Ilia Ballauri: Si i solla 28 mijë vargjet e Homerit në shqip

Analiza & Komente | Zef Prenka | 19.09.15 | 11:52

Të përkthente Homerin i ka kushtuar dy jetë. Jo vetëm e tij, por edhe e bashkëshortes, që dëgjonte recitimet e tij me zë të lartë, që daktilografonte e redaktonte. Kërkonte guximin e një lufte Troje, sepse të përkthesh Homerin, nuk do të thotë të përkthesh një libër, por një kulturë të tërë.

Ilia Ballauri

I tërhequr prej botës antike greke, i rritur me rrëfimet e njerëzve të afërt, që recitonin në greqisht vargjet e “Iliadës” dhe “Odisesë”, Ilia Ballauri sjell në shqip, “Iliadën” e Homerit, ndërsa po përgatit edhe “Odisenë”. Në një intervistë për “Panoramën”, Ballauri rrëfen se pse vendosi të “sfidonte” përkthimin, me të cilin shumica prej nesh është rritur, atë të Gjon Shllakut, për të sjellë një variant të pasuruar edhe me fjalorë dhe informacione mbi botën antike. Si vjen kjo “Iliadë” e re dhe vështirësitë e botimit të saj…

Përpara se të ndërmarrësh një punë të madhe, duhet patjetër të kesh edhe një nxitje po aq të madhe. Juve ç’ju shtyu drejt Homerit?
Ajo ç’ka e shtyn njeriun të ngjitet në Himalajë, ose të kërcejë nga ura e Mostarit, ose të lëshohet nga 40 mijë metra lartësi mbi tokë, etj etj. Të merresh me Homerin është një pasion, një dëshirë e veçantë, e skajshme, e tejskajshme. Është një sprovë e guximit të forcës intelektuale, si edhe sprovat e mësipërme fizike. Ndihem i lumtur që ju keni në dorë Homerin e shqipëruar prej meje, falënderoj Zotin që më dha të tilla forca.

A ka një lidhje tuajën personale me “Iliadën”, kur e keni lexuar për herë të parë?
Lidhjet e mia personale me “Iliadën” deri në moshën 40 vjeç, kanë qenë si për të gjithë ne, (për kohën e shkuar kur jetuam): pra, nëpërmjet përkthimit në gegërisht të Gjon Shllakut, si dhe nëpërmjet Stive Reeves dhe artistëve të tjerë etj., me rolet e tyre në vitet ‘60, që lidheshin me filmat rreth luftës së Trojës. Ndërkaq, lidhjet familjare kanë qenë të thella. Babai im, (i lindur në fund të shek. XIX) kish mbaruar gjimnazin grek, me drejtor filologun e njohur Spiro Konda, si dhe Institutin Francez të Selanikut, ndërsa të dy vëllezërit e tij, njëri farmacist dhe tjetri mjek, pasi mbaruan liceun francez në Korçë (ku mësohej greqishtja e vjetër dhe Homeri, me detaje) kishin studiuar në Universitetin e Athinës. Nga ana tjetër, dy vëllezërit e nënës nga Gjirokastra kishin studiuar në liceun e Korfuzit dhe pastaj njëri në Milano për Kimi dhe tjetri në Marsejë për Gazetari. Dhe kam dëgjuar se në ato pak raste të kohës së përpara luftës, kur këta të pestë ndodhte që takoheshin thuhet se mes tyre diskutonin edhe për Platonin dhe se recitonin pjesë edhe nga “Iliada” në origjinal. Unë këto nuk i arrita, (im atë më lindi kur ishte 53 vjeç), por e besoj se mund të ketë ndodhur edhe kështu. Nga ajo pak bibliotekë që mbeti në shtëpinë tonë pas mbartjeve andej-këtej, prej librave të vjetra kemi: Homerin, Platonin, Thukididin etj., në greqishten e vjetër, si dhe një tufë me tekste muzikore, nga Mozarti, Wagneri, Betoveni etj., (sepse babai ishte jo vetëm violinist, por dhe luante bukur në piano). Së fundmi, më duhet të them se një kushëri i fisit tonë, i quajtur Julius Valaori (Ilia D. Ballauri), ish rektor i Universitetit të Bukureshtit dhe ministër i Edukatës në Rumaninë e paraluftës, ka qenë specialist në homeristikë. Doktoratura e tij në latinisht, e mbrojtur në Berlin (1902), lidhet me fonetikën e Homerit dhe përbën një punim që vlerësohet edhe sot në këtë fushë.

IMG_20150919_120521
Siç e thatë edhe ju, kjo vepër madhore u ka ardhur në shqip shqiptarëve përmes përkthimit të Gjon Shllakut, fillimisht në gegërisht e më pas në shqipen standarde. Pse mendonit se duhej një tjetër përkthim i “Iliadës”?
Sepse kështu veprohet në gjithë botën. Në anglisht ka mbi 80 përkthime të plota të “Iliadës”, në frëngjisht mbi 40 dhe po e njëjta gjë ndodh edhe në spanjisht, italisht, gjermanisht etj., madje edhe në gjuhët e Ballkanit ka disa përkthime për çdo gjuhë. Puna me Homerin nuk mbaron për asnjë popull, për asnjë brez, për asnjë periudhë civilizimi. Në një formë ose në një tjetër, Homeri është bibla e kulturës. Së fundi, edhe sepse nga tjetër gjuha jonë dhe dijet tona evoluojnë.

Të përkthesh “Iliadën” është jo vetëm një sfidë, por një vepër jete, sa kohë ju ka marrë kjo punë dhe nga cili variant e keni shqipëruar atë?
Më ka marrë një pjesë të jetës sime, ose më mirë dy pjesë jete edhe atë të bashkëshortes, e cila ka dëgjuar recitimet e shqipërimeve të mia me zë të lartë, i ka daktilografuar në kompjuter, i ka parë me aq sa ka mundur nga ana e drejtshkrimit, pra edhe ajo si dhe unë kemi rrojtur me Homerin për shumë vite, dyfish vite. Shqipërimin e “Iliadës” e kam bërë duke pasur përpara tekstin origjinal në greqishten e vjetër, atë në greqishte të re të sjellë nga pena dhe akademikë të njohur, si dhe disa prej përkthimeve më të vlerësuara në anglisht, frëngjisht dhe italisht. Shumë shpesh për një fjalë a një interpretim homerik më është dashur të kërkoj deri në lodhje nëpër libra të shumtë (të bibliotekës sime të pasur homerike që kam krijuar në vite), gjithashtu më është dashur të lundroj me ditë në internet edhe në studime të mirëfillta shkencore, në biblioteka të njohura të botës, si dhe në site speciale të katedrave më prestigjioze që ekzistojnë sot kudo. “Iliada” që kini në dorë është sinteza e një pune të tillë.

Si e keni mësuar greqishten e vjetër?
Njohuritë e mia për greqishten e vjetër janë vertikale, d.m.th. të përcaktuara. Kam njohuri të kënaqshme për strukturën e fjalëve, gjetjen e gamës së kuptimeve të tyre dhe pozicionimin e tyre në fjali, gjë që e kam ndier se më mjafton për të ballafaquar interpretimet dhe për të fituar siguri në shqipërimin e Homerit. Njohja e gjuhëve nuk ka fund, të mësuarit e tyre nuk përfundon kurrë, dikush specializohet a përqendrohet në një fushë a drejtim, ku është edhe i interesuar. Edhe më. Përkthimi më i lexuar i “Iliadës” në italisht ka qenë ai i Vincenzo Montit (v. 1810) dhe ndërkohë ky pati deklaruar se njohjet e tij me greqishten ishin të kufizuara dhe këto vetëm me gjuhën e re. Po ashtu, specialisti më i dëgjuar për përkthimin e Homerit mbahet Mathew Arnold, me veprën e tij të njohur “Rreth përkthimit të Homerit” (Oxford, 1861), i cili na mëson se si duhet të përkthejmë poetin e madh, por ndërkohë vetë pati deklaruar se ai nuk guxonte dot të ndërmerrte përkthimin e Homerit. Së fundi, Sergej Esenini është sjellë në mënyrë të përsosur në greqisht prej të madhit Janis Ricos, i cili në të kuptuarit të rusishtes është ndihmuar prej dikujt tjetër.

Por, “Iliada” juaj nuk është thjesht një shqipërim. Një punë po aq voluminoze duket se është edhe pajisja e veprës me fjalorë, shpjegime… duke mos e lënë thjesht në kuadrin e përkthimit, por edhe të një libri diturak, ku mund të marrësh informacione pa fund mbi botën antike. Përse e konceptuat librin tuaj në këtë formë?
Homeri i largët nuk mund të afrohet, nuk mund të sillet, të kuptohet, të ndihet dhe mbi të gjitha, të shijohet pa një sfond të tillë. Është njësoj si të hysh në një muze, pa guidë. Është kjo arsyeja mendoj unë, që Homeri i shqipëruar më parë mbeti gjithmonë i largët dhe është afruar, aq sa mund të afrohet, vetëm nëpërmjet filmave. Jam i lumtur që lexuesit e Iliadës së Homerit që kam sjellë unë më thonë se ndonëse është një vepër voluminoze (rreth 1000 fq. A4), ata e kanë lexuar me një frymë. Konceptimi im i veprës së Homerit, pra i të shoqëruarit të saj me një sfond enciklopedik, është pëlqyer së tepërmi edhe prej I. Kadaresë dhe V. Zhitit, sipas bisedave të hollësishme që unë kam pasur veçmas personalisht, kokë më kokë për disa orë, si me njërin, ashtu edhe me tjetrin.

Një punë voluminoze që shoqërohet edhe me një kosto jo të vogël, si u mundësua botimi i këtij libri?
Drejtpërdrejt. Shumica e shtëpive botuese as nuk denjuan të dëgjojnë se po shqipërohej Homeri prej meje. Ndonjë që e pa, e ndjeu se botimi i saj kërkonte një investim, i cili nuk sillte të ardhura të shpejta, por duke ndier madhështinë, seriozitetin dhe nivelin e lartë të punës, kërkonin “copyright”-in në këmbime qesharake. Jo. Botimin e kam bërë në një numër të kufizuar kopjesh me shpenzimet e mia, por edhe me ndihmën modeste të fëmijëve të mi (Gjermani, Austri), intelektualë këta dhe të studiuar, të cilët më bëjnë që të jem krenar. Botuesen “Kotti”, Korçë e falënderoj pa masë për nxjerrjen e ISBN.

Do të ketë një promovim në Tiranë?
Kush nuk do të dëgjojë një fjalë të mirë për punën e vet, në kopshtin e lodhshëm dhe të bukur të Homerit? Ndërkaq, “Iliada” e shqipëruar prej meje ka hyrë në shtëpitë e një numri të kufizuar njerëzish të shpërndarë nëpër botë, por, mbi të gjitha, ka hyrë në tempujt e kujtesës së shkrimeve, në bibliotekat: Tiranë, Shkodër, Athinë, Selanik, Boston, Vjenë, Berlin dhe Oslo. A do të ketë një promovim në Tiranë? Tirana e di!! Për mua ka rëndësi tani vetëm një gjë: nga 28 mijë vargje homerike (“Iliada” + “Odisea”) kam arritur deri më sot të shqipëroj 25 mijë (t’i numërosh lodhesh) dhe pak, … dhe pak, … dhe do të jem i pari dhe i vetmi për gjithë shqipfolësit, për të gjitha kohët, që do të ketë shqipëruar Homerin e plotë. Tirana e di nëse do ta promovojë, ose Korça që promovon për vit festën e lakrorit. Kush më njeh nga afër, i kupton se këto fjalë nuk shprehin mendjemadhësi, përkundrazi, ato janë trishtim, hidhërim, brengë, thjesht një vajtim i brendshëm intelektual!! Pavarësisht, së fundi duhet të them se gjithmonë kam gjetur ngushëllim te një thënie e Lasgushit: “Ç’të flas? Flet vepra vetë!” Dhe vërtet, flet vepra vetë!!!

Nga sa na thatë dhe siç njoftoi në fund të librit, po përgatisni “Odisenë”, ndërsa keni botuar edhe shumë libra të tjerë të autorëve antikë, pse kjo lidhje me botën antike greke?
Kjo është e thjeshtë. Gjithë jetën (35 vjet punë) kam punuar si gjenetist, jam doktor shkencash dhe pedagog në këtë fushë, e ndërkaq ka qenë edhe pasioni për këtë shkencë që më lidhi me ç’ka më pyesni. Fillimisht kam studiuar dhe botuar konceptet e gjenetikës tek Aristoteli, Platoni, Hipokrati, Galeni etj., dhe kjo më lidhte me mitet dhe konceptimin e tyre për krijimin e njeriut, të kafshëve, bimëve, riprodhimin, erosin etj., dhe këto pastaj me botën e Homerit dhe të Hesiodit, dhe këto më tej me Eskilin, Sofokliun, si dhe më pas, me vargjet e ëmbla të Safos dhe të Anakreontit. Nën prizmin gjenetik mund të thuhet se jam një hibrid, d.m.th.: një njeri i letrave i shartuar mbi një njeri të shkencës.

ALMA MILE

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen