Dita e pavarësisë së Amerikës, ose dita-simbol e lirisë

Histori & Fakte | Zef Prenka | 02.07.13 | 23:19

Pas dy ditësh amerikanët do të festojnë vitin e 237 të pavarësisë së tyre, ose ditën e pavarësisë. 4 korriku është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, dita kur amerikanët festojnë Pavarësinë nga Britania. Në verën e vitit 1776 kolonët amerikanë ishin mjaft të përçarë. Një në tre amerikanë ishte besnik ndaj Britanisë. Ata as që e imagjinonin dot luftën për pavarësinë. Megjithatë, shumica e tyre ishin tepër të zemëruar me atë që ata e konsideronin trajtim jo të drejtë nga ana e qeverisë britanike. Britania u merrte kolonive taksë, edhe pse ata nuk kishin përfaqësuesit e tyre në perandori. Britania gjithashtu anulonte çdo ligj të kolonive, nëse nuk e pëlqente. Në qershor të vitit 1776 kolonitë kishin filluar revoltën e hapur. Një numër luftimesh ishin zhvilluar midis forcave të kolonive dhe trupave britanike. Ndërkohë kishte filluar të përhapej ideja e pavarësisë. Delegatë nga 13 kolonitë e Amerikës u mblodhën në Filadelfia për një takim të Kongresit Kontinental. Edhe delegatët e këtij kongresi ishin të ndarë në mendime. Disa prej tyre ende shpresonin se kolonitë do të mund të arrinin një marrëveshje me Britaninë. Të tjerë besonin se kolonitë do të mund t’i fitonin të drejtat e tyre vetëm duke qenë shtet i pavarur. Kongresi Kontinental doli me vendimin për të përgatitur Deklaratën e Pavarësisë. Tomas Xheferson ishte në krye të Komitetit të zgjedhur për shkrimin e dokumentit. Ndërsa anëtarët e Komitetit punonin, Kongresi vazhdonte të debatonte lidhur me çështjen e pavarësisë. Më 2 korrik të vitit 1776 Kongresit iu dha vota zyrtare në lidhje me këtë çështje. Të gjitha kolonitë, me përjashtim të Nju-Jorkut, votuan pro këtij vendimi. Delegatët e Nju-Jorkut thanë se po prisnin urdhra nga udhëheqësit e qytetit të tyre para se të votonin. Por ata gjithashtu premtuan se edhe kolonia e tyre do të votonte në favor të pavarësisë. Xhon Adams i shkroi gruas së tij një letër po atë ditë, më vonë. Ai i shkruante se 2 korriku do të ishte dita zyrtare e vendit të ri. Në fakt, nuk ndodhi kështu. Dita zyrtare e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u caktua 4 korriku, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e dokumentit të pavarësisë. Deklarata e Pavarësisë fajësonte qeverinë britanike për të gjitha padrejtësitë që u ishin bërë kolonive. Në të deklarohej se qeveritë kishin të drejtën të ekzistonin vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre. Në Deklaratë gjithashtu thuhej se populli kishte të drejtën të ndryshonte qeverinë, nëse ajo u mohonte atyre të drejtat.

Festimet

Çdo vit më 4 korrik amerikanët festojnë së bashku me familjet e tyre lirinë dhe pavarësinë me piknik dhe tubime familjare. Autoritetet shtetërore dhe federale kanë mobilizuar mijëra oficerë të policisë për të patrulluar rrugët dhe sheshet e qendrave të banuara. Forca të tjerë të ruajtjes së rendit do të ruajnë hotelet dhe pikat tërheqëse për turistët. Miliona njerëz, si për shembull në Nju-Jork dhe në disa shtete të SHBA-ve do të jenë në gjendje të gëzojnë sonte spektaklin e mahnitshëm me fishekzjarrë, i cili është mbresëlënës sonte. Aktivitetet lidhur me ditën e pavarësisë përfshijnë edhe garat, aktivitete sportive e koncerte në skena të hapura me këngëtarë nga më të njohurit në SHBA. Deklarata e Pavarësisë është një dokumenti nëpërmjet të cilit 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut e shpallën veten të pavarur nga Mbretëria e Bashkuar. Dokumenti u ratifikua nga Kongresi Kontinental më 4 korrik 1776. Deklarata e Pavarësisë është një nga simbolet e lirisë dhe një nga simbolet më të dashura e të nderuara të Shteteve të Bashkuara.

Historia

Në fillimet e tyre Shtetet e Bashkuara përbëheshin nga trembëdhjetë koloni, që ishin shtetet e sotme, që okupojnë po të njëjtin territor që kishin edhe kur ishin koloni Britanike. Kolonistët amerikanë i mposhtën britanikët në Luftën Revolucionare Amerikane të viteve 1770 dhe shpallën pavarësinë më 1776. Shtatë vjet më vonë nënshkrimi i Traktatit të Parisit zyrtarisht i njohu pavarësinë nga Britania e Madhe [8]. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë zgjerimi i territorit amerikan drejt Perëndimit filloi mbi besimin në Fatin e Manifestit, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara do të okuponin të gjithë tokën e Amerikës Veriore nga Lindja në Perëndim, nga oqeani Atlantik e deri tek ai Paqësor. Më 1912, me hyrjen e Arizonës në Union, Shtetet e Bashkuara ia arritën qëllimit. Shtetet e Alaskës dhe Havait u pranuan të dyja më 1959.

E ratifikuar më 1788, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara shërben si ligj suprem amerikan në organizimin e qeverisë; Gjykatës supreme është përgjegjëse për ligjin Kushtetues. Ka pasur mjaft përparim social prej shekullit të 19-të; këto zhvillime janë reflektuar gjerësisht në Kushtetutë. Skllavëria u ndalua më 1865 nga Amendamenti i Trembëdhjetë i Kushtetutës Amerikane; Amendamenti i Katërmbëdhjetë dhe Pesëmbëdhjetë, që e pasuan atë, garantonin shtetësi për të gjithë personat e natyralizuar brenda territorit të Shteteve të Bashkuara dhe të drejtë vote për personat e të gjitha racave. Në vitet e mëvonshme të drejtat civile u zgjeruan për gratë dhe amerikanët me ngjyrë, pas lobimit të aktivistëve socialë. Amendamenti i Nëntëmbëdhjetë i Kushtetutës Amerikane ndaloi diskriminimin gjinor në të drejtën e votës. Më vonë Akti i të Drejtave të Njeriut i 1964 dënonte si krim ndarjen ose veçimin e personave sipas racave në vende publike.

Epoka përparimtare shënoi një kohë të zhvillimit ekonomik të Shteteve të Bashkuara, duke u zhvilluar në të njëzetat hungëruese (Roaring Twenties). Sidoqoftë, rënia e Uoll-Stritit më 1929 çoi tk Depresioni i Madh, një kohë e rënies ekonomike dhe papunësisë së lartë. Rrjedhimisht, qeveria amerikane themeloi “Nju-Deal” (Marrëveshjen e Re), një seri e reformave dhe programeve, që kishin për qëllim të asistonin ata që prekeshin nga Depresioni. “Nju-Deal” kishte sukses të ndryshueshëm. Sidoqoftë, kur Shtetet e Bashkuara në dhjetor 1941 hynë në Luftën e Dytë Botërore, ekonomia shpejt u rimëkëmb, madje aq sa SHBA-të u bënë superfuqi botërore në agim të Luftës së Ftohtë. Gjatë Luftës së Ftohtë SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik ishin dy superfuqitë e botës, por me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara mbetën superfuqia e vetme në botë./Metropol/

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen