Urime 60 vjetori poete!
Këndi poetik, Rrezore | Zef Prenka | 26.06.15 | 09:13
MISTER MBETEM
Vitet fluturojnë me krahët e kohës pa kohë,
Syçelë… shumë gjëra s’i panë e s’i prekëm,
Për njohje të panjohura, vitet notojnë… garojnë,
Njohje – mosnjohje… ecëm… mister mbetëm…!
Mister dëshira jonë për jetë të përjetshme,
E pse ne e dimë që udhëtimi ynë diku mbaron,
Kjo na bën të mos jetojmë jetën e prekshme,
Egoizmi si sëmundje kanceroze metastazon…
Mister është dashuria që lind siç lind dielli,
A siç lind një foshnjë kur çasti i lindjes vjen,
Mister drithërimat dehëse që përjeton shpirti,
Hyjnizimi – hyjneshë i dashurisë… mister…!
Tejzgjatjet shikimi e pse shkëlqim nuk feksi,
Mendimi raketë me shpejtësi mbi dritë,
Zmadhohet dëshira sa gjithë universi,
E, ç’mund të themi, për të madhin shpirt!
I presim agimet, si plakun e Vitit të ri,
E pse e dimë se ata vijnë dhe shkojnë,
Në buzëmbrëmje ngazëllehemi si fëmijë,
Perëndimet, ditë – jetët tona shkurtojnë…
Vitet fluturojnë me vitet e kohës pa kohë,
Syçelë… shumë gjëra s’i panë e s’i prekëm,
Për njohje të panjohura, vitet notojnë… garojnë,
Njohje – mosnjohje… ecëm… mister mbetëm…!
Zyba Hysa
16.03.2012
Komente