Dr. Arbër Neziri, Mr.Sci., urolog

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:45

Ka ca ditë që vërej një të ënjtur në penis edhe një të skuqur tek maja e penisit! Kam pasur disa djegie në kanalet e urinës dhe djersitje…! Gjithsesi kam bërë analizat e urinës, gjakut dhe urinokulturës që kanë dalë në rregull!

A mjaftojnë këto analiza për të kuptuar nëse ekziston ndonjë infektim seksual, apo duhen analiza tjera shtesë?
Shpresoj se do të më përgjigjeni në pyetjen time!
Gjithë të mirat, Dreni.

PËRGJIGJE:
Skuqja në majë të penisit mund të jetë si pasojë e infeksionit ose e ndonjë reaksioni alergjik në mukozë, lëkurë të penisit. Zakonisht infeksionet manifestohen me urinim të shpeshtë, djegie gjatë urinimit etj.
Preja analizave duhet të bëhen këto: strishoja uretrale, urinokultura me antibiogram. Nëse dalin pozitive, mjekimi bëhet me antibiotikë.

Jam 25 vjeç, ka kohë që testikujt e mi më rrinë të ftohtë. Kështu nuk e kam atë ndjesi, por sa t’i pastroj me ujë të ngrohtë, më vjen mundim dhe djersitem. Nganjëherë pas marrëdhënieve kam djegie në kanalet e urinimit.
Më këshillo, çfarë të ndërmarr?

PËRGJIGJE:
Organet seksuale janë të inervuara me fije nervore senzitive (ndjeshmërisë), prandaj organet gjenitale janë shumë të ndjeshme në prekje. Ndërsa koncepti i dhimbjes ndonjëherë mund të jetë subjektiv, varësisht si e perceptojmë atë.

 Kam më shumë se 40 vjet, kam problem me kanalin urinor. Para disa vitesh kisha një lëng të bardhë, i ngjashëm me spermën, tani ndjej një djegie nga kanali urinor gjatë urinimit dhe nganjëherë në legenin e urinimit. Kontrolli mjekësor nuk parasheh ndonjë sëmundje kanceroze në prostatë. Çfarë mund të jetë kjo?

PËRGJIGJE:
Lëngu i bardhë që kullon nga penisi në të shumtën e rasteve paraqet infeksion të preterit, karakterizohet nga era e rëndë, djegësi gjatë urinimit, skuqje të glansit, etj. Më së miri është të bëhet strishoja uretrale dhe urinokultura me antibiogram dhe të fillon pastaj mjekimi adekuat. Sa i përket karcinomës së prostatës ekzistojnë metoda diagnostiko të sakta si: EDK, PSA dhe ekosonografia transrektale. Nëse këto ekzaminime dalin negative, s’keni pse të frikoheni nga kjo sëmundje.

Përshëndetje doktor. Jam 51 vjeç, kam një ënjtje te herdhja e djathtë, ka marrë një formë shumë më të madhe se e majta, urinoj normalisht në intervale të rëndomta si më parë, nuk kam djegie, as dhembje, por, kam djersitje në të dy anët herë pas here dhe më skuqet lëkura. Lëngu që rrjedh apo djersitja e ka një erë shumë të rëndë, për momentin jam duke e përdorë një medikament i quajtur Locacorten vioform që po më ndihmon shumë, mirëpo kisha pas dëshirë që të di pak a shumë për këtë lloj sëmundje?

PËRGJIGJE:
Ënjtja në herdhe (testis) mund të jetë si rezultat i infeksionit të testisit, grumbullimit të ujit apo e ndonjë tumori. Gjendjet tjera që shkaktojnë ënjtjen e tyre janë më të rralla. Ekzaminimi tek urologu është i domosdoshëm që të caktohet lloji i terapisë, Kurse elementare është ekosonografia e traktit urinar dhe testiseve, pastaj vazhdohet me ekzaminime varësisht nga rezultatet.

Para disa viteve kam stërvitur fitnes dhe kam marrë injeksion testosteron (20 copë) dhe prej atëherë më duket se sperma më është trashur. Doktor, për çfarë bëhet fjalë dhe a mund të kem problem ne të ardhmen për mbarsim?

PËRGJIGJE:
Është i njohur fakti që sportistët që merren me fitnes, por edhe me sporte tjera, marrin terapi hormonale (në këtë rast testosteron) për ndërtimin dhe zhvillimin e muskujve. Testosteroni është hormon seksual mashkullor që ndikon në spermatozoide dhe zhvillimin e karakteristikave seksuale mashkullore. Testosteroni nuk i dëmton spermatozoidet.

Përshëndetje dr. Jam 22 vjeç, jetoj në Slloveni. Kur urinoj, ndjej djegie në maje të penisit. Jam i shqetësuar, s’vë gjumë. Kam problem shumë të madh në testis, në anën e majtë e kam një të pëlcitur qe 5-6 muaj. Kam bërë seks me një femër me menstruacione. Kam vizituar mjekun, i cili më ka thënë se jam i infektuar dhe më ka paralajmëruar se do të kem probleme me lindje të fëmijës.
Diagnoza: epididymits ac bill.
Terapia: caps hemomnycin 250 mg, 2×1, 6 ditë dhe 1×1 sërish 6 ditë; tbl orvagyl 2×1.
Të lutem, pres një përgjigje nga ju, sepse jam shumë i shqetësuar.

PËRGJIGJE:
Epididymitis acuta është pezmatim që fitohet gjatë aktit seksual me partner të infektuar me sëmundje të organeve gjenitale.
Për ju më së miri është të bëni spermokulturën dhe nëse keni ndonjë infeksion – duhet izoluar shkaktari dhe të fillojë mjekimi sipas antibiogramit dhe mjekimi duhet të shkojë deri në fund të infeksionit.

Jam 48 vjeçar, ka vite që në penis më janë paraqitur puçrra, tashmë të rritura dhe më përhapur, kanë filluar edhe të kullojnë, kanë erë shumë të keqe. Kam edhe dhimbje. Të lutem doktor, më tregoni se a mjekohen këto puçrra dhe çfarë pasoja mund të kem nga këto. A kanë të bëjnë këto puçrra me Sidën?

PËRGJIGJE:
Në bazë të përshkrimit të atyre puçrrave, dyshoj se kemi të bëjmë me disa lytha që quhen condiloma acuminata. Karakteristikë e tyre është se fitohen me raporte seksuale nga persona të infektuar. Lagështia favorizon zhvillimin e tyre.
Ekziston mënyra medikamentoze e çrrënjosjes së tyre deri te rruga kirurgjike.

Jam 37 vjeçar, para 6 muajve kam pasur probleme gjatë urinimit, kam pasur djegie dhe kah përfundimi i urinimit disi më ndryshonte urina, disi si e turbullt, si e bardhë. Kam vizituar urologun dhe i kam bërë disa analiza. Ai më ka udhëzuar që të përdori Cyprinol. Për momentin më kanë ndihmuar, por nuk i kam përdorë të gjitha. Tash, kam sërish probleme. Doktor, a duhet të vazhdoj me të njëjtën terapi, apo duhet ndërmarrë diçka tjetër?
Flm, përshëndetje.

PËRGJIGJE:
Sigurisht është infeksioni traktit urinar. Ju duhet të bëni urinokulturën me antibiogram, pastaj të caktohet lloji i terapisë

Zakonisht para ciklit kam shumë djegësi në urinë që shoqërohet me dhimbje të mëdha dhe nuk po mund të urinoj. Zakonisht, jam shumë e kujdesshme, që këmbët të mos kenë të ftohtë. Gati çdo dy muaj më përsëritet. Jam duke marrë uvin çaj. Të lutem doktor, ç’të bëj që të mos më përsëritet kjo, sidomos para ciklit menstrual, ndërkohë jam nënë dhe kam një fëmijë që e kam lindë me prerje cezariane.

PËRGJIGJE:

Simptomat të cilat ju i përshkruani i takojnë pezmatimit të vezikës urinare-cistitit akut. Këto simptome manifestohen me urinime të shpeshta, djegie gjatë urinimit, urinime të shpeshta gjatë natës, etj.
Gjatë ciklit menstrual në organizmin e femrës ndodhin disa ndryshime hormonale të cilat e përkeqësojnë sëmundjen. Për çdo sqarim të mëtejmë, është mirë të konsultoheni me urologun.

Jam 25 vjeçar. Pas masturbimit, urinoj shpesh. Nëse shpeshtohet masturbimi, p.sh. katër ditë radhazi, dy ose tri herë në ditë, nevoja për urinim më shtohet akoma (çdo 2 ose 3 orë urinoj). Desha të di nëse ky është një proces natyral apo është ndonjë çrregullim? Nëse është çrregullim a mund të shërohet apo mjekohet dhe si? Kur kam qenë më i vogël, pas moshës së pubertetit, shpesh masturboja i shtrirë në tokë dhe e pengoja daljen e spermës duke e shtrënguar penisin me dorë. Kjo ka ndodhur disa herë. A mund ta ketë shkaktuar kjo këtë problem, apo jo? Rrallëherë, ndodh që gjatë urinimit të ndjej djegësi në kanal, por kjo ndodh shumë rrallë. Faleminderit. Me respekt, Dini.

PËRGJIGJE:

Masturbimi i shpeshtë 3-4 herë në ditë shkakton procese delikate, përveç në organet e jashme mashkullore, poashtu edhe në organet seksuale mashkullore të brendshme (vezikula seminale, prostatë), etj. Si rezultat i irritimit të tyre, mund të rritet frekuenca e urinimit. Sa i përket djegies gjatë urinimit, kjo simptomë paraqitet shpesh gjatë infeksioneve të traktit urinar, kështu që një analizë e thjeshtë e urinës do ta lehtësojë mjaft diagnozën.

Jam një burrë 27 vjeç nga Prizreni dhe doja të pyesja rreth një problemi që ka kohë që vuaj. Jam i martuar dhe gjatë marrëdhënieve me gruan shpesh më ndodhë që të mos kryejmë marrëdhënie fare. Marrëdhënia zgjat shumë pak, si pasojë e ejakulimit tim shumë të shpejt. Dua ta di, a ka mundësi të shërohet ky defekt dhe si rregullohet potenca. Çfarë trajtimi apo medikamenti duhet të përdor dhe ku të drejtohem. Faleminderit.

PËRGJIGJE:

Ejakulimi i parakohshëm ose ejaculatio precox, paraqitet për arsye të çrregullimeve psikologjike apo në disa raste edhe organike. Zakonisht paraqitet tek të rinjtë në pubertet kur eksitohen shumë në aspektin seksual. Por, në disa raste paraqitet edhe nga ngarkesat psikike, streset etj. Sa i përket trajtimit varësisht nga shkaku, mund të jetë medikamentoz, psikologjik etj. Për më tepër mendoj se ju nevojitet konsulta me urologun dhe trajtimi adekuat i këtij çrregullimi.

Doktor, ju lutem më trego, nëse është e vendosur spiralja, a mund të shihet në ultrazë. Dhe, a e pengon kjo shtatzëninë nëse hiqet.
Kam edhe një pyetje. Rina e ka mitrën të kthyer pak në të djathtë. A e pengon kjo për të mbetur shtatzënë?
Faleminderit, Agimi dhe Rina.

PËRGJIGJE:

Kjo pyetje më tepër i dedikohet gjinekologut. Spiralja mund të shihet me ultrazë. Si mjet kontraceptiv ajo pengon kur është e vendosur në mitër, e jo kur largohet nga ajo. Zakonisht periudha më e përshtatshme për fekondim është java e dytë pas menstruacioneve.

Jam një vajzë 19 vjeçare Urinoj gati çdo orë dhe kam ngapak dhimbje në regjionin e veshkës së djathtë. Ju lutem, a mund të më tregoni çka mund të shkaktojë këtë çrregullim dhe çfarë masash duhet të ndërmarr? Ju falënderoj shumë për ndihmën që na ofroni!

PËRGJIGJE:

Simptomat të cilat ju i cekni kanë të bëjnë me pezmatim të vezikës urinare dhe ndonjë sëmundje të veshkave, si pasojë e ndonjë infeksioni apo sëmundjeje tjetër. Sa i përket diagnozës së sëmundjes suaj, nevojiten së pari analizat laboratorike, p.sh urina, ultrazëri, pastaj ndoshta edhe ato radiologjike. Për të caktuar ekzaminimet përkatëse, duhet të paraqiteni tek urologu.

Jam 29 vjeçar, a është jonormale nëse madhësia e penisit është 14cm. A mund të luajt rol negativ nëse dua të kem fëmijë. Nganjëherë më vjen orgazma shumë shpejt, por tash e kam rregullua atë problem se po merrem me fitness (vrapim).
Pyetja tjetër. Testisin e djathtë e kam më të madh se të majtin. A është kjo normale, apo jo. Asnjëherë nuk më bën problem, përveç kur kam qenë i vogël, por pa pasoja.

PËRGJIGJE:

Madhësia e penisit 14 cm nuk duhet të jetë pengesë për fekondim (mbetjen shtatzënë të femrës). Sa i përket dukurisë se testisin e djathtë e keni më të madh se të majtin, ekzistojnë një mori faktorësh që në disa raste shkaktojnë këtë dukuri, p.sh. zgjerimi i venave të testisit të majtë që në mjekësi quhet varikocela. Për të dhënë përgjigje më konkrete të kisha propozuar një kontroll urologjike.

Unë vuaj nga veshkat. Mjeku më ka thënë se kam zall në veshka, por unë kam probleme edhe me urinë. Kam dhembje dhe rëndim në fund te barkut dhe nuk mundem ta mbaj urinën. Kërkoj mendimin tuaj.

PËRGJIGJE:

Këto probleme janë tipike për infeksion të traktit urinar. Për të përcaktuar se nga e ka origjinën infeksioni duhen bërë analizat-kliniko-laboratorike dhe ultrazëri fillimisht, pastaj sipas situatës edhe analizat tjera plotësuese për të përcaktuar diagnozën e saktë. Prandaj drejtoheni tek urologu.

– Jam një burrë 45 vjeç dhe doja të pyesja rreth një problemi që kam kohë që vuaj. Më kanë thënë se vuaj nga inflamacioni i prostatës, doja të dija nga se shkaktohet dhe çfarë mund të përdor për t’u kuruar? L.J. PËRGJIGJE:

– Shkaktarët e prostatës apo infeksioni që prek kapsulën e prostatës, janë të shumtë dhe ndahen në: mikrobik, traumatik dhe toksikë. Më të shpeshtë janë prostatitet gonoreike që shkaktohen nga uretriti gonorreik, që çon në stricturë (ngushticë) të kanalit të urinës. Këto mund të ndodhin nga manipulimet me kateter të uretrës, të cilët nuk janë të sterilizuar dhe japin dëmtime të kapsulës së prostatës, gurët e vezikës urinare që lokalizohen mbi gjëndrën e prostatës. Ndër faktorët toksik përmendim pirjen e zgjatur të alkoolit dhe pijeve me ngjyrë si: konjak, uiski. Por dhe pirja e duhanit dhe ambienti i punës (në personat që punojnë me plumb dhe acide). Faktorë të tjerë janë dhe ata termikë, që shfaqen më tepër te personat që punojnë në fonderi dhe ata në dhomat e frigoriferëve të mëdhenj. Ndërsa faktorët traumatikë janë ato që ndodhin nga dëmtimi i kanalit të urinës në frakturat e bacilit. Këtu ndikojnë dhe qëndrimet e gjata ulur në mjete të forta. Për sa i përket trajtimit, do të shtoja se rekomandohet përdorimi i antibiotikëve, por gjithmonë në bazë të përfundimit të urokulturës së antibiogramës. Nëse kjo del negative, përdoren antibiotik me spektër të gjerë dhe analgjetik kundër dhimbjes. Kohët e fundit përdoret indometacin supost ose voltaren supost për të ulur edemën (ënjtjen), përveç kësaj këto kanë veprim antiinflamator. Po ashtu rekomandohet kompleks vitaminash, dezifektantë urinar si flagyl për 10 ditë dhe përdoren preparate bimore për të penguar rritjen e gjëndrës si: Posta Metto dhe Prostamol uno për 3 muaj. Shenjat e sëmundjes zakonisht zhduken që javën e parë të mjekimit. Por nëse zgjasin më tepër se 3 javë, do të thotë se prostata ka marrë formë kronike dhe mjekimi duhet të zgjasë më gjatë. Ai bëhet me cikle dhe periudhë pauze prej 7 ditësh mes tyre“.

– Nuk e arrij orgazmën kur masturbohem, ndërkohë që kur bëj seks me partneren, e arrij gjithmonë. Pse ndodh kjo? Gzimi

PËRGJIGJE:

– Ti je i sigurt tashmë që organi yt seksual funksionon më së miri, kështu që kjo mund të jetë thjesht një çështje psikologjike. Mund ta kesh më të lehtë të eksitohesh kur të stimulohet shqisa e të parit, gjë që ta siguron partnerja gjatë seksit. Gjithashtu, unë nuk do të përdorja shprehjen: “Nuk e arrij orgazmën gjatë masturbimit”, por “nuk e kam arritur akoma”, pasi kjo është diçka që mund të arrihet me shtimin e eksperiencës. Ju mund të përdorni tipe të ndryshme lubrifikuesish, kaseta të ndryshme porno ose fillo të fantazosh për të dashurën. Nëse nuk e arrin akoma, mos u humb shpresën dhe shih anën e mirë të gjërave, faktin që nuk ke probleme të tjera.

– Jam një djalë i ri nga Kaçaniku. Gjatë masturbimit më del rreth 1 ml spermë dhe jo me ereksion të plotë. Do të kem fëmijë? Cilët faktorë mund të ndikojnë në këtë rast? Theksoj se kam kaluar një infeksion në fshikëzën e urinës dhe kam pasur zmadhim të prostatës, që tashmë është normalizuar.

PËRGJIGJE:

– Volumi i lëngut spermatik është nga 2-6 ml. Volume me 1 ml, si në rastin tuaj, mund të behën shkak për infertilitet. Shkaqet për uljen e volumit janë të shumta, por kanë të bëjnë kryesisht me dëmtimin e prostatës dhe vezikulës seminare. Sidoqoftë, mjeku specialist do të përcaktojë me saktësi gjendjen dhe t’i japë zgjidhje problemit.

– Shpesh, në fillim të marrëdhënieve, i bëj të dashurës seks oral. Menjëherë pas kësaj atë e zë gjumi dhe rrallë ma shpërblen. Pse ndodh kjo dhe çfarë mund të bëj?

PËRGJIGJE:

– Megjithëse zakonisht këshillojmë burrat të jenë kavalierë ekziston një ndryshim mes hapjes së derës ose rregullimit të karriges të një gruaje dhe seksit oral në fillim të marrëdhënies. E kuptojmë se ju doni të tregoheni xhentëlmen, por kjo nuk do të thotë që xhentëlmeni nuk ka të drejtë të kënaqet nganjëherë, sidomos kur e ka kënaqur kaq shpesh partneren e vet në të kaluarën. Pra, këshilla jonë është që nganjëherë të kënaqeni ju i pari. Mund t’ju duket paksa vështirë të realizohet, meqë partnerja juaj është mësuar ndryshe, por po ju themi se edhe për atë do të jetë më mirë. Thjesht, ajo mund të mos ketë më fuqi të bëj dashuri pasi ka arritur orgazmën, kështu që, për të, të qenit e dyta do të ishte një lloj lehtësimi, pasi nuk do të kishte më detyrime ndaj teje. Zgjidhja e dytë do të ishte t’i thoje partneres se nuk e ke problem që ta ketë radhën ajo e para, me kusht që ti të jesh i dyti.

– Jam E. , 26 vjeç. Problemi im ka filluar që në moshë të vogël. Që atëherë kam pasur nevojë të bëhem synet pasi koka e penisit më dhembte kur e prekja dhe më mblidhte sekrecione të bardha. Jam bërë synet para dy vjetësh, por koka penisit më dhemb përsëri. Kjo dhimbje e kokës më pengon në kryerjen e aktit seksual. Ju lutem të më thoni nga se vuaj dhe si mund të shërohem?

PËRGJIGJE:

– Prepuciumi është ajo pjesë e organit seksual që në popull njihet si lafsha. Në disa raste,që në lindje, fëmija i vogël e ka shumë të ngushtuar hapjen e lafshës. Kjo gjë bëhet pengesë për hapjen e saj dhe në shumë raste është shkaktar i një patologjie që quhet fimoza. Në një situatë të tillë, ndërmjet kokës së organit seksual dhe lafshës, herë pas here grumbullohen papastërti të cilat bëhen shkak për ankesë te fëmija i vogël duke dhënë shenja të tilla, si: skuqje, ënjtje dhe dhimbje të organit seksual. Shpeshherë,kur infeksioni ka përparuar, ai qelbëzohet. Në një rast të tillë, kryhet ndërhyrja e menjëhershme operatore. Një gjendje e tillë mund të përsëritet derisa mjekimi përfundimtar do të jetë synetllëku. Problemi kryesor i një shqetësimi të kësaj natyre është pamundësia për të bërë aktin seksual. Për sa i përket problemit që keni ju konkretisht, është e nevojshme të konsultoheni drejtpërdrejt me kirurgun dhe më pas të vendosni për mjekimin.

– Cili është muskuli i pubokosigjeusit dhe si ta lokalizoj? Ardi PËRGJIGJE:

– Muskuli i pubokosigjeusit është ai që mban fluksin e urinës dhe kontrollon ejakulimin te djemtë. Për ta lokalizuar, ka dy mënyra: Mënyra e parë është ndalja e fluksit të urinës kur je duke urinuar. Bëje këtë veprim nja dy herë, për të lokalizuar muskulin në fjalë. Një mënyrë tjetër është të futësh një gisht në vaginë dhe të shtrëngosh muskujt. Nëse ndjen një shtrëngim rreth gishtit, atëherë ke gjetur muskulin e duhur. Në rastin kur e ke lokalizuar, bëj ushtrimet e Kegelit, për t’i forcuar ato dhe për të shumëfishuar ndjesitë e tua dhe të partnerit gjatë marrëdhënieve.

– Doktor, e dashura ime ka një erë shumë të keqe në vaginë. Çfarë mund të jetë? Lutfiu PËRGJIGJE:

– Mund të jetë infeksion nga myku apo thjesht, ajo duhet t’i kushtojë më shumë
vëmendje higjienës personale. Një nga infeksionet më të shpeshta të organeve
gjenitale te gratë janë edhe vaginitet bakteriale. Ato mund të trajtohen dhe shërohen lehtë. Simptoma të sëmundjes janë era e keqe e vaginës, nganjëherë e shoqëruar me kruarje dhe djegie. Partnerja juaj mund të ketë edhe ndonjë lloj tjetër SST-je, diçka më serioze, si: Klamidia, herpesi gjential ose gonorrea, prandaj është mirë të bëjë analizat sa më shpejt.

– Nga se shkaktohet përdredhja e testikujve? A mund të shkaktohet nga mbarimi i spermës, pasi ke bërë shumë seks apo je masturbuar shpesh?

PËRGJIGJE:

– Jo, nuk është ky shkaku i përdredhjes së testikujve. Në fakt, një burri nuk i “mbaron” kurrë sperma. Atij mund t’i pakësohet, nëse bën shumë seks ose masturbon shpesh, por është e pamundur që t’i “mbarojë”. Mbase ju keni pasur në të kaluarën një përdredhje testikujsh. Kjo i referohet një përdredhjeje të kanalit të spermës, që ndërpret furnizmin e testikulit me gjak. Nëse nuk operohet, ose nuk shpërdridhet vetë, testikuli “vdes” dhe duhet hequr. Kjo gjë ndodh më shpesh gjatë vitit të parë të jetës dhe gjatë dy viteve të para të pubertetit. Shkaqet kryesore që sjellin një përdredhje të tillë janë: Testi që nuk ka zbritur poshtë, traumat dhe ushtrimet fizkulturore.

– Dua të di nëse është madhësia e testikujve apo madhësia e qeses së skrotumit ajo që përcakton madhësinë e herdheve te burri…
Studenti

PËRGJIGJE:
– Nga pikëpamja mjekësore, është madhësia e testikujve ajo që përcakton madhësinë e herdheve te burri. Nga pamja e jashtme, dikush mund të nxjerrë përfundimin se një burrë me qese të madhe skrotumi, ka edhe testikuj të mëdhenj.

A është impotent?Jam një vajzë e shqetësuar për lidhjen e motrës sime. I fejuari i saj nuk mund të kryejë dot marrëdhënie seksuale dhe në ato raste kur kryen, akti zgjat shumë pak, rreth 5 minuta. Ai betohet se kjo gjë nuk i ka ndodhur më parë. Motra është aq e shqetësuar sa mendonte të ndahej prej tij, por unë i këshillova që më parë të konsultohej me një mjek. Theksoj se ata të dy shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Theksoj se djali kohët e fundit ka patur probleme familjare dhe në punë. Mos vallë stresi ndikon në marrëdhëniet seksuale? Ai është 33 vjeç. Sa mundësi ka ai që të kryejë gjithmonë akte të rregullta seksuale?
Me respekt, O.PËRGJIGJE:

– Akti seksual është momenti më i rëndësishëm në lidhjen e një çifti. Kjo, jo vetëm sepse është i vetmi moment për trashëgiminë në rrugë natyrale, por edhe sepse akti seksual është një moment i pazëvendësueshëm për arritjen e kënaqësive të veçanta dhe rritjen e dashurisë ndërmjet dy njerëzve. Mosrealizimi i një akti të tillë krijon një moment tronditjeje në marrëdhënien në çift, deri në ndarjen e tyre. Unë personalisht ndihem keq kur dëgjoj se çifte që duhen shumë me njëri-tjetrin arrijnë ta prishin këtë marrëdhënie vetëm për arsye të pamundësisë për të kryer aktin seksual. Prej shumë vjetësh, kjo gjendje është konsideruar si tabu dhe është mbajtur e fshehtë nga çiftet, që e kanë vuajtur atë si një hall të përbashkët për shumë vjet me radhë.
Në praktikën time klinike kam pasur shumë raste të çifteve në të cilat meshkujt kanë çrregullime ereksioni apo femra ka pamundësi për të arritur në orgazëm dhe një gjë e tillë tashmë është pothuajse 100% e riparueshme në çfarëdolloj forme qoftë. Theksoj se gjatë këtyre viteve eksperience në punën time, kam parë shumë çifte që nuk kanë arritur të kryejnë akt seksual disa muaj deri në disa vjet pas martese.
Rekordin këtu e mban një çift të cilët edhe pse 15 vjet të martuar, nuk kishin kryer asnjëherë akt seksual dhe e kishin pranuar këtë fakt. Patologjia e impotencës seksuale tashmë është bërë e njohur nga ne mjekët me të gjitha format e saj. Për rastin konkret, unë jam plotësisht i bindur se ky moment është i kurueshëm. Së fundi, ju këshilloj të mos humbni kohë duke e kthyer këtë shqetësim në makth apo stres, por sa më shpejt të jetë e mundur të konsultoheni me një mjek specialist androlog.

– Penisi im përkulet nga poshtë, në një mënyrë që mua më duket jonormale. Mund të jetë ky thjesht një fiksim imi? Ka ndonjë mënyrë për ta drejtuar pa e dëmtuar?
H.G.

PËRGJIGJE:
Ashtu si gjinjtë te femra, penisi mund të jetë i madhësive dhe formave të ndryshme. Disa përkulen nga lart, disa majtas apo djathtas, disa janë të drejtë. Ka vetëm raste ekstreme të penisit jonormal. Kjo quhet sëmundja e Peironit dhe i referohet faktit që penisi ka një përkulje aq të madhe sa ndjen dhimbje kur rektohet. Një përkulje e lehtë 15 gradë në çdo drejtim është normale. Nëse mendoni se përkulja e penisit tuaj është më e madhe dhe pengon qarkullimin e mirë të gjakut, flisni me mjekun për procedurat e mundshme të rregullimit.

Dr. Arbër Neziri, Mr.Sci.

Urolog

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen