demin.

Dr. Osmani nuk e lejoi Zogun, i cili erdhi në spital së bashku me ushtarët e tij për ta kapur këtë oficer besnik të qeverisë demokratike borgjeze të Nolit. Doktori zuri derën e dhomës dhe, në mes të gjithë të pranishmëve, personelit shëndetësor dhe njerëzve pacientë e ushtarëve të Zogut, duke i thënë këtij të fundit: “Nuk vriten njerëzit e plagosur në spital: janë ligje ndërkombëtare këto. Dhe për më tepër unë kam dhënë besën e shqiptarit dhe kam betimin e Hipokratit, për ta mbrojtur, prandaj më vra në fillim mua dhe pastaj Ahmet Demin.

Zogu u mbraps nga guximi dhe vendosmëria e doktorit gjigand që e kish zënë të gjithë derën dhe kështu Ahmet Demi shpëtoi.

Vite më vonë Zogu e ruajti këtë kokëfortësi të doktorit, megjithëse e bëri pas R. Frashërit, drejtor të shëndetësisë, ku dr. Osmani kërkonte rregull e investime, shante edhe qeveritarët, bile edhe duke i bërë atentat dhe më 1935 e futi në burg disa kohë. Më vonë ai u largua nga puna zyrtare deri në çlirimin e vendit. Gjatë kohës së okupacionit, si italianët dhe gjermanët i ofruan poste në shëndetësi, por ai nuk pranoi. Tiranasit, hallet për anën mjekësore i zgjidhnin me dr. Osmanin, dr. Jorgonin, dr. Tartarin, etj. Çdo gjë që kishim në rrezik ne lajmëronim këta mjekë patriotë, që ndihmuan pa u kursyer luftën NaÇl.

Zogu asnjëherë nuk ia falte doktorit gjestet përparimtare, shoqërinë e ngushtë me Hasan Prishtinën, por në të njëjtën kohë kish frikë edhe në personalitetin e mjekut që gëzonte në popull si mjek i zoti e zemërmirë që sillej shumë mirë, sidomos me njerëzit e thjeshtë, duke i dënuar bejlerët në lidhje me sjelljen, vjedhjet që bënin në kurriz të popullit. Miqtë e tij përparimtarë, porsa hipi Zogu në fuqi, e dërguan dr. Osmanin në Paris, ku qëndroi më shumë se 1 vit, e u specializua për kirurgji e gjinekologji. Gjatë kësaj kohe ata përgatitën terrenin për rikthimin e tij, sepse ia kishin nevojën, por, në radhë të parë, ia kish nevojën populli. Në Francë ai mori edhe familjen, gruan dhe dy fëmijët e tij. Shpesh flet mësuesi veteran Avni Zajmi në kujtimet e tij sot: Doktori edhe këtu në Paris mendonte për zhvillimin e kirurgjisë në Shqipëri. Bile një ditë ishim duke pirë një kafe së bashku, na vijnë edhe dy shqiptarë të tjerë që ndër të tjera i folën doktorit për Shqipërinë, por edhe vetë ata ishin të lëkundur për kthimin në Shqipëri, duke e ditur edhe armiqësinë e Zogut ndaj tij, por edhe kokëfortësinë e dr. Osmanit. Vetë doktori u indinjua, thotë Avni Zajmi, saqë u ngrit dhe i tha: “Duke i shërbyer popullit duhet edhe atdheu, Shqipëria jonë e shumëvuajtur, prandaj, hajde, shokë, të kthehemi dhe të punojmë sa të mundemi.” Menjëherë sapo u kthye në atdhe nga specializimi si kirurg, ai me shumë mundime bleu edhe disa vegla të ndryshme operacioni, filloi të punojë duke bërë operacione, megjithëse kushtet higjienosanitare ishin për tokë. Me punën e tij ai fitoi një autoritet të madh në atë kohë në popull dhe në rrethet përparimtare, megjithëse Zogu një herë desh ta zhdukte (sipas të dhënave e kujtimeve të nënë Fatimes, që të lante punën e doktorit në mjekimin e Shote Galicës dhe si shok i Hasan Prishtinës e Riza Cerovës, duke thirrur për vizitë mjekësore motrat e Zogut në shtëpinë e tyre (sot aneksi i Bibliotekës Kombëtare), në momentin e hyrjes do ta godiste një njeri i paguar i Zogut. Këtë kurth të Zogut me motrat e tij e dëgjoi kopshtari plak, një njeri i ndershëm e hallexhi tiranas, trim dhe i besës, i cili e lajmëroi doktorin në shtëpi në mes të natës, duke i dhënë edhe çelësin e derës së kopshtit nga prapa shtëpisë.

Këtë kurth doktori e vërtetoi edhe më shumë kur motrat princesha u çuditën për ardhjen e tij, saqë njëra e tradhtoi veten duke i thënë se e prisnin me padurim nga dera e përparme, po ai kishte hyrë kaq lirshëm. Doktori, aty për aty, iu përgjigj se mjekët kanë shumë shokë e miq që i ruajnë.

Doktori ishte njeri familjar, gjithmonë punonte vetë në shtëpi, ishte armik i pijeve alkoolike dhe i cigares, bënte një jetë të rregullt familjare, e donte muzikën e, sidomos, i pëlqenin këngët kosovare. Kishte adhurim për artin e pikturës, të cilën e donte e entuziazmohej pas pikturës së Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, që e njihte personalisht. “Ky, thonte doktori, që edhe vetë bënte pak pikturë, është një nga të paktët artistë që ka si qëllim të paraqesë kudo natyrën e bukur shqiptare, si Naimi në vjershat e tij, prandaj duhet ta adhurojmë mëmëdhenë.”

Njohja me Odise Paskalin e intuziazmoni këtë të fundit dhe ky me të drejtë i bëri maskën në bronx, që edhe sot e kësaj dite familjarët e doktorit e ruajnë si një kujtim të paharruar.

Edhe në ato pak vite si titullar i shëndetësisë që ndejti, ai më shumë në rrethet e lartë krijoi armiq, por njerëzit e thjeshtë, populli dhe përparimtarët e adhuronin pa masë për guximin që ai kish. Ai ishte progresist për të renë, kërkonte të dinte gjërat realiste, mendonte shumë për zhvillimin e shëndetësisë dhe të kirurgjisë shqiptare.

Ai bëhet objekt për qeverinë e Zogut në shumë aspekte të jetës, sidomos kur fondet e tij personale që titullarët e tjerë i merrnin e i futnin në xhep, ky i përdorte për të blerë literaturë mjekësore dhe kulmi arriti kur këto pare ia dha studentëve shqiptarë që të vazhdonin për mjekësi dhe Zogu ia ndërpreu bursën e ata do të ndërprisnin studimet në Francë dr. Hiqmet Dibrës, dr. R. Kapshticës dhe dr. Shefqet Ndroqit. Kjo ndihmë e madhe e dr. Osmanit thotë prof. Sh. Ndroqi na dha një kurajo të madhe që ne t’i mbaronim shkëlqyeshëm mësimet e të ktheheshim në Shqipëri për t’i shërbyer popullit. Gjithashtu, ai ndihmoi shumë që studenti F. Shiroka në Austri të vazhdonte shkollën dhe specializimin si kirurg, duke i dhënë bursë speciale dhe i madhi Shiroka nuk ia harroi asnjëherë. Ai, porsa erdhi, shkoi dhe e takoi atë në shtëpi në vitin 1935.

Duke qenë gjithashtu drejtor i shëndetësisë, u mundua që në të gjitha rrethet të dërgonte mjekë dhe në disa rrethe kryesore si Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Elbasan të ketë edhe ndonjë kirurg operator e gjinekolog, që qeveria e Zogut ia aprovoi me shumë vështirësi .

Dr. Osmani dha mendimin të organizohej shërbimi higjeno – sanitar me një mjek përkatës, të caktohej mjek ftiziatër, mjek malarik, meqë malarja ishte një sëmundje e përhapur në Shqipëri në atë kohë. Ai ngulte këmbë që qeveria të shtonte fondin e bursave për mjekësinë e të dërgoheshin edhe mjekë për specializime, sepse, pa mjekë të nevojshëm, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë organizim të mbaruar e të plotë shëndetësor si në vendet e tjera. “Duhet të dërgojmë vetëm djem nga Shqipëria e të mos presim të mira nga mjekët e huaj…,- thoshte ai.”

Gjthashtu, ai kërkon që mjekët të jenë humanitarë dhe të disiplinuar dhe kërkon nga qeveria që disa nga të ashtuquajturit mjekë si Asterio Zambura, Krisipollo, etj. t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit dhe i pushon nga puna sepse bëjnë spekullime të mëdha në kurriz të popullit, bile i gënjenin gratë që nuk lindnin, u merrnin para e bizhuterira duke u premtuar se do të lindnin me disa mjekime, ose dhe me ndonjë ndërhyrje të vogël. Për sjellje jo të mirë ndaj popullit ai i kërkon qeverisë të pushtohet nga puna e të largohet mjekja Natalia Mirsobeg, ruse e bardhë, të cilën Zogu e kishte sjellë nga Serbia. Për mjekët e mësipërm ai me forcë ngul këmbë që të largohen nga Shqipëria duke thënë ndër të tjera: “Prandaj tue marrë parasysh sjelljet e tyre të liga e të jashtëligjshme dhe dallim moral material të popullit të mjerë… të hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit. Ata janë njëlloj duke futur edhe Demosten Juanidhin në Delvinë, sepse sillen keq e qëllimi i ardhjes së tyre në Shqipëri është me dëmtu popullin tonë të mjerë dhe me mbushë xhepat… Krahas këtyre njerëzve sharlatanë të huaj, ai lufton edhe disa njerëz si xhelah mashtrues një farë Emin nga Bukalli i Përmetit, i cili duke shfrytëzuar injorancën e popullit, me pashpirtësinë e tij ka ardhur të qorrojë shumë njerëz të pafajshëm edhe disa që vuajnë nga sëmundje të lehta e që shërohen vetë.”

Më 1932 ai ngul këmbë që të rregullohet spitali i Tiranës, ndër të tjera flet në një raport: “Duam që ky spital të jetë një ngushëllim e një shpresë për popullin e varfër që vuan, prandaj vazhdon ai, Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor ka bindje që të plotësohen kushtet e spitalit, gjithashtu edhe me mjekë shqiptarë.

Dr. Osmani duke qenë një mjek përparimtar dhe largpamës nga njëra anë, e duke parë shumë vite si mjek që nuk kish ndonjë zhvillim, ngaqë vetë qeveria e Zogut e pengonte zhvillimin sepse vetë kuroheshin jashtë shtetit. Kuadrot e pakta që ishin nuk i përkrahte, bile ata që ishin nuk i donte e i nxirrte para kohe në pension si rasti i dr. Telemak Laboviti në Gjirokastër, ose për dr. Theodhosin, dr. S. Tefikun që u pushuan nga puna, ai nuk ish dakord për këtë masë, ku vetë dr. Osmani nguli këmbë që të mos dalë në pension, sepse populli ka shumë nevojë për të. Ne duam të kemi mjekë shumë dhe kërkonte gjithmonë kuadro të reja.

Ai, duke parë që disa mjekë shqiptarë të martuar qysh studentë apo më vonë me gra të huaja, vinin e qëndronin kryesisht në qytete për disa kohë dhe largoheshin nga Shqipëria. Për këtë qëllim më 4. 8. 1932 (f. 402) i kërkon me këmbëngulje qeverisë…

“Jan nderin t’u parashtroj se gjatë kohës që titullari i kësaj drejtorie ka marrë drejtimin e sigurimit të shëndetësisë publike të vendit e kur po mundohemi me gjithë fuqinë e mjetet që disponojmë të bëjmë diçka në këtë drejtim për të mirën e shëndetit të popullit, pengimi kryesor i parë që kemi taku është mungesa e elementit mjekësor që ndodhet në vendin tonë, në një sasi mjaft të kufizuar, por edhe kjo sasi mjekësh e kufizuar nuk është gati t’i shërbejë vendit kudo e si duhet sepse një pjesë e tyre janë të martuar me gra të huaja dhe kërkojnë punë e kondita në qytete të zgjedhura. Me një fjalë kemi konstatuar se doktorët e martuar me zonja të huaja, me këtë vend nuk i lidh gjë tjetër veç rrogës ose në lidhen me sentimente në realitet janë gjithnjë veprues e interpretë të dëshirave të shoqeve të tyre, të cilat shikojnë vetëm prehjen e fitimit e asgjë tjetër e këtij vendi nuk u intereson, për të mos thënë se e urrejnë çdo gjë.

Asht një fatkeqësi me konseguenca katastrofale për vendin lënia në heshtje e këtij problemi, efektet, efektet e hidhura të të cilit po i provojmë dita – ditës edhe në jetën publike të shtetit pa qenë nevoja të përmendet këtu degjenerimi i qarkut kombëtar e shoqëror të një vendi të vogël e të varfër si ky i yni. Çudia e hidhur e dizinteresimit të pushtetit publik ndaj kësaj çështjeje jetike shfaqet më shumë për pjesën e studentëve që mbahen me bursat e shtetit të cilët kur kthehen në Shqipëri për të okupuar pozitat e rezervueme janë të shoqëruar nga zonja të huaja…

Propozojmë që qeveria të marrë masa të tilla ndalimi, sidomos për ata studentë bursistë që mbahen edhe me djersën e popullit të ngratë, i cili më vonë përbuzet prej shoqeve të tyre, në mos edhe prej kalamajve… mendojmë që t’u pritet bursa atyre studentëve të cilët guxojnë të martohen me gra të huaja, gjithashtu ndalohet edhe emërimi ndër pozita zyrtare i mjekëve që këtej e tutje do të martohen me të huaja.

Dr. Osmani një rëndësi të madhe u jepte përgatitjeve të kuadrit të mesëm. Infermieri dhe ndihmësmjeku i vjetër, Hidajet Ceka, me admirim e respekt e kujton atë, që shpesh u thoshte: “Mjeku pa ju, personelin e mesëm e të ulët, nuk është gjë. Ju e keni në dorë më tepër se gjysmën e kohës të sëmurin, prandaj duhet të jeni i ndershëm dhe punën ta kryeni me ndërgjegje të pastër.” Sa herë që do të merrte në provim infermierët, ai kishte besim vetëm tek profesori i ndershëm, Aleksandër Xhuvani, që gjithmonë e kishte pjesëtar të komisionit.

Dr. Osmani i respektonte infermierët e vjetër dhe të mirë, ai me guxim e mori në mbrojtje dhe e futi në punë të venë e patriotit Bajo Topulli, që ishte lënë në mes të rrugëve sepse persekutohej nga njerëzit e Zogut, megjithëse për doktorin si drejtor pati fjalë jo të mira nga ky gjest i tij patriotik. Ai me guxim vuri veton e tij për futjen në punë në shëndetësi, duke thënë që ne, të kishim edhe disa të tjera si ajo, do të na duheshin shumë në shëndetësi, sepse këto punojnë me humanizëm. Dr. Osmani, si mik e shok i dr. Omer Nishanit, e ndihmon atë të punojë në qarkun e Durrësit, bile në një letër që ky i fundit i dërgon doktorit për të prurë në Tiranë një grua të varfër për të lindur në Tiranë dhe menjëherë dr. Osmani jep urdhër të pranohet në spital.

Megjithëse nuk ishte pediatër, por si mjek me njohuri të mëdha organizative, ai jep mendimin që në Tiranë të hapet një poliklinikë për parashkollorët me një mami, infermiere dhe një mjek. “Ky institucion, thosh ai, ka për qëllim të pakësojë vdekjet e bebeve dhe rritjen e shëndoshë të foshnjave nga familjet e këputura…” Por qeveria e Zogut nuk e miratoi për mungesë fondesh, etj.

Gjithmonë dr. Osmani luftonte për zhvillimin e mjekësisë, për forcimin e kushteve higjieno – sanitare, të cilat ishin sidomos shumë të këqija, ngaqë qeveria e Zogut nuk investonte fare për ruajtjen e shëndetit të popullit. Ai, siç kemi thënë, iu përkushtua jetës dhe shëndetit të popullit deri në moshën 81 vjeçare, kur u largua nga puna në poliklinikën qendrore.

Dr. Osman Jonuzi vdiq në vitin 1966 në moshën 86 vjeçare. Për brezat e ardhshëm është një kënaqësi të njihen me këta njerëz të shquar.

dr.osmani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen