Austriaket: Vetëm 3 muaj shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut

Histori & Fakte | admin | 19.11.12 | 21:26

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, do të ekspozohen për herë të parë për popullin shqiptar pas 4 shekujsh. Sipas drejtoreshës së Galerisë së Pinakotekës në Muzeun Historik të Artit në Vjenë, Sylvia Ferino, dhënë pak kohë më parë, pasi theksoi kushtet e mira të ekspozimit në MHK në Tiranë, zakonisht kur jepen hua vepra arti ato jepen për 3 muaj dhe kaq parashikohet që të qëndrojnë edhe armët e Heroit tonë Kombëtar.

Christian Beaufort, Sylvia Ferino dhe Caridad Nieto kanë bërë vizitën e parë në Muzeun Historik Kombëtar për të parë kushtet teknike. Ata janë shprehur optimistë për ekspozimin e relikeve. Dje kanë parë një dokumentar mbi Skënderbeun, prodhim i 1967-s në Arkivin e Filmit, ndërsa sot do të vizitojnë Muzeun e Krujës

Do të ekspozohen në katin e dytë të Muzeut Kombëtar

Oliverta Lila

“Më duket çdo gjë në rregull. Nëse kemi një vitrinë mund të bëjmë gjithçka. Pavijoni i Mesjetës është një vend i shkëlqyer. Këtu e kemi Skënderbeun gjithandej. Është koha për ta rikthyer”. Këto kanë qenë fjalët e Christian Beaufort, drejtuesi i grupit të specialistëve austriakë të Muzeut Historik të Artit në Vjenë, ndërsa ndodheshin në Muzeun Historik Kombëtar për të parë kushtet e ekspozimit të shpatës dhe përkrenares origjinale të Skënderbeut. Reliket e Heroit Kombëtar do të kthehen në Shqipëri për t’u ekspozuar në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Salla në katin e dytë të Muzeut Historik, Pavijoni i Mesjetës, u është dukur më i përshtatshmi. Aty ndodhet një shtatore e Skënderbeut, afresku, imitacione armësh, botime origjinale në disa gjuhë etj. “Këtu ka më pak lagështirë se në Austri dhe kjo është e rëndësishme për të mos lejuar korrozionin e hekurit. Por këto janë çështje që zgjidhen. Unë nuk shoh asnjë problem për të mos i ekspozuar”, është shprehur Beaufort, duke thënë me shaka se nuk e dinte nëse do të mundte të kthehej sërish, sepse është në prag pensioni. Ndërsa e pyetëm se për sa kohë mund të qëndronin këto relike të ekspozuara, Beaufort shpjegoi se zakonisht zgjat nga një deri në 3 muaj, varet nga interesi i palës shqiptare. Ende nuk është përcaktuar, por nëntori duket si muaji kur shpata dhe përkrenarja do të vijnë për t’u ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. “Unë jam plotësisht i bindur që pala shqiptare ka vullnet të plotë të plotësojë të gjitha kërkesat e palës austriake, që janë të natyrshme për të pasur kushte klimaterike e sigurie për objektet që ekspozohen. Ne kemi interes të jashtëzakonshëm, që me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, shqiptarët nga të gjitha trevat e Shqipërisë të vijnë të shohin nga afër armët e heroit tonë. Do të diskutojmë edhe probleme të tjera që kanë karakterin juridik për mirëkuptimin mes dy palëve për t’i sjell këto dy objekte e për t’i kthyer pas”, ka theksuar drejtori i MHK-së, Luan Malltezi, i cili i ka shoqëruar gjatë gjithë kohës tre specialistët austriakë, të cilët diskutuan edhe me specialistët shqiptarë.

Drejtoresha e Galerisë së Pinakotekës në Muzeun Historik të Artit në Vjenë, Sylvia Ferino, në një intervistë për gazetën “Shqip” tregon më shumë detaje për këtë iniciativë.

Ju keni bërë vizitën e parë në Muzeun Historik Kombëtar. A janë, sipas mendimit tuaj, të përshtatshme kushtet për ekspozimin e relikeve të Skënderbeut?

Muzeu është në gjendje shumë të mirë. Është e qartë që nuk ka ajër të kondicionuar, por kjo për mua nuk do të përbënte pengesë që të sillnim për ekspozim shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut. Ne e biseduam edhe me drejtorin Luan Malltezi dhe nëse do të jetë e nevojshme, brenda vitrinës, përmes elementeve të caktuara, do të kryejmë ekuilibrimin e temperaturës. Kjo është një gjë që zgjidhet lehtësisht. Ne jemi shumë të lumtur që jemi në Tiranë, na pëlqen shumë dhe shpresoj që në të ardhmen të vazhdojmë të bashkëpunojmë.

Vendosët në parim se cilat nga ambientet mund të jetë më i përshtatshëm për ekspozim?

Salla e Skënderbeut në katin e dytë të muzeut është shumë dinjitoze dhe mjaft e përshtatshme. Shpata dhe përkrenarja duhet të ekspozohen aty, sepse bëjnë edhe një lidhje me afreskun e madh që ndodhet në pjesën ballore të sallës. Mendoj se është salla më e përshtatshme dhe më koherente, sepse i është dedikuar Skënderbeut.

Do të kërkoni kushte specifike, qoftë edhe sigurie?

Ne jemi shumë optimistë dhe mendojmë se çdo gjë do të realizohet. Nëse do të ketë vështirësi, ne mund ta sjellim vitrinën nga Vjena, e njëjta ku shpatat dhe përkrenarja ruhen tani. Qeveritë do të bien dakord për ta sjellë këtu dhe pastaj për ta rikthyer sërish.

Sa kohë mendohet të qëndrojnë të ekspozuara?

Zakonisht kur u japim hua vendeve të tjera vepra arti, të cilat janë pjesë e fondit tonë, zgjat deri në 3 muaj. Gjithsesi kjo mbetet për t’u biseduar.

Ju do të vizitoni sot edhe Muzeun e Krujës. Mund të jetë edhe ai një vend i mundshëm ekspozimi?

Ne do ta shohim sot këtë muze, por jemi këtu të ftuar nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, që është edhe partneri ynë në këtë nismë.

Çfarë vendi zënë këto relike në koleksionin e Muzeut Historik të Artit?

Në muzeun tonë, Skënderbeu është një nga heronjtë e mëdhenj të Europës, armët e të cilit arqiduka ynë, Ferdinandi i Tirolit, i ka koleksionuar në gjysmën e dytë të vitit 1500. Skënderbeu ishte një nga heronjtë e mëdhenj që ka luftuar kundër turqve dhe ky fakt ishte shumë i rëndësishëm për Austrinë e shekujve të shkuar. Ne kemi 13 koleksione të mëdha në pikturë, antikitet, artefakte, monedha, kostume, karroca, armatime etj. Jemi muzeu më i madh i Austrisë.

A kanë interes turistët për këto relike?

Vijnë shumë turistë, por mbi të gjithë janë të interesuar shqiptarët. Një ditë të hëne, kur muzeu ishte mbyllur, vijnë një grup shqiptarësh që donin të shihnin shpatat dhe përkrenaren. Ata nuk e dinin që unë isha edhe punonjëse e muzeut dhe ishin të dëshpëruar që nuk do të mund t’i shihnin. U thashë se do të mjaftonte një telefonatë dhe kështu bëra. Ata mundën t’i shihnin. E kuptoj interesin e madh që ka edhe për t’i ekspozuar në Shqipëri, veçanërisht në 100-vjetorin e Pavarësisë.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen