Xhelal Zejneli Me rastin e 75-vjetorit të vdekjes

Histori & Fakte | Zef Prenka | 02.01.16 | 09:17

GJERGJ FISHTA – ZËRI I KOMBIT

Ati françeskan Gjergj Fishta (1871-1940) është poet, publicist, pedagog, politikan. Drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhrit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhri. Është një ndër figurat më të mëdha të letërsisë shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX. Deri në Luftën e Dytë Botërore u ngrit si poet kombëtar i Shqipërisë dhe si Homeri shqiptar, ndërsa pas vitit 1944 ra në harresë që zgjati 46 vjet me radhë.

Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo de Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër. Që fëmijë u ndikua nga De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu dashurinë për letërsinë. Më 1886, kur ishte 15 vjeç, u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevë ku studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe kroatishten. Me një fjalë, ai përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Atje ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (1822-1905) dhe me opetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar. Më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në urdhrin françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 bashkëpunoi me abatin e Mirditës Preng Doçin (1846-1917), me prozatorin dhe priftin Dom Ndoc Nikajn (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhin (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e çështjes së alfabetit të shqipes. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipëri, e sidomos në Shkodër. Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës. Zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë. Kjo masë ndikoi për t’i dhënë fund mbisundimit kulturor italian ndër katolikët e Shqipërisë së veriut dhe të rinjve shqiptarë që studionin në këto shkolla, u ushqeu një ndjenjë identiteti kombëtar. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Fishta u zgjodh nga Kongresi për të kryesuar komisionin prej 11 delegatësh, që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Në tetor 1913, themeloi të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Kjo revistë doli deri në vitin 1944, me ndërprerje në vitet 1915-1920 si dhe në vitet 1925-1929, kur Ahmet Zogu kishte vendosur censurë. Revista ndihmoi për zhvillimin e kulturës së veriut, ashtu si revista Albania e Faik Konicës në Bruksel dhe në Londër, që kishte ndihmuar për afirmimin e kulturës mbarëshqiptare, përfshi edhe atë të jugut. Në vitet 1916-1918 Fishta botoi në Shkodër gazetën Posta e Shqypniës, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadër të Kultusprotektorat-it. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe me Mati Logorecin (1867-1941). Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur lidhur me përdorimin zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve Komisia vendosi të përdorej dialekti qendror i Elbasanit, si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare. Fishta shpresonte se koineja shqiptare e veriut të shërbente si normë letrare për mbarë vendin, ashtu si gjuha e Dantes që kishte shërbyer si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë këtyre viteve, Fishta dha mësim dhe drejtoi shkollën françeskane në Shkodër, i cili nga viti 1921 u quajt Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) dhe i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani Fishta ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.

Në gusht të vitit 1919 Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Kryetari i delegacionit, Luigj Bumçi (1872-1945) kërkoi prej tij që në këtë cilësi, të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në ShBA për t’u kujdesur për interesat e Shqipërisë. Atje vizitoi Bostonin, Nju-Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin e Shqipërisë dhe po atë vit u zgjodh zëvendëskryetar i tij. Më pas mori pjesë në konferencat ballkanike: më 1930 në Athinë, më 1931 në Sofje dhe më 1932 në Bukuresht. Pas kësaj, u tërhoq nga jeta publike, për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Në vitet 1935-1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër ku u mor me poezinë e vet. Si poet i shquar i brezit të tij, u nderua me diploma, me çmime e tituj – brenda e jashtë vendit.

Më 1911 mori nga Austro-Hungaria çmimin Ritter Kreuz, më 1925 nga papa Piu XI u dekorua me çmimin Al Merito. Qeveria greke ia dha medaljen prestigjioze Feniks. Urdhri françeskan e nderoi me titullin Lector jubilates honoris causae. Më 1939 u bë anëtar i rregullt i Akademisë Italianë të Shkencave dhe Arteve. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

* * *

Fishta është autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur me një nga krijimet më mahnitëse të letërsisë shqiptare – Lahutën e Malcís, Shkodër 1937. Është një poemë epiko-historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për pavarësi, e në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut të viteve 1858-1913. Kjo kryevepër letrare ishte shkruar midis viteve 1902-1909. Pastaj u ripunua nga autori gjatë një periudhe 30-vjeçare. Konsiderohet si e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore.

Më 1902, Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh me fshatarin e moshuar Marash Uci (vdiq më 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Ai i rrëfente Fishtës për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, për betejën në urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të poemës, me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zarë më 1905 dhe 1907 dhe u ribotuan të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Botimi përfundimtar i poemës me 30 këngë doli në Shkodër më 1937.

Poema u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe përsëri në Romë më 1991. Lahuta e Malcís është përkthyer në gjermanisht, në italisht dhe në anglisht.

Poema nis me përleshjet kufitare midis fiseve të Hotit e të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malazezë – më 1858. Thelbi i veprës (këngët 6-25) u kushtohet ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit, i cili i dha toka kufitare shqiptare Malit të Zi dhe shpuri në krijimin e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e Revolucionit të Xhon Turqve, i cili në fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një farë autonomie. Ka këngë që mbulojnë luftërat ballkanike të viteve 1912 e 1913, që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Lahuta e Malcís është poema epike më emocionuese e më e fuqishme e shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini: nga poema me ndikim persian e Dalip Frashërit Hadikaja, rreth vitit 1842 (Kopshti); nga poema epike shiite e Shahin bej Frashrit Myhtar Nameja, 1868 (Historia e Myhtarit); nga poema e Jeronim de Radës Scanderbeccu i pafaan, 1872-1884; nga poema me frymë kombëtare e Naim Frashërit Istori’ e Skenderbeut, 1898; nga poema epike shiite po e tij Qerbelaja, 1898; nga poema e mërgimit e Zef Skiroit Te dheu i huaj, 1900; dhe deri tek ajo e Frano Krispi Gllavjanos Mbi malin e Truntafileve.

Gjergj Fishta zgjodhi për subjekt të poemës atë që njihte më së miri: kulturën heroike të vendlindjes, të malësisë shqiptare të veriut. Në këtë poemë e cila është një arritje e pashoqe në letrat shqiptare, autori paraqet jetën e fiseve të Shqipërisë së veriut, në përmasa heroike. Në poemë i kemi të gjitha tiparet dalluese të shoqërisë së fiseve: zakonet e doket e lindjes, martesës dhe varrimit, mikpritjen bujare të fiseve, gjakmarrjen dhe besën.

Poema është frymëzuar fuqishëm nga poezia gojore shqiptare, si nga ciklet e poezisë heroike të quajtura Këngë kreshnikësh me ndërtimin e vargut tetërrokësh, ashtu edhe nga cikle po aq popullore të poezisë historike të shekullit XVIII. Fishta e njihte poezinë gojore të kënduar me lahutë nga fiset malësore të veriut. Rrëfimi në poemë është plot fjalor arkaik të pasur dhe figura ligjërimi të larmishme e të gjalla, që përdoren nga fiset luftëtare malësore të veriut, e që sot nuk janë aq të kuptueshme. Lidhjet e ngushta me letërsinë gojore janë një tipar i zakonshëm i poemave epike. Megjithëkëtë, disa kritikë e kanë kritikuar Fishtën për folklorizëm dhe për imitim të folklorit, duke shtuar se nuk ia ka dalë të krijojë një poemë të vërtetë epike.

Metri kryesor i poemës është tetërrokshi trokaik apo shtatërrokshi, i cili harmonizohet më bukur me poezinë gojore shqiptare sesa heksametri klasik i poemave epike greke e latine. Megjithëkëtë, ndikimi i poemave të mëdha të antikës greke – Iliadës dhe Odisesë të Homerit apo Eneidës së Virgjilit, është kudo i pranishëm në Lahutën e Malcís, sikundër kanë theksuar disa studiues, e sidomos Maksimilian Lamberci dhe Xhuzepe Gradilone. Duhet shtuar se Fishta e përktheu në shqip librin e pestë të Iliadës.

Ndër figurat stilistike kryesore që e karakterizojnë Lahutën e Malcís janë metafora, aliteracioni dhe asonanca si dhe hiperbola dhe arkaizmat. Tipari kryesor heroik i subjektit është harmonizuar me përshkrimet lirike dhe idilike të bukurisë së natyrës të Alpeve të Shqipërisë së veriut, të cilat i japin poemës një hijeshi poetike.

Poema mbështetet në legjendat dhe mitologjinë shqiptare dhe është e mbushur me figura mitologjike nga letërsia gojore, të cilat ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së lashtë, sodisin ngjarjet dhe në rast nevoje ndërhynë në to. Ndër to janë: zanat, orët, lugetërit, shtrigat dhe dragonjtë.

Me Lahutën e Malcís, Fishta arriti të vërtetonte se gjuha shqipe ishte ne gjendje të jepte një epos letrar te përkryer, me po ato përmasa heroike.

Por, Lahuta e Malcís nuk u prit me brohori nga të gjithë. Disa studiues, shkrirjen e letërsisë gojore e asaj të shkruar, e kanë parë si të pafrytshme. Ka të tillë të cilët këtë poemë epike, mbi një temë vërtete bashkëkohëse, e kanë parë thjeshtë si një anakronizëm në shekullin XX. Ka shkrimtarë të cilët e kanë nënçmuar Lahutën e Malcís si një “poemë të gjatë monotone, një kronikë sterile, e cila duke qenë veç të tjerash, moralizuese e didaktike, ngjante me epet e Veriut aq sa ç‘mund të ngjante ujët e distiluar me ujëvarat e bjeshkëve.”

***

Edhe pse Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik e satirik janë po aq të vlefshme sa ato në gjini të tjera. Shumë studiues, poezinë e tij lirike e vlerësojnë më lartë. Vepra e parë e tij me poezi lirike Vierrsha i pershpirteshem t’kthyem shcyp, Shkodër 1906, përmban krijime me frymëzim katolik. Në të kemi përkthime poetësh të mëdhenj italianë si arkadiani Pjetro Metastazio (1698-1782) nga Roma; romancieri e poeti romantik Alesandro Manxoni (1785-1873) nga Milano; atdhetari Silvio Peliko (1769-1845) nga Torino; liriku dhe historiani i letërsisë Xhakomo Xanela (1820-1888) nga Viçenca.

Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale doli me titullin Pika voëset, Zarë 1909, kushtuar bashkëkohësit të tij Luigj Gurakuqit (1879-1925). Pason botimi i parë i librit Mrrizi i zanave, Shkodër 1913, që përfshin edhe disa poezi fetare nga Pika voëset. Fryma që e përshkon përmbledhjen Mrrizi i zanave është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më tepër në botimet e zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në një botim të fundit port mortem më 1941. Poezi si Shqypnija, Gjuha shqype, Atëdheut, Shqypnia e lirë, Hymni flamurit kombtar, shprehin krenarinë e poetit për historinë e Shqipërisë dhe pavarëisnë e re të saj.

Në këtë vëllim është përfshirë edhe melodrama alegorike Shqyptari i gjytetnuem dhe vazhdimi i saj Shqiptarja e gjytetnueme.

Krahas poezisë me tema atdhetare të përqendruara në vëllimin e mësipërm, poezinë e vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe Vallja e Parrizit, Shkodër 1925. Poezitë e kësaj përmbledhjeje si Të kryqzuemit, Të zanun e pafaj të Virgjërës Mri, Nuntsiata dhe Shë Françesku i Asizit, përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në Shqipëri.

***

Fishta ishte mjeshtër i poezisë satirike me të cilën qortoi cenet, sjelljet dhe plogështinë intelektuale të bashkëvendësve të vet. Ai nuk e kishte ironinë dashamirëse dhe këshilluese të Çajupit, por satirën therëse e djegëse, shpesh të pamëshirshme, një ekuivalent ky në poezi, i prozës satirike therëse të Faik Konicës. Fishta kishte botuar mjaft poezi të tilla në revistën Albania me pseduonimin Castigat ridendo (qorton duke qeshur). Më 1907 botoi pa vënë emrin e tij përmbledhjen satirike me 67 faqe Anxat e Parnasit, Sarajevë 1907, e cila hodhi themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga disa kritikë konsiderohet si vepra më e mirë poetike e tij. Fishta dhe të tjerë krijues të asaj kohe, si shkrimtari dhe botuesi jezuit Dom Ndoc Nikaj (1864-1951), autor i veprës 416 faqesh Historia e Shcypniis, Bruksel 1902 – vepronin në një kohë kur shqiptarët qenë shumë indiferentë ndaj historisë së vet dhe ndaj gjendjes së vajtueshme në përgjithësi. Me një fjalë, këta krijues dhe shumë të tjerë të kohës, krijonin në një kohë kur masat popullore ishin të pashkolluara. Përmbledhja satirike e lartpërmendur u ribotua si Anzat e Parnasit, më 1927, 1928, 1942 dhe 1990 dhe i solli autorit shumë miq e armiq.

Gomari i Babatasit, Shkodër, 1923 është një tjetër përmbledhje me vargje satirike-humoristike e botuar me pseudonimin Gegë Toska, në kohën kur autori ishte anëtar i parlamentit shqiptar. Në këtë vepër që fitoi popullaritet të madh në kohën e vet, ai godet patriotët e rremë dhe dembelët.

***

Përpos melodramave të përmednura më sipër Shqyptari i gjytetnuem dhe Shqyptarja e gjytetnueme, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër. Ai ka përshtatur edhe disa klasikë të huaj, p.sh. I ligu për mend, Shkodër 1931 (komedi në tre akte e Molierit) dhe Ifigenija n’Aulli, Shkodër 1931 e Euripidit. Ndër veprat e tjera dramatike që krijoi apo përshtati në një kohë kur dramaturgjia shqiptare ishte në shpërgënj, janë edhe disa pjesë të shkurtra me tema fetare: pjesa me tre akte Barit e Betlemit; Sh’ Françesku i Asisit, Shkodër 1912; tragjedia Juda Makabe, Shkodër 1923; Sh’ Luigji Gonzaga, Shkodër 1927; dhe Jerina ose mbretnesha e luleve, Shkodër 1941.

Nga figura madhore e Fishtës u ndikuan poetët dhe studiuesit françeskanë si Pashko Bardhi, Shtjefën Gjeçovi, Pal Dodaj, Vinçenc Prennushi, Marin Sirdani, Anton Harapi, Justin Rrota, Bernardin Palaj, Donat Kurti, Benedikt Dema dhe Gjon Shllaku si dhe shumë intelektualë të tjerë.

Më 1941, studiuesi i gjuhësisë Prof. Eqrem Çabej (1908-1980) ka dhënë një vlerësim të lartë për veprën e Fishtës. Albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), në një shkrim të botuar më 1948, e ka cilësuar Fishtën si “poetin më të talentuar që ka pasur Shqipëria”. Poeti italian Gabriele D’Anuncio (1863-1938) e ka quajtur Fishtën “poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë”.

* * *

Pas vitit 1944, pushtetarët e pasluftës e goditën Fishtën dhe e lanë në harresë. Arsyeja e vërtetë e goditjes së poetit nga pushtetarët komunistë nuk duhet kërkuar në gjoja proitalianizmin e tij. Për Fishtën thanë: “…duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve të veriut, propagandonte anti-sllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër pushtuesit osman. Poema epike e tij i ngrinte himn patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit…” Elementi antisllav i veprës së Fishtës theksohet edhe në Enciklopedinë e Madhe Sovjetike, Moskë 1950.

Pas afro gjysmë shekulli Fishta u përkujtua për herë të parë më 5 janar 1991 në Shkodër. Në kohën kur Tirteu shqiptar ishte i ndaluar, shumë intelektualë, vargjet e Lahutës i dinin përmendësh.

Me veprën e Fishtës janë marrë shumë studiues: Eqrem Çabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Lamberci, Zef Skiroi, Georg Stadmyller, Ernest Koliqi, Zef Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Anton Berisha, Beqir Musliu, Injac Zamputi, Stefan Çapaliku, Aurel Plasari, Dhimitër Shuteriqi, Vehbi Bala etj. Më 1961 revista Shejzat 5, 11-12 botoi numër përkujtimor për 90-vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës.

Xhelal Zejneli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen