A janë të njëjta, Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe Dita Ndërkombëtare e Nënës?

Analiza & Komente | Zef Prenka | 09.05.22 | 23:09

 

Çfarë është 8 Marsi dhe kuptimi që merr nëpër vende të ndryshme!

 

Dita Ndërkombëtare e Gruas festohet më 8 Mars në të gjithë botën. Edhe pse realisht është dita e lëvizjes së grave për të drejtat e tyre, disa e shohin si ditën e nënave, disa si festë e disa si protestë.

Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 13 dekada.

Pasi Partia Socialiste në Amerikë organizoi një Ditë të Grave në New York City më 28 Shkurt 1909, delegatët gjermanë Clara Zetkin, Käte Duncker, Paula Thiede, por edhe të tjerët propozuan që “Një Ditë e veçantë e Gruas” të organizohej çdo vit .

Pasi gratë fituan të drejtën e votimit në Rusinë Sovjetike në 1917, 8 Marsi u bë një festë kombëtare atje.

Dita u festua kryesisht nga lëvizja socialiste dhe vendet komuniste derisa u miratua nga lëvizja feministe në rreth 1967.

Kombet e Bashkuara filluan të festonin 8 Marsin që prej vitit 1977.

Përkujtimi i Ditës Ndërkombëtare të Gruas është një festë zyrtare në disa vende, e në disa të tjera jo. /Referuar Wikipedia-s, Labirinth

Dita Ndërkombëtare e Nënës!

Ka pak kohë që në Shqipëri njihet “Festa e Nënës”, ndërsa në Europë dhe në SHBA kjo festë është festuar që në vitet 1900. Edhe kjo festë ka historinë e vet. E zbuluam këtë festë dhe synojmë ta bëjmë popullore, megjithëse vonë por më mirë vonë se kurrë, kjo ditë është e njohur tashmë në të gjithë botën dhe festohet nga të gjitha nënat. “Festa e NËNËS” lindi si ide dhe u bë realitet në Virxhinia të SHBA-së. Një vajzë e vogël amerikane e quajtur Ana Xhervis, e lënduar thellë nga humbja e nënës së saj, ju drejtua një Senatori të shtetit të Virxhinias, i propozoi që kjo ditë të shpallej si “Dita në kujtim të gjitha Nënave”. Senatori e priti me kënaqësi propozimin e vajzës dhe që në atë kohë, pra, që në vitin 1910, kjo festë festohet me shumë dashuri çdo vit. Ai e pranoi festimin e kësaj feste duke nderuar edhe dhimbjen e bijve dhe bijave amerikane dhe të gjithë botës për Nënat e tyre por edhe Nënat e gjalla –që për to ne bëjmë një nderim akoma më të madh duke ju dhuruar karafila të kuq për Nënat e gjalla dhe karafila të bardhë të vendosim një tufë mbi varrin e tyre. Ky ishte një homazh i mrekullueshëm që edhe Ana e bëri për Nënën e vet.

Përse karafila të kuq dhe përse karafila të bardhë për nënat tona të dashura?

Ana Xhervis kishte pranë shtëpisë një kopsht shumë të bukur me shumë lule, por karafilat e kuq dhe karafilat e bardhë i kishte mbjellë Nëna e saj që kujdesej shumë për to. Nëna e saj çdo ditë mblidhte tufa me karafilë me aromë të mrekullueshëm dhe shtëpia e tyre kundërmonte aq ëmbël saqë ato ndiheshin si në parajsë. Kështu që pasi vdiq e ëma ajo e vazhdoi kujdesin për karafilat dhe ndiqte të njëjtat rituale sikur e ëma të ishte gjallë. Kjo ishte arsyeja përse Ana dhuronte pafund karafila ditën e “Festës së Nënës” ose “Dita e Nënës”. Kështu ky veprim u bë traditë dhe lulja që simbolizon këtë ditë është karafili.

Më pas këtë ide e përkrahën edhe shtete të tjera europiane si Italia, Anglia, Franca, duke e shndërruar në festa kombëtare. Kjo festë u përkrah nga gjithë bota e qytetëruar. Çdo vit TV të ndryshme japin emisione pafund për njeriun më të shtrenjtë që ka njeriu siç është Nëna.

Po tek ne?

“Festa e NËNAVE”, u aprovua si e tillë në vitin 1997, dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Të quhet ditë përkujtimore “Dita e Nënës”, e cila do të jetë e diela e dytë e muajit maj. U aprovua nga Kryetari i Kuvendit Pjetër Arbnori.

Kjo ditë është kujtimi dhe konsolidimi i një feste kaq të shenjtë, e cila duhet të bëhet sa më popullore dhe të ketë shtrirje për tu festuar në mbarë Shqipërinë, sepse çdo Nënë meriton të nderohet, të çmohet dhe të respektohet në jetë të jetëve. A ka simbol më të shenjtë se nëna Shqiptare, ajo ka qenë dhe do të mbetet simbol i jetës në tërësi, simbol i qytetërimit, zhvillimit dhe civilizimit të një vendi. Jo më kot Elena Gjika- Dora d’Istria një intelektuale me famë botërore si dhe një nga penat më të famshme që veprat e saj mbeten aktuale deri në ditët tona. Diku mes radhëve të panumërta në një nga veprat e saj shkruante: ”Shiko zhvillimin e grua që të arrish në zhvillimin e një Kombi”, kjo është shumë e vërtetë. Çdo Nënë është dhe do të jetë simbol i madhështisë, emancipimit, i një fryme të re, jo vetëm brenda familjes, por kudo në shoqëri, në larminë e brishtë të ditëve tona, si në art, kulturë, sport, biznes, politikë etj. Ashtu edhe në sferat më të larta të drejtimit dhe të organizimit të një shteti. Është ky një fakt kuptimplotë dhe domethënës, derisa ajo ka treguar gjithmonë e po tregon aktualisht pa u shkëputur nga asnjë përgjegjësi, që ka mundur t’ia dali mbanë edhe pse shpeshherë duke u ndeshur me shumë vështirësi nga më të ndryshmet.

Nëna Shqipëri!  

Përmendoren në hyrje të varreza të “Dëshmorët e Kombit” të gjithë e kemi parë dhe e kemi nderuar aty, kujtimin e vajzave dhe djemve pishtarë të lirisë, që flijuan në emër të një bote të re. Kjo Nënë e madhe është ajo që i ruan dhe i mban në gjirin e saj që të prehen të qetë, edhe pse në një botë tjetër. Kjo është Nëna dhe jo Babai, sepse vetëm Nëna është në gjendje të japë një jetë, madje të dhurojë edhe jetën e saj, për të sjellë një krijesë tjetër që do të sjellë vazhdimësinë e jetës. Vetëm ajo di të falë, të kuptojë, të mbajë pranë në gjirin e saj. Nëna është e shenjtë, mbi të gjitha është Nënë. Ndaj mos i lëndoni ato, mos i shkaktoni dhimbje dhe mos ua shtoni rrudhat dhe thinjat e bardha në aureolën e e flokëve të tyre.

Nga ndryshon “8 Marsi” nga “Dita e Nënës” apo “Festa e Nënës”

  • Sigurisht që ndryshon dhe ka disa arsye. Së pari “8 Marsi” është dita e grave dhe e vajzave, ndërsa “Dita e Nënës” është vetëm për Nënat. Në “8 Mars” gratë dhe vajzat tona kanë luftuar për të fituar të drejtat e tyre. Kështu që gratë kanë fituar të drejtat e tyre me ligj si të drejtën për të zgjedhur-për t’u zgjedhur si dhe shumë të drejta të tjera politike dhe sociale. Më 8 Mars gratë luftuan për të fituar të drejtat e tyre pas shumë grevave, demonstratave dhe revoltave të vazhdueshme ato fituan. Megjithëse ato vazhdojnë të luftojnë për të drejta të barabarta.

Mëmëdheu –Nëna

Dashuria për Nënën ka qenë dhe është e shenjtë për shqiptarët. Është e vërtetë që Nënat tona janë më të mirat në botë në çdo kohë dhe në çdo situatë ju dhurojnë fëmijëve dashuri pafund. Dashuria e Nënës Shqiptare për fëmijët dhe familjen e saj ka hyrë në histori, legjenda. Këto legjenda flasin për sakrificat pafund dhe dashuri të Nënave. Këto legjenda janë transmetuar brez pas brezi sepse kanë ditur të mbijetojnë për shkak të forcës së tyre, sepse e tillë ka qenë edhe forca e fjalës dhe e jetës së tyre. Në momente të vështira çdo njeri thërret Zotin dhe Nënën për ndihmë. Secili nga ne e ndjen prezencën e saj në çdo moment. Nuk është rastësi që të gjithë piktorët dhe skulptorët e mesjetës, rilindjes u vunë shenjtorëve nëpër kisha fytyrat e tyre më të dashura, që ti ndjenin pranë e kjo gjë bënte që ti përballonin me kurajo vuajtjet e tyre të jetës.

Po kush është kjo shenjtore, që ne e ndjejmë kaq pranë? Dhe sapo e thërrasim na vjen pranë menjëherë, në të mirë e në të keqe, që kur jemi fëmijë, më pas kur rritemi , kur bëhemi prindër, kur plakemi, e ndoshta para vdekjes?.

Është Nëna – e kaluara, e tashmja, e ardhmja. Është vetë përjetësia, dashurinë e së cilës nuk mund ta zëvendësojë askush.

“Legjenda e Murimit”, “Halili dhe Hajria”, ”Doruntina”, Nënë Nica…..sa shumë Nëna në legjenda, gojëdhëna të mahnitshme, të bukura e të hidhura për dashurinë për fëmijët e tyre, për të cilët kanë falur edhe jetën e tyre.

Nënë Tereza, kjo figurë madhështore e cila gjatë gjithë jetës së saj ka mishëruar shpirtin , dhimbjen dhe gëzimin e të gjitha Nënave. Edhe pse fati nuk i fali asaj fëmijë e nuk e bëri Nënë. Ajo u bë Nëna e të gjithë bijve dhe bijave në të gjithë botën. Sa bukur e ka quajtur krijuesi i famshëm popull Nënën Shqipëri:” Perëndeshë e bukurisë dhe perëndeshë e jetës, e mbrojtjes, e mençurisë, e dashurisë, megjithëse ka qenë dhe mbetet më e stërmunduara.

Ka një lidhje të madhe mes Nënës dhe Mëmëdheut, po marr si shembull, po të marrim si shembull SHBA dhe Presidentin e saj Xhorxh Ëashington, për kontributin që ai dha si një nga themeluesit e shtetit Amerikan i ngriti përmendore Nënës së tij. Maries, kësaj gruaje fisnikeqë diti të edukojë djalin e saj, me vullnetin, për ti kushtuar cdo gjë të mirë mëmëdheut të tij Amerikës.

Xhorxh Washington nuk e harroi kurrë Marien e shtrenjtë që ishte për të një Shën Mëri.

Kudo që janë Nënat dhe fëmijët i dërgojnë karajfila, sa bukur ata mund të jenë edhe larg në emigracion, uroni Nënat me telefon me mesazhe vetëm urime duhet të ketë këtë ditë, të djelën e dytë të muajit Maj.

Karafila në çdo “Festë të Nënës”, Gëzuar Festën Nëna të Dashura e të Shtrenjta. Ne krenohemi me ju, gjithmonë ju kemi pasur dhe ju kemi si pasqyrë ku shihemi çdo mëngjes, si një model nga i cili kemi përherë diçka të re për të mësuar, ju mbeteni për ne idhulli i pavdekshëm edhe pse vitet dhe mosha juaj shkon përpara.

Gëzuar Festën Nëna të Dashura e të Shtrenjta

rrezore.com

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen