„Letër mbretit tim“ – Parathënja

Analiza & Komente | Zef Prenka | 04.06.18 | 21:04

Letër mbretit tim
Krushku mërgimtar

Parathënje  nga  Sabri Gjonbalaj

Këmbëngultësia e poezisë për ta shprehur të pa shprehshmen.

Pasi i rashë në fund së lexuari përmbledhjes së poezive “Letër Mbretit tim” të autorit Xhenc Bezhi, të redaktuar nga shkrimtari tashmë i ndjerë Daniel Gazulli, më dolën vetvetiu disa çështje, të cilat m’u imponuan me rëndësinë e tyre.

Së pari, autori Xhenc Bezhi me përmbledhjen
“Letër Mbretit tim” i thyen disa klishe, të cilat, herë nëpër deriçka e herë nëpër dyer të jetës sonë letrare, i ka futur mediokriteti letrar i instrumentalizuar politikisht.

Klisheja e parë është paragjykimi se poetët e vërtet botojnë librin e parë para moshës 30 vjeçare, ndërsa poetet që botojnë librin e parë mbas kësaj moshe nuk paraqesin ndonjë vlerë.

Letërsia jonë e sidomos ajo botërore ka shumë shembuj që demantojnë këtë. Autori i këtij libri është në moshë të mesme, por kjo nuk do të thotë se ai tani ka filluar të shkruajë. Sigurisht që ky poet ka filluar të shkruajë më herët, por jeta e mërgimtarit nuk i ka krijuar hapësire të favorshme për të botuar më herët. Mirëpo, ajo që është më e rëndësishme në ketë kontekst, është se Xhenc Bezhi del para lexuesit me profil të formuar poetik, qoftë në aspektin e tërësisë tematike, qoftë në aspektin e konsolidimit të shprehjes poetike.

Klisheja e dyte është paragjykimi në aspektin e gjuhës së shkrimit të poezisë, i cili absolutizon mundësitë shprehëse të standardit gjuhësor dhe nënçmon mundësitë shprehëse të Gegnishtes, e cila ka një traditë pesëshekullore shkrimi. Xhenc Bezhi e ndien veten mirë në universin e traditës gege të shkrimit të poezisë, prandaj poezia e tij kumton të vërtetat e saj subjektive e objektive me një natyrshmëri të lakmueshme. Se dyti, poezia e përmbledhjes “ Letër Mbretit tim” sikur edhe si motrat e saj të dëshmuara në ballafaqim me lexuesin,është krijuar brenda një konteksti të caktuar historik, politik e kulturor, i cili nënkupton një kontekst ekzistencial gjithsesi të veçantë.

Ky kontekst përcakton gamën tematike të poezisë së këtij autori. Tematika historike materializohet artistikisht përmes figurave kulmore të historisë kombëtare,kryesisht nga hapësirat kombëtare veriore.

Të qenit nga një pjesë e hapësirës kombëtare nuk nën- kupton përmasa krahinore të figurave kombëtare. Figura të tilla të poetizuara në ketë libër janë: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Gjergj Fishta, Imzot Nikollë Kaçorri,
Don Simon Jubani, Luigj Gurakuqi. Edhe figura e shkrimtarit Daniel Gazulli (nga dera e njohur e Gazullorëve) dhe redaktorit të këtij libri, i cili vdiq pak ditë mbasi e beri redaktimin, s’ka pse te mos i bashkohet këtij radhori.

Duke qenë njëra nga pjesët e trungut identitar kombëtar,ky radhor figurash historike të poetizuara me sukses, dashuri e invencion është peshorja e saktë, e cila mat me saktësi vlerat e sotme të shoqërisë shqiptare, po edhe stigmatizon jo vlerat qofshin ato të lakuriqsuara qofshin ato të maskuara. I revoltuar me faktin e rëndë të përsëritjes së historisë sonë kombëtare në versionin e saj tragjik, subjekti lirik kërkon Mbretin e tij Gjergj Kastriotin në Kruje e në Lezhë për ta takuar, dhe për t’ia shprehur shqetësimin e tij për faktin e rëndë të përsëritjes së historisë sonë tragjike, por ,kur nuk e takon ,vendos t’ia shkruajë një letër ( Poezia “Letër Mbreti tim ).

Po thuajse në çdo poezi përkushtim pos dashurisë deri në adhurim për figurat historike, subjekti lirik krijon pozicionin e pa kontestueshëm të vlerave prej nga drejton shigjetat e tij stigmatizuese. Xhenc Bezhi, nxënës i dikurshëm i Shkollës së Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” Në Gjakovë, poezinë “Nandorët e ftohtë” ia përkushton njërit prej profesorëve të asaj shkolle, i cili është autor i këtij shkrimi, të cilit zëri i modestisë ia përkujton se kjo poezi edhe pse i dedikohet atij me emër e mbiemër, në esencë është një mirënjohje për qindra e qindra profesorë e intelektualë të gjitha profileve, të çilët sakrifikuan në mënyra të ndryshme për ta arritur lirinë kombëtare dhe individuale.

Tematika e vendlindjes me degëzimet e saj për gjeografinë e Atdheut, për familjen, për farefisin dhe bashkatdhetarët përshkohet nga filli i mendimeve për fëmijërinë. Fëmijëria është ajo pjesë e jetës ,e cila luan rrol vendimtar në formimin e personalitetit të njeriut dhe secilës pothuajse nuk ka poet që nuk i është kthyer.

Ta vështrosh Atdheun, familjen, nënën, babanë, motrën e të tjerë në kornizën e fëmijërisë do të thotë të hulumtosh në thellësitë e shpirtit për gjërat ,që kanë zënë vend aty dhe prej andej ndikojnë jo vetëm në intensitetin, po edhe në ngjyrën e zërit të subjektit lirik.

Ne këtë libër nuk mungon as tematika e së ultës dhe së shëmtuarës, e cila herë ironizohet deri në tallje e herë stigmatizohet deri në fund. Së treti, çështja e cila mu imponua në ballafaqim me poezinë e këtij libri janë mjetet shprehëse apo gjuha poetike, e cila e ndihmon autorin t’i artikulojë gjendjet e tij mendore e shpirtërore.

Poetë të mirë janë konsideruar e konsiderohen ata poetë, të cilët na mësojnë të flasim për thellësinë e shpirtrave dhe mendjeve njerëzore. Poezia të shumtën e rasteve është intelektuale, sepse i hulumton dhe i zbërthen idetë, por ajo është shumë më tepër e përqendruar në atë se çka ndjejnë njerëzit se sa në atë se çka mendojnë.

Duke qenë e tillë, poezia vepron jashtë gjuhës së zakonshme, prandaj është këmbëngulëse në përpjekjet e saj për ta shprehur të pashprehshmen.

Në këtë kontekst përgjithësues jam i pirur ta aktualizoj një mendim të Robert Frost, i cili ndër të tjera thotë: “ Poezia është një mënyrë për t’ia ngjitur jetës për fyti”( “Poetry is a way of taking life by the throat”).

Ketë mendim nuk e aktualizova rastësisht ,por me qëllim që të kuptohem drejtë ,kur them: Xhenc Bezhi në poezinë tij e ka gjetur mënyrën për t’ia ngjitur jetës për fyti.

Ketë parathënie për përmbledhjen poetike “Letër Mbretit tim” do ta përfundoj me citimin e një konstatimi drejtuar lexuesit: “Vërtet duke lexuar poezi ne e fisnikërojmë jetën tonë. Poezia na ndihmon të bëhemi më të artikuluar dhe me të ndjeshëm ndaj ideve dhe ndjenjave. Ky është qëllimi me i larte (“The Norton Introduction to literature”, By Alison Both, J. Paul, Hunter, Kelly, J. Mays, Ninth Edition, Norton and Company, Inc, New York, London, 2005, f.810).

Çështjet e ngritura shpresoj të ndihmojnë lexuesin të vendosë raporte të drejta komunikimi me poezinë e këtij poeti, pa harruar të them se liria e zgjedhjes së mënyrës së leximit është e pa kontestueshme, të cilën unë e respektoj deri në fund.
Kadrush Radogoshi
(Magjistër i shkencave filologjike,
Shkrimtar dhe studiues i letërsisë)

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen