Pse është zgjeruar kufiri i frikës qytetare?

Analiza & Komente | admin | 15.01.13 | 20:25

Disa gjëra kanë bazë reale dhe janë fenomene me bazë materiale të dukshme dhe reflekse shpirtërore të dalluara në sjelljen individuale dhe komportimin social të qytetarëve tanë. Por disa gjëra të tjera janë të zmadhuara, të shfaqura si paranoja që vijnë nga moskuptimi i të vërtetave të kohës moderne, të ndikimit të zgjerimit të lirisë si kosto që duhet përballuar me përgjegjësi personale, në raste të tjera është haraç i njerëzve që ende vazhdojnë të kërkojnë të orientohen në këtë botë moderne me paradigmat e sjelljes tradicionale, pa kuptuar imperativat e reja të angazhimit ndryshe për të dalë nga bota e frikës dhe për të hyrë në mbretërinë e suksesit personal. Kontradikta e thellë midis parametrave të jetës moderne, e ndryshuar radikalisht, dhe mënyrës së vjetër të komportimit individual, bashkë me iluzionet e ndryshuara të pritmërive sociale është shkaku i kësaj situate, që meriton shpjegimet e duhura për të ndihmuar njerëzit që shikojnë pas për të gjetur përgjigje, duhet ta kthejnë kokën përpara për të gjetur zgjidhjet e duhura.

Të vërtetat e kohës duhen thënë ashtu siç janë, në mënyrë që te njerëzit të mos krijojmë iluzione për jetën që jetojnë, të cilat pastaj kthehen në zhgënjime dhe bëhen bazë për frikëra paralizuese të natyrave të ndryshme dhe me bazë të ndryshme. Kjo do të thotë se në shumë raste media, politika, shoqëria civile, shkolla dhe institucionet e ndikimit social duhet të ndërrojnë optikën e trajtimit të fenomenit të përhapur të frikës individuale. Sepse ndoshta ngaqë akoma vazhdojmë që shumë fenomene sociale t’i vëzhgojmë, analizojmë dhe studiojmë mbi bazën e parimeve të vjetra të së kaluarës, apo mbi bazën e principeve gjysmëmoderne të post tranzicionit, bëjnë që disa dukurive masive të realitetit tonë, që i vuajnë shqiptarët, akoma nuk jemi mësuar t’u vëmë emrat që meritojnë, t’i shpjegojmë me shkaqe konceptuale dhe brenda dialektikës së variacioneve kontekstuale apo mënyrës dhe intensitetit të shfaqjes së tyre te ne. Fjala vjen, edhe pse përmendet si slogan se në kushtet e demokracisë, të ekonomisë dhe në suazën e shoqërisë së hapur nuk është e mundur që njeriu të bëhet lehtësisht qytetar i lirë dhe njëherësh i sigurt përballë rreziqeve reale që ato sjellin për natyrën e shoqërisë dhe karakterin e qytetarit, përsëri janë të shumtë njerëzit që nuk e kuptojnë si duhet ekuacionin bazal midis lirisë dhe përgjegjësisë personale për t’i dalë zot vetes dhe jetës sate. Kjo është arsyeja që duke mos kuptuar të vërtetat e kohës moderne në Shqipëri apo duke mos pasur aftësi të përshtatesh me to krijohen kushte që pikërisht pasiguria individuale të shfaqet në formën e frikës nga e sotmja dhe e nesërmja. Në të vërtetë frika nga e sotmja dhe e nesërmja e jetës është një nga sindromat sociale më universale, që është bërë ndjenjë e përbashkët, me shkaqe të motivuara dhe arsye të justifikuara, por të interpretuara dhe të kuptuara në të gjitha qytetërimet e kohës sonë.

Për të kuptuar dhe interpretuar fenomene të tilla komplekse të paradoksologjisë së demokracisë shqiptare, duhet vlerësuar në kompleks dukuria dikotomike, e cila nga njëra anë ka rritur hapësirën e qytetarit të veçantë për më shumë shanse për sukses, për më shumë mundësi për progres dhe njëherësh është duke u zgjeruar ndjenja e frikës qytetare nga e sotmja dhe e nesërmja. Pa dyshim që është e vërtetë se kjo lloj frike është ndjenjë e përditshme, që kurrë nuk e lë njeriun të qetë apo të “flejë gjumë” i sigurt. Beteja midis lirisë dhe sigurisë e personalizuar në jetën e individit, e formësuar në trajtë kompakte në jetën e tërë shoqërisë shqiptare, është arsyeja pse në kohën tonë është normale, që qytetari, duke qenë në garë për çdo gjë dhe përballë sfidave konkurrenciale për gjithçka, duket sikur liria i ka veshur qytetarit “pallton” e frikës, të cilën me sa duket nuk ka për ta hequr në asnjë rast.

Të jetosh në kontakt të përhershëm me frikën dhe pasigurinë, nuk do të thotë se patjetër duhet të bëhesh qytetar i dobët, shoqërisht i squllur, individualisht i frikuar dhe pa personalitet. “Palltoja” e frikës në këtë jetë është një motiv njerëzor që për qytetarin tonë, që në të kundërtën duhet të bëhet burim dhe nxitje për t’u bërë i fortë, për të përballuar me dinjitet situatën e jetës sociale. Por sidomos ato të jetës individuale, të cilat jo në të gjitha rastet janë të mundshme të jenë të parashikuara, të zotëruara dhe të manipuluara në favorin tënd.

Që të menaxhosh në mënyrë njerëzore frikën, qytetari duhet të mësojë të gjejë burimin, forcën dhe format e shfaqjes së saj. Në këtë botë, që është bërë sfidante për qytetarin, janë të gjitha shanset për të fituar ose humbur përballë frikës, e cila buron nga brenda njeriut, është pasojë e mungesave të tij për t’u përballur me këto sfida. Por ajo ka po aq, në mos më shumë, burime të jashtme, që nuk varen nga qytetari, që janë në duart e të tjerëve individualisht apo në mënyrë institucionale. Kjo është arsyeja që e bën frikën patologji, e cila ndonjëherë nga shumë qytetarë shqiptarë konsiderohet me nuancë fatale apo me forcë të papërballueshme.

Shoqëria moderne krahas të mirave të shumta si shanse sociale që mund të realizohen, ka gjithnjë një “linjë” të prodhimit të frikës, të cilën tani e ndien në jetën e vet çdo qytetar shqiptar, i cili herë me forcat e veta individuale, herë me luftën për drejtësi sociale përpiqet të bëjë zap forcat e errëta të shfaqjes së frikës në shoqëri. Me një fjalë, beteja me frikën është sa individuale aq dhe sociale, sa detyrë e personalizuar e qytetarit aq dhe detyrë e shoqërisë, shtetit për të siguruar lirinë dhe drejtësinë sociale në shoqëri. Frika që ndien qytetari nga padrejtësisë sociale është frika më e madhe, që atë ose e bën të dobët, ose e detyron të bëhet konformist për të mos u goditur nga dallgët e forta të frikës nga padrejtësia sociale.

Pa dyshim, nëse do t’i bënim një operacion ontologjik strukturës së frikës së qytetarit në jetën e sotme, do të mund të bënim dallime midis anës sasiore dhe cilësore të saj. Në të vërtetë frika në shoqërinë tonë është një ndjenjë paradoksalisht e zmadhuar, me intensitet të lartë ndikues në jetën individuale dhe sociale të qytetarit shqiptar. Sot territori i frikës me të cilën përballemi dhe ndiejmë efekte dhe kundërefektet e saj, është më i përhapur, më kaotik, i ndërtuar në formën e një arkipelagu që e “rrethon qytetarin” në çdo hap të jetës personale. Ato janë bërë shumë në shoqërinë tonë. Kjo është arsyeja pse shpesh njerëzve tanë u vjen mendja vërdallë dhe janë më pak të aftë që të bëjnë përzgjedhjet e duhura për t’iu shmangur apo larguar territoreve të gjëra sociale dhe personale të frikës.

Një gjë është e sigurt: në shoqërinë e sotme shqiptare gjërat kanë ndryshuar aq shumë, saqë njeriu e ka të vështirë të jetojë si qytetar i kohës së kaluar, të mendojë si të parët e vet, që të jetë i barabartë, që të ndërtojë jetën personale në kohën moderne sipas tipologjisë së jetës të bazuar në forcën e traditës, që gjithnjë e më pak po bëhet e sigurt për ta orientuar qytetarin në labirintet e frikërave dhe pasigurive të kohës moderne në Shqipëri. Ne duhet të mësohemi me natyrat e frikërave të kohës që jetojmë. Ato nuk mund të luftohen me armët e të parëve apo me logjikën e jetës tradicionale, e cila ka qenë cilësisht më e ulët në krahasim me të sotmen, edhe pse ka qenë më e sigurt në varfëri, me më pak kokëçarje nga andrallat e pasigurive të jetës moderne.

Të mposhtësh frikën nuk është gjë e lehtë, sepse këtu nuk është fjala vetëm për frikën si komponent psikologjik, që vjen nga natyra dhe anomalitë psikologjike të njeriut të veçantë, por është fjala për frikën që është bërë një ndjenjë dhe situatë sociale e masivizuar, e cila në shumë raste bëhet patologji sociale, që kërkon të dalë jashtë mundësisë së kontrollit të shoqërisë dhe individit. Në këto rrethana, për të mos rënë në grackën e frikës së përgjithësuar, për të mos qenë paranojak para gjithçkaje dhe çdo gjëje, qytetari është i detyruar që në vend të mjeteve tradicionale të kohës së shkuar të mundohet të vërë në përdorim mjetet e reja të jetës moderne. Të kesh frikë nga brenda apo nga jashtë, nga faktorë që lidhen me mungesat e tua apo ndikimet e të tjerëve, do të thotë që gradualisht të vish në situatën kur nuk e ke më vetën në dorën, apo akoma më keq, e ndien veten të shpronësuar nga një pjesë e rëndësishme ekzistenciale.

Kjo situatë është e rrezikshme. Është e vështirë të dalësh prej saj, sepse humbet parametrat e vetëvlerësimit të forcave të vetes si qytetar, duke ndier njëherësh dhe humbjen e dinjitetit të brendshëm personal. Natyrisht, ka kontekste të ndryshme në të cilat shfaqet frika, apo rrethana që diktojnë që njeriu bëhet i frikshëm ndaj jetës. Ka një masë frike të tolerueshme, që njeriun e bën më të kujdesshëm. Por këtu nuk është fjala për frikën e tolerueshme, të cilën e ka çdo njeri, ndoshta si instrument edhe terapeutik, për të garantuar veten dhe standardet qytetare të jetës personale. Fjala është për atë lloj frike që bëhet situatë permanente dhe degraduese për jetën qytetare të njeriut. Të njohësh kufirin e frikës reale, ta ndash atë nga përjetimet paranojake, ky është çelësi i suksesit të qytetarit në kohën tonë. Nuk është aq e lehtë të përcaktosh kufijtë normalë të frikës që ka njeriu për veten, shëndetin, trupin, profesionin, suksesin profesional dhe shmangien e formave të shumta të dështimit në jetë. Nuk është e lehtë sot të jetosh i imunizuar nga frikërat dhe pasiguritë, madje edhe kur je i zoti të kuptosh dhe të menaxhosh kufijtë e shtrirjes sociale të saj. Megjithatë, është e sigurt se, që qytetarët tanë të përballen në çdo kohë me të, kanë nevojë të kenë besim në vetvete, besim tek tjetri e sidomos në institucionet e shtetit dhe shoqërisë.

Gëzim Tushi.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen