Ë-ja që trazoi shpirtrat akademikë

Analiza & Komente, Rrezore | Zef Prenka | 13.09.16 | 19:04

Ribotim ( kërkesë e lexuesve)!

Mbledhja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe nga disa mediume u quajt mbledhje fantazmë, se me këtë insistohet në ndryshime drastike të gjuhës letrare, duke futur fjalë bazë të gegërishtes në vend të toskërishtes, se kështu po shkallmohet gjuha zyrtare, se drejtshkrimit aktual i kanoset „lima“ e kështu me radhë

Shkup  – Mbledhja e radhës (u mbajt më 26 -28 qershor në Tiranë) e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin, përsosjen e përdorimin e shqipes standarde, ka hapur sërish një debat publik mes gjuhëtarëve që nuk e kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët për këtë çështje. Tema e diskutimeve ishte drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar në shqipen standarde. Diskutimet u përqendruan në disa raste konkrete të drejtshkrimit të kësaj zanoreje në pozicion paratheksor e pastheksor, u dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm të kësaj zanoreje, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të shkrimit të ë së patheksuar në pozicion paratheksor a pastheksor në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj. Mbledhja në fjalë nga disa mediume u quajt mbledhje fantazmë, se me këtë insistohet në ndryshime drastike të gjuhës letrare, duke futur fjalë bazë të gegërishtes në vend të toskërishtes, se kështu po shkallmohet gjuha zyrtare, se drejtshkrimit aktual i kanoset „lima“ e kështu me radhë. Ajo që duhet theksuar me këtë rast është fakti se në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe s’pati përfaqësues nga Maqedonia, ndonëse në kohën kur u themelua ky Këshill, anëtar ishte edhe prof. dr. Remzi Nesimi. Për t’i qetësuar shpirtrat e trazuar, Kolec Topalli, anëtar i Këshillit thotë se ata nuk kanë tagër që të bëjnë ndryshime, por vetëm sa bëjnë disa propozime, që më vonë mund të shihet mundësia që të kthehen në rregulla. Madje nga propozimet e bëra shihet se ato nuk prekin standardin e shqipes, por janë disa korrigjime që vetëm sa përmirësojnë gjuhën. Sipas Kolecit, është propozuar që për shembull fjala GOJËTAR të shkruhet GOJTAR, për shkak se kështu shkruhet edhe LOJTAR apo ROJTAR. Po kështu mund të shkruhet MJEKSI dhe jo MJEKËSI, për shkak se kështu shkruhet edhe POPULLSI. Ai po ashtu thotë se duhet ta shkruajmë ANTAR dhe jo ANË- TAR, pasi askush nuk e shqipton ë-në në këtë rast. Koleci thotë se fjala HASM duhet shkruar HASËM. Po kështu fjala MJESHTËROR duhet thënë MJESHTROR, pasi është njësoj si MINISTROR, që nuk shkruhet me ë. Koleci thotë se duhet ndryshuar edhe fjala EVROPË dhe duhet bërë EUROPË, pasi nuk themi dot EVROVIZION dhe EVRO për monedhën. Më tej Koleci sqaron se vetë Kongresi i ka lënë disa forma shumësi të pazgjidhura, duke ia lënë kohës në dorë. Për shembull fjalët NIP- NIPËR ose NIPA, PRINC- PRINCËR ose PRINCA. Tani është koha që të zgjidhet një trajtë e shumësit.

Gjuha është e gjallë, zhvillohet…

Rreth nevojës për ndërhyrje në drejtshkrim, prof. dr. Remzi Nesimi, thotë se „viteve të fundit janë zhvilluar shumë diskutime në lidhje me standardin dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Unë jam një nga anëtarët e Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit, delegat i Kongresit si dhe nënshkrues i Rezolutës. Të jesh dëshmitar i drejtpërdrejtë i procesit të jetësimit të rregullave, për një gjuhëtar gjithsesi është një sfidë. Në atë kohë për ne çështjet që po diskutohen sot ishin nën hijen e entuziazmit të arritjes së madhe: NJË KOMB – NJË GJUHË! Prandaj kur sot dëgjoj se gjuha është standardizuar nën presionin e faktorëve politikë të asaj kohe ndjej keqardhje. Me plot përgjegjësi them se ndaj meje p.sh. nuk është ushtruar asnjë trysni për të përkrahur ndonjë qëndrim. Të mos harrojmë se Kongresit i parapriu Konsulta e Prishtinës në viti 1968 (në këtë Konsultë, bashkë me prof. Hilmi Aganin dhe akademik Besim Bokshin kam qenë anëtar i Komisionit të hartimit të konkluzave), ku edhe gjuhëtarët e Kosovës theksuan domosdoshmërinë e unifikimit të gjuhës. Nga ana tjetër, profili profesional i prijësve të këtij procesi nuk më lë dyshim se ata kanë ndjekur verbërisht kërkesat e sistemit të atëhershëm. Nëse duam të flasim për trysni, mund të flasim vetëm për trysninë që ushtronin mbi ne studentët e Universitetit të Prishtinës për ta unifikuar sa më shpejt jo vetëm drejtshkrimin, por edhe gjuhën tonë. Për ata që nuk e njohin mirë çështjen e standardizimit të gjuhëve, ndoshta është mirë të them se bëhet fjalë thjesht për një marrëveshje. Kështu p.sh. për japonishten marrëveshja ka qenë që si bazë e standardit të merret e folmja e Tokios. Gjuha e standardizuar gjithsesi buron nga gjuha e folur, por nuk mund të përfshijë elemente në formë proporcionale, në mënyrë që të përfshihen të gjitha karakteristikat e të folmeve krahinore, siç ndodh p.sh. me zgjedhjen e deputetëve në Parlament që i përfaqësojnë banorët e të gjitha zonave. Kongresi i Drejtshkrimit, ku u përfaqësuan të gjitha zonat gjuhësore brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, mori vendime, të cilat kryesisht përparësi u dhanë formave më të unifikuara. Duke e ditur se gjuha është e gjallë, zhvillohet, në Kongres u theksua nevoja për ndjekjen e zhvillimit të gjuhës. Kështu, diskutimi rreth ndryshimeve eventuale nuk duhet të jetë tabu temë, por edhe qëndrimet e motivuara politikisht, apo të them më mirë qëndrimet që mbështeten kryesisht në sedër nuk duhet të përkrahen aq lehtë, shprehet prof.dr. Remzi Nesimi. Nga ana tjetër prof. dr. Haku Ymeri, thotë se „jemi lodhur nga politizimet. Më neverit edhe televizori kur i shoh shqiptarët se si grinden ndërmjet veti për „mustaqet e Qemos“. Kjo gjë, si duket, na është amanet prej ilirëve. Edhe ata gjatë historisë nuk krijuan një formacion politik, që do të na ndihmonte t`i shpëtonim robërive 2 000 vjeçare. Unë e di se kush nuk duhet të marrë pjesë në këto këshillime, prandaj do ta the troç se cilët janë ata.

Të tillët që mendojnë se standardi është i paprekshëm dhe si i tillë nuk duhet ndryshuar aspak. Ata që ndërtuan këtë standard dhe mendojnë se kanë bërë diçka të shenjtë që nuk duhet prekur asgjë në të dhe se ata që tentojnë të ndryshojnë i shohin si elefantë në shitore qelqërinash. Ma merr mendja se një grup gjuhëtarësh, sa më tepër gjuhëtarë nga Kosova, po edhe nga Maqedonia dhe gjithsesi edhe nga diaspora do të kontribuonte shumë, duke pasur parasysh gjithmonë platformën: standardin ta ndryshojmë, po jo edhe ta ndërrojmë. Krijimi i gjuhës standarde shqipe dhe përpilimi i FJALORIT TË GJUHËS SË SOTME SHQIPE, botuar në vitin 1980 në Tiranë, luajtën një rol të rëndësishëm në jetën kulturore të popullit tonë. Me këtë fjalor punonjësit e Sektorit të Leksikologjisë dhe Leksikografisë të Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë i kapërcyen kushtet e vështira që kishin atëherë dhe krijuan një vepër madhore, i cili për nga cilësia, nuk ngurroj të them, ia kalon një fjalori tjetër, të ngjashëm me këtë, d.m.th. shpjegues, të gjuhës maqedonase, të emërtuar „Tolkoven reçnik na makedonskiot jazik“, tani për tani të botuar vetëm në pesë vëllimet e para nga gjashtë të paraparë për botim. Me këtë nuk dua të zhvlerësoj punën me vlerë të madhe shkencore të këtyre punonjësve shkencorë në hartimin e Fjalorit shpjegues të gjuhës maqedonase, por dua ta vë në pah vlerën e madhe të punës së bërë, 32 vjet më parë, të punonjësve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë dhe të ndihmësve përreth.

Një vlerë e madhe e kombit në tërësi, fryt i përpjekjeve historike të atdhetarëve, gjuhëtarëve, shkrimtarëve, gazetarëve, intelektualëve dhe politikanëve. Këtë vlerë duhet ruajtur si „sytë e ballit“, si gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë. Pasi nuk ka rezultate të përkryera në asnjë punë po edhe në krijimin e secilit standard nuk ka rezultate ideale. Atë duhet ta ndryshojmë dhe ta përkryejmë, por jo edhe ta ndërrojmë ose ta zëvendësojmë me një tjetër me bazë tjetër dialektore. Në mënyrë shumë të natyrshme duhet të punohet në përkryerjen e gjuhës standarde, por jo duke iu qasur kësaj pune nga fillimi. Kjo punë duhet bërë për çdo ditë e në çdo vend. Kur themi kështu, mendojmë se kjo punë nuk kryhet shpejt duke pritur zgjidhje të problemit në mënyrë „deus ex machina“, por në mënyrë reale me zotim të të gjithëve Kjo do të thotë se edhe norma, pavarësisht se ka qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi më të madhe, nuk duhet kuptuar si ngurosje të saj, sepse ngurosja e normës, do të sillte ngurosjen e gjuhës, prandaj atë duhet ndryshuar, sepse këtë e kërkon karakteri dinamik i gjuhës, të cilin lëre që nuk duhet frenuar, por përkundrazi, duhet stimuluar. Tani është kohë e qëlluar dhe më pa halle kur duhet vepruar në mënyrë të organizuar dhe në mënyrë institucionale“, thotë prof. dr. Haki Ymeri.

Zvogëlimi i dendurisë së fonemës ë

Ndërkaq, rreth zanores ë, e cila u bë shkas i përplasjeve të shumta në qarqet akademike dhe mediatike në Tiranë, prof. dr. Remzi Nesimi thotë se „siç dihet ë-ja gjithnjë ka paraqitur një çështje të veçantë në drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Madje, ajo edhe është quajtur me emra të ndryshëm nga ata që janë marrë me këtë çështje: zanore e paqëndrueshme, e turbullt, gjysmë zanore etj. Që në fillim duhet të theksojmë se asnjëri nga këto emërtime nuk i përgjigjet së vërtetës, sepse ë-ja është zanore e veçantë e sistemit vokalik. Ajo është rrokjeformuese dhe përdoret në të gjitha pozicionet fonetike. Ka shumë raste kur ajo, sidomos në pozicion fundor, nuk dëgjohet, por në të shkruar përdoret me funksione morfologjike (p.sh. për të treguar shumësin: një poet – dy poetë. Këtu përdorimi i ësë arsyetohet në trajtën e shquar poetët, gurët etj.), si dhe për të treguar gjatësinë e rrokjes së theksuar (p.sh. te fjala dorë me ë-në shënohet o-ja më e gjatë në krahasim nga p.sh. o-ja më e shkurtër e fjalës por). Përdorimi i ë-së në të gjitha pozicionet fonetike është përcaktuar me rregullat ekzistuese të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Gjatë shqyrtimit të këtyre rregullave bie në sy se brenda rregullave ka edhe përjashtime. Sipas mendimit tim, rishqyrtimi i përdorimit të ë-së do të duhej të shkonte në drejtim të përjashtimeve nga rregullat, në mënyrë që po këto përjashtime të reduktohen“, vlerëson prof.dr. Remzi Nesimi. Çështjen e zvogëlimit të dendurisë së fonemës ë duhet trajtuar mirë dhe ashtu si duhet, thotë dr.prof. Haki Ymeri, duke shtuar se „kjo është ndër fonemat më të përdor shme në tekstet e shkruara e, krahas kësaj, edhe pika më e dobët e standardit tonë .

Ajo zë vendin e dytë me denduri me 10,45 për qind, që do të thotë se në çdo 100 grafema, 10 gjer më 11 fonema janë ë. Zvogëlimi i dendurisë së saj do të ishte e mirëseardhur, prandaj mosevidentimin e ndonjë ë-je që nuk ka funksion formë-formues, largimi i së cilës nuk do të prishte asgjë në strukturë, përveç që në aspektin drejtshqiptimor do t’i ngacmonte pak veshët „e stërholluar“ të ndonjë pjesëtari tosk. Shqipja do të frymonte më mirë, ashtu siç frymon misri i rralluar pas harrjes së rrënjëve të shpeshta. Kjo ë-ja, pa ndonjë funksion strukturor, si duket, një ditë, vetvetiu do të bjerë si trysni e ligjit të ekonomisë, po edhe si kërkesë përkryerjeje gjuhësore, mirëpo do të ishte mirë t`i prihet kësaj dukurie. Këtë e bën vetëm gjuhëtari. Unë pajtohem me qëndrimet e prof. dr. Kolec Topallit lidhur me këtë çështje. Çështjen e thjeshtimit të shumësit të disa emrave të gjinisë mashkullore e shohim si një çështje shumë të vështirë në morfologjinë e shqipes. Një thjeshtim, për fillim, i kësaj larushie mbaresash, aty ku mundet, do të ishte i mirëseardhur. Kjo larushi formash shumësi ndeshet edhe nëpër gramatika normative, po edhe nëpër fjalorë, si p.sh: gjarpër: gjarpinj e gjarpërinj; labër: labër, labë e lebër; hamall: hamallë; hamaj; hamej; manga/ll: manga/ j dhe manga/lle, ku ëja ose e-ja do të ishin formante shumësi të mjaftueshëm.

Nëse humbja (lënia pas dore e formantit të dytë) na duket shumë e dhimbshme (punë e cila do ta thjeshtonte shumë paradigmën e shumësit të emrave të gjinisë mashkullore), atëherë variantet e shumësit në fjalorë të paraqiten në një hierarki më normale. Në këso rastesh përcaktimi i hierarkisë së varianteve do t`i sugjeronte shfrytëzuesit të Fjalorit përparësinë e variantit p.sh. mangalle, përkundër variantit mangaj (si formë më e vjetër që bazohet në palatalizim të ll-së). Prej tipave të vjetër të formimit të shumësit të emrave të gjinisë mashkullore me alternim metafonik të tingujve tematik a:e, lebër nga lab, hamej nga hamall, bakej nga bakall, meshkuj nga mashkull duhet të lirohemi. Këtu do të mjaftonte vetëm një kundërvënie, me palatalizim. E aty ku mund të përdoret forma mbaresore, si më e re, ajo duhet të ketë përparësi para formanteve me metafonizim dhe palatalizim. Nëse është vendosur me të drejtë në drejtshkrim, që struktura „eu“ në emrin Euridikë të lexohet si togzanor, atëherë s`ka pse të shkruhet kjo strukturë si „ev“ në Evropë, por do të shkruhej si Európë. Krahaso këtë me toponimin Austrí, që nuk është Ávstri“, thotë në fund prof. dr. Haki Ymeri. (SH.H./KOHA

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen