Nga Prend Buzhala-Përtej një Utopie e Distopie

Analiza & Komente | Rrezore | 02.10.19 | 20:31

Prend BUZHALA:
PËRTEJ NJË UTOPIE E DISTOPIE
(Ese), 1

Në literaturën dhe në letërsinë botërore, ashtu sikundër dhe në literaturën e në letërsinë shqipe, lexojmë shkrime e krijime që kanë të bëjnë me utopinë dhe distopinë. Fjala utopi rrjedh greqishtja „ou“, që do të thotë „jo“ ose „nuk“ dhe topos, që do të thotë „vend“. Utopia nënkupton një vend që nuk ekziston, ose një vend për të cilin ne vetëm mund ta ëndërrojmë si një parajsë e vërtetë. E kundërt është fjala distopi (gr. dys – keq, dhe topia-vend), ku përshkruhet një shoqëri utopike negative, në një vend ku gjërat kanë shkaur tejet keq: si një vend në humbje, në shkretim, në degjenerim a tjetërsim total.

1.
Në letërsinë shqipe, le ta kuptojmë një tekst distopik nga romani „Oh“ (1971) i Anton Pashkut, si kohë e së ardhmes, ku një turmë duartroket në në sallë fjalimin e projektuesit të zhvillimit të shoqërisë me balona shumëgjyrësh; flitet për shthurjen „fatlume“ të familjes (kërkohet njeriu „i lirë“, pa atësi e pa familje), kërkon Kosmopolin (një qytet për të gjithë botën), ku rrafshohen kufijtë, kombet, racat, madje edhe kufijtë mes planeteve; kërkimi i një gjuhe totalitare për krejt Universin; ku kërkohet vetëm një karrige për Një Udhëheqës, vetëm një Fabrikë, një Televizion, Një gazetë etj etj. Pra, mbizotërimi i Njëshit totalitar, monizmit! Madje, me përmasa kozmike!
Ndërkaq, lexuesit të vëmendshëm do t’i ketë rënë në sy edhe teksti për shlyerjen e Ilirisë nga faqja e dheut, me zinxhirin e tradhtive gjatë historisë. Në mendje na vijnë edhe krahinat e tëra, të zhbëra nga faqja e dheut, ato 714 fshatra që u zhbënë nga Serbia më 1876, Çamëria, Arta, Joni, Sanxhaku së voni e sa e sa të tjera… Romani i sipërpërmendur na sugjeron edhe tradhtinë masive tjetërsuese brenda radhëve tona, që ka ndodhur gjatë historisë.

2.
Po bëjmë pak një lojë edhe utopike, edhe distopike, për të reflektuar për realitetin e sotëm (pra, diçka që „nuk është e mundshme“).
Dhe ta marrim të njëjtin fakt, si një realizim distopik (si utopi negative)
a) Njëri krah distopik: duke e shpërngulur masivisht rininë tonë në të katër anët e planetit, Kosova do të zbrazet. Pleqtë e gjenratat e tashme, do të kenë shkuar në amshim. Në Kosovën e pasurive përrallore, pa njerëzit e saj, do të dynden, si një El Dorado, korporatat e mëdha botërore… pasuritë e saj do të fluturojnë nëpër botë. Nuk do të ekzistojë më emri Kosovë… as emri shqiptar në këto troje… por do të vijnë njerëz të tjerë me emra të tjerë e me gjuhë të tjera… korporativiste a kooperativiste…njësoj!
b) Krahu i dytë distopik: supozojmë se nuk do të shpërngulemi. Me trendin e tashëm, të partive që mburren se janë demokratike qe tri dekada )se janë në frymën e filozofisë së I. Rugovës) apo qe dy dekada (përbetim në vlerat amerikane e evropiane) dhe kanë mall të pashërueshëm për Orientin; duke e shtënë në dorën e Orientit sot, ekonominë dhe besimin; nesër do t’i dorëzohet edhe civilizimi ynë europerëndimor, edhe e kaluara jonë, edhe qenia jonë nacionale. Do të fitojmë një identitet tjetër, të ri, si komb oriental, si Republikë Turke, si xhamahiri e Organizatës së Konferencës Islamike: të gjitha femrat do të jenë të mbuluara, këngët shqipe do të zëvendësohen me këngët arabe e turke, gjuhë zyrtare do të jenë turqishtja e arabishtja, shqipja do të zhduket nga faqja e dheut. Nuk do të ketë liri të fjalës, as liri e të drejta tjera njerëzore, sistemi evropian i demokracisë do të zhduket, në vend të kushtetutës moderne, do të vendoset sheriati. Në vend të veshjes moderne, alla franga, vjen ajo a la arabe. Ringjallen kohët e arta otomane, ku të krishterët do të detyrohen të ndërrojnë besim, do të detyrohen të punojnë për Republikën e re neo-otomane e arabe, për ta paguar xhizjen. Mbi tempujt e besimeve tjera do të ngrihen paqësisht minaret…
c) krahun e tretë nuk po e përmend, po qe se do të shtiheshin ardhat e ISIS (Kosova, mandej, si cak sulmesh të NATO-s apo të fuqive të tjera ushtarake…sipas projekteve ruse e serbe)…

3.
E tani një lojë me utopinë: po qe se ne vazhdimisht themi që jemi pellazgë, jemi të aprët e botës, jemi ata që e sollëm civilizimin mbi faqe të dheut; dhe jemi katandisur atay ku jemi; atëherë çka ëndërrojmë të bëhemi? Samiu thoshte: „Shqiptarët gjithmonë pëlr të huajt e kurrë ppër vete.“ Naimi te poezia „Pellasgët-shqipëtarët“ na thotë se nga ne dolën grekë, latinë, e të tjerë. Rilindësit tanë se themeluam Egjipt, Turqi, Greqi, e shtete tjera.
Gjithnjë sipas këtij modeli (le ta themi utopik), atëherë sot, ne, duke e shpërngulur masivisht rininë tonë në të katër anët e planetit, duke nxjerrë njerëz të zot në sport, në shkencë, në biznes e në fushat tjera; atëherë në një të ardhme globale shqiptarët do ta mbizotërojnë planetin! Do të udhëheqin me planetin! Si dikur, do të jemi në krye të botës! Ne do të jemi më të civilizuarit, më të diturit, ta parët në të gjitha fushat e jetës!

4.
Por le të jemi mendjekthellët. Idealiteti ka të bëjë me utopinë: një regjion a një shtet ku demokracia është e përsosur dhe gjërat zhvillohen në mënyrë të përsosur. E kundërta përbën distopinë.
Të tjerët e shohin një rrugëzgjidhje „te bashkimi kombëtar“. Sa shumë flitet për BASHKIM KOMBËTAR! Dikush e mendon këtë bashkim, si një mundësi për hakmarrje të reja politike, krahinore a fetare. Dikush mendon që ky bashkim (mekanik) realizohet me të njëjtën mendësi të shtetbërjes (shtypje sociale, korruptim, frymë anti-evropiane e anti-identitare euro-shqiptare)… pra, si një bashkim të këqijash! Si mund të realizohet një bashkim kombëtar, pa e dhënë provën e shtetbërjes brenda vetes!?
Dikush: duke e braktisur historinë e deritashme, vlerat europerëndimore, Skënderbeun e flamurin kastriotian (bashkimi i tillë është utopik dhe menjëherë do të shkaktoheshin ri-ndarjet, lindja e shteteve të reja brendashqiptare… si utopia e jugosllavizmit dhe e otomanizmit që pretenduan të krijohen si komb mbi kombe… por që përfunduan në krijimin e kombeve dhe të shteteve të reja…). Madje, problemet e bashkimit nuk do t’i zgjidhte as lufta shqiptare (kundër një fuqie tjetër, po e zëmë, shteteve sllave, të cilat mezi presin të bashkoheshin, posa ta shpallin edhe njëherë shqiptarin si „armik të përbashkët“)…
Po kthimi në vendlindje, në Atdhe?
A thua, mos na është vetëm një ëndërr utopike kjo: dëshira (dhe ideali) për të punuar në Kosovë, si në vende të thuaja…
A thua, mos na është vetëm një ëndërr utopike kjo: kthimi masiv në VENDLINDJE për ta rindërtuar e rimëkëmbur Kosovën!?
E dje: nuk ishte ëndërr utopike, por IDEAL MBI IDEALE: për t’i dalë zot Kosovës, me sakrifica sublime, me rezistencë, me luftën çlirimtare… kur na erdhën nga ato vende aq shumë të rinj e kurtebtçarë, që hynë në analet e historibërjes së Kosovës krenare!
Dhe e bënë Kosovën!
Ka ende armiq që duan të na lënë pa shtet e pa identitet!
Të paktën, ata jashtë kanë edhe se me çka të krenohen (ashtu si edhe ne këtu, në Kosovë): ata (dhe ne), kemi nga një pasaportë të Kosovës.
NUK JEMI NJERËZ PA SHTET E PA IDENTITET!
KOSOVA! Kjo DARDANI antike (dhe e sotme)!
(1 tetor 2019)

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen