Dekorata perandorake e princërore për Poetin Kombëtar

Histori & Fakte | Zef Prenka | 16.06.15 | 20:18

Fishta në “punë krajlash”

Nga Tonin ÇOBANI

Është një fotografi e Gjergj Fishtës me katër dekorata në gjoks. Dy prej tyre janë perandorake (“Mearif, kl.II, 1912”, akorduar prej Qeverisë Osmane dhe “Ritterkreuz, 1912”, prej Austro-Hungarisë); e treta vjen prej Papa Piut XI (“Medaglia di Benemerenza, 1925”) dhe e katërta prej mbretit të Greqisë (“Phoenix, 1931”). Ekziston edhe një “dekorim” tjetër, ta quajmë, princor, që nuk kishte se si të varej në qafë, sepse ka qenë një dhuratë e shtrenjtë prej Krajl Nikollës së Malit të Zi: një komplet (lugë, pirun, thikë) prej ari, që Fishta e mbante në një vend të dukshëm të dhomës së tij në Kuvendin e Gjuhadolit dhe kishte dëshirë t’ua tregonte miqve, duke shtuar, jo pa ironi, se “këto janë punë krajlash”. Sot me të drejtë vjen pyetja: ç’kuptim kanë “këto punë krajlash” për një frat, për një poet të çfarëdoshëm, apo poet kombëtar, siç është Gjergj Fishta?
Më parë se të formuloj një përgjigje diqysh të pranueshme për pyetjen e ngritur, po rreshtoj edhe disa “dekorata” të tjera ose më saktë vlerësime për Fishtën. Qysh me 1911, me rastin e 50-vjetorit të çeljes së shkollës françeskanë në Shkodër (1861-1911), klubi “Gjuha Shqipe” i atij qyteti i ka dhuruar Fishtës një “Kurorë të Argjendtë” dhe shkollës që ai drejtonte dy relieve artistike që simbolizonin Atme e Fe. Pas disa vitesh “Kurorën e Argjendtë” do ta pasurojë qyteti i Beratit, i cili më 1913 (ose 1917) do t’i dhurojë poetit shkodran një “Pendë të Artë”. Të dy mirënjohjet, “Kurorën e Argjendtë” të shkodranëve dhe “Pendën e Artë” të beratasve, Fishta i mbante së bashku në një kornizë të drunjtë, dëshminë e së cilës e ka fiksuar në celuloid foto Pici (1942). Në vitin 1929 Urdhri i Françeskanëve i akordoi Fishtës titullin “Lektor Jubilatus Honoris Causae” (Teologji dhe Filozofi), ndërsa më 1939 Akademia Italiane e shpall anëtar të vetin si poet, me të drejta të barabartë me anëtarët e tjerë, përfshirë muzikantët me famë botërore, Pjetër Maskanjin e Lorenco Perosi-n, si dhe psikologun, gjithashtu me famë botërore, Agostino Gemelli-n, me propozimin e të cilëve Fishta qe pranuar anëtar i asaj Akademie.
Si poet Fishta ka qenë njohur edhe më parë në shkallë botërore. Më 1931 ai qe ftuar dhe pranuar anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Poetëve me qendër në New Jork, ku bënin pjesë 60 kombe. Ndonjë studiues ka shkruar se emri i Fishtës ka qenë diskutuar edhe për Çmimin Nobel. Por kjo duhet vërtetuar nëse ka qenë formuluar ndonjë propozim konkret. Unë jam i prirë të besoj atë që ka pohuar Faik Konica, i cili ka qenë një kritik letrar, i ashtuquajtur, elegantorum. Ai ka thënë për Fishtën se ka një vepër (është fjala për “Lahutën e Malcis”) të krahasueshme me kryeveprat e letërsisë botërore, por duhet të përkthehet në një nga gjuhët e mëdha evropiane që të marrë vlerësimet e merituara. Fatkeqësisht përkthimi i Lahutës në gjermanisht nuk ka qenë në nivelin e duhur (është fjala për përkthimin e Weigand-it), gjithmonë sipas Konicës.
Sa i përket përkthimit të veprës fishtjane, duhet shtuar se, përveç faktit që vargjet më të hershme të Fishtës janë shkruar italisht (1892) ose/edhe kroatisht, edhe vargjet më të para të “Lahutës së Malcis” (1900) janë përkthyer shumë shpejt në italisht e botuar më tepër se një herë (1912 dhe 1918) prej Luigi Lorecchios. Më pas pjesë më të plota nga “Lahuta e Malcis” janë përkthyer në gjuhën e Dantes prej autorësh të ndryshëm, si: Luigj Gurakuqi, Fulvio Cordignano, Ernest Koliqi etj. Disa këngë janë përkthyer më tepër se prej një autori. Në kapërcyell të viteve ’70 Ignazio Parrini solli në italisht variantin e plotë të “Lahutës…” së Fishtës në katër vëllime (“Il Liuto della Montagna”, Palermo, 1968-1973): parathënie, koment, përkthim dhe shënime prej Iganzio Parrino. Por, për arsye (dhe mos arsye) tashmë të njohura, në Shqipëri u hesht për turp. U hesht edhe për një botim bilingue (shqip dhe italisht) të një vepre tjetër të plotë të Fishtës: “Jerina ose mbretëresha e luleve”(Jerina ossia regina dei fiori), sjellë në italisht prej Luigj Marlekajt (Bari, 1973).
Në gjermanisht, përveç përkthimit të këngëve të para të “Lahutës së Malcis” (Weigand, 1925), në vitin 1958 na vjen dhe një përkthim tjetër i variantit të plotë të saj prej Maksimilian Lambercit, shoqëruar me një parathënie të zgjeruar për vlerat e veprës fishtjane edhe letërsinë shqipe të deriatëhershme. Lamberc, duke promovuar “Lahutën…” e Fishtës në gjermanisht, ka deklauar: „Lahuta e Malcis është vepra më e rëndësishme e letërsisë shqiptare… (e cila) e meriton që, nëpërmjet përkthimit në gjuhë të tjera, të gjejë hyrjen në letërsinë botërore“. Jemi në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar dhe këta konsiderata nuk kishte se si të depërtonin në Shqipëri, as përkthimi i “Lahutës…” në gjermanisht (“Die Laute des Hochlandes”). Por çfarë më çudit më tepër është fakti se ende sot e kësaj dite disa akademikë shqiptarë nuk e përmendin fare “Lahutën e Malcis” në gjermanisht as si vepër të Lambercit: e, pra, Maksimilian Lamberc është ndër albanologët më të mëdhenj të shekullit XX (Elsie).
Ndërkaq përkthyesit në anglisht të kësaj vepre (“The Highland Lute”, London, 2005), që u realizua në pesë vitet e para të Millennium-it të Ri, albanologu Robert Elsie dhe bashkëpunëtorja e tij, poetesha Janice Mathie-Heck, kanë deklaruar: Lahuta e Malcis “është një kryevepër, e cila ka vend në radhën e eposeve të mëdha botërore” (Elsie) dhe se ajo, Lahuta e Malcis, “është një poemë epike monumentale kushtuar popullit shqiptar. Është një këngë lirike kushtuar tokës, një këngë gjaku dhe beteje, një këngë e livadheve të bleruara dhe e të hijshmeve zana të zgjuara, dhe (prandaj) ne menduam se meritonte të tregohej në frymën e atij që e lindi, me gjithë atë ngarkesë të thellë emocionale dhe atë sens të plotë për aventura dhe dashuri që Fishta zotëronte!
Është padyshim një vepër klasike, por në të njëjtën kohë vjen e gjallë për lexuesin në gjuhën e sotme të pasur e të larmishme angleze. Mua më duket frymëzuese dhe përqethëse, veçanërisht kur lexohet me zë të lartë… Në të gjitha këto kuptime, “Lahuta e Malcís” e Fishtës është e përjetshme” (Mathie-Heck).

Tani le të formulojmë një përgjigje sa më të pranueshme (jo të përjetshme, sigurisht) për pyetjen e ngritur qysh në paragrafin e parë të këtij shkrimi lidhur me atë që Fishta quan “punë krajlash”.
Stolitë në zhgunin e fratit Gjergj Fishta apo në dhomën e tij në Kuvendin e Shkodrës, vlerësimet për të si poet kombëtar a “prijës intelektual i shquar”, pavarësisht nga kanë ardhur ata vlerësime (dhe s’kanë ardhur ende), përmblidhen në një dekoratë të vetme, ndonëse tejet të vonuar, në një dekoratë si ajo që iu akordua më në fund “post mortem” në Shqipërinë e tij: “Nderi i Kombit” (2002).
Dhe sado që nuk mund të kemi një fotografi të Fishtës me këtë dekoratë në gjoks, ai është vërtetë nderi i kombit të vet, dhe jo vetëm i kombit të vet, pasi me të drejtë për vlera origjinale të papërsëritshme, Poeti ynë është radhitur (edhe nga studiues të huaj) përkrah Homerit e Virgjilit, Dantes e Shekspirit, Gëtes e Molierit… Konica ka shkruar diku se “kot përpiqen grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se „Lahuta…“: kjo, po, është “punë krajlash”.
Qershor, 2015

Gjergj Fishta, foto Marubi.

Fishta, Mjeda dhe Gurakuqin, foto Marubi.

Kurora e Argjendtë (e Shkodrës)
dhe Penda e Artë (e Beratit), foto Pici.

Lahuta e Malcis shqip (1937), gjermanisht (1958) dhe anglisht (2005).

Përgatditi për rrezore

Frano Kulli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen