ROMANI SI NJË KLITHMË ARTISTIKE PËR REALITETIN SHQIPTAR

Analiza & Komente | Zef Prenka | 13.01.17 | 19:19

Libër nga sirtari:

Nasi Lera: Kishim një ëndërr, Botimet LIVING, Tiranë 2016.

Nga Mikel GOJANI

Për prozën e Nasi Lerës është folur dhe shkruara mjaft. Arsyet janë të shumta, sepse poetika e prozës së tij është shumë joshëse, prandaj edhe zgjon interesimin dhe vazhdon të zgjojë kjo prozë të shtresat më të ndryshme të lexuesve dhe studiuesve dhe njëherësh ka një mbështetje reale dhe të arsyeshme. Ajo është interpretuar e riinterpretuar pothuajse nga të gjithë kritikët tanë; është lexuar dhe vazhdon të lexohet nga lexues të shumtë dhe të ndryshëm – kurdoherë me entuziazëm dhe me një kënaqësi të re. Nga çfarëdo këndi dhe nga çfarëdo konceptesh teorike letrare që i është qasur, kritika ka hasur aty në një art që i plotëson edhe kërkesat estetike, edhe kërkesat të tjera të përgjithshme e konkrete; lexuesi i rëndomtë, ndërkaq, ka ndeshur aty fjalën poetike të qartë që, plot porosi dhe bukuri njëkohësisht, fjalën që është mishërim jehonash, preokupimesh, interpretimesh e synimesh të gjera. Të gjithë bashkë te ajo prozë kanë hetuar sendërtimin e plotë e konkret të idealit të lartë të artit letrar: t’i shërbejë me përkushtim dhe besnikëri bukurisë eteto-artistike e nëpërmjet këtyre edhe bukurisë së jetës.

Romani: “Kishim një ëndërr” – majë e vlerave ideo-esteto-artistike

Romani “Kishim një ëndërr” i Nasi Lerës, botuar më 2016, dëshmoi mirëfilli vlerën cilësore të krijimtarisë letrare në prozën e këtij shkrimtari, gjithashtu njëherësh të prozës romaneske shqiptare në përgjithësi. Vështruar në këtë kontekst romani në fjalë arrin majat e vlerave dhe e bëjnë të dallohet nga proza e deritanishme romaneske e N. Lerës, por edhe nga ajo shqiptare në përgjithësi. E para lidhet me shumësinë dhe me e dyta me strukturën tekstore poetike, nga e cila rrezaton një shumësi kuptimesh, ndërsa e fundit që lidhet me personazhet kryesorë të prozës, Astin dhe Lora Rebin, personazhet tepër komplekse në dramat që zhvillohen në këtë prozë.

Romani që paraqet realitetin që përjetohet çdo ditë

Në lajtmotivin e prozës paraqet Asti, një regjisor që nuk mundi të vinte në skenë gërshetimin e Çehovit me Beketin, përjeton tragjikomedinë çehoviane-beketiane, të vënë në skenë në realitetin e përditshëm nga politikanët dhe politika shqiptare. Femra është viktima e parë e realitetit të romanit. Skenat e veprës gërshetojnë tragjizmin, neverinë realiste, grotesken, komiken dhe dhimbjen se ajo që lexon është një realitet që përjetohet çdo ditë.

Në roman qysh në fillim hasim tema dhe motive tepër interesante. Fillon me hapjen e dyqanit të arkivoleve të Tim Funeralit, i cili lokalin e tij e kishte furnizuar me arkivole dhe kurora lulesh prej letre. Pas një kohe lokalin e mbyll për një kohë të gjatë. Në derë ishte vënë lajmërimin bashkë me numrin celular, me qëllim të shitjes së lokalit, mirëpo pothuaj askush nuk kthente shikimin në drejtim të atij lokali pasi që ishte në një pjesë jo të dukshme, pasi që kishte një ndërtesë të lartë pranë. Kështu që, pothuajse i zoti i lokalit, po ashtu edhe të tjerët humbën shpresën që mund ta shiste apo ta jepte me qira lokalin. Dikur xhamat e atij lokali i mbuloi pluhuri dhe dikush vizatoi mbi to organin mashkullor dhe dikush tjetër e shkroi parullën: “Rroftë Shën Valentini!” Njerëzve më tepër iu binte në sy dhe i tërhiqnin vizatimi i organit dhe thirrja për Shën Valentinin se sa lajmërimi, “Shitet apo jepet me qira”. Pas një kohe ky dyqan u shndërrua floktore, ku hapja e këtij dyqani më së shumti e gëzoi Gjon Garipin, i cili zuri miqësi me vajzën e bukur, po ashtu ishte në gjendje t’i përcillte edhe gjitha vajzat tjera që vinin për t’u rregulluar. Nuk kalo shumë kohë vajza mbylli dyqanin dhe iku për në jug-perëndim. Për një kohë lokalin e mbuloi një heshtje e hirtë dimërore, duke e hapur pas një kohe një burrë hijerëndë, zyrë avokature, i cili pjesën më të madhe e kalonte pranë televizorit, pasi që nuk kishte punë. Nuk kaloi shumë kohë kjo zyrë prapë edhe u mbyll, duke u rihapur prapë më tepër që s’pritej, në agjenci funerali Shpëtimi. Mirëpo, njerëzit, të cilët e njihnin legjendën e dyqanit ishin të bindur se lokali nuk do t’i shpëtojë mallkimit mbi të, ashtu siç nuk i kishte shpëtuar tekniku i frigoriferit, parukerja nga jugperëndimi i vendit, avokati etj.

Asti është një nga protagonistët që mban barrën më të madhe të prozës. Ai ishte kishte krijuar raporte me Fredin, mirëpo ajo pas një kohe nuk i përgjigjet thirrjes së tij, sikur më 22 tetor. Ajo kishte ndarë mendjen të heshtte, edhe Asti ishte i vetëdijshëm që nuk do të ishte në gjendje t’ia sigurojë një jetë çfarë do t’i pëlqente asaj. Këtë jetë nuk kishte mundësi t’i siguronte, sepse Asti ishte një regjisor i dështuar. Projektet të cilat i paraqiste për realizim atij një pas një i dështonin. Momentet interesante po ashtu në jetën e tij paraqet takimi i tij me Ledi B. Dhe rrugëtimi i tij me makinën e saj të një tipi bashkëkohor dhe i po atij viti të prodhimit. Bukuria e Ledi B., kofshët e saj e joshnin Astin.

Asti kishte synim të vejë në skenë Çehovin dhe Beketin. Ai kishte besim se një ditë do të sjellë diçka të re. “Nuk Shihja ku po shkoja. Atë mëngjes , nuk mendova për teatrin, nuk mendova as për Çehovin dhe as për Beketin, sepse gjithmonë mendoja për të dy: vija në skenë Çehovin dhe më dukej sikur vija Beketin ose vija në skenë Beketin dhe më dukej sikur e vija Çehovin. I shkëpusja nga koha e tyre, i sillja në kohën time dhe më dukej se të dy i flisnin asaj njëlloj, siku argjë nuk kishte ndodhur në shekullin që më ndante nga Çehovi dhe në gjysmëshekullin që më ndante nga Beketi. Kur mendoja për ta, mendoja se i ndërronin me dëshirë vendet me njëri-tjetrin. Beketin e luaja në dekorin e e Çehovit dhe Çehovin në atë të Beketit e të dy në dekorin e dhimbshëm të vendit tim. Harrohesha, sikur të ndodhesha në një sallë e të shija të kluhej në një skenë të madhe: në njërën anë gjysmë Çehovi dhe në gjysmën tjetër Beketi, por në gjysmën e Çehovit, luhej Beketi dhe në gjysmën e Beketit, luhej Çehovi. I besoja marrëzisë sime skenik dhe isha i bindur se një ditë do të sillja diçka të re… (fq. 28).

Asti, siç shprehet edhe ai vetë, por të mos e kishte këtë besim nuk do të studionte regjisurën. Kur ta kuptonte se nuk do të ishte i aftë të thoshte diçka të re, do të largohej nga teatri, por edhe u largua. Dhe tani s’po ecje, jo drejt një teatri, por drejt një institucioni financiar; nuk po ecje si regjisor, por si një personazh i dalë nga një dramë e panjohur, autor i së cilës ishte koha anonime ku ai jetonte.

Momente interesante autori paraqet edhe udhëtimin E Astit për në qytezën R. me mikrobusin e vjetër, bashkë me udhëtarët e përditshëm. Zbritja e tij në qytezën tepër të varfër dhe më tepër i humb shpresat që do të nxjerrë ndonjë kredi. Takimi në bilardo me të çmendurin, i cili në atë bilardo kishte humbur kredinë dhe kërkonte nga ky që t’i besojë, kthimi me plot dëshpërimi dhe dyshimi për të hequr dorë nga kjo punë; takimi me vajzën e pamartuar, e cila kishte marrë kredinë për vëllanë dhe djalin e tij dhe mendonte ta sheste shtëpinë dhe të ikën azil. Kredia ishte aq e lartë sa që nuk dinte nëse do t’ia paguanin paratë e shtëpisë. Ikte nga ajo shtëpi që kishte dëshiruar të vdes. Vëllai nuk i kishte prekur kurrë ndonjëherë punë me dorë. Aty do të ndeshim edhe shumë momente të tjera tepër interesante që për shkak të rëndimit të jetës, njerëzit janë detyruar të marrin kreditë. Prandaj Astit i bënte përshtypje se po jetonte në njëkohës më të ashpër se sa në kohën e Çehovit, në kohën e Beketit dhe se ajo që po përjetonte ishte një hakmarrje ndaj vetvetes.

Transponimi i një varg problemesh qenësore të ekzistencës së njeriut tonë dhe të botës së tij

Në romanin “Kishim një ëndërr” të shkrimtarit Nasi Lera, shqiptohen e transponohen një varg problemesh dhe preokupimesh qenësore të ekzistencës së njeriut tonë dhe të botës së tij. Kjo shumësi problemesh dhe preokupimesh është e shprehur nëpërmjet të një strukture tekstore të ngjeshur dhe të dendësuar, ku shkrimtari ka lënë vetëm tekstin pa të cilin nuk do të kuptoheshin, të nxiteshin dhe të zhvilloheshin lidhjet e ballafaqimit të dukurive e problemeve, të shqiptohej dhe të krijohej konteksti poetik, që e dallon veprën letrare artistike prej çdo vepre tjetër jo letrare dhe jo artistike. Shkrimtari Nasi Lera ka bërë objekt trajtimi artistik vetëm ato aspekte problemesh dhe dukurish, janë shqiptuar ato ide që shprehin esenca , që kur ndërlidhen dhe gërshetohen ndërmjet vete brenda strukturës së tillë, shndërrohen në një tërësi komplekse shprehëse e kuptimore, në të vërtetë krijojnë at ë sistem kuptimesh që është e aftë të nxisë dhe të krijojë në vetëdijen e lexuesit një sistem të ri, të hapur dhe të pambaruar kuptimesh dhe idesh, i cili do të zhvillohet dhe do të begatohet varësisht nga mundësia krijuese dhe riprodhuese e marrësit që vë komunikim artistik me të.

Kështu që, esencialisht mund të shprehemi, se në roman in “Kishim një ëndërr” objekt trajtimi bëhet e keqja, e keqja që njeriu i shkakton njeriut. Kjo gjë është konkretizuar e shprehur sidomos nëpërmjet dukurisë së realitetit të rëndë që ka pllakosur shoqërinë shqiptare, dhe ky realitet i rëndë me esencat e saja deri në tragjedizëm, shfrytëzohet nga forca të caktuara që shfrytëzojnë problemet e kohës; me pasojat që nuk janë pjellë vetëm e kohës përkatëse, por rrjedhojë e natyrshme e së kaluarës, përtëritje e së keqes në një çast dhe në një vend konkret ekzistimi.
“Romani është një klithmë artistike për realitetin shqiptar. Si një simbolikë e paqëllimtë, duket sikur autori na thotë se i gjithë vendi është një agjenci varrimesh, jo vetëm për njerëzit, por mbi të gjitha, një agjenci ku varrosen Shpresat, Ëndrrat, Dashuria, Mirësia.

Asti, regjisori që nuk mundi të vinte në skenë gërshetimin e Çehovit me Beketin, në të vërtetë përjeton tragjikomedinë çehoviane-beketiane të vënë në skenë në realitetin e përditshëm nga politikanët dhe politika shqiptare. Femra është viktimë e parë e realitetit të romanit të Nasi Lerës, siç është edhe e realitetit shqiptar, por pa vënë në grackën e shabllonit joshës të idealizmit dhe viktimizimit të saj. Skena e varrimit në fund të romanit është edhe skena më e fuqishme, sepse gërsheton tragjizmin, neverinë realiste, groteskun, komiken, dhembjen se ajo që lexon, është një realitet që përjetohet çdo ditë nga lexuesi”, shprehet për romanin shkrimtari dhe kritiku i shquar, Rudolf Marku.

Pasqyrimi i një bote reale

Romani, “Kishim një ëndërr”, pasqyron shumë tema dhe motive nga më nduarduarta, përmes të cilave përçon mesazhe tepër interesante. Në mënyrën më lakonike po shpalosim disa nga ngjarjet që lënë vulën e vet të shtjellimit. Pjesëmarrja e Lora Rebit në pritjen e organizuar të Ambasadorëve, e cila përfaqësonte bakën BesAlb, dhe e cila ishte shkuar në vend të bashkëshortes së drejtorit të bankës. Me këtë rast Lora Rebi ndjehej tepër keq për formën e shkuarjes së saj si zëvendësuese e bashkëshortes së drejtorit të bankës, gjegjësisht pjesëmarrjes së saj pa ftesë në këtë organizim. Në këtë rast, kureshtje zgjon edhe ndërtimi i lidhjeve deri nga ato më intime të Astit me Lora Rebin, po ashtu edhe ndarja e tyre. Ndarjes së tyre i paraprinte Balada e Shopenit dhe sa herë që ata bashkë dëgjonin këtë Baladë, Asti i përkujtonte Lora Rebit që kjo muzikë është paralajmëruese e ndarjes së tyre. Më pastaj, ankthi i Lora Rebit, ndërsa qëndronte si sekretare e drejtorit të bankës, ndërsa te drejtori vjen një vajzë e re dhe simpatike. Qëndrimi i gjatë i vajzës simpatike të drejtori shkaktoi nervozizëm dhe ankth të sekretarja, sepse ajo vonesë i jepte dyshime. Ajo çka edhe më tepër e rrënonte shpirtin e saj të trazuar, ishte fakti që drejtori këtë nuk e priste me buzëqeshje, por me shumë indiferentizëm.

Kapitull mjaft interesant dhe që shpalos shumëçka që vë në pah realitetin, kur njeriu bëhet peng i atij realiteti të egër, që shpie deri në tëhollimin e substancës së dinjitetit njerëzor. Rrugëtimi gjatë kohës së natën së drejtorit të bankës BësAlb, me sekretaren, e cila nuk kishte njohur qëllimin e shkuarjes dhe kufirin e atij vendi ku do ta shpinte drejtori, deri në orët e vona të asaj nate që i zë në Strugë dhe vendosja e tyre në një hotel. Po ashtu, edhe varrimi me muzikën e Enio Morikones, të Z. A., të cilin e kishin vrarë brenda makinës, duke e hedhur në erë më tritol, paraqet një shembull autentik e tragjizmit që sjell realiteti shoqëror i shoqërisë së kohës.

Në roman frekuentojnë shumë protagonistë, si Asti, Lora Rebi, Tim Funerali, Helga, Drejtori, Z.A. Vejusha e bukur, Skënder S., etj., ku këto personazhe ngërthejnë në vete një shumësi simbolike, të cilët nuk shprehin individualitetin, përkatësisht mëvetësinë, por përkundrazi shumësi individuale; ata veprojnë sipas rasteve e rrethanave. Në këtë mënyrë personazhet shprehin raportet shoqërore, përkatësisht mungesën e qenie individuale, zhgënjimin, poshtërimin, shpirtvogëlsinë etj. Secili prej tyre kanë në vete një përmasë të tragjikes së kohës dhe të marrëdhënieve në të cilat jetojnë. Sidomos personazhet si Asti, Lora Rebi, drejtori i bankës BesAlb, rrezatojnë një shumësi kuptimesh dhe si të tillë janë tepër komplekse.

Mbi bazën e perceptimit të këtillë të çështjeve dhe të dukurive të ndryshme, nga qenësia e përvojës së realitetit ekzistues, Lera krijon një realitet artistik të papërsëritshëm.

Prandaj, edhe me këtë roman, shkrimtari Nasi lera edhe më tepër e ka begatuar zhanrin e prozës së letërsisë shqipe.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen