In memoriam:Tomë Hajdari, edhe një bashkëpuntor dhe vëlla në amshim

Analiza & Komente | Zef Prenka | 22.06.16 | 17:04

Nga Don Lush Gjergji

 

Mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. .. Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”  (Gjn 20, 27. 29)

Vdekja korrë dhe ajo s’ka të ndalur, apo siç thotë poeti, “ky lugat i pangopur gëlltit gjithnjë”…

Për ne të krishterë do të ishte më mirë të themi, Zoti, amshimi pret dhe thërret, Hyji shpërblen dhe lumturon prindërit, miqtë, vëllezërit, të njohurit dhe të dashurit tanë.

E ne, ku mbetëm? Me sy të përlotur, me zemër të copëtuar dhe ngurruar, me mendje të hutuar, me kujtime të turbulluar, me fe të dobët, me shpresë të mangët, me dashuri të luhatshme, gjithnjë me më pak miq dhe bashkëpunëtorë. Fijet e jetës dhe të vdekjes nuk janë në duar tona, dhe kjo është fatbardhësi, përndryshe bota jonë, edhe ashtu e mangët, me shumë të meta, do të ishte edhe më e keqe, mos të them e pamundshme.

Asnjë dashuri, edhe më pak dashurinë e Zotit, në jetën tonë të krishterë mund ta kuptojmë, shpjegojmë, sepse ajo është dhe mbetet Misteri i madh i jetës dhe amshimit. Si të tillë kemi vështirësi atë  ta  pranojmë, sidomos atëherë kur na duket si ndëshkim, padrejtësi, sidomos kur ajo na prekë për së afërmi, na rrëmben të dashurit tanë, edhe pse besojmë se jeta edhe vdekja, çdo gjë, është në dorë të Zotit, dhuratë e tij, e mira jonë. Ai i thërret për jetë dhe amshim, pra, për shpërblim dhe lumturi, ndërsa ne si njerëz të dobët dhe me pak fe, hidhërohemi, pikëllohemi, trazohemi, mërzitemi, ndonjë herë edhe shkojmë aq larg sa që dëshpërohemi.

Pyetja që na sillet në kokë, na shqetëson në shpirt, është gjithmonë e njëjta: përse, si, çfarë kuptimi gjithë kjo vuajtje, pësim, vdekje, ikje në amshim?

Tomë Hajdarin e kam njohur para shumë viteve, si mik, shok, vëlla, bashkëpunëtor të vlefshëm, njeri të guximshëm, të vendosur, me shumë  vrull dhe vullnet për punë dhe jetë. Në Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze” ai ishte një ndër njerëzit shtylla për çdo lloj nisjeje, planifikimi, veprimi. Për njerëzit tanë të kërcënuar dhe rrezikuar, së pari nga sistemi dhe mungesa e lirisë politike, pastaj nga varfëria dhe papunësia, ishte i palodhshëm, veprimtar me mendje të kthjelltë dhe zemër të madhe dhe bujari.

Shpesh më thoshte kështu: “Për këtë Popull të mirë, të stërvuajtur, të shkretë, të nëpërkëmbur dhe përbuzur nga lashtësia dhe historia, çdo gjë është tepër pak, edhe jeta jonë… Nëpërmjet Nënës Tereze ne e kemi shtruar Sofrën e vlerave dhe të virtyteve, të mirësisë, bujarisë dhe solidaritetit. Tashmë kjo s’ka të ndalur, dhe unë jam i lumtur që isha një ndër pjesëmarrësit e këtyre nisjeve fatlume dhe largpamëse…”.

Entuziazmi i tij për organizimin dhe veprimin e Shoqatës “Nëna Tereze”,  tek ne dhe në botë, ishte prekës dhe shembullor.  Në fjalë i matur dhe i përmbajtur, në shikim dhe orientim, i frymëzuar dhe me plotë jetë dhe gjallëri, në veprime i prerë dhe i palodhshëm, në planifikime vizionar dhe vegimtar, në jetë shok, mik, vëlla, në bashkëpunim shumë i çmuar dhe mjaft i dalluar.

Më kujtohen shumë takime, bisedime, diskutime, aty-këtu edhe dyshime, hezitime, ndonjë herë edhe ndonjë lodhje për mungesë të bashkëpunimit dhe mospërfilljeve. Tomë Hajdari ishte “penicilin” për ata që kishin “ndezjen  e vonuar”, apo që kishin “bateri të harxhuara”. Mjaftonte një fjalë, fjali, porosi, dhe Toma ynë ishte gati, si një ushtarak i mirë dhe i disciplinuar, gjithmonë i gatshëm për shqyrtim dhe veprim.

Kurrë nuk e harroj punën, flijimin, guximin dhe largpamësinë e tij  në përgatitjen dhe vendosjen e shtatores së parë në Kosovë, në Gjakovë, vizitën dhe përmbylljen e “Ditëve Përkujtimore Nëna Tereze” te varri i Adem Jasharin në Prekaz, propozimet e tija vërtet origjinale dhe krijuese.

Ëndërronte, së bashku me ne, për ndërtimin e Qendrës botërore të Paqes “Tempulli i Paqes,  Nëna Tereze” në afërsi të Prishtinë. Nuk duhet harruar  angazhimin e madh dhe tejet flijues të Tomë Hajdarit në marrjen e truallit, lejes, pastaj në ndërtimin e katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë. Së bashku me Anton Raja dhe Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” në New Yotk , ishte angazhuar në organizimin dhe pjesëmarrjen e tij në luajtjen e Gofit për ndërtimin e katedrales “Nëna Tereze”.

Me një fjalë, kudo ishte nevoja, dëshira, kërkesa e popullit, e të mirës së përbashkët, e Kishës Katolike të Kosovës dhe më gjerë, aty ishte Tomë Hajdari, si gjithmonë, jo vetëm i disponuar, por figurë që krijonte disponim, rrezatonte besim dhe bashkëpunim, jepte mendime dhe ndjenja, krijonte atmosferë miqësore dhe vëllazërore.

Dhe kur mosha, dituria, përvoja në jetë dhe në lëmi të ndryshme profesionale  premtonte  ende shumë,  në moshën 58 vjeçar, iu ndërpre hovi, hapi, vrulli, vullneti, jeta, puna, flijimi dhe shërbimi. Harxhoi atomin e fundit të energjisë për familje, për miq dhe dashamir, për bashkëpunëtor, për ideale të larta dhe largpamëse, dhe si Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, u “ngut” për kalim në amshim, për të gjetur së bashku pushimin e merituar të amshimit të lumtur.

Në emër tim, të Shoqatës “Nëna Tereze”, të Kishës Katolike në Kosovë, të shumë miqve tanë të përbashkët, këtu  apo në amshim, të falënderoj për të gjitha, me këtë dëshirë dhe uratë: Zoti të shpërbleftë e Populli mos të harroftë! Pusho në amshim dhe lutu për ne, si dhe ne për Ty.

*Fjalim në ditën e varrimit të të ndjerit, në Palabardh,  21 qershor 2016

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen