Replikë e detyrueshme

Arkivi | admin | 28.12.10 | 18:21

Përse kaq nevrik, z. Çuçka?

D.Gazulli
Në “Gazeta Shqiptare” date 27/12/2010 z. Shpëtim Çuçka ka botue shkrimin me titullin qortues “Gjuha letrare shqipe dhe nëpërkëmbjet e shqiptarëve”.
Po anashkaloj pjesën nevrike për ndërhymjen e z. Hans Joakim Lanksh, që gjithësesi nuk asht as tragjedi, as invazion nazist, ashtu si e shtjellon me nervozizem z. Çuçka. E me nervozizem, jo si do t’i takonte një gjuhëtari, aq ma tepër që predikon demokraci, asht shtjellue e gjithë tema.
Shqetësimin e jo pak gjuhëtarëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve të fushave të ndryshme se ka vend për ndreqje të karakterit përmirësues e pasunues në normëzimin e shqipes standarde, z. Çuçka i kundërpërgjigjet alla partizançe (due të them, alla partizançe të vitit 1972) se “Janë vërtet tej caqeve të çdo turpi dhe brenda caqeve të veprës kundërkombëtare ato që thuhen sot për gjuhën letrare shqipe nga kundërshtarët e hapur apo të fshehur të saj. Është vërtet e pafalshme ajo që po ndërmerret kundër saj.
Por në rast se ata, që po përgatitin – me apo pa vetëdije kjo nuk ka rëndësi – rrënimin e gjuhës letrare shqipe, janë të vendosur ta shpien deri në fund veprën e tyre, atëherë le ta kenë të qartë se kësisoj po ndërmarrin në të vërtetë aktin e çarjes së kombit dhe të shkërmoqjes së shtetit. Dhe kjo nuk mund t’u falet e nuk do t’u falet. Kurrë.”
Asht fare e lehtë të kuptohet se me një gjuhë të tillë e me një mllef të tillë flisnin komisarët e kuq 40 vjet ma parë, bile jo deri me akuza të tilla se “po ndërmarrin në të vërtetë aktin e çarjes së kombit dhe të shkërmoqjes së shtetit.”
Ky lloj atdhetarizmi bajat nuk asht i vetmi rast. Në emën të të ashtuquajtunit “identitet kombëtar e unitet kombëtar” asht përjashtue çdo mundësi për të diskutue për ndreqje të mundëshme të normave të drejtshkrimit.
Po shtrojmë disa pyetje të thjeshta:
Nëse do të ndreqeshin disa rregulla, që koha ka dëshmue se kanë nevojë të përmirësohen, ku do të cenohej identiteti kombëtar, si do të cënohej uniteti kombëtar, përse kjo do të çonte në “shkërmoqjen e shtetit”?! A nuk jemi këtu në kufijtë e marrëzisë dhe të një nervozimi atavik?
Nëse shqipja standarde qenkish “gjuha letrare shqipe”, siç e quen jashtë çdo koncepti shkencor mbi dy nocionet “gjuhë e njësueme” dhe “gjuhë letrare” z, Çuçka, atëherë, çfarë asht gjuha e De Radës, Naimit, Mjedës, Fishtës, Migjenit, Martin Camajt etj., gjuhë karrocierësh?
Akuza e kërcënime të tilla, qendrime të tilla në “istikamet” e vitit 1972, nuk çojnë uji në të mirë të shqipes. Debati shkencor, pa mllefe e akuza bajate pseodoatdhetarizmi, ai po, do të çonte në përmirësim e pasunim të shqipes.
Ka një normë, z. Çuçka, tek rregulalt e drejtshkrimit, ku thuhet se fjalën “parti” do ta shkruejmë me “P” të madhe, pra – “Parti” -, kurse fjalën Atdhe do ta shkruejmë me “a” të vogël, “atdhe”. Vallë edhe kjo nuk do të preket (se deri tashti nuk asht prekë asgja), se kështu do të çonim në “shkërmoqjen e shtetit”?
Trajtime të tilla isterike nuk ndihmojnë shqipen, i nderuem gjuhëtar.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen