XHELAL ZENELAJ – Qarqe islamike shqiptare nuk duan të dëgjojnë se shqiptarët janë popull evropian

OP-ED | Zef Prenka | 09.12.17 | 14:38

XHELAL ZENELAJ | Qarqe islamike shqiptare nuk duan të dëgjojnë se shqiptarët janë popull evropian

Qarqe islamike shqiptare nuk duan të dëgjojnë se shqiptarët janë popull evropian, popull që i përkasin kontinentit të vjetër dhe qytetërimit perëndimor. Ata nuk i pranojnë humanistët shqiptarë – Marin Barletin, Mikel Marulin, Leonik Tomeun, Maksim Grekun, Marin Beçikemin, Gjon Gazulin. Ata nuk i njohin shkrimtarët e letërsisë së vjetër shqiptare – Gjon Buzukun, Frang Bardhin, Lekë Matrëngën, Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin.

Sipas këtyre qarqeve, shqiptarët duhet të funksionojnë me vlera islamike, rrjedhimisht me sistem oriental të vlerave dhe si të tillë duhet t’i takojnë Turqisë, botës arabe, përkatësisht islamike, ndaj duhet sjellë në hapësirat shqiptare Turqinë apo vendet arabe.

Këto qarqe paraqiten si përçues të interesit turk apo arab, në atë pjesë të Gadishullit Ballkanik ku jetojnë myslimanët, d.m.th. shqiptarët dhe boshnjakët, duke shpërfillur faktin se shqiptarët, për dallim prej boshnjakëve, u përkasin tri feve.

Këto qarqe islamike shqiptare duhet ta dinë se feja nuk është komponentë e identitetit kombëtar. Feja nuk është politikë as ideologji. Feja nuk është instrument propagandistik. Po qe se feja shndërrohet në politikë, në ideologji dhe në instrument propagandistik, atëherë ajo pushon të jetë besim në Zot. Feja është çështje private dhe personale e individit. Shqiptarët nuk identifikohen me fenë. Në saje të prejardhjes së përbashkët, të lashtësisë, të autoktonisë, të gjuhës, të traditave popullore dhe të historisë, shqiptarët janë popull me identitet të padiskutueshëm.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, më parë se figurë fetare, është personalitet politik. Ai luftoi kundër Perandorisë Osmane, në vendin e vet, në Shqipëri. Rrjedhimisht, luftërat e tij antiosmane ishin luftëra politike dhe kombëtare. Po të kishte bërë luftëra fetare, do të kishte luftuar në vende të tjera – të krishtera – të Ballkanit. Prandaj Skënderbeu u takon të gjithë shqiptarëve, pa dallim përkatësie fetare. Ai është hero kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Ata që e paraqesin Skënderbeun si prijës luftarak që ka mbrojtur krishterimin dhe qytetërimin perëndimor, kanë qëllime politike pragmatike, për interesin kombëtar të shqiptarëve.

Ka të tillë që e pandehin Skënderbeun si një mit. Duhet ditur se nuk ka popull në botë që nuk ka jetuar në mite dhe në legjenda, me mite dhe me legjenda, përfshi edhe popujt më të zhvilluar të rruzullit. Edhe sot, shumë popuj në botë, pa përjashtuar edhe popujt e vendeve më të industrializuara, jetojnë me mite dhe me legjenda. Ka popuj që në faza të caktuara të zhvillimit të tyre kanë nevojë për mite dhe për legjenda. In ultima linea, Skënderbeu nuk është mit. Ai është realitet historik për të cilin kombi shqiptar ka nevojë edhe sot.

Udhëheqja politike shqiptare në Ballkan dhe mbarë shoqëria shqiptare, paraqiten para botës me figurën e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës, jo për t’i irrituar shqiptarët e fesë islame, por për interesa të kombit shqiptar, pjesë e të cilit janë edhe shqiptarët e fesë islame. Skënderbeun në Prishtinë, në Shkup apo në Dibër nuk e sollën shqiptarët e fesë ortodokse apo të fesë katolike. E sollën shqiptarët e fesë islame. Kur Skënderbeu erdhi në Shkup, që nga Qafa e Thanës e këndej, e pritën në të gjitha qytetet e Maqedonisë veriperëndimore, mijëra shqiptarë të fesë islame. Askush nuk u kishte bërë thirrje që të dilnin për ta pritur.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen