Tymnaja e Sulltanit të madhërishëm në Lezhë.

OP-ED | Rrezore | 03.10.15 | 00:29

Frano Kulli

I gjithë debati i ndezur këto ditë për një pllakë me mbishkrim arab të shekullit të 16 vendosur  sipër njërës prej portave të Kalasë së Lezhës, ku pjesëmarrës janë njerëz të prirjeve e formimeve të ndryshme,interpretë të niveleve të dallueshme kulturore, historianë por dhe jo të tillë, kulturologë gjithfarësh e të përkatësive e të religjioneve të ndryshme.Siç, rëndom ndodh kësi rastesh ndër ne.Ca hahen fort ndërmjet vedit, ca të tjerë ujdisen në mendime, rroftë “sebepi” e secili armohet e parzmohet për të bërë luftën e vet dhe kështu prej disa ditësh “zjarri” nuk fiket.Në midis të zjarrit  është hedhur pikpyetja se a duhej  vënë saktësisht aty ku është vënë ajo pllakë apo duhej vënë në një tjetër syprinë dere a në ndonjë cep murane të kalasë.Për të përmbushur një nder të harruar të Sulltanit të madhërishëm Sulejman, i cili e paska rindërtuar këtë kala në vitin 1522. E kështu është krijuar një tymnajë  si çdo tymnajë që nuk ka thelb por formë, madje edhe formë aspak të hijëshme po më shumë të pshtirëshme. …Ngjan se është hedhur një gur n’ujë e njëqind të tjerë , pastaj…bëjnë ta  nxjerrin”. Mirëpo ,kësaj here është pak si ndryshe; “gurin” në ujë e ka hedhur  e para e këtyre punëve, ministria e Kulurës, Zonja Kumbaro. Ceremonialin e vendosjes së pllakës, pllakë e cila, sipas këshillonjësve të saj qenka e rrallë në viset tona e ka udhëhequr vetë Zonja ministre dhe unë mendoj ,se nëse duhet të debatohet, debati zë fill këtu.

Por për të shmangur keqkuptimin, do çekur në fillim se Zonja ministre nuk ka bërë ndonjë mëkat të pashlyeshëm në këtë rast,ë, fundja është njëra prej punëve të saj udhëheqëse të merret edhe me monumentet e kulturës (qoftë ai monument edhe një pllakë e shkruar në arabisht gati pesë shekuj më parë) dhe gjithë vlerat e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.Por a e ka zgjedhur mirë rendin e këtyre punëve në Lezhë, zonja ministre ?…

Lezha ka një sit arkeologjik, nevoja për ekspolirimin e të cilit është  jo vetëm e papërfunduar, po ai është edhe pak i mbrojtur prej agjentëve dëmtues të gjithësojshëm, në radhë të parë prej atyre urbanë.Lezha ka gjithashtu një begati të dallueshme të trashëgimisë kulturore;përposë Gjergj Kastriotit e vendvarrimit të tij, në rrënojat e Kishës së Shënkollit, pak më poshtë në atë areal, në Zadrimë janë vendlindjet e Frang Bardhit (1606-1643  ), hartuesit të Fjalorit të parë latinisht –shqip e  Pjetër Zarishit ( 1806-1866  ), poetit të parë të letërsisë së re shqiptare, e asnjë pllakë , së paku si epitaf nuk gjëndet në  Blinisht , në fshatin e tij të lindjes. Aty , fare pranë, në Fishtë është edhe  vendlindja e Gjergj Fishtës-poetit kombëtar, shtëpia e fëmijërisë së të cilit po rrënohet dita-ditës ; jo larg asaj kalaje , hafiz Ali Ulqinaku,(1853-1913), i cili ka qenë myfti i Lezhës aty, u mësonte shqip fëmijëve qytetës,  atëherë kur perandoria osmane qe akoma në këmbë dhe kjo gjë ishte akoma blasfemi.Në Kallmet ka qenë ipeshkëv Imzot Luigj Bumçi (1872-1945), që ka prirë delegacionin e rëndësishëm shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, duke mundësuar ndaljen e hemoragjisë së copëtimit të tokave shqiptare prej lakmisë së fqinjëve ( grekë e italianë) siç ishin dy krahina të rëndësishme si Korça e Gjirokastra dhe Vlora….Dhe mund të vijojë lista e vlerave të trashëgimisë kulturore , siç ka në secilën krahinë të Shqipërisë lista të tilla të vlerta.Sigurisht ato janë fondamente të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe si të tillë, së paku mjaftueshëm janë në memorien tonë historike e kulturore .Por janë më shumë në mënyrë sporadike e rastësore; asnjëherë nuk ka pasë ndonjë strategji të mirëfilltë për mbarështrimin e këtij thesari.Akoma edhe më keq është tani.Asnjë prej këtyre pikave,që secila më vehte mund të ishte një qendër e meritueshme e peligrinazhit kulturor, ku mund të shërbehej njohja me vlerat e kësaj trashëgimie nuk qaset si e tillë. Natyrisht për tu bërë këto duhet një strategji e mirëstudiuar, duhet vizion e dije, mbi të cilat hartohen politika të posaçme kulturore, po duhen edhe shërbestarë të zellshëm të kulturës . Ndryshe…merr e bëj ç’të të dalë përpara.Kësaj here doli një pllakë dhe …fap u vendos në hyrje të kalasë…

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen