Akademi përkujtimore për Kadri Manin

Reportazhe | admin | 17.11.12 | 08:53

akademi

Në lokalet e SH.K.SH.“Nëna Terezë”, në Göppingen, Gjermani, u organizua e pamja dhe Akademi Përkujtimore për atdhetarin Kadri Osmani-Mani. Morën pjesë familarë, miq, shokë, bashkëveprimtarë, ish të burgosur politikë dhe mërgimtarë të shumtë nga Gjermania dhe shtete të tjera përrreth. Nga Zvicra kishte ardhur edhe veprimtari Hashim Aliqi me bashkëshorten Hadijen, të cilët ishin miq të mirë të Kadriut dhe zonjes Shukrije në Bernë.

Në tavolinën e pritjes për të pame ishin i biri i Kadriut, Ylli dhe nipi Graniti, djali dajës të Yllit, Gëzim Bunjaku dhe shokët e Kadriut: Idriz Zeqiraj, Xhafer Leci dhe Mejdi Laçaj.
Karakteristikë e veçantë e kësaj të pameje ishte se kësaj radhe, si kurrë më parë, muarën pjesë edhe ana femërore, që zakonisht nëpër të pame, të organizuara nëpër lokale marrin pjesë vetëm ana mashkullore.
Në mbramjen Përkujtimore me shkrim kishin përgaditur fjalimet-kujtimet e tyre: Idriz Zeqiraj, publicist, ish i burgosur politik dhe shok i ilegales me Kadri Manin; Xhafer Leci, veprimtar dhe mik i Kadriut; Asllan Dibrani, publicist, bashkëvuajtës në burgun e Nishit me Kadri.

Evokimet e tyre i shpalosën edhe shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare.
Qaush Krasniqi, veprimtar, i cili tha se shqiptarët kanë humbur një burrë e dijetar të madh të penës dhe çështjes kombëtare. Kadri Mani nuk është i vetmi që pas daljes nga burgu i tha jo diktaturës, por Kadriu ka qenë më i zëshmi, i cili ka mbrojtur, me gjithë qenjen e Tij njerëzore, demokracinë dhe institucionet e saj.

Mejdi Laçaj, veprimtar: “Jo vetëm unë, por të gjithë ata që e kanë njohur dhe dëgjuar për bacën Kadri janë mërzitur për humbjen e tij. Baci Kadri njihet si burrë trim dhe i ditur. Ai qendroi stoikisht nëpër kazamatet serbe të asaj kohe. Por mund të them lirshëm se baci Kadri pas lirimit nga burgu e vijoi veprimtarin e tije patriotike për çlirimin e Atdheut. Për hir të parimeve, ai u konfrontua edhe me shokët e dikurshëm.
Kjo fytyrë brilante do të mbetet përherë në kujtesen tonë dhe te brezave që vijnë pas nesh.
U dallua nga shokët e tij të burgut meqë ishte njeri me dimensione të pastra patriotike për të mirën e Atdheut.
Kam pasur nderin që një pjesë të veprimtarisë ta kem me bacin Kadri Manin, ku edhe kemi marrë pjesë shpesh herë në takime me bashkatdhetarët në Gjermani si në Kirchheim Teck,Metzingen e tjerë.
E kam pasur shpesh herë edhe në shtëpinë time si mysafir dhe them se e kam njohur bacin Kadri dhe idealin e tij.
Ai kurrë nuk është mashtruar me poste apo të mira materiale, por gjithmonë ka qendruar i patrembur në qëllimet e tija të qarta atdhetare.
Pikërisht për këtë arsye nuk ka qenë i dëshiruar nga qeveritarët, sepse gjithmonë ua ka thënë në fytyrë për batakçillëqet që vazhdojnë të bëjnë.

Hakif Rexhepi, ish i burgosur politik dhe ish nxënës i Kadri Manit dhe Idriz Zeqirajt, shprehu dhimbjen për vdekjen e veteranit të arsimit, të burgosurin shumëvjeçarë Kadri Manin. Ndër të tjera Hakifi shtoj: Kadriu jetoj, foli u lutë dhe vdiq shqip, jo si arab por si shqiptar.
Bujar Zogjani, ish i burgosur politik, për të cilin bashkëvuajtësit thonë se rezistenca e tij, përballë udbashëve torturues në burgun e Prizrenit, ka qenë e veçantë. Djalë i ri në atë kohë, por shumë besnik karshi shokëve. “Kadri Mani na ka mësuar si duhet me rezistuar dhe luftuar për ta fituar lirinë”,- tha me modesti, veç tjerash, ky luftëtar i dinjitetshëm.
Mr.Mazllum Hasimja, veprimtar dhe ish mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, tha se këtu në këto lokale, por edhe në Prishtinë me një rast e pata takuar Kadriun. Ai ishte njohës dhe studiues i mirë i gjuhës shqipe, ndërsa për patriotizmin e Tij flasin veprat …
Idriz Dakaj, arsimtar, ish i burgosur politik, foli për burrërinë, bujarinë, stoicizmin dhe trimërinë e Kadriut, i cili, siç tha ai, kurrë nuk u dorëzua para pushtuesit e as shërbëtorëve të tij…

Tefik Ramadani, doktor defektolog, veprimtar dhe ish i burgosur politik: “Pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për vdekjen e zotit Kadri Mani, njeriut të sakrificës, luftëtarit të pakompromis, idealistit të paepur për lirinë e Kosovës.
Kadriu ishte luftëtar i orëve të para dhe veteran i kazamateve jugosllave. Baca Kadri nuk bënte kompromise me askënd. Edhe shokët e tij më të mirë, kur ishte në pyetje çështja kombëtare, i çortonte, pa menduar se ata mund të hidhërohen. Kadriu për 17 vite burg dhe, pas burgut qëndroi stoik dhe i pa thyeshëm.
Po që se i bëjmë një vështrim veprimtarisë së Tij, mund të konstaojmë se disa ish të burgosur dhe të përndjekur politik të regjimit komunist jugosllav, janë kategori e lënë pasdore dhe në harresë, në këtë rast edhe zotri Kadri Mani.
Bartësve të institucioneve të Kosovës duhet t`ua përkujtojmë se e kanë për obligim që të kujdesen për pozitën e ish të burgosurëve (ka raste kur ish të burgosur vuajnë edhe për barna). Kjo nuk do të duhej të ndodhte. Përfaqesuesit e institucioneve do të duhej ta dinin se sikur të mos ishte (në mes të tjerave) lufta politike dhe vitet e gjata të burgut të mijëra atdhetarëve që u sakrifikuan, vështirë se do të kishim Republikën e Kosovës, përfaqësues të së cilës janë ata sot. Pushtetarët aktual të Kosovës, kanalet televizive dhe mediat tjera i kanë mbetur shumë borxh Kadri Manit, burrit të madh, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë e popullit shqiptar dhe clirimin e Kosovës nga okupatori serbo-sllav.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, për të cilën baca Kadri sakrifikoi aq shumë”.

Ekonomisti Fazli Hajdaraj, vëllai i komandantit dhe deputetit të vrarë nga një dorë e zezë antikombëtare Smajl Hajdaraj, kryetar i Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz, kujton: “Me bacën Kadri kemi pasur këmbim mendimesh, herpashere, nëpërmjet postës elektronike. Vrasjet me motive politike në Kosovë, ishin brenga e Tij e madhe. Ato filluan gjatë luftës dhe vazhduan edhe më pas. Dikush e donte pushtetin, qoftë edhe duke gjakosur kundërshtarët politikë! Në ditën e hapjes të seancës të parë të Parlamentit të Kosovës, në oborrin e shtëpisë të tyre, në errësirën e mbremjes, u ekzekutuan dy djemë veprimtarë të LDK-së, që asaj dite kishin shoqëruar kryetarin e komunës në Parlamentin e Kosovës. Një muaj më vonë u ekzekutua, në hyrje të banesës të tij, në Pejë, komandanti i luftës për Rugovën dhe deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Dhe, vazhduan vrasjet e komunarëve, ushtarakëve, veprimtarëve të LDK-së, të cilët i prinë luftës për liri. Baca Kadri mblidhte të dhëna nga familjet e viktimave politike dhe donte t`i publikonte në një botim të veçantë, si thirrje e protestë para botës demokratike, për zbardhjen e krimeve dhe dënimin e kriminelëve, të cilët, tashmë, janë në pushtet. Dhe, njëra nga 10 (dhjetë) librat e Tij, që presin dritën e botimit, është edhe ajo për krimet e shumëta të partive kriminale të ekstremit të majtë në Kosovë”.

Lekë Preçi: “Në ambientet e lokalit të Shoqatës “Nëna Tereze” në Göpingen, ishte rregulluar çdo gjë në funksion – Të Pamës – për atdhetarin dhe nacionalistin e mirëfilltë Kadri Manin. Sipas traditës, për kryeshëndosh, ishin së pari familjarët , djali Ylli, veprimtarët e vyeshëm Xhafer Leci dhe Idriz Zeqiri edhe të tjerë. Vinin njërëz, varg e vi, për kryeshëndosh. Ne, nga Albstadt-i, të prirë nga Ali Alijaj, Lekë Preçi, Behxhet Shijaku dhe Avzi Palloshi, murëm pjesë në këtë Të Pame për Kadri Manin. Në fillim, u krye ceremonia sipas traditës për kryeshëndosh dhe pastaj filluan njoftimet, bisedat sipas rendit. Në lutjën që mu drejtua mua për ndonjë bisedë, përveq që shpreha admirimin tim për bacën Kadri, të cilin më tepër e kam njoftë përmes shkrimeve, thash se edhe heshtja, nga një herë e ka kuptimin e vetë. Me vete kemi pasë Ali Alijajn nga Hereqi i Gjakovës, që për nga tradita, ajo pjesë është në nivel, sepse jeta i ka mësuar, nëpër Odat e Burrave të Dukagjinit, të cilat kanë qenë si Parlamente. Ia dhashë fjalën Aliut, i cili ishte edhe më i vjetër. Aliu vazhdoi me një tregim popullor të kohës së okupimit të Kosovës nga Sebia e parë,ashtu siç e quan populli. Kur kishte pasë hy Serbia e parë në Kosovë, njerëzit janë shqetësuar nga kjo gjendje e rëndë. E pyesin një njeri të mençur të katundit se sa kohë do të rrinë kjo Serbi si okupuese këtu. Plaku u përgjigjet dhe o thotë: Deri atëherë kur ne nuk do ta urrejmë njëri tjetrin, deri atëherë kur ne nuk shkojmë mirë me njëri tjetrin, deri atëherë kur ne ia kemi inat dhe zili njëri tjetrit. Në momentin që ti heqim këto vese negative, Serbinë nuk do ta shihni ma në këto troje…”

Xhevat Rrahmani, gazetar, duke u pajtuar me parafolësit, për vlerësimet e bëra për bashkëqytetarin e tij Kadri Mani, tha se trimëria dëshmohet në luftë dhe patriotizmi sot matet me punë. Armiqtë e Kosovës janë indiferentët, dembelët, ata që nuk justifikojnë me punë vendet e zëna pikërisht për të punuar dhe prosperuar atdheun tonë, Kosovën. Mjerisht, punët nuk po ecin mirë, zhgënjimi është i dukshëm dhe kjo është shumë shqetësuese për një shoqëri të re, e cila duhej të ishte e përkushtuar maksimalisht në konsolidimin dhe ndërtimin e shtetit të ri, me shumë halle dhe sfida.

Elez Berisha, jurist i diplomuar dhe veprimtar, cili tha e kam njohur nga afër dhe në rrethana familjare Kadri Manin, në vizitat e Tij në komunën e Istogut dhe si gjimnazist kishte përjetuar dënimin e Tij, në një proces gjyqësor politik, me djemtë e kësaj komune, rrëfen: “Kadri Mani ishte i pashoq në rezistencë dhe vuajtje. Dinjitoz në çfarëdo rrethane të përballjes me armikun pushtues. Ai nuk bëri kurrë kompromise, nuk u përkul asnjëherë. Prishi miqësitë dhe denoncoi shokët e dikurshëm, të cilët qenë të qendrueshëm para represionit serbo-sllav, por u thyen, për interesa meskine në paqe, nga lajkat e padronëve partiakë, të cilët, me veprimet kriminale dhe hajdutërinë e madhe, kanë zhgënjyer popullin. Kadri Mani mbetet emblemë e rezistencës për liri kombëtare dhe drejtësi sociale në Kosovë”.

Qefsere Malaj ish e burgosur politike, e bija e veteranit të çështjes kombëtare Hasan Malajt, vëlla i dëshmorit Rexhep Malaj, tha se kur fillova studimet në Prishtinë, nga fshati im Hogosht i Dardanës ish Kamenicë, shkova për vizitë në shtëpinë e bacës Kadri në Prishtinë. Kur e pashë gjendjen e tij materiale në ate shtëpizë, e cila nuk plotësonte aspak kushtet për jetesë, u zhgënjeva pa masë. Kam menduar se qytetet janë më të rregulluara se sa fshatrat me shtëpi të mira etj. Por nuk kishte qenë ashtu. Përkushtimi i Tij për Kosovën ishte i tërësishëm, prandaj jetonte varfërisht. Ajo foli edhe për veprimtarinë e guximshme e patriotike të Kadri Manit…

Riza Zeqiraj, ish i burgosuri shumëvjeçarë politik në burgun e Idrizovës të Shkupit, në mes tjerash, shpalos edhe këto kujtime për atdhetarin Kadri Osmani – Mani:
“Shuarjen fizike, amshimin e Kadri Manit, familja jonë e përjeton me dhimbje të thellë. Bacën Kadri e kishim si pjesëtar të familjes tonë të madhe. Baca Kadri, sëbashku me disa arsimtarë nga Malësia e Gallapit, kolegë të xhaxhait Idriz (Zeqiraj), kishin ardhur për vizitë në familjen tonë, në janarin e vitit 1966. Sipas traditës, për të nderuar mysafirët e largët, atë natë e kishin mbushur kullën tonë shumë bashkëfshatarë. Pas darkës kishin shtruar “lojën e kapuçave” dhe çajin e rusit. Baca Kadri i kishte marrë me vete xhymat dhe çajin e rusit, siç quhet çaji indian, aziatik. Por, për përgaditjen e çajit ishin kujdesur mysafirët: drejtori i shkollës Nazif Rama dhe arsimtari Abaz Jashari, edhe sot miq të familjes tonë. Vërtet, studenicasit i rrudhën buzët nga shija e hidhët e pijës të panjohur për ata, por, megjithatë, kjo mbremje daton nismën e përdorimit të çajit të rusit në zonën e Podgurit.
Familja jonë dhe ajo e bacës Kadri filluan burgjet politike në vitet `50-a dhe i përfunduar më 1991! Edhe burgosja e xhaxhait Idriz, edhepse në Shqipëri, lidhet me letërkëmbimin, gjegjësisht me përgjigjen e dhënë letrës të bacës Kadri, lidhur me kërkesat politike të kohës dhe veprimtarinë ilegale.
Kadri Mani ka qenë dhe mbetet një figurë e njohur, e dashur dhe e adhuruar për njerëzit e rrethit të Istogut, sepse dy herë radhazi është dënuar me burg me djemtë intelektualë të kësaj komune, duke qenë Ai në krye të akuzës”.

Fazli Ahmetaj, sociolog, ish i përndjekur politik, veprimtar, fort i emocionuar nga dhimbja e madhe për shuarjen fizike të atdhetarit Kadri Osmani, duke u shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të Tij, foli për guximin qytetar dhe akuzat e hapura që Ai i bëri klikës staliniste në pushtet. Pushtetarët aktualë, me krimin e organizuar politik dhe ekonomik, kanë përdhosur gjakun dhe sakrificën e dëshmorëve dhe të popullit të Kosovës. Me këta vrasës dhe hajdutë, të strehuar nën çadrën e koracuar të thaçizmit, Kosova nuk mund të përparojë, përkundrazi, çdo ditë po shkon drejt fundosjes politike dhe ekonomike. Shqiptarët ende janë të përgjumur dhe votën e tyre po e shesin lirë dhe pa asnjë kusht.

Fjalë miradije dhe përlavdërimi për atdhetarin Kadri Mani thanë edhe veprimtarët e djeshëm dhe të sotëm të Mërgatës tonë Lush Cana, Shaban Berisha, dhe Ibrahim Rexha.
Nexhmedin Syla, veprimtar, bashkëvendës dhe shok studimesh i djalit të Kadriut – Yllit, foli për përjetimet e atyre viteve të rënda të robërisë, kur bali Kadri me shokë rezistonin dhe vuanin burgjeve të pushtuesit, cep me cep të Jugosllavisë, duke vështirësuar edhe vizitat e familjes, me një ekonomi të rrënuar, me varfëri të skajshme dhe duke mbijetuar falë solidaritetit të miqve dhe të dashamirëve.

Selami Morina, nënkryetar i SHKSH “Kadri Zeka”, tha: Kadri Mani, me kohë i ka kryer obligimet e veta kombëtare dhe tash le të pushojë i qetë në dheun e Kosovës, për të cilën punoi aq shumë.

Balë Leci, Kadri Osmanin e kam takuar këtu, në Gjermani, në dy takime me bashkëatdhetarët, edhe te vëllezërit e mi te Xhaferi në Köngen dhe te Shukriu në Schaffhausen të Zvicrës. Besoj se për Kadriun më së miri flasin veprat e tij që i ka lënë si testament me shkrim. Kadriu ishte shumë i afërt dhe i dashur kur bisedonte me fëmijë, dinte dhe u tregonte shumë anekdota, fëmjtë para tij mbeteshin me sy dhe gojë hapur, kur ai fliste shumë butë e ëmbël me ta. Ata që e kanë njohur për së afërmi Kadriun besoj se sikur unë edhe ata kanë krijuar bindjen se Ai ka qenë njeriu shumë i mirë shpirtërisht, zemërgjërë dhe bujar, por ka qenë i ashpër me hileqarë, lakmitarë për pushtet, duke i shkelur parimet dhe interesaxhinj.

Bedri Fazliu, veprimtar, Kadri Manin e kemi pasur mysafir në dy tubime tonat në Metzingen-Gjermani. Ishte kënaqësi dhe nder për neve, mërgimtarët që në mesin tonë kishim një patriot të devotshëm të çështjes tonë kombëtare. Një veteran të arsimit dhe burgaxhi shumëvjeçarë, i cili kurrë nuk u nënshtrua para okupatorit serb e as para shqipfolësve të shitur dhe bastardë.

Isuf Aliu,veprimtar, Kadri Osmani ka qenë një burrë të cilin e ka njohur mbarë populli shqiptar nga të gjitha trojet tona. Ai ishte një trim, i cili gjithmonë të keqen e ka luftuar pa hezitim. Kadriu të zezës kurrë nuk i ka thënë e bardhë dhe kjo ate e bënte edhe më të madh karshi të tjerëve të cilët nuk e kishin guximin ta denoconin krimin e organizuar, vrasjet e pavajshme, hajnit dhe gjithçka tjetër që bëhej në dem të popullit shqiptar.
Lavdi veprës së madhe të Kadri Manit!

Telegrame ngushëllimi dërguan edhe dy ish të burgosur politikë,
Ramiz Dërmaku,
Të nderuar shokë, miq dhe vëllezër, i nderuari dhe i respektuari z. Xhafer Leci, në fillim të këtij përkujtimi ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta me rastin e vdekjes të atdhetarit e patriotit Kadri Mani- Ju, familjes suaj dhe të familjes së Kadri Manit, miqëve e shokëve dashamirëve dhe mbarë kombit shqiptar. Njëherit shfrytëzoj rastin tu shprehi ngushëllime të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë të pame. Pjesëmarrja juaj të nderuar vëllezër është edhe një dëshmi se shqiptari di të nderojë atdhetarët, e sidomos ata që tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare.
Agim Gashi, KANGE PER KADRI MANIN

Në gurbet na erdhi lajmi
Zemrën time helm ma bani,
Paska ndrru jetë miku jonë
Patrioti Kadri Mani.

Emni yt s`harrohet kurrë
Rri si lule në flamur.

Sa shumë vite në kazamate
Për liri i ke kalu,
Kadri Mani burrë nga burrat
Asnjëherë nuk u nështru.

Lum e lum populli që t´pat
Për atdhe lule Bajrak.

Në Makresh vërshuen miqtë
Aty ku të lindi nana,
Të pushosh n´vendlindjen tande
Te ato hije, te ato thana.

Fli i qetë Kadri he burrë
Emni yt s`harrohet kurrë!
Vlen të përmendim dhe falënderojmë për shërbimet e shkëlqyra me ushqime dhe pije këta: vëlla e motër Saranda e Korab Krasniqi, bashkëshortët Afrim e Buqe Bunjaku, reja e Kadriut, Yllka me të bijen Nerenxën dhe djalin Agonin e tjerë

Kadri Mani ishte i pashoq në rezistencë dhe vuajtje

- E pamja dhe Akademia Përkujtimore u kryen në mënyrë dinjitoze -

Nga Xhafer LECI dhe Asllan DIBRANI


Nga e majta Idriz Zeqiraj, Mejdi Laçaj, Ylli Mani me të birin Agon-in dhe Xhafer Leci

Komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>