Opinion nga Prend Buzhala-Aktualiteti politiko shoqërorë në Kosovë

OP-ED | Rrezore | 21.03.19 | 12:09

Prend BUZHALA:
MOS U MERR ME POLITIKË
(Nga Zbulesat e jetës)

Shpesh e dëgjojmë edhe një shprehje tjetër:
Hiqu politikës!
Mos u merr me politikë!
Politika nuk është për njerëz të ndershëm.
As për intelektualët.
As për të rinjtë.

1.
Dhe ai miku skeptik të thotë: a nuk e sheh se ata intelektualë që merren me politikë, detyrohen (si në komunizëm), t’i thurin lëvdata udhëheqësit të tij (partiak a pushtetor, nuk ka rëndësi), se intelektualët (shërbyes pushteti a partie), i thurin lëvdata njerëzve të çfarëdoshëm, sidomos atyre që nuk kanë vlera, se vetë intelektualët e tillë shndërrohen në përndjekës të kolegëve të tyre, për shkak të mendimit ndryshe, të qëndrimeve kritike që mund t’i kenë ndaj strukturave të pushtetit e bartësve të tyre. E, kur e shohin se edhe ata janë të mashtruar, atëherë bëhet tepër vonë; zhgënjimi vjen gjithsesi, mandej duke u dhënë pas pijes a ndonjë veprimi tjetër zhgënjyes…
E thotë qartë një intelektual: sado shpëtimtarë të jenë udhëheqësit, ata kanë manitë e tyre… dhe sa më gjatë që qëndrojnë në pushtet, shoqëria nuk mund ta zgjidhë problemin e tyre, pa pësuar dëme të mëdha (udhëheqës që krijojnë e prodhojnë gjithnjë skenarë të rinj aferash, gjithnjë prodhojnë kriza dhe armiq të rinj e kundërshtarë artificialë për të krijuar vartës; domethënë: krijojnë projektet e urrejtjes e të përçarjes për të qëndruar sa më gjatë në pushtet).

2.
Dhe, a duhet ti të merresh me politikë?
Sidomos intelektualët e të rinjtë?
Platoni i urtë e kishte thënë këtë të vërtetë që në shekujt e antikës, para dy mijëvjeçarëve:“Një prej dënimeve që vuan ti, është refuzimi yt për të mos u marrë me politikë, prandaj është fati yt për t’u sunduar (qeverisur) nga vartësit tu e nga njerëzit që ndjehen inferiorë ndaj teje.“
Pushtetarët e dinë se sa janë inferiorë karshi intelektualit, kundër të cilit nëpër shekuj kanë lëshuar përbuzjet e anatemat e tyre. Nëse ti lëshon pe vazhdimisht, atëherë përnjëmend budallenjtë e të marrët do ta udhëheqin atdheun tënd, po edhe botën!
Tashmë jemi mësuar që intelektualin e tillë, a opinionistin e tillë, ta shohim duke debatuar nëpër kafene a profile facebook-u; debaton e shkruan me cinizëm; nuk i shfrytëzon aftësitë e prirjet e tij profesionale për të mirën e përgjithshme; domethënë, nuk hyn në ujë „për t’u lagur“! E, pa u lagur, noti nuk mësohet!
Shndërrohen në vajtimtarët ë përjetshëm.
E pata shkruar para sa kohësh: Koha jonë prodhoi edhe një prototip interesant: Njeriun e Kukamës. Kështu po na pasurohet karakterologjia shqiptare,Trasta e Teofrastit modern. Në luftë vriteshin njerëzit dhe nuk kanë lëshuar as përhapur këso kukamash e britmash, çfarë po lëshojnë kundër Kosovës mediet e këtushme, portalo-llurbat shqipfolëse, opinionistët daltonistë dhe sojsorollopë të tjerë, larg e afër… Shtrohet pyetja: cilët njerëz kukasin?! Ata që kanë humbur diçka të parealizueshme apo ata që frustrohen së tepërmi!? Ata që jetojnë nga kukama (si lypësit që i bezdisin njerëzit nëpër kafene e rrugëve) apo ata që pretendojnë ta realizojnë qëllimin e kukamës?! Kukama tashmë është shndërruar në zeje e në profesion të leverdishëm, posi lypësia nëpër rrugë e kafene… me tabela horrori, nëpër duar e të varura në gjoks a në qafë…
Qenka mirë, prandaj, që këta vajtimtarë të bashkohen, bile të vajtojnë në kor, së bashku!

3.
E atëherë?
Në vend që të presim se e keqja dhe kriza kalojnë vetvetiu, pa lëvizur fare; atëherë le ta ndryshojmë qëndrimin që kemi dhe situatën në të cilën jemi: me shpresën se mund të bëhet diçka ndryshe. E kjo: „ndryshe“ (mjete për ndryshim), fatkeqësisht, ende qenka në duar e atyre që kanë pushtetin në duar.
A nuk i duhen Kosovës njerëz të aftë profesionalisht dhe të guximshëm, që do t’i zëvendësonin ata që janë servilë dhe të paaftë?
A nuk i duhen ata që do të kenë prirje për t’i përhapur dijet moderne, dhe metodat bashkëkohore për ta drejtuar shtetin e pushtetin, pikërisht pse i kanë neveritur pa masë korrupsioni e format tjera të nepotizmit; pikërisht pse ndaj këtyre dukurive do të luftonin pa kompromis?
A nuk i duhet ai profil vepruesi (i të riut a intelektualit) që e përhap vizionin e tij për të mirën e përgjithshme në vend të një politike pragmatike?
E këtë obligim për vizione të tilla, duhet ta kenë posaçërisht të rinjtë. Ata investojnë shumë në njohuritë e në idetë e tyre kreative, në pavarësinë e tyre që ta ndryshojnë gjendjen. Në vend të mendësisë së ikjes jashtë; le të angazhohen këtu; dhe në vend të qëndrimit jashtë, e asaj mase qindra mijëshe, le t’i shfaqin prirjet e veta këtu.
Ky ndryshim i gjendjes në Kosovë le të jetë vepër e tyre.
Të rinjtë janë të hapur me idetë e tyre, me të arriturat e tyre në studime e në njohuritë teknologjike që posedojnë; ndërkohë që gjeneratat e vjetra preokupohen me të kaluarën, sidomos me lavditë e së kaluarës, duke e lënë anash krejtësisht të tashmen.

4.
E prapë na tingëllon në vesh klithma e të zhgënjyerve dhe e skeptikëve: hiqu politikës. Mos u merr me politikë! Kurse politika do të merret me ty. Politika ndikon te ti: si të sorollatesh, si të mbetesh pa shpresë, si të ngujohesh diku në shtëpi, në internet apo në ndonjë zgobinellë moderne, si të ikësh nga atdheu, si të mos veprosh në të mirën tënde, si të mos e duash Kosovën, se politikës së tillë kjo i intereson. Shihi ata që tashmë janë në moshë dhe ata që sundojnë: debatojnë pafundësisht, për të treguar se sa parimorë a të ditur janë; por vende pune nuk hapin, dhe asnjë hap s’e bëjnë për perspektiva zhvillimore.
Por demokracia e ka një të mirë: artikulimin e ideve të reja askush nuk mund t’ua mbyllë dyert.
Gjeneratat e vjetra dëshmuam (eh: dëshmuam, mbasi po flasim në veten e parë shumës). u dëshmua se interesi nacional nuk iu intereson sa interesi personal; se ky interes personal qëndron edhe mbi interesin partiak, edhe mbi atë nacional.
Dhe, gjeneratat e reja le t’’ua thonë këtë me veprime konkrete: ku mbizotëron ky interes personal dhe ku zhvlerësohet ai nacional, po qoftë edhe partiak (sepse partitë janë “të kapura” dhe janë shndërruar në vegla qorre të interesit të ngushtë të disa personave).
Të rinjtë mund ta përmirësojnë jetën, mund të ushtrojnë kontroll mbi jetën politike.
Fillimisht, së poshtmi. Në „bazë“! Në „strukturë“! ty ku merr frymë shumica: për ta ngritur një tjetër vetëdije, shpresë tjetër e ndërgjegje të çliruar. E mandej hapërohet drejt majës. Drejt ndryshimeve në maje.

5.
Mirë: le ta dëgjojmë e ta ndjekim atë thënien fatale: mos u merr me politikë, se mallkimi i saj (poshtërimet) të ndjekin pas!
Atëherë, edhe vendimet për këta të rinj i merr dikush tjetër.
Dhe, a nuk iu duhet të rinjve që të luftojnë për të mirën e vet, për të mirën e vet të përbashkët?
Sepse ata e dinë më së miri se cilat nevoja janë të domosdoshme e cilat vendime janë të domosdoshme për ta.
Nëse pushteti e gjeneratat e vjetra nuk merren me të rinjtë, atëherë a nuk qenka koha që ata të luftojnë për vetveten?
A nuk qenka koha që ata ta marrin në dorë fatin për jetën e tyre e për vendin e tyre?
Le t’u thuhet: mirë, hiquni të moshuarve, që ende janë të molepsur me do ideologji të së kaluarës, të panevojshme për të sotmen e për integrime evropiane.
E cilat paskan qenë vendimet e deritashme të atyre që tashmë u bënë „të vjetër“!?
Shkatërrimi i vendeve të punës, privatizimi i pashpirt i kompanive strategjike, me të cilat do të kishte mundësi konkurrimi… E të mos flasim për hajnitë ashiqare…
Shikoni cilat shtresa janë më të pasurat e më të privilegjuarat dhe e vërteta del në shesh…
Secila kohë dhe rinia e secilës kohë ka kërkesat e veta, ka vizionet e veta.
Edhe të rinjtë: ashtu si shohin Kosovën, ashtu edhe do të jetë; nëse e shohin me mungesë vizioni e të turbullt, e tillë do të jetë e ardhmja e tyre.
Nëse i qartësojnë vizionet e veta, andej do të shkojë edhe Kosova.

(Ese, 20 mars 2019)

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen