Gjergj Fishta dhe hijet përrreth…

OP-ED | Rrezore | 24.10.15 | 13:17

Frano KULLI

Fishta…dhe hijet përrreth
(In memoriam në 149 vjetorin e lindjes)

Gjergj Fishta ka lindur me 23 tetor 1871 dhe këto ditë, gati një shekull e gjysmë më pas, ai shënohet në kujtesën tonë nëpërmjet një akti aspak nderues; shtëpia ku ai kaloi disa prej viteve të fëminisë së herëshme në Fishtë të Zadrimës është akoma në këmbë por e rrënuar pak pa u rrëzuar përdhé…

Frano KULLI

Frano KULLI

Fishta, me 30 dhjetor 1940 do të mbyllte sytë e do të nisej për në botën e amshuar. I përcjellë me nderime si askush deri atëherë, nga brenda e jashtë Shkodrës, nga qytéta e malcia, nga mbarë Shqipëria fund e maje, por edhe përtej Shqipërisë. Nderime e vlerësime të pafundme superiore. Jo vetëm nga dishepujt e tij, për të cilët qe ylli polar, por edhe nga personalitetet më të shquara të shkrimtarisë e të kulturës në vendin e vet, në Ballkan e në shtete përreth të Evropës: Maksimillian Lamberz, Norbert Jokli, Petrotta, A.Balldacci, Erëin Stranik, Gabriele d’Annunzio, Karl Steinmetzi…, Faik Konica, Aleksander Xhuvani, Lasgush Poradeci, Asdreni, Koliqi, Lefter Dilo, Martin Camaj… etj.,etj. I rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri, Akademik i Akademisë Mbretërore të Italisë, i dekoruar nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani, la një opus të plotë e të realizuar letrar, shtrirë në të gjitha gjinitë: lirikë, epikë, dramatikë, satirë, eseistikë dhe publicistikë. “Ai i lëvroi të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”- shkruan për të Konica, në revistën “Albania” të të cilit, Fishta boton shkrimet e tij të para.

… Sot, duke qenë Shqipëria kjo që është dhe hierarkia e vlerave e dyshimtë, pasionante, emotive dhe më pak reale e shkencore se sa në vendet e tjera të qytetëruara, dy janë hijet që i bëhen “universit kulturor Fishtë”.

Të parën, hijen e madhe ia bën sistematikisht shteti shqiptar, me veqilat e vet. Fishta, i parë hënëkeq me burokracinë në përgjithësi dhe me mediokritetin kulturor, në veçanti, e sakaq i pakursyer e i pamëshirshëm në luftën e tij, pagoi haraç si askush tjetër ndër shqiptarë. Hap-e-mbylljet e disahershme të “Hyllit të Dritës”, njohur e pranuar si më e madhja dhe e përkryera tribunë e mendimit intelektual, kulturor e letrar shqiptar të kohës, qe një taksë mjaft e lartë. Po ashtu, “Visku…”, pjesa e dytë e poemës “Gomari i Babatasit”, vlerësuar si një pikë kulmore e satirës kombëtare shqiptare, nuk mundi të publikohej në gjallje të tij: Zogu nuk e lejoi. Madje, në rrethana të mosdashjes e të mospranimit, Fishta, më se njëherë u detyrua të emigrojë edhe fizikisht… Për të mbërritur te shteti shqiptar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, që, siç dihet, synoi dhe bëri çmos për fundosjen e autorit të “Lahutës së Malcis” në pusin e harresës kombëtare. Atë, “apostullin e atdheut të vet…”, siç thotë Baldacci, e deshi medoemos të mënjanuar, për këtë të anatemuar, të paragjykuar: shkurt të asgjësuar si shkrimtar, si mendimtar e veprimtar, si atdhetar… si gjithçka ai ishte. Duhej mbuluar me terr lavdia e tij dhe duhej ngritur mbi të idhulli (Zoti) i rrejshëm i regjimit kriminal. Dhe kjo vijoi jo pak, por një gjysmë shekulli. Më pas… Nga shteti shqiptar, Fishta është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” në vitin 2002, gjashtëdhjetë e dy vjet pas vdekjes, dhjetë vjet pas vendosjes së rendit të ri demokratik në Shqipëri…, të cilin ai e shërbeu përgjatë gjithë jetës me veprimin e vet.

Hija tjetër është ajo që i rri sot e gjithë ditën përmbi krye, në formën e xhelozisë, në formën e shpërfilljes nën petkun e “të moskuptuarit” dhe “të vjetërsisë”. Jo se nuk është folur në këto njëzet e ca vite për Fishtën, por sistematikisht duke synuar përdorimin e tij sipas konjukturës kulturore të qeverive që shkojnë e vijnë. Kasnecë të shërbimit kundër janë marrë shpesh me polemikat e tij, shpesh duke i keqinterpretuar ato,të cilat në thelbin e tyre kanë pasur realitetin shqiptar të kohës së vet, kudo ku është shtruar çështja kombëtare në përgjithësi a në çështje të veçanta të saj, sidomos në lëmë të arsimit a të besimit, si çështje kulturologjike, por edhe si çeshtje kombëtare e shtetformuese.

Hije i bëjnë edhe ato njerëz të fushës së letrave që Fishtën e përcjellin me heshtim a me vardisje rrokull, shpesh edhe me shtrembërim buzësh, si shprehje e modës modernitare, pa prekur asnjëherë thelbin e gjësë, që në rastin në fjalë është vepra. Ajo sot është e botuar në një version të plotë, përmbledhur e paraqitur nga një redaksi studiuesish. Unë shpresoj se do të ketë edhe të tjera versione në kohët në vijim, sepse njerëzit vullnetmirë, gjithherë aty janë edhe kur kohët janë të turbullta a të këqija. Se Fishta vetëm mirësi i fali Shqipërisë, shtetit, kombit dhe popullit të vet.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen