At Konrad Gjolaj dhe dekorimet si punë …sekretarësh

Analiza & Komente, Histori & Fakte | Rrezore | 14.12.15 | 21:27

Frano Kulli

 

At Konrad Gjolaj dhe At Leon Kabashi, njëri mbi të shtatëdhjetat dhe tjeri akoma edhe më i moshuar, kanë rihapur kishën e fretërve në Lezhë në vitin 1991.I pari i lauruar në Romë për filozofi e teologji, e tjetri , përposë se frat edhe piktor ,laruruar në Siena më parë për teologji e përsëdyti në universitetin e arteve të bukura atje. Pader Konradi , që qe caktuar edhe si dekani i asaj kishe, banonte tek një i afërm i tij, Luigji, që e kishte shtëpinë jo larg kishës, te stacioni i trenit…
Portreti “laraman” i fratit veshur herë me zhgunin e gjatë e herë me peliçen dhe kasketen si ato të burgut, bënte sigurisht më shumë se kurreshti për ne, miqtë e tij. Ishte mospërshtatja e tij me ambjentin e ri ,jashtë në liri, ndoshta.Por më së shumti ishte ëndja për të folur e shkëmbyer me të biseda letrare, filozofike e tema gjithnurësh. Tashma ai ishte “rishuguruar” meshtar , kthyer prej burgimit të gjatë kund nja një vit më parë, ashtu si krejt vërsnikët e tij , e pakta prej të cilëve kish mbetur akoma gjallë prej lëngimit në ferrin e diktaturës. Pader Konradi kish qenë fillimisht nxënës i Dom Alfons Trackit, që shërbente në fshatin e tij, në Velipojë, priftit gjerman të ditur, misionar e martir, pastaj më vonë nxënës e bashkëmësues me Fishten në Liceun françeskan “Ilyricum” në Shkoder…
Në një mbrëmje vjeshte të atij viti,duke ecur nëpër rrugët gjysmë të terratisura të Lezhës me pader Konradin dhe me dy miqtë tonë të përbashkët, Francin e Toninini, kemi përjetuar një ngjarje të beftë,të cilën e kujtojmë jo rallë.Në një moment të asaj xhiros sonë të ngadaltë, padrja ndaloi përpara një kjoske me dërrasa, në cep të urës, në të dalë të qytetit .Befasi për ne nuk qe vetëm ndalesa e fratit të moshuar… Shitësi i asaj kioske ishte një ish oficer i policisë në vitet ’60 (kur ai ishte arrestuar për hjerë të dytë). Pasi ai u kthye tek ne pas asaj bisede pak minutëshe me “shitësin” e kioskës , mësuam se oficeri, të cilin ne e njihnim , si bashkëqytetas, ishte vetë ai, që rreth tridhjetë vjet më parë i kishte vënë prangat në duar fratit.
-E përshendeta dhe i kujtova se ai nuk ka kénë sjellë keq me mua atëherë-vazhdonte të na tregonte padrja.-Kur erdhën me më marrë me “gazin e degës” këtu në oborrin e kuvendit, përpara se me më vue prangat, më tha: shko mbrendë e merr ndoj teshë se do të duhen… E masandej më vuni prangat.Nuk m’i shtërngoi fort e kur më hypën në gaz m’i hoqi…Për kaq frati i moshuar, i cili në burgimin e gjatë ishte argasë me tortura prej atyne që …”me ja kallxue natës së vorrit” ruante sado pak respekt për prangosësin e tij…Kurse nga fronti i prangosësve, prej asnjërit asnjë “meaculpa” asnjë vrasje ndërgjegje, asnjë fjalë pendese.As atëherë, as më vonë e as tani . Përkundrazi…
Padër Konradi, ka vite që është ndarë nga kjo botë; është nisur për në amshim e këndej nuk ka asnjë dekoratë e nderim tjetër zyrtar. Jo si klerik, por as si mësues e as si autor librash. Dhe jo vetëm ai, po asnjëri prej bashkëvëllezrve të tij, gjithashtu (përveç At Zef Pllumit-ish nxënës i tij).As prej atyre dyzet martirëve, që u shfaqen në bulevardin “dëshmorët e Kombit” në ditën e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, nuk ka ndonjë distingtiv nderues për asnjërin në emër të shtetit shqiptar.Sa për martirizimin aq edhe për kontributin sipror që i dhanë kulturës dhe qytetrimit tonë.Jo, kjo nuk ka ndodhur deri tani, për to ndjehet disi bezdi edhe me i përmendë.Ndërsa për ndonjërin , për Anton Harapin ,hidhen anatema, njëlloj si në të shkuarën e rregjimit.Kurse , sistematikisht, herë pas here ndër përvjetorë…dekorohen e nderohen persekutorët,xhelatët e tyre.Për njëmijë syresh janë janë shpërndarë medalje kinse si veteran lufte…Dhënë në mënyrë tinzare një vit më parë.E kur nis e buçet zëri qytetës për këtë maskaradë, si shpëtimtarë në frontin shtetror të dekoratorëve del e bën apologjinë e medaljeve të dhëna prej shtetit, një sekretar (këshillonjës si kukull) i të parit të qeverisë…

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen