Pritja e Elhaidës në Rinas, reagon autori i këngës Sokol Marsi

Analiza & Komente | Zef Prenka | 26.05.15 | 00:05

Ku janë këta sot këta kolegë, “miq” e dashamirës?

Grupi përfaqësues i Eurovisionit, me në krye Elhaida Danin, ka mbërritur sot në Tiranë, por fare pa bujë, pa asnjë pritje të veçantë, pa gazetarë e reporterë. I vetmi që priste sot në Rinas ishte Anteo, djali i vogël i autorit të këngës, Sokol Marsi. Ky i fundit duket se nuk e ka mbajtur dot rebelimin pas kësaj heshtjeje dhe mospritjeje të përfaqësueses sonë Elhaida Dani. Në një status të gjatë në profilin e tij në Facebook, Sokol Marsi, me një ton shpotitës, ka reaguar ndaj kësaj heshtjeje të “miqve”, që sot duhet të ishin bashkë me Elhaidën. Ja cili është mesazhi i tij drejtuar publikut.

Elhaida Dani

“I pari vizitor që na priti sot në aeroportin e Rinasit ishte Teo (im bir). Kishte ardhur për Elhaidën, jo për mua! “Qava shumë o ba, që nuk fitoi Elhaida”,- më tha. Buzëqesha për mos t’i dhënë të kuptoj se diçka kishte ndodhur dhe menjëherë i thashë: “Po kjo është kampione o babë, kjo nuk ka humbur, kjo gjithmonë fiton! U përqafuan dhe Eli po e pyeste për festën e abetares, të cilën Anteo e kishte mbaruar para disa ditësh, ku unë mungoja për shkak të angazhimit tim në Eurosong. Nejse… Teo është në fazën që sapo ka filluar të lexojë dhe libri i parë që po shfleton është “Liza në botën e çudirave”, ndaj e kuptova menjëherë shqetësimin e tij fëminor. Në fakt, në moment m’u rishfaqën në kokë imazhet e disa kohëve më parë, ku në të njëtin vend, në të njëjtën orë, ndoshta dhe në të njëjtën ditë, grumbull i madh shqiptarësh thërrisnin me brohorima “Elhaida… Elhaida”, e sapokthyer nga Italia si fituese e “Voice of Italy”. Nuk mungonin as politikanë, gazetarë, artistë etj. Në cast, m’u kujtuan me dhjetëra komente në rrjetet sociale të shumë kolegëve artistë, kompozitorë, poetë, këngëtarë, shqiptarë etj., të cilët konkurronin asokohe duke u çjerrë në FB se Elhaida ishte krenaria jonë, ishte simboli kombëtar i përfaqësimit, ishte njeriu më i dashur për ta, ishte mikja e tyre e ngushtë, etj., etj.

Po sot, pyeta veten, ku janë këta njerëz, këta kolegë, “miq” e dashamirës! Ç’u ka bërë Elhaida që i ka mërzitur?! Përse sot nuk është “mikja” e tyre e ngushtë, krenaria e tyre, ajo vajza që këta i kishin dhënë dorën e shtruar rrugën për t’u bërë këngëtare e madhe, ç’kishte ndodhur vallë?! Elhaida po kthehej nga një përfaqësim kombëtar, ku midis 40 shtetesh, kishte arritur ta çonte vendin e saj në finale dhe ta rendiste midis më të mirëve, duke lënë pas shumë vende me industri gjigante në muzikë si Anglia, Franca, Gjermania, Spanja, Hungaria, Greqia etj. Për çfarë ishin “zhgënjyer” këta njerëz?! Pakkush e di se në Eurosong u vlerësua si një nga 3 zërat më të mirë të kompeticionit të sivjetshëm. Po kush tha që fituesi i „Voice of Italy“, një konkurs që zbulon talente të reja, duhet të ishte patjetër edhe fituesi i Eurovision-it, një eventi gjigant me buxhetin më të madh në Europë dhe me përfaqësimin e 40 artistëve më të mirë të momentit në tregun europian, përse domosdoshmërisht duhet të fitonte Elhaida Dani? Po ç’duhet të thonë vetë italianët për “IL VOLO”, që erdhën si fitues të Sanremos së famshme?! Po ç’duhet të thonë holandezët, francezët, spanjollët, grekët apo gjermanët që erdhën me super këngëtarë dhe u renditën poshtë Elhaidës?! Hmmm, ata nuk thoshin asgjë, madje mbrëmë festonin deri në orët e para të mëngjesit, qeshnin, pinin, uronin njëri-tjetrin ashtu siç na uronin edhe ne për suksesin. Elhaida Danin nuk e bën këngëtaren më të mirë në Europë fitorja e vendit të parë në Eurosong, pasi as këngëtari suedez që fitoi Eurosong-un nuk është i tillë! Po kështu edhe “disfata” e grupit “IL Volo” në Eurosong, nuk e zbeh aspak suksesin e tyre që kanë momentalisht në Europë. Arti ka ulje-ngritjet e veta, suksesi ka momentin e vet ashtu si një kombëtare apo klub i madh futbolli nuk arrin në një sezon të fitojë gjithçka dhe ndoshta atëherë kur e dëshiron, ndoshta dhe Elhaida, kjo këngëtare shumë e re për të fituar gjithçka, por me një super vokal dhe super talent, nuk ishte në momentin e vet. Ndoshta nuk ishte ora e saj për të rrëmbyer gjithçka, ndoshta nuk ishte dita e duhur, ndoshta diçka nuk unifikohej me të në produksionin muzikor, ndoshta edhe fati ia ka rezervuar për më vonë, pasi sapo ka nisur të rrezatojë. Ajo i falënderoi përzemërsisht të gjithë ata që e mbështetën dhe e votuan në këtë sfidë, ashtu siç bëmë edhe ne të gjithë si grup. Ajo ju shpjegoi se përse nuk duhet të mbajnë në gjuhë “dështimin” e një fitoreje hipotetike, por shijen e suksesit në përfaqësimin e radhës si një pozicionim midis më të mirëve të Europës së Madhe. Ajo pranoi me modesti se mundësitë ishin ndoshta edhe për më shumë, por momenti kaq afroi. Ky nuk është shfajësim, por përgjegjësi për të mbajtur këmbët në tokë drejt një rruge shumë të gjatë suksesi për çdo artist që do përfaqësojë edhe në të ardhmen Shqipërinë në Eurosong!

 

Sa për “miqtë” alla shqiptarë, ata të duan e lëpihen për sa kohë ti je pjesë e suksesit duke menduar se mund të ngjyejnë ndonjë gisht në qypin tënd me mjaltë dhe vjellin menjëherë atë që kanë ngrënë sapo ti ua heq gishtin nga qypi që të përket vetëm ty! Kjo është shumë e vërtetë dhe fatkeqësisht përfshin një kategori të caktuar njerëzish rreth botës së artit apo edhe më gjerë. Duke falënderuar edhe njëherë gjithë shqiptarët që na mbështetën, stafin drejtues të RTSH-së që dhanë maksimumin për ekipin tonë, gjithë grupin artistik, një gjë e them me siguri për Elhaidën: Ajo është shqiptare e talentuar dhe “Shqiponjat flururojnë lart”….tha Ati i shenjtë kur erdhi nē Shqipëri, Papa Françesku!”

Revista Class

Sokol Marsi, autor i këngës “I’m alive

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen