Integrimi ekonomik mes shqiptarëve dhe integrimi rajonal

OP-ED | Rrezore | 27.03.14 | 21:28

Nga Ilir Kalemaj

Së fundmi në një tur në Gjakovë dhe Pejë, kryeministri u shpreh për heqjen e tatimit të dyfishtë, si dhe për eliminimin e TVSH-së për librat, për gazetat, për revistat. U diskutua gjithashtu futja e skemës së përjashtimit të TVSH-së për tubat e çelikut dhe bërja e një vlerësimi të përbashkët që do të jetë publik i procedurave doganore. Heqja e tatimit te dyfishtë natyrisht që është një mjet që lehtëson aktivitetin ekonomik të shtetasve kosovarë që punojnë dhe investojnë në Shqipëri dhe anasjelltas dhe teorikisht të paktën mundëson nxitjen e mëtejshme të qarkullimit të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Nga ana tjetër, integrimi kulturor ngelet absolutisht i rëndësishëm, si për nga ana simbolike, ashtu edhe faktike pasi kombi thotë Ernest Renan është një “plebishit i përditshëm” që duhet ushqyer në vazhdimësi dhe ka nevojë për një përtëritje të besnikërisë ndaj tij të popullatës.

Idetë, projektet apo nismat për integrim sa më të thellë ekonomik, financiar, politik dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës apo mes vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë ekzistuar dhe vijojnë të qarkulloj në forma të ndryshme. Një prej tyre ka qenë teza e mirënjohur e mendimtarit të shquar Arbën Xhaferri për komonwelthin ekonomik mes shqiptarëve që të kujton atë britanik që Anglia ndoqi në periudhën pas-koloniale dhe të ricikluar së fundmi në tryezat publike nga Pacolli e të tjerë. Ndër idetë e qarkulluara së fundmi ishte ajo për Union Ballkanik e iniciuar nga ministri i jashtëm malazez Luksiç dhe që kishte një natyrë krejtësisht politike dhe ku qendra presupozohej të ishte Beogradi por që më tepër u duk si një ‘flakë kashte’ që u shua shpejt dhe nuk u mor shumë seriozisht në Zagreb, Sarajevë, Shkup apo Tiranë. Një tjetër, është ideja e qarkulluar prej kohësh e Beneluksit Ballkanik që të përfshijë Shqipëri, Kosovë Mal të Zi dhe Maqedoni, e filluar sipas shembullit të vendeve të Beneluksit (Belgjikë, Hollandë dhe Luksemburg) fill pas luftës së parë botërore dhe që në fillim të viteve 50-të iu bashkangjitën projektit Franko-Gjerman dhe Italisë për të krijuar gjashtëshen e famshme te komunitetit të qymyr-çelikut dhe Traktateve të Romës të energjisë atomike dhe ekonomike (1958).

Ka disa lloje formash integrimi ekonomik mes dy apo më shumë shtetesh. Disa prej këtyre janë zonë e lirë ekonomike, bashkim doganor, treg i përbashkët, bashkim ekonomik dhe një integrim ekonomik i plotë. Në një zonë të lirë ekonomike, hiqen tarifat dhe kufizimet sasiore të llojeve te tjera, të traktatit apo memorandumit përkatës. Ndërsa në rastin e themelimit të një bashkimi doganor, përveç heqjes së diskriminimit në lëvizjen e mallrave mes vendeve nënshkruese, arrihet gjithashtu barazia e tarifave në tregtinë me vendet jo-anëtare. Një formë edhe më e ngushtë e integrimit ekonomik është ajo e krijimit të një tregu të përbashkët ku hiqen jo vetëm ndalesat e tregtisë por edhe barrierat jo-tregtare mes vendeve nënshkruese. Ndërsa në rastin e një bashkimi ekonomik, diferenca me tregun e përbashkët shtrihet në faktin që kombinon ndalesat e çfarëdolloj në lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve. Dhe së fundmi, integrimi ekonomik i plotë presupozon unifikimin e politikave fiskale, monetare dhe sociale dhe kërkon ngritjen e një autoriteti mbi-kombëtar, vendimet e të cilit janë të detyrueshme për shtetet anëtare.
Së pari, politikë-bërësit shqiptarë duhet të jenë të qartë në objektivat e tyre strategjikë se cilin lloj integrimi duan dhe më pas të diskutojnë mjetet dhe modalitetet për ta arritur më shpejt dhe cilësisht më mirë atë. Së dyti, projektet duhen përshtatur që të jenë komplementarë dhe jo të përplasen më njëri-tjetrin dhe të cënojnë rrugëtimin e Shqipërisë së BE, si dhe të përforcojnë urat e bashkëpunimit dhe integrimit të ngushtë mes shqiptarëve në rajon, duke nisur nga infrastruktura rrugore deri të ajo kulturore, sportive dhe shpirtërore. Diferenca e projekteve të integrimit rajonal me natyrë ekonomike-sociale-kulturore krahasuar me ato me natyrë politike fillestare, është se të parat kanë qartësisht natyrë poshtë-lartë sipas një logjike funksionaliste që do të thotë se integrimi në një sektor çon automatikisht në integrimin e suksesshëm në sektorë paralelë dhe më pas në integrim të tregjeve financiarë, bashkim doganor, monetar e me radhë. Ndërsa përsa i përket cedimit të prerogativave politikë dhe çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin, sigurinë kombëtare, politikën e jashtme, policinë etj, pra çështje të ndjeshme dhe të lidhura ngushtësisht me perceptimin e interesit kombëtar, këto ngelen për t`u realizuar brenda projektit të integrimit evropian në momentin që këto vende do të jenë pjesë e tij.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen