A nuk e provuam njëherë eksodin?

Analiza & Komente | Zef Prenka | 06.02.15 | 12:50

 

Engjëll I. Berisha

Ikjen nga Kosova, duke marrë përmasë ekzodike, në rrugë migrimi, nuk e ndalin as arrestimi i trafikantëve, as gardhi me gjemba që mund të ndërtohet në Hungari, as thirrja shterpe e kryeministrit të Kosovës për të mos e lëshuar vendin ngase do të hapim vende pune, as vizita e cilitdo politikan në stacionin e autobusëve. E nuk e ndalë, as fyerja që iu bëhet nga larg, nga mediumet e nga sallonet e nxehta të strukturave të shumta. Dhe, për lajmin më të ri, nuk e ndalë as falja e borxheve ndaj shtetit, e që kjo falje, e qëlluar, është pazari më i ri me uzurpuesit e një pjesë të shtetit të Kosovës në Mitrovicë. Asnjëri nga tëikurit, nuk po ikte nga borxhet që ia ka shtetit, por nga pamundësia për të jetuar.

Ikja ekzodike, pamje krejt e dhimbshme, është reagim, e që dikush prej analistëve e tha “më në fund vetëdije e popullatës”. Deri sa po ikin shqiptarët, në këtë rast “të vetëdijesuar” diplomatë të huaj thonë, “ vetëdija zgjohet duke reaguar në vendin e tyre, – duke protestuar”. Dhe, kur reaguan, shumë nga ata diplomatë, thanë, “respektoni dhe besojuni institucioneve tuaja”. Nëse reagohet me protestë, kush e ka forcën e kontrollimit të masës?

Dhe krejt kësaj, ia shtojmë një rresht për krahasim që nuk duhet të negociohet, se Liria që e gëzojmë, nuk krahasohet me asgjë, me asnjë kapital tjetër. Nuk e kishim të garantuar as jetën, as banimin, as punën, as bukën e gojës. Thjeshtë ishim të kërcënuar që të gjithë me burgim, me vrasje, me shkatërrim familjarë, në kohën e regjimit që e konsiderojmë të ikur. Dhe, nuk do ta krahasoja ikjen e njëjtë me vitet e vetmisë së Madhe të kohës së luftës.

Se po i konvenon shtetit zvogëlimi i popullsisë, për të mos pasur nëpër këmbë kaq shumë të papunë, është e vërtetë. Po nuk po ia qëllon askush nga strukturat me justifikim. Kryetari i komunës së Ferizajit, gjeti për justifikim njoftimin publik se po ikin edhe ata që punojnë, e bile, siç tha ai po punojnë edhe në Komunë se! Kjo edhe më tepër e rëndon çështjen. Ky nuk është arsyetim, është mjerim i pushtetit që mbajnë. Nëse ishte mirë në Komunë, kush ikë nga e mira more kryetarë!?

Po a është ky i njëjti popull që kur iki në kohën e luftës të viteve 1998/99, nuk largoheshin nga kufiri për të qenë më afër Kosovës, që të kthehen sa më shpejtë në tokën e tyre, edhe pse tokë e djegur, rrënoja të shtëpive. Ishte dashuria për tokën e të parëve, zemra e kallur për Lirinë e Kosovës, të kemi shtet ku ta ruajmë kokën . Po nga i njëjti popull, djemtë e vajzat e tyre casino ishin në mbrojtje të kësaj Kosove me armë në dorë. Dhe, u befasua një botë se si u kthyen kaq shpejtë shqiptarët, madje edhe nga këto dyer të hekurta të Evropës, për ta parë Kosovën. Dhe, shikoni, i njëjti popull, prapë po ikë! Po, ata që po ikin po thonë se janë të kërcënuar nga diçka!?

O Zot, ironia e fatit të shqiptarëve. Iknim nga toka e Kosovës, të kërcënuar nga regjimi serbë. Tani, autobusët nga Beogradi, serbë pra, po vijnë në Kosovë, vijnë të shpëtojnë shqiptarët nga liria e tyre? Vijnë, ua sigurojnë autobusin me pakëz para, nëpër tokën e tyre të garantuar, ua garantojnë edhe rrugën nëpër Hungari. Dhe, shteti ynë, pas dy a tre muajve, lëshon një apel, “mos e braktisni Kosovën, se është marre”. Jo se po bëni keq duke ikur, – por po na kritikojnë shtetet tjera, deklarojnë në qeveri dhe nëpër komuna.

Ikjet edhe mund të ndalen, për çka edhe unë bëj apel, ngase nuk po ma do shpirti këtë pamje. Edhe ata që kanë dal nëpër shtete të shumta edhe mund të kthehen, por, këtë vrragë në zemër kush ua shëron se!? Kjo kategori, ka mundësi të jetë pakëz më rebele, pakëz më e pa kapshme prej manipuluesve subjekte politike, të paktën, kur u kërkohet vota.

Ta marrim vetëm mjekësinë, shëndetin e popullit, sa e garanton kjo qeveri funksionimin e spitaleve, kushte esencial të cilin e shfrytëzojnë vetëm shtresat e ulëta, ku nuk kanë ku të shkojnë. Ata pra po ikin, të cilët edhe pse punojnë në Komunë, nuk kanë ku ti shërojnë familjarët e tyre. Me rrogën e komunës së Ferizajit, nuk mund ta shkollojë asnjë fëmijë, nuk mund ta bëjë asnjë operacion në privat, e nuk mund ti hiç as shpenzimet mujore. Lëre më ata që nuk punojnë.

Po, fundja, shtetet që na ndihmuan të çlirohemi, nuk na kanë faj, dhe mos t’ua shkelim kufirin ilegal. Ata, s’mund të merren me shërimin e këtij populli, me shkollimin, me bukën e mirë qenien tonë. Ata, po e ndihmojnë qeverinë e shtetit të Kosovës, dedikuar për të mirën e këtij populli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen