Kosova si problem shqiptar

Analiza & Komente | Zef Prenka | 16.01.17 | 10:56

Nga Ardian Ndreca 

Tashma asht ba gjithnji e ma i qartë përceptimi se gjanat në Kosovë mbas shpalljes së pamvarsisë e këtej nuk kanë shkue siç shpresohej. Madje gjithçka asht përkeqësue deri në at’ pikë sa nuk shihet asnji forcë e mbrendshme e zonja me e nxjerrë vendin prej situatët.

Korrupsioni tribal i klasës politike, shtypja e dhunshme e atyne pak bizneseve aktive në emën të nji veteranizmi banditesk gjobitës, penetrimi kapilar sidomos në shtresat rurale i nji islami fondamentalist me ngjyrime të hapta antikombtare, shitja e hapun i nji pjese të mediave dhe mjaft pseudo-intelektualve në favor sa të Turqisë sa të Serbisë, kanë çue në humbjen e shpresës se diçka mund të ndryshojë për mirë.

Se sa pak vlejnë nga ana politike partitë kosovare e tregon ma së miri marrëveshtja e demarkacionit me Malin e Zi, rimarrja e heshtun e kontrollit nga ana e Serbisë me anën e Zajednicës, predikimi i islamit radikal në xhamitë e Kosovës si edhe numri i konsiderueshëm i xhihadistave kosovarë drejt frontit sirian. Letargjija e shumicës së intelektualëve dhe lëngata e kulturës dhe e arsimit i kanë hapë udhë nji çorbe kulturore herë me nuanca turkoshake e herë me nostalgjina jugosllaviste.

Klasa politike kosovare e dhanun me mish e shpirt kah përfitimet e paligjshme dhe korrupsioni kapilar, ka asgjasue në sytë e opinionit publik ndërkombtar sakrificat madhore që ka ba populli i Kosovës për me mbërrijtë tek pamvarsia.

Kemi pa në dhjetëvjeçarin e fundit sesi nga pozita morale superiore për shkak të genocidit serb si edhe të qendresës popullore dhe të politikës së urtë të Ibrahim Rugovës, Kosova ka rrëshqitë pak nga pak padrejtësisht në bankën e të akuzuemve, kjo gja ka ndodh edhe pse politika e jashtme e atij vendi nuk ka dijtë me shfrytzue terrenin e fituem me gjak dhe me luftë.

Gjithë kësaj katastrofe duhet t’i shtohet edhe ideja antishqiptare e “kombit kosovar”, të cilën mund ta përftonin vetëm do mendje të flligshta që punojnë haptas për qarqet ma regresiste të Beogradit.

Edhe politika shqiptare në këto vite ka qenë e papranishme kur asht ba fjalë me ndihmue dhe me mbrojtë me vendosmëni dhe konkretisht interesat e Kosovës. Retorika kallpe e Berishës nuk ka prodhue asnji rezultat pozitiv për Kosovën, ndërsa qasja diletante e qeverisë Rama, kujtojmë kalimthi vizitën qesharake të njikohshme me Erdoganin, e ka lanë të zblueme Kosovën si problem dhe si çeshtje.

Edhe pse për hir të së vërtetës duhet të themi se ka pasë nji ndërhymje të vetme të Ramës në Beograd në favor të Kosovës, e cila u prit me shpirtin provincal të kafehaneve politike të Prishtinës që e panë veten të defaktorizuem. Megjithatë ishte tepër pak nji fjalë e Edi Ramës për Kosovën dhe tepër i papërmbajtshëm kori i kulimave që u zgjuen prej gjumit asfiksiant.

Kosova si shtet i sponsorizuem prej Perëndimit mund të konsiderohet qysh sot si nji eksperiment i dështuem.

Lind detyrimisht pyetja se si do të zgjidhet gjithë ky lamsh?

As BE-ja dhe as SHBA-ja nuk kanë tregue vendosmëni për me zgjidhë nyjën kosovare. S’mund të ishte ndryshe, pse as njena dhe as tjetra palë nuk mund të zëvendsojnë ma shumë se kaq qeverisjen kosovare. Nga ana tjetër në qoftë se vullneti i nji populli nuk gjen shprehjen e duhun politike për me ndryshue rastistjet e fatit dhe vullnetin dashakeqas të anmiqve, asnji forcë e huej, sado mike, nuk do të veprojë kurrë si nji “deus ex machina” për zgjidhjen e problemeve.

Mendoj se ekziston vetëm nji zgjidhje që mund të frenojë pikiatën e frikshme të Kosovës drejt nji të ardhmeje që profilohet mjaft e rrezikshme në çdo pikëpamje, dhe kjo asht nji agjendë e re e përbashkët me shtetin amë për nji bashkim të shpejtë.

Bashkimi i Kosovës me Shqipninë asht diçka natyrale që nuk çon drejt nji “Shqipnije të Madhe”, ide bajate kjo e anmiqve tanë, por drejt nji Ballkani ma të sigurt në çdo pikëpamje dhe njikohsisht i jep shqiptarëve nji shtëpi të vetme të përbashkët.

Vetëm kështu mund të shpëtojë Kosova prej anmiqve të saj radikal, atyne që prej mbrendë po ja shembin përditë themelet dhe po ia rrezikojnë seriozisht sovranitetin, dhe atyne që prej jashtë, në kombinime interesash dhe vizionesh synojnë shkatrrimin e saj përfundimtar.

/Gazeta Tema/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen