Qartësia dhe mesazhi i një komunikimi poetik

Histori & Fakte | Mikel Gojani | 01.02.12 | 07:58

Hajdin Morina, Prushi i fjalës, poezi, botoi KL „Vorea Ujko“, Klinë 2011.

Poeti dhe publicisti Hajdin Morina, pas një kohe relativisht të gjatë, disadekadëshe, gjegjësisht pas një dekadë e gjysmë, kur më 1995, botoi vëllimin poetik brenda dritareve të vogla, lexuesit tanë kësaj radhe po i vjen me një vëllim shumë të arritur tjetër, të titulluar „Prushi i fjalës“, botuar nga KL „Vorea Ujko“ në Klinë. Me këtë prezantim shumë të vonshëm të shkrimtarit Morina, dëshiron të dëshmojë argumentin letrar që në letërsi kriterin nuk e përcakton sasia vëllimore, por cilësia e të krijuarit. Kështu, kësaj radhe, shkrimtari Morina i gëzon lexuesit e sinqertë me një vëllim të tij, që e kemi në duar tashmë.

Vëllimi poetik „Prushi i fjalës“, i autorit Hajdin Morina, vazhdon kontinuitetin e konceptimit të librave poetikë nëpër kapituj të veçantë. Edhe Morina, këtë libër e koncepton në dhjetë kapituj, që përbëjnë një tërësi konceptuale, si Kryekështjella, Burimi i agut, Shpirtin e lexoj gurin drurin ujin, Zbulime ekspertësh, Zemra e dhimbjes, Bukuri e magjishme, Fjalë fjale, Prushi i shprishur, Vranësirë loti dhe Mallkimi.

Në poezinë e Morinës, vërejmë subjektivitetin e konkretizuar poetik. Fryma që ka zgjedhur poeti është fryma që amësinë e burimit e ka tek shpirti rilindës, si fryma më e shëndoshë dhe më udhërrëfyese për gjithë brezat tanë gjatë rrugës historike të kombit tonë. Se i mbetet besnik kësaj fryme poeti Morina, e vërejmë qysh në poezinë e parë të kapitullit Kryekështjella. Edhe vetë titulli i kapitullit, Kryekështjella, edhe vetë poezia me të cilën hapet libri, Gjuha shqipe, përbëjnë një ndjenjë shumë të fuqishme, rrëfejnë se kryefrymëzim dhe kryeideal i këtij libri do të jetë Atdheu, gjuha dhe liria e këtij kombi: Kryemër i të gjallëve/ Dhe i të vdekurve të miu/ Kryekështjellë e Shqipërisë/ Më je ti/ Rrezove perandorë/ Mbretër pashallarë. Xhandarë udbashë/ Spiunë e tyxharë/ Tek bënin çmos/ Ta bënin terr të Kozmosit/ Qiellin dhe tokën tonë/ Kryekështjellë/ E shpirtit/ E tokës/ E qiellit/ Kryekështjellë/ E kryezonjës/ ( Poezia gjuha shqipe, fq. 7).

Tematika librit të Morinës “Prushi i fjalës“ është e pasur, po ashtu prek edhe larushi temash dhe motivesh, pothuajse nuk i kalon pa u prekur asgjë e rëndësishme që ka të bëjë me këto motive, të cilat i ka marrë si shqyrtim ky autor. Në të gjitha poezitë e tij, në gjithë vargun e këtij poeti nuk i ka munguar „zjarrmia e shpirtit“, apo siç shprehet vetë autori „prushi i fjalës“, që do të thotë që është një varg i shkruar me shpirt. Domethënë tematika e këtyre vargjeve përbën një gjeografi të tërë temash, të cilat edhe me shijen e arritur artistike i japin shpirt këtij vargu. Këtë frymë që ka zgjedhur, autori Morina sikur dëshiron ta sforcojë deri në piedestalin e frymëzimit. Se autori dëshiron ta ruajë këtë ndjenjë e shpreh tek pjesa e titulluar Zanafilla, që është një mesazh shumë udhërrëfyes, që jep eruditi i kombit tonë, shkrimtari Ismail Kadare, në përshtypjet e tij lënë si mesazh në memorialin „Adem Jashari“, në Prekaz më 2002. Citojmë: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të, nuk zbehet kurrë. Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallëherë në jetën time. Marr prej kësaj shtëpie një kumt që çdonjëri kujton se e di, por që ka nevojë përherë të përsëritet. Ju faleminderit, pasardhës të Jasharëve legjendarë, Ismail Kadare, Prekaz 2002.

Kjo frymë dhe këtë përmbajtje e kanë edhe poezitë që renditen njëra pas tjetrës në librin e Morinës, në kapitullin vijues „Burim i i agut“, në brendinë e të cilit kapitull ngërthehen poezitë, si Fillimi i një poezie për Adem Jasharin, Jasharët, Zjarri i Jasharëve, Zjarri, Azem Bejta i kohëve, Gjaku i Mujës, Po vjen Muja ( e shkruar duke pritur shtatoren e Komandantit që do të vendosej në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë), Mujë Krasniqi është një, Flamuri i Shqipërisë, Tropoja, Gjirokastra e lirisë, 1981 etj.

Ja si e ka madhëruar artistikisht autori figurën pavdekshme të Mujë Krasniqit: Në qendër të qytetit/ Një Mujë e ka qyteti im/ Vetëm një si Diellin/ Vetëm një si Lirinë/ I vetmi që nuk pushon/ 24 orë ballin mbi re/ Përditë e përqafojnë/ Fëmijët nënat e dëshmorëve/ Këngët dhe shqiponjat/ Pastaj në ditë festash/ Para kamerave para mikrofonave/ Mbahen fjalët e rastit duartrokasin/ Seç e zvogëlon përditë/ Atdheun e partive politike/ Lirinë seç e rritë përditë/ Vetëm një është ai/ Si dielli si Liria si Flamuri… (Poezia Mujë Krasniqi është një, fq. 18).

Kryefrymëzimi, një dell i njëjtë poetik sikur e sëmbon njëjtë, ia drithëron ndërgjegjen dhe shpirtin autorit. Kjo ndjenjë e amës poetike të Morinës vërehet edhe tek pozit të tjera që janë të konceptuara në kapitullin tjetër, Shpirtin lexoj, gurin, drurin, ujin. Tek poezitë e sajuara në këtë kapitull për nga rrugëtimi motivor sikur ruhet ajo substanca e tharmit motivor, mirëpo natyrshmëria poetike sikur merr një nuancë tjetër. Tek këto poezi kemi një kapërcim të ndërtimit të vargut nga ajo rutina e krijimeve të mëparshme. Edhe poezitë e potencuara në vete mbërthejnë figurat më të fuqishme stilistike, mirëpo janë ato figura të cilat qesin në hapësirë idenë dhe motivin, ndërkaq këto figura që kanë përfshirë pothuajse çdo varg të poezive të kapitullin në shqyrtim, sikur ruajnë shumë mistere me ç’rast ideja dhe mesazhi sikur ruhen të mbështjella në brendinë e urnës, çfarë dua të konstatoj me këtë se poezitë si Doruntinë eja, Yjet qëndrojnë lart, Lutuni për shi, Fuqia e shiut, Varri majë mali, Nga përvoja jonë biblike, Libri i pashkruar, Metafora e dhembjes etj., janë poezi sikur ruajnë diçka të pathënë, diçka të mbërthyer në vetvete.

Autori Morina, se kërkon të njohë më mirë dhe ta shijojë realitetin në çdo grimcë të tij, të thurë mesazhe të bukura e të derdh djersë, të ndihmojë sadopak në fatkeqësi e t’u zbusë dhimbjet njerëzore, por dhe të ruaj fuqitë e fundit të shpirtit- këtë e vërejmë në poezitë e tij si Zbulime ekspertësh, (që njëherësh është edhe kapitull i veçantë), pastaj Standardet tona, Bisedë e mundimshme me Azem Bejten, Autorët e atdheut etj. Ja disa vargje nga poezia Zbulime ekspertësh: Ekspertët, analistët politikë/ Projektuesit specialistët/ Menaxherët përkthyesit/ Moderatorët regjisorët/ Shkrimtarët aktorët, Servilët puthadorët/ Dhje plot të tjerë/ Plot o Zoti ynë plot/ Paskan zbuluar/ Paskan promovuar zbulimin/ Se Konstandini kurrë/ Nuk qenka ngritur nga varri/ Për ta mbajtur fjalën e dhënë/ Kurrë nuk paska udhëtuar/ Me Doruntinën/ Atë natë të bukur me hënë/ Kurrë nuk qenkan ngritur/ Muret e Urës së Fshejtë/ Mbi gruan e vëllait të vogël/ Që e mbajti Besën/ Gjergj Elez Alia/ Kurrë nuk paskësh mundur/ Të ngrihej nga shtrati/ Me nëntë plagë/ I verdhë si qiri/ Dhe nuk e paska vrarë bajlozin e zi/ Mos qofsha në lëkurë/ Të gjuhës shqipe o Zot/, (Poezia, Zbulime ekspertësh, fq. 70.) Kjo poezi në konkursin letrar të manifestimit kulturor tradicional Takimet e Gjeçovit – 2009, u vlerësua me vendin e dytë ndër dhjetë poezitë më të mira që do të lexoheshin në orën letrare të këtij manifestimi.

Thelbësore për librin më të ri poetik “Prushi i fjalës” të autorit Hajdin Morina është krijimi i hartës së gjeografisë poetike të atdheut tonë, që del jo vetëm nga toponimet, por edhe nga fryma e përgjithshme e krejt poezisë së Morinës. Në këtë aspekt tërheq vëmendjen cikli vijues, Zemra e dhembjes, në të cilin poeti Morina mëton të ndërtojë poezinë si një dramë, koncept ky shumë bashkëkohor, i cili kërkon një shprehje edhe më të plotë etj. Këtë frymë e gjejmë tek poezitë si Malli për Çamërinë, A ka Çamëria qiell, A e dëgjojmë kambanën, Sërish mungon, Dhimbja e qytetit tim, Janina, Flakërima e lirisë, Pak, Dashuri atdhetare, Një det ndërmjet etj.

Jeta, dhimbja, dëshpërimi,shpresa, dashuria, errësira dhe drita- të vërejtura në rrafsh vlerash, dy elementët bazë të energjisë kozmike, që ruajnë edhe ekuilibrat, manifestohen edhe në këtë vëllim poetik, përkatësisht në ciklin vijues Bukuri e magjishme, me rreth 20 poezi të zgjedhura. Në këto poezi, sikur në të tjerat, elementët e frymëzimit shkrihen natyrshëm, duke bërë që krijimet të kenë frymëmarrje të thellë dhe shumë eruptive. Bota poetike e autorit sikur është e mishëruar brenda ndërtimit strukturor dhe tematik të poezive. Këto elemente në rrafshin e komunikimit artistik, si poetikë e sistemit komunikues gjuhësor, por edhe stilistikë, paraqiten dhe dallohen në strukturën e vargut, por, diku – diku, edhe në rrafshin motivor. Në rrafshin e elementeve konstituive poetike, poezia, por jo në të gjitha rastet, i shpreh me shtresën e tingujve dhe cilësitë ritmike, shpërfaq tekstualitet të gjallë e dramatik. Autori ka përdorur metaforën jo si një rregull gjuhësor, por si një elementë bazë për të ndërtuar poezinë, duke i veshur kësaj edhe elemente të tjera të lëndës poetike. Në poezi e Morinës sikur jetojnë bashkë frymëmarrjet poetike të shumë poetëve dhe krijuesve shqiptarë, çka përbën lëndën e shpirtit për të ndërtuar poezinë e tij. Shpeshherë poezia e këtij poeti të mprehtë na sjell thellësi meditative dhe mesazhe që në të vërtetë mund të përbëjnë edhe traktate filozofike. Ka një përzgjedhje të fjalëve, të cilat nuk e rëndojnë poezinë as e bëjnë atë monotone, mirëpo, përkundrazi, shumë tërheqëse për ta lexuar.

Poezia përkushtimore, që shpeshherë ndeshet në vargun e shumë poetëve tanë, haset edhe tek Morina. Janë të shumtë emra të shquar të jetës heroike, të asaj letrare, apo kulturore etj., të cilëve poeti Morina u shpreh respektin që ka ndaj tyre për vlerat që i kanë, për disa shpreh homazhin më të sinqertë poetik. Kështu në ciklin Fjalë fjale gjejmë poezitë përkushtimore për Lasgush Poradecin, Agim Vincën, Agim Gjakovën, Din Mehmetin, Tahir Deskun, Rifat Kukajn etj. Poezia e Hajdin Morinës është një poezi e shkruar me dufin e shpirtit të trazuar, prandaj ajo shquhet për emocionalitetin shpërthyes, madje shpeshherë edhe në përmasa tragjiciteti. Autori pasionin për poezinë e ka të thundruar në shpirt, i vlon nëpër vargjet e tij, vargjet të cilat janë të mbushura me dhembje, gjak e lot. Këtë frymë të njëjtë, sikurse e përshkruan fryma e librit në tërësi, e hasim edhe te kapitujt e fundit, Prushi i shprushur dhe Vranësirë loti. Poezia e Morinës është një poezi e këndimit të rëndë, sepse ajo ngre në art tema dhe motive ngjethëse, të cilat të tronditin edhe vetëm po t’i marrësh me mend e lëre më të vjeshtërosh për to. Motive të tilla të rënda hasim tek poezitë si Dialog me Arblindën për atdheun e moçëm, Largimi i dhunshëm i Arblindës, Kur vërshon Bllaca, Treni i robërisë, Dëbimi, Vrasja e zogjve, Dhunimi i Zanës etj. Ja disa vargje nga poezia “Vrasja e zogjve”: Siç më arnonte nëna në fëmijëri/ Pantallonat e shqyer në gjunjë/ Kur rrëzohesha nëpër gurë/ Ashtu i arnova kur u ktheva nga lufta/ Degët e pemëve të vrara e të plagosura/ Siç ma arnonte nëna këmishën në krah/ Degët e pemëve të plagosura i arnova/ I arnova të shtrenjtat pemë/ Të vrara të plagosura nga policët serbë/ I arnova të mos kishte dhimbje asnjë gjeth/ Të mbuloheshin me zogj degët në pranverë/ I arnova të shtrenjtat pemë/ Edhe zogj kanë vrarë/ Edhe pemë kanë vrarë/ Edhe pemë/ Policët serbë. (Poezia, Vrasja e zogjve, fq. 173).

Në fund, lirisht mund të themi se poeti Hajdin Morina, falë disa poezive me vlerë antologjike, duhej të sigurojë një vend shumë të merituar në poezinë tonë bashkëkohore.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen